Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së: situatë loje

Ulrike LunacekUlrike Lunacek
Publikuar: 18.10.2012 - 21:15

Çmimi “Nobel” për paqe për Bashkimin Evropian është një përkujtues tamam me kohë i parimit të “bashkëpunimit në vend të konfrontimit” që i ka dhënë fund një historie të gjakderdhjes të çdo gjenerate të këtij kontinenti. Është gjithashtu një përkujtues se projekti evropian i paqes nuk do të jetë i kryer derisa Evropa Juglindore nuk bëhet pjesë dhe parcelë e BE-së, me premtimin e saj “kurrë më”.Prandaj, si qëndrojnë punët në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, pasi komisionari Stefan Fule publikoi raportin e fundit të progresit? Gjatë një konference presidenciale të vitit 1982, Ronald Reagan thumboi me “duhen dy veta për tango”, kur komentoi marrëdhëniet ruso-amerikane, dhe që nga atëherë fraza rregullisht është përdorur për të përshkruar ndonjë gjendje ku të dy palët janë barabar të rëndësishme për rezultatin, si në rastin e procesit të zgjerimit të BE-së. Zgjerimi mbetet në interes të BE-së dhe të vendeve kandidate. Qeveritë e shteteve të tanishme anëtare duhet të krijojnë më shumë se kurrë rastin për zgjerim të bllokut.

Një mësim prej krizës së eurozonës është se kriteri i pranimit duhet të monitorohet me saktësi nga Komisioni Evropian, dhe progresi duhet të jetë i varur nga përmbushja e këtyre kritereve prej vendeve kandidate. Kjo duhet theksuar veçanërisht në rastin e Kroacisë, shteti i radhës që do t’i bashkohet në mes të 2013-s BE-së: ajo nuk duhet të ndalë procesin e vet reformues në prag të anëtarësimin në BE. Përkundrazi, ky hap i fundit për Qeverinë e Kroacisë drejt anëtarësimit në BE duhet të përdoret si një katalizator për reforma të jashtëzakonshme të shpejta, në veçanti në fushat e drejtësisë dhe të antikorrupsionit, mbrojtjes së pakicave etnike dhe seksuale, dhe gjykimit në Kroaci të krimeve të luftës.

Mali i Zi është vendi i radhës në tryezën e negociatave. Një pasqyrim i përgjithshëm tregon se tashmë është arritur shumë. Por ende ka disa fusha që ngrenë shqetësime, përfshirë punën e liderit që qëndroi për një kohë të gjatë në pushtet, Milo Gjukanoviq, i cili me sukses u rikthye në krye të partisë së tij përpara mbajtjes së zgjedhjeve të së dielës. Korrupsioni është përhapur me të madhe, përfshirë edhe elitën politike dhe investitorët e huaj.

Problemi kryesor për Malin e Zi është se megjithëse shumë ligje që po adoptohen janë në linjë me kriteret e BE-së, mezi po zbatohen. Kjo është arsyeja se pse gjërat në terren nuk ndryshojnë mjaftueshëm, dhe pse protestat legjitime publike kundër elitës politike janë vazhdimisht në rritje. Sidoqoftë, janë disa elemente pozitive se strukturat janë vënë në vendin e vet për t’i dhënë parlamentit më shumë kontroll dhe se në procesin e negociatave me BE-në do të jenë të përfshira edhe organizatat e shoqërisë civile.

E në lidhje me pakicat, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, njerëzit e hendikepuar, sikurse edhe me bashkësinë LGTB - pavarësisht prej ndryshimeve në sjellje në nivel qeveritar - në praktikë ende janë subjekte të diskriminimit. Dhe ka një mungesë të vullnetit për të hetuar si duhet rastet e dhunës fizike dhe të shkeljeve kundër gazetarëve dhe për të demonstruar një përkushtim të fortë ndaj medieve për të qenë të lira prej ndërhyrjes politike.

