PTK, ky tregim i bukur

Lumir Abdixhiku Lumir Abdixhiku
Publikuar: 29.10.2012 - 20:37

I pari, tri mijë e treqind e dyzet e nëntë (3.349) është numri i punëtorëve aty. I dyti, gjashtëqind e dyzet e nëntë (649) është numri i të pranuarve në punë vetëm brenda vitit 2009. I treti, një mijë e dyqind euro (1.200) është paga mesatare e një punëtori. I katërti, treqind e shtatëmbëdhjetë milionë euro (317.000.000) është kontributi i asetit në buxhetin e Kosovës vetëm në pesë vjetët e fundit. I pesti, shtatë milionë euro (7.000.000) është vlera e parave të shpërndara si paga në vend të dividentës në vitin 2010. Dhe i fundit, një (1) është ndërmarrja më profitabile në vend, Postë-Telekomi i Kosovës (PTK).

Në numra si këta njeriu gjen sa elemente shpresëdhënëse aq edhe dekurajuese. Për shembull, sa herë që flitet për vlerën e privatizimit të PTK-së, fitimi prej 317 milionëve (në vetëm pesë vjet) do të duhej të shërbente si shpresëdhënës e si paratregues sesa nuk bën të shitet aseti. Për dallim nga kjo, numrat e tjerë, si ato të të punësuarve plot, pagave të majme, luksit e bonuseve, do të duhej të shërbejnë si burim i alergjisë ndaj shalimit të paturpshëm që politika e turpshme kosovare i ka bërë aseteve publike nëpër vite.

Ky shalim fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kur mediat tona bënë publike emrin e kryeshefit të ri ekzekutiv në PTK, një nip i deputetit Azem Syla, e para e mendjes më erdh treni i uzurpimit institucional nga një qeveri që kontrollon gjithçka e që sillet pa fije respekti ndaj pasurisë publike. Në të vërtetë, ndërmarrjet publike vetëm se thirren si publike; nëse asgjë tjetër ato janë kaherë të privatizuara e pronë private e njerëzve më të fuqishëm të politikës kosovare. Caktimet e stilit ‘alla-leme-xhema’ nuk i paragjykoj për lidhjet familjare, por paragjykimin për dikë që ende nuk ka treguar veten (quajeni këtë paragjykim timin joprofesional ose si të doni)  e bëj nga relacionet e principeve. Një i ri pa kualifikim minimalisht adekuat akademik e eksperiencal është caktuar për CEO në një ndërmarrje që në pesë vitet e fundit ka bërë qarkullim gati 1 miliardësh. Nuk ndodh askund në botë. Relacione si këto mund të prodhohen vetëm në Kosovë e në Kosovë dhe do të vdesin. E bashkë me vdekjen e tyre fatkeqësisht do të vdesin dhe shumë copa të pasurisë publike të cilat vazhdojnë të përdhunohen nga individualistë amorfë në kurriz të më të varfërve evropianë.

 317 milionë euro fitim për 5 vjet

Si subjekt i privatizimit, PTK shpesh është vënë nën thjerrëzën e një makinerie dezinformatash të prodhuara në vazhdimësi. Këto dezinformata kanë synuar të zhvlerësojnë fillimisht asetin, të zhvlerësojnë ardhmërinë e tij, e të zhvlerësojnë në fund kontributin financiar nga procesi i privatizimit; pra ta bëjnë asetin të duket si i pavlerë. Këtë zhvlerësim këto zëra e kanë filluar duke e bërë PTK-në të duket si një aset që është në rënie drastike, një aset që shkatërrimin e ka të destinuar e një aset që herët a vonë dhe do të mbesë pa treg. Prandaj në logjikën e zhvlerësuesve, sa më shpejt të shitet aq më mirë për ne.

 Për të parë potencialin real të asetit iu referova raporteve financiare të bëra publike në ueb-faqen zyrtare. Për të mos humbur në kohë, vendosa t’i krahasoj të dhënat nga viti 2007 e tutje; të paktën kjo periudhë pesëvjeçare është mjaftuese për të kuptuar e gjykuar a) kualitetin e asetit dhe b) kualitetin e qeverisjes politike që kemi dhe sot. Duhet thënë se raportet çuditërisht nuk ishin vënë në kontekst kohor, pra njeriu nuk gjente dot një raport që krahason vitet në mes vetes. Kjo kam përshtypjen bëhet për të mbuluar trendin e ecjen, meqë është po ai trend e është po ajo ecje që tregojnë një storie e fotografi jo aq mbresëlënëse.

