Rregullatori farmaceutik - një perspektivë tjetër

Myesere HoxhaMyesere Hoxha
Publikuar: 21.12.2012 - 19:43

E përfolur në media për proceset e rekrutimit dhe përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv, për suspendim të personelit, e për një sërë çështjesh tjera të cilat mund të kenë apo të mos kenë ndonjë rëndësi po të vështroheshin nga perspektiva tjera, Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale ka edhe një anë të fortë, e kjo është kuadri profesional me aftësi, përvojë dhe përkushtim për të rregulluar sektorin farmaceutik.

Me çfarë ballafaqohet ky kuadër? Cila janë sfidat e tyre? Sa përkrahet ky kuadër për të përmbushur rolin që Agjencia ka? Sa kanë hapësirë që të ndajnë aftësitë, përvojën dhe përkushtimin e tyre për të rregulluar sektorin farmaceutik në Kosovë është çështje që asnjëherë nuk është ngritur apo edhe mbuluar nga media dhe as që ka ndonjë interesim të vihet fokusi në këtë aspekt.

Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) është degë ekzekutive e Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Misioni i saj është mbrojtja e shëndetit publik nëpërmjet garantimit të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të produkteve medicinale të plasuara në Kosovë. Një agjenci ekzekutive është pjese e qeverisë e cila trajtohet ndaras në aspektin menaxherial dhe buxhetor në mënyrë që të përmbushë pjesë të funksioneve ekzekutive të qeverisë.  Në Kosovë, AKPM nuk trajtohet ndaras në asnjë nga aspektet e lartpërmendura. Kjo ka bërë që AKPM përveç tjerave, të mos arrijë të përmbushë në tërësi rolin dhe funksionin e saj. Me këtë rast përveç një ligji i cili në parim rregullon sektorin farmaceutik, ka mungesë të akteve nënligjore të cilat e rregullojnë këtë sektor në aspektin e prodhimit të produkteve farmaceutike dhe pajisjeve medicinale, në fushën e autorizim marketingut respektivisht regjistrimit të barnave, mungesës së rregullimit të çmimeve të produkteve farmaceutike, mungesës së rregullimit të mirëfilltë të shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve farmaceutike, mungesës se rregullimit të kontrollit të cilësisë së produkteve dhe pajisjeve medicinale, etj. Dhe kjo, jo për shkak të mos vullnetit dhe mos kompetencës së kuadrit profesional të kësaj Agjencie, por për shkak të një politike rivale të çuditshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Mosnjohja e rëndësisë dhe rolit të një agjencie ekzekutive, mospasja e një vizioni për të dhe për sektorin farmaceutik në përgjithësi, por edhe ndikimit të fortë të palëve tjera të interesit të cilat nuk e kanë në dobi rregullimin e tij, kanë bërë që ky sektor te jetë ende i parregulluar dhe me këtë rast me hapësirë të madhe për t’u manipuluar, por në të njëjtën kohë edhe për të pamundësuar punë të ndershme për ata që kanë vullnetin e mirë të veprojnë ashtu.

Një nga efektet negative konkrete të mungesës së rregullimit të këtij sektori përveç tjerave, të cilat mund të kenë edhe pasoja më të mëdha, është edhe ndikimi që ka pasur kjo në të vetmin prodhues vendor të pajisjeve medicinale. Ky prodhues, përveç investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe në pajisje prodhuese, ka vendosur të gjitha praktikat e mira të prodhimit dhe ka certifikuar sistemin e tij të menaxhimit nga një kompani ndërkombëtare me renome botërore. Megjithatë, prodhuesi ballafaqohet me fenomene të cilat nuk janë të njohura në shtete dhe nuk gjejnë mënyra për t’u sqaruar pse ato janë ashtu. Në bazë të kësaj del se ne jemi një shoqëri shumë e civilizuar, rregullojmë dhe punojmë në bazë të standardeve për shkak të vullnetit të mirë, dhe jemi shumë më përpara se institucionet që duhet të na paraqesin kërkesat konkrete për ta rregulluar sektorin ku biznesi operon. Mungesa e rregullativës në fuqi ka bërë që këtij prodhuesi t’i pamundësohet prodhimi për një kohë të gjatë, gjë që ka dëmtuar ekonomikisht prodhuesin dhe investitorin dhe ka lënë më shumë se dhjetë punëtorë pa filluar punën e shumëpritur.

Megjithatë, kjo situatë nuk është e këtillë për shkak të mungesës së kuadrit profesional për draftimin e këtyre rregulloreve, pasi që një rregullore e tillë dhe shumë të tjera janë draftuar nga agjencia në fjalë, por për shkak të mungesës së vullnetit politik që këto rregullativa të aprovohen dhe si të tilla të hyjnë në fuqi.  Situata e këtillë çdo ditë e më tepër jo që dëmton prodhuesit dhe investitorët vendor, por pamundëson futjen e investimeve të huaja direkte aq shumë të nevojshme për qytetarët e Kosovës.

Agjencia është e organizuar dhe menaxhohet në atë formë ku çdo departament paraqet një proces kyç të saj përmes të cilave përmbush misionin e saj të përcaktuar edhe me ligj. Deri më tani, pjesa më thelbësore e kësaj agjencie, Inspektorati me veprime të paanalizuara mirë, disa herë është shkëputur dhe më vonë i është kthyer agjencisë.  Tanimë mësojmë se ekziston edhe një tentativë e re për të bërë të njëjtën prapë. Veprimet e këtilla, përveç tjerash kanë bërë që kjo agjenci të mos arrij të konsolidohet mirë dhe ka cunguar në përgjithësi punën ekzekutive të saj si dhe ka pamundësuar një inspektim të mirëfillte të sektorit farmaceutik. Shumë çështje tjera organizative dhe menaxheriale të cilat do të duhet të inicioheshin për të përmirësuar performancën e kësaj agjencie janë lënë të mangëta dhe kanë nevojë për përkushtim dhe vullnet politik në mënyrë që ato të funksionojnë për së mbari.

Lidership politik jo i fokusuar nga qytetari, mungesë e përkushtimit, vendime jo të bazuara në fakte, mungesë e vazhdueshme e një sistemi efektiv të menaxhimit nuk janë pjesë në të cilat kuadri profesional i AKPM mund të ndikojë, apo shume pak mund të ndikojë. Ky stil i lidershipit në vazhdimësi ngre skepticizmin  në mundësinë e përmirësimit te performancës së kësaj organizate edhe më tutje.

Ky kuadër edhe pse ka vullnetin të rregulloj këtë sektor është i kufizuar të kryejë punën e vet. Si duket në vendin tonë për shkak të fuqisë (jo të mirëfilltë) politike edhe një kohë të gjatë nuk do të vijë në pah fuqia e ekspertit e cila do të duhej të mundësonte që njohuritë teknike dhe profesionale brenda organizatës të përdoren me potencialin e plotë për të mbajtur një organizatë funksionale. E në fund e tërë kjo fatkeqësisht paguhet nga qytetari!