Sa i përket Serbisë, që i është dhënë statusi i shtetit kandidat pranverën e kaluar, komisioni nuk ka rekomanduar një datë për nisje të negociatave të anëtarësimit në këtë fazë. E mirëpres këtë vendim derisa Beogradi nuk i ka përmirësuar mjaftueshëm marrëdhëniet e veta me Kosovën. Në veçanti, ka dështuar të përmbushë zbatimin e marrëveshjes për aranzhimet e bashkëpunimit rajonal dhe të kontrollit kufitar që ishte ndërmjetësuar nga lehtësuesi i Bashkimit Evropian në shkurt të këtij viti. Marrëveshjet ishin faktorë kyç në vendimin për t’ia dhënë statusin e shtetit kandidat, por që është për të të ardhur keq, Qeveria serbe - e vjetra dhe e reja - ka stagnuar në zbatimin e tyre. Marrëveshja e Menaxhimit të Integruar të Kufijve është nënshkruar javën e kaluar, por zbatimi i saj ende nuk ka ndodhur.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila pas deklarimit të pavarësisë në vitin 2008, fatkeqësisht, nuk është njohur as nga Serbia, e as nga pesë shtete anëtare të BE-së - është parakusht për Këshillin dhe komisionin e BE-së, për të dhënë një datë për nisjen e negociatave për anëtarësim. Normalizimi duhet të përfshijë një ndryshim radikal të gjendjes së patolerueshme dhe të rrezikshme në veri të Kosovës, ku një pjesë e madhe e popullatës serbe nuk e pranon Qeverinë e Prishtinës pavarësisht mundësisë, sipas Kushtetutës së Kosovës, për të pasur një autonomi të gjerë, sikur tashmë e gëzojnë serbët në jug. Qeveria e Prishtinës ende duhet të bëjë më shumë për t’u pranuar nga serbët në veri dhe ta fitojë mbështetjen e tyre, por Serbisë i takon edhe më shumë që të ndalojë mbështetjen e saj jotransparente të strukturave paralele serbe në veri të Kosovës.

Vendimi i Qeverisë serbe për ta ndaluar paradën Pride në Beograd para një jave është gjithashtu një vendim për të të ardhur keq. Serbia ia vlen të trajtojë më mirë sesa bën tani njerëzit LGBT, por ndalimi i paradës Pride nuk mund të lihet anash. Unë llogaris në Fulen se do të vazhdojë dënimin e sjelljes dhe politikave negative karshi njerëzve LGBT, sikurse ka bërë për paradën Pride të Beogradit. Komisioni duhet të vazhdojë monitorimin prej së afërmi të mbrojtjes së të drejtave të pakicave në Serbi dhe në të gjitha vendet e rajonit.

E në lidhje me vetë Kosovën, komisioni me të drejtë ia dha shtetit më të ri evropian perspektivën reale dhe të prekshme me Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në të vërtetë, shtetet anëtare të BE-së duhet të ndjekin propozimin e komisionit dhe t’i japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të MSA-së menjëherë pasi Kosova t’i plotësojë kushtet. Kosova duhet të përmirësojë funksionimin e institucioneve të veta shtetërore dhe të fillojë të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në sundimin e rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët e vet. Kjo nënkupton se reformat e premtuara elektorale menjëherë duhet të zbatohen.

Në krahasim me ish-shtetet e tjera jugosllave, të cilat kishin ndërtuar shtetet e reja mbi ish-strukturat, përvojat dhe kontaktet administrative jugosllave, Kosova ende ngec. Kapaciteti në strukturat administrative ende nuk është plotësisht i zhvilluar; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet kërkon përpjekje dhe rezultate më të fuqishme. Por gjithashtu janë shënuar disa hapa të rëndësishëm progresi, dhe kjo është edhe arsyeja se pse Studimi i Fizibilitetit jep një pasqyrë pozitive për Kosovën lidhur me procesin e saj drejt integrimit në BE.

Në përgjithësi, këto çështje - sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e pakicave - së bashku me gjendjen e vështirë sociale dhe ekonomike, janë sfidat kryesore për të gjitha vendet në rajon dhe duhet të sfidohen më intensivisht prej të gjitha qeverive.

Në rastin e Maqedonisë, zemërimi është drejtuar kundër shtetit fqinj dhe anëtarit të BE-së, Greqisë, për shkak të çështjes së emrit. Për të katërtin vit me radhë, komisioni ka rekomanduar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë. Vendi është mbajtur pezull për një kohë të gjatë. Është e papranueshme që një vend të mund të bllokojë progresin e një tjetri. Këshilli tani duhet ta shtojë presionin ndaj Greqisë për ta hequr veton e saj dhe të lejojë hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Mosmarrëveshjet dypalëshe kurrë nuk duhet të keqpërdoren si leva për të bllokuar progresin e një vendi në rrugën e tij drejt BE-së. Në vend të kësaj, mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen nëpërmjet një mekanizmi arbitrazhi të BE-së. Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për krijimin e një mekanizmi të tillë. Kolegët grekë në Parlament dhe unë besojmë se një zgjidhje e çështjes së emrit është më e afërt nëse palët tregojnë mirëkuptim dhe fleksibilitet - ose siç e thashë në fillim - gjithnjë duhen dy veta për tango. Parlamenti gjatë muajve të ardhshëm do të përshtatë raportin e vet të anëtarësimit.



(Autorja është eurodeputete, zëdhënëse për punë të jashtme e Aleancës së Lirë Evropiane dhe e të Gjelbërve, një grup politik në Parlamentin Evropian, raportuese speciale për Kosovën dhe bashkëpresidente e Integroup, që mbron të drejtat e LGBT-së).