Leksionet e nxjerra nga “Sandy”

Bjørn Lomborg
Publikuar: 20.11.2012 - 19:06

Kopenhagë,  nëntor – Kur “superstuhia” Sandy goditi bregdetin lindor të SHBA-së, më 29 tetor, jo vetëm që vërshoi metronë e qytetit të New Yorkut, por u bë faktori më i rëndësishëm për 15 për qind të votuesve amerikanë, në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën një javë më vonë. Ajo po ashtu ringjalli pohimet se ngrohja globale ishte shkaktare e ngjarjeve të tilla, së bashku me argumentin të papërgjegjshëm moralisht se ne duhet t’u ndihmojmë viktimave të uraganeve në të ardhmen, duke e reduktuar lirimin në atmosferë të dyoksidit të karbonit.

Prej Bill Clintonit e deri tek Robert Redford, personalitete të shumta thanë se “Sandy” ishte rezultat i ndryshimeve klimatike. Ishte mbresëlënëse ballina e “Bloomberg Businessëeek”, me titullin historik, “Është ngrohja globale, të marrë”, mbi fotografinë e “Manhattanit” të vërshuar.

Tani, ngrohja globale është reale dhe reduktimi i lirimit të dyoksidit të karbonit është një ide e mirë, pasi që kostoja për ta bërë një gjë të tillë është më e ulët sesa e dëmeve që parandalon ajo. Ekziston edhe një fije e së vërtetës në lidhjen midis uraganeve dhe ngrohjes globale: Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshime Klimatike (IPCC) pret më pak uragane, ndonëse ato do të jenë më të fuqishme gjatë fundit të këtij shekulli.

Por, shekulli nuk do të marrë fund edhe 88 vjet dhe të konsiderosh tani shkaktar ngrohjen globale është thjesht jobindëse (burimi i parë i “Bloombergut” për pohimin e vet ishte një porosi në Twitter). Në raportin e vet të vitit 2012 rreth kushteve ekstreme atmosferike, IPCC-ja pati shkruar se nuk është fort bindëse lidhja e uraganeve me ngrohjen globale.

Autorët e njërit prej raporteve kryesore shkencore të OKB-së rreth uraganeve e kanë thënë shumë qartë: “Është herët të konstatohet se aktivitetet njerëzore… tashmë kanë ndikim mbi aktivitetin e uraganeve në Atlantik”.

Ne nuk do të jemi në gjendje të konstatojmë ndonjë ndikim “derisa t’i afrohemi fundit të shekullit”.

Në të vërtetë, SHBA-ja nuk ka përjetuar uragan të kategorisë së tretë apo më lart që nga “Wilma” më 2005. Këto shtatë vjet pa uragane të fuqishme paraqesin periudhën më të gjatë brenda më shumë se një shekulli. (Sandy, që u degradua nga statusi i uraganit para se ta godiste New Yorkun, nga mediet u quajt “superstuhi”).

Derisa “Bloomberg” shkruan se “Sandy” paraqet stuhinë më të kushtueshme në historinë amerikane dhe ka ndikime për “mbijetesën e racës njerëzore”, një gjë e tillë është thjesht e gabuar, ashtu siç do të tregojë evokimi i kostos së uraganit “Kaltrina”. Në të vërtetë, kur marrim parasysh inflacionin dhe rritjen e komuniteteve bregdetare, “Sandy” rangohet e 17-ta, si për nga numri ashtu edhe për nga fuqia, uraganet që kanë goditur SHBA-në janë dobësuar që nga viti 1900, e jo rritur.

Ngjashëm, në aspektin global fuqia e uraganeve gjatë katër vjetëve të kaluar (përfshirë Sandyn) ka qenë më e ulët. Dhe, ndonëse uraganet do të jenë mbase 2-11 për qind më të fuqishme deri në fund të shekullit, ato do të jenë më pak të shpeshta, derisa shoqëritë do të jenë më të gatshme të përballen me to. Po ashtu, kostot totale globale të dëmeve do të bien prej 0.04 për qind në 0.02 për qind të GDP-së botërore gjatë kësaj periudhe.

