Dështon politika e barazimit të përgjegjësisë për krimet e luftës në Ballkan

Augustin Palokaj Augustin Palokaj
Publikuar: 20.11.2012 - 18:50

Të premten në Tribunalin e Hagës ka ndodhur kthesa më e madhe në historinë e drejtësisë ndërkombëtare. Dy gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markaq, të akuzuar nga ish-kryeprokurorja Carla del Ponte për krime lufte ndaj serbëve dhe të dënuar nga trupi gjykues në shkallën e parë me 24, përkatësisht 18 vjet burgim, janë  shpallur të pafajshëm dhe janë liruar menjëherë. Të pabaza janë shpallur edhe konstatimet se në Kroaci kreu i shtetit ka pasur një „ndërmarrje të bashkuar kriminale“ dhe se „operacioni ‘Oluja’ ka pasur për qëllim kryerjen e krimeve“. Po ashtu, pohimet për „granatim jolegjitim“ të qytetarëve që mbanin serbët në Krainë nën kontroll janë shpallur jo vetëm të pabaza, por edhe „krejtësisht të paarsyeshme“.

E gjithë kjo është pritur me eufori në Kroaci. Së pari janë gëzuar për lirimin e dy gjeneralëve, të cilët kot janë mbajtur në burg për më shumë se 7 vjet. Së dyti, me këtë verdikt përfundimisht është konstatuar se operacioni ushtarak i Kroacisë në verën e vitit 1995 për çlirimin e pjesës së saj të okupuar nga serbët ka qenë legjitim dhe se lufta mbrojtëse ka qenë e drejtë.

Në Kroaci ky vendim është kuptuar si çlirimi i dytë i Kroacisë, si fundi i vërtetë i luftës. Luftës çlirimtare i është kthyer dinjiteti, ndërsa kombi asnjëherë nuk ka qenë më i bashkuar. Qindra e mijëra njerëz nëpër sheshe të Kroacisë kanë festuar, ndërsa të dielën në Vukovar, si asnjëherë më parë, me dhimbje por me dinjitet të jashtëzakonshëm është shënuar 21-vjetori i rënies së këtij qyteti në duart e ushtarëve dhe të paramilitarëve serbë. Nënat e rreth 500 personave të vratë nga forcat serbe në Vukovar, trupat e të cilëve as sot pas 21 vjetësh nuk janë gjetur, shprehin vetëm shpresën se një ditë do ta gjejnë së paku një asht për ta varrosur me dinjitet. „Vetëm një dëshirë kam. T’i gjejmë eshtrat e birit tim, t’ia bëjmë një varr me dinjitet njerëzor dhe ta kem një vend ku mund të ndez një qiri, të lutem dhe të vajtoj sikur secila nënë që humb bijtë apo bijat e veta“, thoshte një nënë nga Vukovari.

E në tërë këtë eufori me dinjitet të jashtëzakonshëm u prononcuan kryetari i shtetit, Ivo Josipoviq, dhe kryeministri  Zoran Miçlanoviq. Ata i pritën si heronj të liruarit nga Haga. Askush nuk mund t’ua zërë për të madhe, sepse ata janë qytetarë të lirë, të pafajshëm. Iu falënderuan atyre për sakrificën që kanë bërë për çlirimin e shtetit dhe për vuajtjet, të cilat askush nuk mund t’ua kompensojë. Por, të dy udhëheqësit shtetërorë të Kroacisë përkujtuan se, edhe pse lufta e Kroacisë ka qenë e drejtë, mbrojtëse dhe fitimtare, edhe kroatët në këtë luftë kanë bërë gabime dhe kanë bërë krime. „Shteti nuk është  përgjegjës për këto krime, por shteti është përgjegjës për të gjetur dhe dënuar individët që kanë bërë krime të tilla“, ka thënë Josipoviq.

Kështu, në Kroaci e gjithë kjo eufori ka shërbyer për të ngritur moralin e kombit, i cili ishte futur në një depresion për shkak të krizës ekonomike dhe as pritja që pas tetë muajsh të bëhet anëtare e 28-të e BE-së nuk mund të kthente vetëbesimin. Tash në BE do të hyjë një Kroaci e lirë, pa njolla në historinë e saj prej pavarësisë e deri sot, me dinjitet. Një Kroaci ku korrupsioni nuk falet as nga populli e as nga organet e drejtësisë. Një Kroaci ku luftëtarët dhe çlirimtarët dashurinë ndaj atdheut e dëshmojnë duke kryer me besnikëri punët e tyre dhe duke mos u thirrur në meritat e luftës për të vjedhur shtetin për të cilin kishin luftuar. Ata që këtë e kanë bërë janë duke u dënuar.