Pavarësisht zërave zhvlerësues, e vërteta e vetme megjithatë është se PTK vetëm në 5 vjetët e fundit ka realizuar fitim prej plot 317 milionë eurove; fitim ky i derdhur në buxhetin e Kosovës qoftë nëpërmjet dividentës qoftë nëpërmjet tatimit në fitim. E për gjithë kë me ndjenjë pesimiste e zhvlerësuese për asetin në të ardhmen, lajmi i keq për ta është se fitimet e PTK-së që nga viti 2010-të kanë shënuar rritje prej 10% çdo vit. PTK nuk është aset në rënie të vazhdueshme. Përkundrazi është një aset që ka potenciale dhe më të mëdha se sa vlera e tanishme; prandaj sa më shpejt të shitet aq më keq për ne.

 Madje po shikuam me vëmendje trendin e fitimit dhe atë të hyrave të PTK-së, është kristal e qartë se kemi një relacion ‘U-shaped’; pra një performancë mbresëlënëse në vitin 2007, një rënie drastike në vitet 2009-2010 dhe një ringjallje impresive në vitet 2011-2012. Ne dje mund të ishim në fundin e trendit ‘U’, por nesër lehtësisht mund të jemi në pjesën ngritëse.

Për shembull, në vitin 2007 PTK ka realizuar 191 milionë euro të ardhura, rrjedhimisht plot 97 milionë euro kontribut në formë të dividentës e tatimit. Kjo performancë zhbëhet disi në vitin vijues, pra vitin 2008, kryesisht për shkak të futjes së telefonisë së dytë Ipko. Në këtë vit, të hyrat bien për 19 milionë euro gjersa fitimi jo më shumë se 17 milionë. Rënia në fitim në vitin 2008 bëhet vetëm për shkak të rënies së të ardhurave (e jo rritjes së shpenzimeve). E përmendi këtë meqë kjo ka rëndësi për të kuptuar rënien e fitimit në vitet tjera, ku shkak i rënies në fitim nuk është vetëm zvogëlimi i të ardhurave vjetore, por rritja e pakuptimshme e shpenzimeve, kryesisht në paga.

  700 të punësuar të rinj për 1 vit

 Rënia drastike e fitimit të PTK-së fillon në vitin 2009. Këtu buron dhe  deformimi kryesor i asetit i cili thënë të drejtën deri atëherë po barte deformime ashtu kështu përtej normales. Mbipunësimi, nepotizmi e korrupsioni nuk kishin filluar e nuk ishin zbuluar që nga viti 2009 e tutje, por që nga paslufta. Pavarësisht kësaj, 2009-ta është viti kur ndodh paradoksi i hiperpunësimit në kohë të rënies në të ardhura. Në vitin 2009, PTK me plot 2.500 të punësuar, shënon të ardhura në vlerë prej 157 milionë eurove, 15 milionë euro më pak se sa viti paraprak; 34 më pak se sa viti 2007. Në një trend të tillë aseti po humbiste çdo vit nga 10% të të ardhurave. Përkundër kësaj rënieje, çfarë PTK megjithatë bën është një rritje e paparashikueshme, e pakuptueshme, dhe e paarsyeshme e të punësuarve. Vetëm gjatë vitit 2009 punësohen, besoni ose jo, plot 700 punëtorë të rinj; duke rritur kështu numrin e punëtorëve nga 2.500 në 3.200. Me një normë të tillë, i bie se PTK realisht ka punësuar çdo ditë nga dy punëtorë të rinj. Si rezultat i një politike të tillë, këta 700 të punësuar të rinj i kushtojnë asetit dhe kështu gjithë Kosovës plot 16 milionë euro shtesë. Në vend se këto para të përfundojnë në buxhetin e shtetit, ato përfundojnë si paga (madje të majme) të të mbipunësuarve kryesisht politik e partiak. E në numra si këto, në vitin 2009 PTK kontribuon në buxhet me vetëm 49 milionë euro nga 80 sa kishte kontribuar një vit më parë e 97 dy vite më parë. Në më pak se dy vite, PTK përgjysmon kontributin në buxhet të shtetit.

