Taksirati i Kosovës

Flaka Surroi Flaka Surroi
Publikuar: 07.10.2012 - 15:50

Para një kohe, në fahun postal të redaksisë kishte ardhur një zarf plot broshurash të gjelbra, të titulluara “Mjetet e informimit”. Imazhi i një xhamie me katër minare në prapavijë, nuk ma la asnjë dyshim se ky do të ishte një pamflet propagandues, dhe nga kureshtja mora ta shfletoj. Pjesa e fundit e libërthit përmbante edhe “kapitullin” e emërtuar “70 shenjat e kiametit”, pra shtatëdhjetë elemente që do të duhej të na jepnim të kuptonim se kësaj bote po i vinte fundi.S’munda pa i lexu që të gjitha – disa syresh nuk i kuptova fare (shqipja e paqartë nuk ndihmohej shumë nga “përkthimi” arabisht i asaj që është synuar të thuhej), disa që i referoheshin femrës më shkaktuan neveri, disa më bënë të qesh dhe disa vetëm konstatonin atë që tashmë e dimë të gjithë... Në vijim, po i veçoj disa nga “shenjat e afrimit të kiametit” (në versionin origjinal pa ndërhyrje lekture) -- kur njeriu/njerëzit: marrin ryshfetin; kur ngritin lart ndërtesat; kur lëkurat e egërsirave i shndërrojnë në kolltuqe; kur e veshin mëndafshin; kur i mohohet e drejta e njeriut të drejtë; kur përhapet prostitucioni; kur shkurorëzimi bëhet i lehtë e i shpeshtë; kur i besohet tradhtarit; kur nuk i besohet besnikut; (...) kur shiu pakësohet për shkak të gjynaheve të njerëzve; kur fëmija bëhet dëmsjellës; kur udhëheqësit degjenerohen; kur ministrat bëhen gënjeshtarë; kur besnikët bëhen tradhtarë; kur të diturit bëhen mizorë (...) kur ftohen këngëtarët (që të këndojnë nëpër raste të ndryshme); kur lejohet muzika dhe instrumentet muzikore; kur nuk praktikohen ligjet e sheriatit; kur gruaja e shoqëron burrin në tregti; kur gratë shalojnë kuajt (me siguri këtu është për qëllim mjeti transportues çfardo qoftë ai); kur gratë bëhen si burrat e burrat bëhen si gratë (...) kur shtohen forcat e rendit (policia); kur burrat veshin kurora (...) kur pasuritë tuaja do t’i marrin më të këqinjtë në mesin tuaj; kur do të bëheni mendjemëdhenj; kur do të merreni me këngë e muzikë; kur do të vritet i pafajshmi që të hidhërohet shumica me vrasjen e tij; (...) kur do të bëhen mashtrime në kandarë dhe çështjet tuaja (pushtetin) do ta marrin mendjelehtët...



Kur e lexon njeriu gjithë këtë listë, e nëse është besimtar, nuk ka sesi të mos konstatojë se Kosovës tashmë i ka ardhur dita e kiametit – nëse jo për faktin se gratë shkojnë në tregti me burrat, apo se në Kosovë ndërtohen shumëkatëshet pa kurrfarë kriteri, apo se dasmat bëhen me muzikë, dhe të zhurmshme bile, apo edhe se dikush angazhohet të këndojë, pavarësisht se për këtë kryen shkollë – atëherë për shkak se në Kosovë merret (e edhe jepet besa) ryshfeti me të madhe; ministrat rrejnë e bile-bile edhe veshin mëndafsh (të ndonjë firme me nam dhe mundësisht sa më të shtrenjtë). E megjithatë, ja ku jemi, po mund të bisedojmë për këtë që po na ndodh, duke qenë dëshmitarë të shkatërrimit të një shteti, të cilin po e mbysin ende pa u rritur dhe duke konstatuar se kiameti nuk ndodhi, porse me këta politikanë, Kosovën e ka zënë taksirati.