Serbia vazhdon të jetojë me iluzione



Në anën tjetër të Danubit skena politike në Serbi, mediat dhe e tërë shoqëria janë tronditur nga vendimi i Gjykatës së Hagës. Kryeministri Ivica Daçiq ka thënë se „drejtësia ndërkombëtare nuk ekziston“, ndërsa me këtë është pajtuar edhe presidenti Tomislav Nikoliq, i cili ka thënë se „tash do t’i bjerë se vetëm serbët kanë bërë krime, ndërsa dëbimi më i madh i popullatës pas Luftës së Dytë Botërore, dëbimi i serbëve të Krainës, do të mbetet si legjitim“. Edhe „i moderuari“, ish-presidenti Boris Tadiq  e ka quajtur këtë verdikt si „goditje të rëndë për drejtësinë ndërkombëtare“. Tadiq, madje, u ka bërë „thirrje kroatëve që të përmbahen“, thuajse ai është president i kroatëve. Në sjelljet e pakontrolluara të tyre ka prirë Vuk Jeremiq, i cili tash është hiç më pak se „kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së“ ( që më së miri flet për reputacionin e OKB-së), i cili në “Twiter” u është kërcënuar „kriminelëve ndërkombëtarë se do t’u japë një goditje fatale“. „Le të mendojnë ata të cilët janë pajtuar që EULEX-i të bëjë hetime për trafikim organesh në Kosovë. Tash do të dalë se serbët vetes ia kanë hequr organet“. Kjo dehje e humbësit në Serbi nuk ka përfunduar vetëm me deklarata. Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës ta ulë vetëm „në nivel teknik“.

Ajo që ka filluar t’i shqetësojë edhe më shumë në Serbi është edhe pritja reale që Ramush Haradinaj të lirohet më 29 nëntor. Ekspertët që kanë ndjekur rigjykimin e pjesshëm nuk shohin arsye për t’u ndryshuar verdikti si i pafajshëm, sepse nuk janë parë dëshmi të forta për të konstatuar të kundërtën.

Në Serbi duhet t’i kuptojnë përfundimisht disa gjëra. Më së shumti ka serbë të dënuar në Hagë, për shkak se më së shumti serbë kanë marrë pjesë në luftërat në territore jashtë Serbisë. Ata edhe kanë bërë më së shumti krime. Asnjë kroat, asnjë shqiptar i Kosovës, asnjë mysliman i Bosnjës, nuk e kanë sulmuar as Beogradin, as Novi-Sadin e as Kragujevcin, por kanë mbrojtur shtëpitë dhe vendin e tyre. E nga Serbia ushtarë, tanke, avionë e raketa janë vërsulur ndaj Vukovarit e Dubrovnikut, Srebrenicës e Sarajevës, Prekazit e Deçanit. Liderët e sotëm të Serbisë e dinë më mirë se të gjithë këtë gjë, sepse vetë kanë qenë personalisht të angazhuar në këto fushata luftërash. Për presidentin e Kroacisë, Nikoliq thuhet se personalisht ka marrë pjesë në luftime në territorin e Kroacisë. E ai i ka thënë edhe pasi është bërë president i Serbisë një gazetari gjerman se „Vukovari është qytet serb dhe kroatët nuk kanë pse të kthehen atje“.  Kryeministri Daçiq edhe pas takimeve me Thaçin ka thënë se mburret se „kur ka qenë nevoja ka luftuar në Kosovë“. Bile ka shtuar se në këtë luftë „do të kishte fituar sikur të mos e kishte ndalur bashkësia ndërkombëtare“. Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Vuçiq,  edhe pas luftës ka vazhduar të thotë se „Karllobagu-Virovitica dhe Karrlovaci (qytete në Kroaci) janë qytete serbe“. Vuçiq mund të dëgjohet edhe në youtube në kërcënimin  e tij gjatë bombardimeve se „le të guxojnë të na bombardojnë, sepse për 1 serb të vrarë ne do të vrasim 100 myslimanë e lë të shohim atëherë“.  Edhe deklaratat për largimin e  serbëve nga Kraina si „dëbimin më të madh“ janë të pasakta, sepse nga Kraina janë larguar 200.000 serbë. Nga Kosova, Serbia kishte përzënë gati një milion shqiptarë,madje duke ua marrë dokumentet dhe duke i djegur, në mënyrë që të mos ktheheshin më.

Tash dikush do të duhej të shqetësohej pse liderët e sotëm në Serbi shqetësohen. Është e pakuptueshme se si në Bruksel disa qarqe shqetësohen për pasojat politike për Serbinë nga lirimi i dy gjeneralëve kroatë. Më mirë do të ishte sikur ata të shqetësoheshin me faktin se kush është në pushtet në Serbi dhe si mund të kenë bashkëpunim normal me ta.

Liderët kroatë kanë zgjedhur mënyrën më të mirë. „Nuk është me rëndësi çfarë thonë në Serbi“ , thotë presidenti Josipoviq, i cili vazhdon të refuzojë çfarëdo takimi me homologun e tij serb Nikoliq, duke thënë se „unë nuk mund të takohem me dikë që thotë vetë se është çetnik, mohon gjenocidin në Serebrenicë dhe bën deklarata të papranueshme për Vukovarin“.

Me gjithë euforinë në Kroaci, shumica e kroatëve, siç  tregojnë anketat e botuara të dielën në “Jutarnji list”,  pajtohen se pas operacionit „Oluja“ edhe pala kroate ka bërë krime. Shumica e kroatëve pajtohen se bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës ka qenë dhe është i nevojshme, dhe se kroatët që dëshmohet se kanë bërë krime ndaj serbëve duhet dënuar. 