Viti 2009 është viti kur PTK shihet si vend i rehatimit të familjarëve të politikanëve kosovarë, pra është vit i migrimit e zaptimit politik drejt PTK-së e kështu ndërtimit të një sistemi militant e votues të qëndrueshëm për disa vite. Është vit kur qeverisja e sotme merr kontrollin mbi asetet nacionale dhe i shpërdor ato për të rehatuar bazën e saj militante. Rritja e të punësuarve në norma kaq drastike është rast i padëgjuar në ndonjë vend tjetër. Thënë të drejtën, do të ishte fare e lehtë identifikimi i shumicës së të punësuarve në këtë kohë sikur një menaxhim i përgjegjshëm do të kishte vullnetin e bërjes publike herë do kur do të listës së të punësuarve të rinj. Do të habiteshim të gjithë për shkallën e nepotizmit aty.

Mbipunësimi vazhdon edhe në vitin 2010, duke rritur kështu numrin e punëtorëve të gjithëmbarshëm në plot 3384 veta. Në dy vjet qeverisje, klasa politike e sotme kishte rehatuar plot 900 individë vetëm në PTK.  Rehatimi i bazës në trupa publikë është praktikë tanimë e konsoliduar në Kosovë dhe ky rehatim domosdo ka një kosto financiare për shoqërinë. Çdo pagë e tyre ishte më pak para në buxhet të shtetit; pa përfshirë këtu mëditjet, udhëtimet e shpenzimet tjera operacionale për staf shtesë.

1.200 euro paga mesatare

Viti 2010 është vit kur PTK shënon kontributin më të ulët buxhetor, me vetëm 37 milionë euro, 12 milionë më pak se në vitin 2009, 43 milionë më pak se sa në vitin 2008 e plot 60 milionë më pak se sa në vitin 2007. Pra bëhet fjalë për prekjen e pikës më të ulët kontribuuese, atë fundin e trendit ‘U’. Një rënie kaq masive ishte shkaktuar domosdo nga ata 700 punëtorë shtesë brenda një viti (dhe 200 të tjerë në vitin vijues), por, për habinë më të madhe rënia e kontributit në vitin 2010 ishte shkaktuar edhe nga një faktor tjetër i turpshëm.

 Në vitin e zgjedhjeve, të dhënë si duket pas hallakamës zgjedhore, pak kush ka vërejtur se PTK kishte rritur pagat e punëtorëve për plot 7 milionë euro në total. Në fjalë tjera, derisa në vitin 2009 paga mesatare ishte 1.000 euro, në vitin vijues 2010 ajo arrinte në plot 1.150 euro. Lëre që menaxhimit politik nuk i kishte mjaftuar zaptimi i asetit me militantë partiakë, por se të njëjtëve u ishin rritur pagat për plot 7 milionë euro; madje në kohë kur aseti po nënperformonte dukshëm e po humbiste me të madhe. Këta 7 milionë euro vetëm në vitin 2010, e 14 milionë të tjera për 700 punëtorë (nga 1.000 euro pagë mesatare për 2009 e 2010),  në vend se të përfundonin si dividendë në buxhetin e shtetit po përfundonin në xhepat privatë. Nga një llogaritje e tillë i bie se humbjet vjetore nga një mbipunësim militant e partiak janë plot 25 milionë euro (përfshirë dhe benefitet e kostot jashtë pagave). Pra Kosova që nga viti 2008 ka humbur plot 100 milionë euro si paga nga uzurpimi i asetit publik. Dhe këto janë vetëm kosto direkte. Paramendoni humbjet tjera milionëshe nga mungesa e menaxhimit efikas e hiperprezencës së korrupsionit.

Lajmi i keq është se rritja e pagave ka vazhduar edhe në 2011, madje në bazë të raportit financiar paga mesatare në PTK sot është plot 1.200 euro. Me një pagë të turpshme si kjo,  Kosova ka sot një ndërmarrje publike me të punësuar që marrin pagë 7 herë më të lartë se sa paga minimale (170 euro) e gati 5 herë më të lartë se paga mesatare (260 euro). Të harrojmë që kemi ndërmarrje me korrupsion, të harrojmë që kemi ndërmarrje me nepotizëm, të harrojmë që kemi ndërmarrje me mbipunësim, pra të harrojmë që gjithë këto i bëjnë vendit dëme financiare enorme, ne kemi dhe të punësuar në ndërmarrje publike që kompensohen disproporcionalisht më shumë se sa kosovarët tjerë. E tash paramendoni sa e përbashkët është sot prona publike në Kosovë!