Në dy javët e fundit patëm rastin ta dëgjonim kryeparlamentarin tek e thoshte një gjë të cilën që të gjithë, pos partisë në pushtet, e thoshin prej kohësh – se institucionet e Kosovës nuk kishin legjitimitet (në fjalët e Krasniqit “nuk kishin legjitimitet të plotë”), ngase kishin dalë nga votat e vjedhura. Dhe po të mos e kisha rezervën për faktin se z. Krasniqi megjithatë ka pranuar të bëhej kryetar i Kuvendit të votave të vjedhura si në këtë mandat, ashtu edhe në të kaluarin, do ta shpallja heroin politik të vitit – sepse doli në institucionin të cilin e drejton, për t’ia thënë Kosovës edhe njëherë, se ata që ishin të ulur në kolltukët e Kuvendit ishin hajna të votave, ani që fjalimin e mbajti në kohën kur kryeministri dhe shefi i tij i partisë nuk ishte në sallë. Mund të ketë qenë koincidencë, por ja që kjo është një gjë shumë indikative.

Por, fjalimi i Krasniqit shkoi shumë më larg sesa vetëm konstatimi i vjedhjes së votave. Në fakt paraqiti rastin e parë ku një zyrtar i lartë dhe aktiv i PDK-së po fliste me autoritet për manipulimet zgjedhore, por edhe për hajnitë e tjera që janë kryer në Kosovë nëpërmjet procesit të privatizimit – për dështimin e të cilit akuzoi ama bash secilën qeveri të Kosovës, duke harruar, megjithatë, t’i emërojë fajtorët kryesorë: bosët e të gjitha partive që kanë mbajtur pushtetin që nga vitit 2001, pa përjashtime.

U ndal më së gjati në rastin e Ferronikelit – supozoj se logjikshëm i dhemb më së shumti, ngase ky ka qenë i vetmi burim normal të ardhurash për shumë njerëz në trevën nga vjen ai vetë. Për ata që kanë kujtesë të shkurtër e mbase edhe mungesë informatash, mbase duhet treguar se Ferronikeli ishte ndërtuar në kohën e socializmit, aq shumë të përbaltur nga struktura e hajnave të votave në Kuvend, të cilët përnjëherë janë bërë edhe ekspertë të ekonomisë dhe njohës të trendëve të rritjeve ekonomike nëpër Amerikë Latine e më gjerë.

Tha se Ferronikeli tash po i ofronte popullatës vendore vetëm helm, por nuk bëhet plotësisht i sinqertë për të thënë se përderisa atëbotë partia e tij kishte organizuar protesta kundër privatizimit të Ferronikelit, pas një kohe shumë të shkurtër dhe jo fort qartë për cilat arsye, pos që mund të supozojmë financiare, e ndërroi pllakën për t’i bindur njerëzit të hiqnin dorë nga protesta dhe për t’i bindur se shitja do të ishte gjë e mirë për Drenicën. Tash mund të thotë se këtë manovër e ka bërë shefi i tij pa pyetur kë, por fakti qëndron se partia kurrë nuk reagoi as ndaj këtij ndërrimi qëndrimi.

Mirëpo, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, e tha edhe një diçka që është tepër indikative dhe që në kushte kur ka gjyqësi të mirëfilltë, do ta shndërronte potencialisht atë në subjekt hetimi të menjëhershëm. Gjykoni edhe vetë: “Ne tani, pas rastit të ‘Grandit’ po e dimë se kush ka ose kanë qenë sekserë apo sekserët që kanë kërkuar milionat, por kush është bosi i kësaj gjullurdie? Dikush tani mund ta akuzojë të ndjerin, Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, nuk ka pasur asnjë bodigard, ai zor të jetë bosi. Kush është bosi i vërtetë, këtë duhet ta tregojnë hetuesia, prokuroria dhe gjyqësia”.

