Urime Mbikëqyrja e Vërtetë e Pavarësisë

Adriatik  Kelmendi Adriatik Kelmendi
Publikuar: 14.09.2012 - 19:06

NË FAKT, PAVARËSISHT pompës institucionale, nuk ka ndodhur fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë, por fillimi i mbikëqyrjes së vërtetë të saj. Thjesht, të hënën ka marrë fund një proces i paraparë në Pakon e Ahtisaarit, ai i kalimit të kompetencave të rezervuara nga Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar tek institucionet e Republikës së Kosovës. Por, për këtë proces ishte veshur me rrobe më të mëdha se trupi, nën fjalinë romantike “fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë”, ose atë bombastike “arritja e pavarësisë së plotë”.

Vetëm në qoftë se ndokush do të ketë kaluar këto vite të fundit duke hulumtuar jetën në Mars do të mund ta besonte se në Kosovë ka ndodhur shpjegimi romantik. Kjo, për arsye se zyra e Feithit kurrë nuk e ka pasur fuqinë më të madhe se Ambasada Amerikane, ose edhe ambasadat e shteteve të tjera të Quintit. Është dëshmuar një gjë e tillë shpesh dhe krejt sipërfaqësisht këto 4 vjet e gjysmë nga shpallja e pavarësisë.

Po ashtu, përshkrimi bombastik është aq lehtë i përgënjeshtrueshëm, saqë mjafton të përmenden tri fjalë dhe gjithçka është e qartë. Këto tri fjalë janë: KFOR, EULEX, UNMIK.

Besoj se me kaq pak fjalë gjithçka bëhet e qartë.



POR, PSE THEM fillimi i mbikëqyrjes së vërtetë?

Tash liderët institucionalë në Kosovë s’do të kenë më arsyetim për moskryerjen e detyrave që i marrin përsipër t’i kryejnë, duke na kërkuar votën në zgjedhje si më të mirët për të na shërbyer. Deri më tash, gjithnjë ka ekzistuar dera e vogël shpëtuese kur janë përballur me kritikat për mosefikasitet, mosveprim e mosdije – s’kemi kompetenca në këtë fushë. Më kjo përgjigje s’mund të pijë ujë. Kompetencat janë dhe llogaridhënia do të kërkohet.

Njëkohësisht, duke lënë në duar të autoriteteve vendore këto kompetenca, tash do të rriten edhe më shumë pritjet e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt kosovarëve. Çdo lëvizje e institucioneve do të jetë nën llupën e shteteve që e kanë njohur, por edhe të atyre që nuk e kanë njohur deri më tash shpalljen e pavarësisë. Dhe këto do të kenë implikime dhe rezultate të drejtpërdrejta edhe në qasjen e këtyre shteteve ndaj Kosovës. Varet tash nga përparimi i kosovarëve që të vazhdojë përkrahja e shteteve që e kanë njohur Kosovën, ose keqqeverisja, që shtetet skeptike të shtojnë argumentet kundër njohjes së pavarësisë.

Kështu që tash porosia kryesore duhet vlejtur: përvishni mëngët!

Nga e hëna ka filluar të numërohet stazhi për arritjen e pavarësisë “së plotë”.

E pavarësi “të plotë” nuk mund të ketë pa kontrolluar tërë territorin e shpallur nën sovranitet të Prishtinës, me theks të veçantë te veriu. Pastaj pa pasur ushtri kosovare e duke ia pasur nevojën ushtrive të huaja, pa pasur gjyqësor të pavarur e efikas, e duke ua pasur nevojën gjykatësve e prokurorëve të huaj, pa pasur polici të pavarur e efikase e duke ua pasur nevojën policëve të huaj.



DERI MË TASH, mund të thuhet pa shumë hezitim që kanë dështuar bukur shumë edhe institucionet e vendit, edhe Zyra Civile Ndërkombëtare e edhe misionet ushtarake e civile që kanë vepruar në Kosovë.

Ne jemi dëshmitarë që nën “udhëheqjen” dhe “shkrirjen e mendëve” të të gjitha këtyre institucioneve, të përbëra nga banorët e vendit, përfaqësues nga shtetet e OKB-së, ose përfaqësues nga “klubi i standardeve të larta” Bashkimi Evropian, Kosova shpesh ndodhet në pjesët e zeza të listave ku vlerësohet standardi jetësor.

Të gjithë këta “dinjitarë” nuk kanë mundur të sigurojnë që në Kosovë të mos vidhen votat në zgjedhje, që të mos ketë nivel të lartë të korrupsionit, që të ketë shërbime cilësore shëndetësore, që të ketë rrymë pa ndërprerje, që të ulet niveli i lartë i papunësisë, që të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e të tjera.

Për më tepër, kurrë nuk kam mundur të jap një përgjigje të prerë se a ka qenë më mirë që - përveç KFOR-it për arsye të kuptueshme – në Kosovë të mos kishin ardhur kurrë administratorë, policë, gjykatës e prokurorë të huaj. Ndoshta pa ta, fillimisht në Kosovën e pasluftës do të ishte shumë keq, do të kishte më shumë vrasje e krime, keqpërdorime e keqmenaxhime, por dikur vendorët do ta kuptonin se duhet vetë të përpiqen që të mësojnë të udhëheqin si duhet vendin e tyre. Në këtë mënyrë, duke pasur prezencën ndërkombëtare duke u përballur me sfidat më të mëdha, përgjatë këtyre 13 vjetëve, atëherë është mbrujtur edhe ideja se vendorët nuk janë të aftë e as që do të mund të jenë për t’u përballur vetë me problemet.

Një situatë e këtillë, kur vendimet kryesore për vendin janë marrë nga të huajt, arrestimet më të rënda janë bërë nga të huajt, gjykimet më të vështira janë bërë nga të huajt, çfarë rezultatesh mund të sjellë dita kur këto veprime duhet t’i bëjnë kosovarët? A do ta kthejë kjo ditë situatën sërish në pikën zero?

Vërtet kam dilema të mëdha.

E këto pyetje duhet t’ia shtojmë sidomos tash çdo ditë vetvetes në qoftë se vërtet besojmë në këtë shtet.

Në kohën kur ka filluar periudha e Mbikëqyrjes së Vërtetë të Pavarësisë.

Mirë se e gjejmë!



adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk






sokoli raveni15.09.2012/16:47

ti fatmir , po me vjen keq , se paske mbajt shpresa , se kur te kryhet mbikqyerja e pamvaresis , do hyn ne fuqi , ligjet e rruges , te miqeve te tua me prokuror e gjykatesa , se do lirohen ata kriminel te bandave te luftes . jo , jo gabim e ke . urrno e vazhdo akoma shpreso. tek do ballafaqoheni , me ligjin antimafija , e me diskreditim publik.

Fatmiri15.09.2012/15:39

"Ishin kan njiher nja dy sorra dhe filluan te lavderohen per zhdervjelltesine e tyre. I thot njera shoqes, e sheh se si rri me te dy kembet ne maje hurithunit, po i thote tjetra, por un rri vetem me njeren kembe. Mandej prap i thot sorra tjeter se une mund t'i zgjase kembet ne dy hunje. Tjetra thot po une mund te zgjatem ne tre hunje dhe mundohet ta beje kete, por duke u zgjatur ne hunin e tret, huni i dyte i futet ne bythe.
Edhe ju analistat e mi mos u zgjeroni shume se mund te ju ndodhe si puna e sorres.