 1 zgjidhje

Në vitin 2011, përkundër keqpërdorimeve brutale në aset, PTK shënon rritje të të ardhurave për plot 10 milionë euro; nga 154 milionë në vitin 2010, në 164 milionë në vitin 2011. Me një rritje të tillë kontributi në buxhet rritet nga 37 milionë në plot 51 milionë euro; pra bëhet fjalë për një kontribut jo vetëm më të madh se viti paraprak 2010, por edhe më i lartë se sa viti 2009. Këtë javë, në një kumtesë të Bordit të PTK-së, u bë e ditur se aseti gjatë nëntë muajve të deritanishëm kishte realizuar fitim neto për 11% më të lartë se sa viti 2011. Me këtë rritje aseti kompleton trendin ‘U’ duke iu afruar dukshëm performancës së vitit 2008.

Thënë këtë është e qartë se shkatërrimi i PTK-së është pothuajse i pamundur për vetë pozicionin që ky aset ka sot në treg. Derisa shkatërrimi të jetë i pamundur, i pamundur megjithatë nuk është zhvlerësimi, qoftë nëpërmjet pagave për militantë, qoftë nëpërmjet aferave korruptive, qoftë nëpërmjet anomalive tjera menaxhuese e politike e qoftë nëpërmjet një privatizimi të pa kohë e të pamatur mirë. Pra përkundër gjithë shalimit të turpshëm, PTK thjesht është një pulë që bën vezë të arta. Kujdesi për këtë pulë do të thoshte shumë më tepër vezë të arta. E nëse PTK është në trend rritës përkundër gjithë malverzimeve, atëherë njeriu me mendje minimalisht të shëndoshë konkludon se shitja e përfolur për 300 milionë, e ndonjëherë dhe për më pak, është thjesht hajni tipike sidomos kur këta 300 milionë mund të realizohen në më pak se 5 vjet.

Nëse Qeveria bash ka nevojë qysh sot për 300 milionë euro, më llogari ka të marrë një kredi me çfarëdo norme interesi, kredi e cila më pas do të paguhej nga dividenta e PTK-së, e në fund të kredisë 5-vjeçare mbetet edhe me 300 milionë edhe me aset. Nëse nuk ka nevojë për 300 milionë në grup, e tëra çfarë duhet të bëjë është të pranojë marrjen e dividentës vit për vit për më pak se pesë vjet dhe në fund të mbesë dhe me 300 milionë dhe me aset. Shitja e menjëhershme siç pretendohet sot është më tepër mendim që na jep ndoshta 300 milionë, por na lë pa aset.

Për të përmbyllur çështjen e privatizimit të PTK-së me vlerën e  asetit, pra nëse dikush dikur mendon ta rrisë vlerën para se ta shesë asetin, hapi i parë që do bënte është vlerësimi i shpenzimit të pagave. Kështu kishte bërë dhe David Cameroon në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij me administratën publike në Britani. Kryeministrit britanik kishte zvogëluar mbi 20% të administratës publike e cila për dallim prej Kosovës,nuk kishte elemente nepotizmi e korrupsioni, por thjesht mbipunësimi të panevojshëm. Në rastin tonë, reduktimi i faturës së të mbipunësuarve do të thotë më tepër fitim për PTK-në.

Natyrisht se PTK ka nevojë për punëtorë, pa ta asnjë lloj fitimi nuk do të ishte i mundur, por jo për të punësuar fantazmë e militantë. Ka vetëm dy alternativa këtu: ose të vlerësohen e largohen nga puna të gjithë të panevojshmit aty, ose të mbahen të njëjtit, por të reduktohet fatura e pagave. Pra nëse punëtorët e PTK-së, sindikatat e ku ta di unë, kërkojnë të drejtën e mirëfilltë të punëtorëve mund të zgjedhin ja largimin nga puna të mbi 1.000 punëtorëve, ja mbajtjen e të gjithëve, por reduktimin e pagave në tërësi (përafërsisht përgjysmimin); unë parapëlqej largimin në vend të shpërndarjes së kostos. Në çdo situatë, PTK do të kursente rreth 25 milionë euro në vit nga pagat e mbidhëna e nga shpenzimet tjera (udhëtim, zyre e shpenzime operacionale). Me një vullnet pak më të fuqishëm apolitik, reduktimi i korrupsionit, efiçenca në menaxhim e rritja e investimeve do të thoshte se PTK lehtësisht mund të arrijë një fitim e kontribut gati si në vitin 2007. Pra e tëra çfarë ne duhet të kërkojmë është kthimi i performancës së asetit si në vitin 2007. E kemi bërë një herë, mund ta bëjmë prapë; sidomos kur të hyrat e asetit rriten në atë drejtim. E tëra çfarë duhet bërë është ti kthejmë shpenzimet në të njëjtin nivel.