Kur dikush, me post kaq të lartë edhe partiak e edhe shtetëror thotë për dikë se “ai nuk ka mundur të jetë bosi, ngase s’paska pasur truprojë”, po del se ai e di se kush është bosi dhe se ai bos nuk ecë i vetmuar. E dyta, që në fjalinë e parë e konstaton si fakt të pamohueshëm një akuzë që është bërë nga dy njerëz që kanë qenë të përfshirë në një blerje jo fort të pastër të një aseti gjatë privatizimit, e ku njëri nga ta, duke mbajtur postin e dytë në rangimin e Ekzekutivit, tash është nën hetime, për shkak se dyshohet të ketë falsifikuar dokumente. E treta, për Asanajn thotë se ai “nuk paska qenë aq i fortë” ani që të gjithë privatizimin e kishte pasur nën kontroll, dhe se në atë post kishte ardhur me dëshirën e shefit të z. Krasniqi, e supozoj edhe me pajtimin e udhëheqjes partiake, pjesë e së cilës është ai. Pra, ai lë të nënkuptohet se ai e di se kush është bosi, porse detyrën e zbulimit ia “delegon” gjyqësisë, të cilën në fund pak a shumë e quan mashtruese. E meqë e di, ai e ka një obligim moral ndaj atyre qytetarëve që iu vodh vota, dhe ka obligim ligjor për shkak të përgjegjësisë politike që ka në këtë post, që të tregojë se kush është bosi e që gjyqësia të merret me të, para se të vijë koha në të cilën njerëzit të cilëve u është mbushur kupa do të mund ta merrnin drejtësinë në duart e veta.

Nga fundi i fjalimit të tij kërkoi nga Evropa dhe Amerika që të ndihmojnë në ndërprerjen e privatizimit në këtë formë të paleverdishme për Kosovën. E tmerrshme, apo jo? Që dikush i huaji të ndihmojë që shqiptarët të merren vesh mes vete edhe atëherë kur janë anëtarë të së njëjtës parti. E tmerrshme, për shkak se të gjitha vendimet kryesore politike dhe ekonomike në Kosovë janë marrë duke u thirrur në “këshillën e miqve ndërkombëtarë”. E tmerrshme për shkak se ndihma amerikane dhe evropiane në këtë aspekt mund të kushtojë me diçka jomateriale (apo ndoshta edhe materiale ), siç janë negociatat për veriun. Si në treg – ata neve një favor, ne atyre dy, për shkak se vetë tregojmë se nuk dimë të ndërtojmë shtet. Sepse po të dinim, nuk do të na bënte vaki që kryeparlamentari të na deklaronte edhe këtë për fund: “Kjo legjislaturë është dalë nga zgjedhjet e vjedhura. Institucionet kanë dalë nga ato zgjedhje dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike, prandaj nuk e kanë as të drejtën për të privatizuar për interesin më vital të kombit (...)”.

Institucionet që nuk kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasurinë publike, pra nuk kanë legjitimitet për të vendosur as për negociata, as për ndryshimet kushtetuese, e as për reformën zgjedhore – a i bie kjo kështu? I bie pra, se nuk e kanë të drejtën të vendosin për popullin, që për pasojë shpien drejt zgjedhjeve të reja në kushtet kur sërish mund të vidhet vota dhe ku sërish mund të dalin institucione jolegjitime. Dhe problemi më i madh se nuk po shihet që dikush ta ketë formulën për të dalë nga ky rreth vicioz. Të cilin më së shumti interes ka që ta mbajë gjallë shefi i kontestuar i zotit Krasniqi, duke na çuar në zgjedhje të reja, pa përfunduar reforma zgjedhore, të cilën duhet ta miratojnë organet jolegjitime.

Absurde, apo jo? Për Thaçin jo, ngase tash duket se ka ardhur në pikën kur e ka humbur shumicën në Parlament për shkak të fërkimeve të brendshme dhe një çarjeje jo pak të rëndësishme brendapatiake; ka ardhur në pikën ku është fare e paqartë lidhja eventuale me AAK-në që varet nga kthimi apo jo i Haradinajt nga Haga dhe në pikën kur partnerët e koalicionit një nga një po mbarojnë para gjykatësve të EULEX-it, për shkak të shkeljes së ligjit.