Por, dëmi i vërtetë nga pohimet rreth “Sandyy” dhe ndryshimeve klimatike rrjedh nga ajo që pason shpesh: argumenti se nëse ngrohja globale e shkaktoi këtë shkatërrim, ne duhet t’u ndihmojmë viktimave të ardhshme të uraganeve, duke reduktuar tani dyoksidin e karbonit. Siç tha Redford, “ne duhet ta reduktojmë ndotjen me dyoksid karboni, që është duke i shkaktuar këto stuhi”. Ashtu si edhe shumë të tjerë, atij i ngjallin neveri njerëzit që janë skeptikë: “Duke shpërfillur faktet shkencore, ata po përbuzin vuajtjet njerëzore që po ndodhin si shkak i ndryshimeve klimatike”.

Por, fatkeqësisht, pikërisht duke u përqendruar në reduktimin e dyoksidit të karbonit, ne jemi duke shpërfillur vuajtjet njerëzore, për shkak se çfarëdo reduktimi i tillë nuk do të bëjë asgjë për 50-100 vjetët e ardhshëm.

Ta marrim parasysh ngritjen e niveleve të detit, që ka shkaktuar dëmet më të mëdha në New York. Modelet tregojnë se politika më ambicioze klimatike “Plani 20-20” i BE-së do të ketë një kosto neto prej afërsisht 250 miliard dollarësh në vit gjatë pjesës tjetër të shekullit apo rreth 20 biliardë dollarë në përgjithësi. Megjithatë, ai do të ulë ngritjen e nivelit të detit për vetëm nëntë milimetra deri më 2100. Po të miratonte edhe SHBA-ja një plan të tillë, atëherë kostoja dhe përfitimet do të ishin në të njëjtën shkallë: një reduktim prej dy centimetrash në ngritjen e nivelit të detit deri në fund të shekullit dhe një kosto prej 500 miliardë dollarësh në vit.

Ta marrim parasysh këtë skenar jashtëzakonisht joreal: madje edhe nëse e bindim pothuajse menjëherë tërë botën – përfshirë Kinën dhe Indinë – që të ndërmarrim reduktime drastike të dyoksidit të karbonit, e madje edhe nëse mund ta thithim dyoksidin e karbonit nga atmosfera, ne do të reduktonim nivelin e detit për vetëm 18 deri në 45 centimetra deri në fund të shekullit. Modelet tregojnë se kostoja, deri atëherë, do të ishte të paktën 40 biliardë dollarë në vit.

Ta krahasojmë këtë me shqetësimin e New Yorkut: shansin prej 3.3 për qind secilin vit (pa ngrohjen globale) se një uragan i kategorisë së tretë do ta godasë New Yorkun. Kjo do të shkaktonte ngritje të nivelit të detit deri në 7.5 metra (pothuajse tri metra më të lartë se “Sandy”), duke e vënë aeroportin “Kennedy” gjashtë metra nën ujë. Pjesa më e madhe e dëmeve do të mund të menaxhoheshin përmes ngritjes së mureve – gjithçka me një kosto prej 100 milionë dollarësh në vit.

“Sandy” bëri që të shtrohej një pyetje themelore për të gjitha pjesët e botës që preken nga uraganet. Po qe se duam të reduktojmë dëmet nga uraganet, a nuk duhet  të përqendrohemi në zgjidhje të lira, që do të na mundësonin të menaxhojmë situatat e tilla, apo të merremi me zgjidhje që kushtojnë shuma marramendëse, për të cilat do të duheshin njëqind vjet, me qëllim që të ulnim për nëntë milimetra valët 7.5-metrash?

Zgjidhja është e qartë dhe ajo nuk ka fare lidhje me reduktimin e menjëhershëm të lirimit të dyoksidit të karbonit në atmosferë.



(Autori, profesor bashkëpunëtor në Copenhagen Business School, e ka themeluar dhe drejton institutin “Copenhagen Consensus Center”, që synon të studiojë problemet me ambient. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)