E kur ne kthejmë një aset që performon si në vitin 2007 dhe potencialisht këtë kthim e bëjmë për jo më shumë se 4 vjet, në vitin 2016 përveç që kemi marrë 250 milionë euro dividentë gjatë kësaj kohe (aq për sa ka nevojë qeveria sot) ne do të kemi një aset që gjeneron fitim bruto prej gati 100 milionëve (sa në vitin 2007). Në një situatë të tillë ne kemi komfortin e vënies së çmimit minimal, një çmim që nuk kthen investimin për 4-5 vjet, por për së paku 10-12 vjet. Në një situatë të tillë ne kemi përdorur filozofinë e tregut siç e do rendi; pra nuk kemi vendosur në treg një aset të ndytë që s’ka sesi të gjenerojë atraksion e para, por kemi vendosur në treg një aset të pastruar mirë e me potencial të mirë.

 

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

shpend kis30.10.2012/20:53

sinqerisht shume siperfaqesor.

altini30.10.2012/15:45

Ti Besim prishtevka na jep diq ma te ditur se Lumiri dhe ne te thojm se ti din diq por ti nuk din dhe je me pak i mir se ata te shiturit qe duan duan te na shesin. te lumt LUMIR

ibrahimi30.10.2012/13:33

Për Besim Prishtina,
Ti bre burrë ,pikë së pari nuk po dishe me shkru,së dyti leximi i yt me vëmendje
nuk po dëshmohet në komentin tuaj sepse asnjë kundër argument nuk ke thënë dhe përfundimishtë qenke diletant.
Këte artikull mundë ta vlerësojnë ekonomistet e mirëfillët, ndërsa unë si laik në ekonomi e vlerësoi si informacion mjaftë interesant për opinjonin e pa informuar për këte çështje kaq të rëndësishme.

bardhi tu ik maleve30.10.2012/12:00

Aresyeja pse duhet te privatizohet PTK e shume prona tjera publike duhet kerkuar ne vitin 1999,ate vite mbi KOSOVE cdo dite fluturonin me qindra aeroplan,FLUTURIMI i ketyre aeroplaneve e ka nje cmim,ka ardhe koha ti paguajm faturat!!!

agron30.10.2012/11:43

Analize e bazuare ne fakte sdo koment.Per keto rezultate mua si i punesuare ne Vala ne menaxhmentin vendimarres,fatkeqsishte isha edhe vellau biologjik i deputetit te rebeluar te PDKse, u fajsohesha publikisht per rritjen e numerit te konsumatoreve dmth zbritja e qmimeve.Me ardhjen e z.Haxha 15 Dhjetor 2008 ai fillon me zbatimin e urdherave hakmarres te pdkse, ndaj meje disa here denoncoje zyrtarishte presionin e bere por pa sukses. Haptas deklaronte se fitimi eshte me i ulet per shkak te uljes se qmimeve te bera para ardhjes se ti ndersa u krekoske se e ka rrite numrin e konsumatoreve.Mediat i kishte blere dhe asnjehere askush nga mediat nuk pat guxim ti beje pyetje pse e zgjodhi konsumatori Valen per shkak te z.haxhes apo qmimit dhe ofertes? E une tash pas nje dekade i pune ne ptk me kualifikime nen 10 e te punesuareve eksistues te PTKse e morra rrugen e mergimit, fale politikes konfrontiste dhe hakmarrese te udheheqesve te pdkse.Edhe pse ne largimin tim zyrtarishte e kam te cekur se do te jem gjithmone i gatshem te marre pergjegjsi per te gjitha veprimet dhe vendimet e marra nga une gjate kohes se qendrimit tim ne PTK, kohe per te cilen rezultatet flasin vete.

Me derime
ish i punesuare i PTKse

Bilal Oberjani30.10.2012/11:37

Per me shum nipi i nipit, i punesuar. Eshte bashkfajtor i helimit te studenteve ne mense. Asnjehere askush nuk ka kerkuar pergjegjesi, eshte bere vetem e vetem qe te largohen njerez prej pune jo te PDKs

Artani30.10.2012/11:18

Problemi kryesore ne shtetin e kosoves eshte nivelizimi i pagave. Nje shembull fatal qe nuk do te na e fale historia eshet fakti se Te Paret e Ketij Shteti kane vendosur qe me shume te paguhet pastruesi ne poste sesa Mjeku Kirurg Specialist ne QKUK e shume te tjere. Kjo eshte dhierja e shtetit te Kosoves.