Në mungesë të respektimit të demokracisë ka instaluar sistemin e ri të “pauzës parlamentare” dhe ikjes nga seancat ku mund të mbivotohet – natyrisht, duke ia lënë kopilin te dera e shefit grupit të vet parlamentar (i cili madje deshi ta qiste përjashta kryeparlamentarin për shkak se pati guximin t’ia lexonte Rregulloren e Kuvendit), përderisa vetë Thaçi, në formën e engjëllit, paraqitet në mbledhje të Qeverisë duke marrë vendime për rritje rrogash e pensionesh. Kështu, vetes ia jep një argument të fortë para zgjedhjeve që do të mund të shpalleshin kur më së paku mund ta presim – se ka mbajtur premtimin nga zgjedhjet e shkuara për rritje rrogash e pensionesh, pavarësisht gjullurdisë (që në Prizren i thonë gjurullti) që ka shkaktuar në të gjitha sferat tjera të jetës në Kosovë.

Do të ketë mësuar shumë nga këshilltarët e tij hebraikë, të cilëve u janë paguar shumë para – i lëviz pionët e vet mirë nëpër tabelën e shahut. Përderisa Kuvendin e bllokon me “tërheqje taktike”, pas mbledhjes së Qeverisë, e lë ministrin e Financave ta mbajë konferencën me një humor bajat e pa shihje dhe përfundimisht i jep instruksione njeriut të vet në Presidencë që të merret me përgatitjen e terrenit të bisedimeve për veriun. Për ata që e kanë huqur deklaratën e djeshme të këshilltarit kryesor të kryetares Jahjaga, Ramush Tahiri, ja çfarë ka thënë: “Në veriun e Kosovës nuk ka institucione kosovare, prandaj strukturat serbe të pushtetit, pavarësisht se ne i quajmë paralele, janë megjithatë legjitime, ngase janë zgjedhur nga populli që jeton atje.”

E cili do të jetë hapi i ardhshëm? Që pala kosovare të bjerë në nivelin e bisedimit me përfaqësuesit e krimit të organizuar në veri dhe me eksponentët e politikës nacionaliste të Beogradit atje e të diskutojnë një temë që nuk ka nevojë të diskutohet – por e cila temë zgjidhet me urdhrin nga Evropa për tërheqjen e prezencës së Beogradit nga komunat veriore të Kosovës. Pikë.

Na ka zënë taksirati, sepse na udhëheqin injorantët e shantazhueshëm. Kështu, tentimrevolucioni i Bacës Kupë duket se vjen paksa i vonuar. Po ta kishte pasur guximin ta thoshte këtë që e thotë sot pas zgjedhjeve të vitit 2007, gjendja politike dhe ekonomike në Kosovë do të ishte shumë më ndryshe, sepse nuk do të udhëhiqej nga bosët, ndjekjen e të cilëve e kërkon tash.



flaka@koha.net

 

pejonja08.10.2012/14:40

z.Flaka si gjithëher je e perkryer te uroi shendet dhe foecë.

kameriLozanë07.10.2012/23:00

e ndërura zonja Flaka,e lexova më vemendje fjaliminrtikulline shkrar më aq detajizim të thukët...Do t'i ërseris vetem dye para,sikur të"lëshonte"një deklaratë të tillë kr.parlamentari këtu ku jm unëLozanëbrena 24orëve do të shkarkohejdo të ësonte shumë keq,por...dhe e dyta,deklarata e z.R.Tahirit nuk korespondon me PE...

tafet simon07.10.2012/18:53

gomarin duke ngrene ujku thonte bene zot enderrma mire eshte me fol von se mos me fol kurrkosoven duhet me udheheqe njerzit me prvoje e qe dijne me udheheq sepse kosoven nuk duhet me udheheq njerzit pa pervoje pune sepse pa pervoje bane gabime