Në Serbi nga ana tjetër vetë presidenti Nikoliq mohon të ketë ndodhur gjenocid në Srebrenicë, për këtë deklaratë ka „mirëkuptim“ edhe ish-paraardhësi i tij Tadiq. Shumica e qytetarëve në Serbi ende nuk besojnë se janë bërë krime në Srebrenicë dhe Sarajevë. Atyre nuk u bën përshtypje as verdikti i gjykatave ndërkombëtare, sikur nuk u ka bërë përshtypja as kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, ka konstatuar se „Deklarata e Pavarësisë së  Kosovës nuk e ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare“. Serbia ende mendon se e drejtë është vetëm ajo që është në pajtim me qëndrimin e Serbisë.



Politika e barazimit të fajit ka qenë e gjykuar të dështonte



Për vite kemi qenë dëshmitarë të tentativave të shumë qarqeve ndërkombëtare për të barazuar fajin dhe për të shpërndarë përgjegjësinë mes të gjitha palëve në territorin e ish-Jugosllavisë. Kjo është parë jozyrtarisht ndoshta si një oportunitet politik me bindjen se „duke e shpërndarë përgjegjësinë do të arrihet më shpejt pajtimi“. Si eksponent kryesor i tentativave të tilla ka qenë edhe Carla de Ponte, një prokurore e njohur zvicerane, por që tash dëshmohet si aspak profesionale. Tërë politika e ngritjes së aktakuzave në Tribunalin e Hagës ka humbur tash kredibilitetin, sepse shumica e aktakuzave ku gjykatat i kanë liruar të akuzuarit duke i shpallur të pafajshëm kanë qenë në rastet kur janë akuzuar joserbët. Këtë si të dëmshme për kredibilitetin e Prokurorisë e sheh edhe Geoffrey Nice, një ndër prokurorët më të rëndësishëm të Tribunalit të Hagës, i cili kishte udhëhequr procesin kundër Slobondan Milosheviqit. Nice nuk ngurron të thotë se „ka qenë shqetësues“ insistimi i Carla del Pontes që me çdo kusht të akuzohej Ramush Haradinaj, me gjithë këshillat e bashkëpunëtorëve që të mos bëhej kjo, sepse nuk kishte dëshmi të besueshme.       

Se nuk është aspak profesionale si juriste Carla del Ponte ka dëshmuar të premten, kur në televizionin kroat ka thënë se „është shumë shumë e habitur me vendimin e gjykatësve“ dhe se ende beson se „ka pasur mjaft dëshmi që gjeneralët të dënoheshin“. Një profesionist i vërtetë nuk i komenton, por i respekton vendimet e gjykatësve edhe atëherë kur personalisht nuk pajtohet me to. Joseriozitetin e  saj e kishte treguar edhe në librin e saj skandaloz, ku ka shkruar thashetheme të dëgjuara nga gazetarët, të cilave as vetë gazetarët nuk u kishin besuar. Sipas saj, krimet ndaj kroatëve në Vukovar nuk i kishte bërë „JNA“, por „individët“, ndërsa për krimet ndaj serbëve ajo kishte akuzuar shtetin e Kroacisë.

Tash edhe në Bruksel po e kuptojnë se Del Ponte ka qenë vetëm një „prokurore e zhurmshme“ që më shumë është marrë me politikë sesa me drejtësi. Epilogu i aktakuzave të ngritura nga ajo është fatal, shumica janë hedhur poshtë në gjykata. Por tash është mirë që edhe rezultatet e gjykimeve në Hagë do ta bëjnë të qartë se janë Serbia dhe forcat serbe në Kroaci, Bosnjë e Kosovës  që kanë bërë më së shumti krime. Kjo do të thotë se edhe tentativat që Tribunali i Hagës të shfrytëzohet për të lënë përshtypjen se „të gjithë kanë njësoj faj“ ka dështuar.

 Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i ndihmojë tash Serbisë që ta kuptojë se ajo është përgjegjësja kryesore për luftërat e fundit në Ballkan dhe për krimet më të mëdha. Nëse vazhdojnë t’i lëshojnë pe Serbisë, vetëm do t’ia zgjasin iluzionet se Serbia ose „nuk ka faj“ ose „ka më së paku faj“. Fakti se krime individuale ka pasur edhe nga palët e tjera të luftës nuk duhet të përdoret për të barazuar përgjegjësinë. Lirimi i dy gjeneralëve kroatë, pritja që pas dhjetë ditësh të lirohet edhe Ramush Haradinaj, nuk duhet t’i shqetësojë zyrtarët e BE-së në Bruksel. Vetëm e vërteta e jo harresa apo lojërat politike mund të ndihmojnë në procesin e pajtimit dhe në shërimin e plagëve të luftës.

Tome GASHI09.12.2012/22:32

ME TEPER SE KAQ NUK KA QKA TE THUHET, URIME AUGUSTIN EDHE NE NJI SHKRIM SHUME TE MIRE DHE ME FAKTE