Besim Prishtina30.10.2012/11:17

E lexova me vemendje kete artikull. Ketij shkrimi tendencioz i mungon poenat kryesore Pse PTKja i fiton 317 milion per nje vit? Sepse e shfrytezon monoploin per te shitur ajer te Kosoves per 317 Milion. Prandaj kjo tregon se sa i paditur eshte ky artikullshkrues fallco. Sa i perket numrave athere le te e bejme nj kompani te madhe hoteliereturistike shtetrore e cila do ti kete ma shume se 100 mije puntore dhe fitimi do te jete mbi 1.3 miliard euro. Pra PTKja nuk prodhon asgje vetem monopolin e shfrytezon per qmime enorme te medhaja. Lumir me fal por ti nuk ke aftesi per artikuj ekonomik.

anonimus30.10.2012/10:13

E kur ta kemi bere kete pse duhet me e shit ??????

PTKashi30.10.2012/09:33

Te gjitha keto keqperdorime , mbipunsime, nepotizem, korrupsion, shkaterrim te struktures menaxheriale, ramje te3 te hyrave ne menyre drastike jane bere ne kohen e superhajnit, superdallaverxhise Shyqeri Haxha i cili eshte duke u gjykuar per kater vepra penale dhe e presin aktakuzat jane duke ju pergatitur per se paku edhe dytri tjera.

Arsimi nga Peja30.10.2012/08:55

Cka pret njeriu më mirë nga këta terminatorë, që cdo ditë e më tepër janë duke e shkatëruar vendin me forma më brutale dhe pa fije turpi vetëm e vetëm për ti kënaq interesat e tyre personale, familjare e partiake. Jetojë dhe punojë përkohësisht në diasporë dhe për cdo herë e më tepër jam duke u zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes me këta loparë, mënyren se si janë duke e shkatëruar vendin tim, por më e keqja është që edhe fëmijët tan e kan kuptuar se qfarë është duke ndodhur në Kosovë, dhe së bashku me mua dhe bashkëshortën time zhgënjimi është i qart edhe tek ta, jo vetëm tek fëmijët e mi por edhe te shumica e bashkëkombasve tan që jetojnë në mërgim. Nuk mundemi ti risim dhe edukojmë me gënjeshtra të cilët janë duke na servu qeveria aktuale. Me këtë qeverisje jo vetëm ne këtu në diasporë por edhe vet popullli që jeton në Kosvë janë duke ju thyer ndjenjat kombëtare përvec "patriotave" të mirënjohur. Ju përshëndes

xiji29.10.2012/23:49

o i nderuar te gjitha keto jane te verteta pa dyshim por,ma e keqja eshte qe te gjitha keto po hasin ne vesh te shurdher,keta para se te ikin jo vetem nga qeverisja e vendit por edhe nga kosova e kan ndermend qe pasurine kosovare ta shkaterrojn ne teresi ti mbushin gjepat e tyre dhe,si thot populli nji fjale fshiu kush fshiu,keta do e varferojne kosoven aq teper sa do ta kthejn shum mrapa,e ne si mini shtet i ri qe jemi edhe ashtu jemi te varfer,por keta do na bejne edhe shume me te varfer,por mos u hutoni,POPULLI I DI TE GJITHA,do i vjen radha secilit.

AgimiPrizren29.10.2012/23:35

E pske huqur fare kesaj rradhe. Sejdi Hoxha nuk eshte zgjedhur KE i PTKse por i Postes se Kosoves e cila me teper se 6 muaj funksionon si ndermarrje publike e ndare nga PTK, dhe e cila nuk krijon kurrefare fitimi por ka pasur hajni te ndryshme deri me tash. Edhe analiza e numrave qe e keni bere eshte shume simple dhe mund te vlersohet si nje koollokvium brucoshi. Elementet tjera qe i keni dhene jane ne rregull, por mos pritni qe dikush do te i largoi militantet partiake nga PTK kur ata jane katalizatore te fitimit te votave se bashku me veturat zyrtare dhe tere infrastrukturen e kesaj kompanie.

luli 29.10.2012/21:22

mos fol keshtu se ta marrin inati e te qesin nga puna jet si un ne sokak