Kosova sot nuk do të bëhet më e pavarur se deri dje

Augustin Palokaj Augustin Palokaj
Publikuar: 11.09.2012 - 21:34

Sot qytetarët e Kosovës nuk do t’i shohin ushtarët e NATO-s duke u larguar nga shteti i tyre dhe ushtarët e Kosovës duke zënë pozicionet e ushtarëve të KFOR-it. As EULEX-i nuk do të largohet sot e as sot e dy vjet nga Kosova. Politikanë, ministra apo zyrtarë  të tjerë kosovarë në çdo moment edhe prej sot e tutje do të mund të hetohen, paditen dhe gjykohen nga gjykatës të huaj në territorin e Kosovës. Me gjithë festën që do të bëhet për të shënuar përmbylljen formale të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, pak gjë do të ndryshojë në formën, aranzhimet dhe mandatin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Në rrethana të tilla pak ka kuptim thënia „pavarësi e plotë“. Krejt çka do të ndryshojë në këtë prani është vendimi për mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare ICO. Sikur kjo zyre të kishte bërë ndonjë punë të madhe në të kaluarën, mungesa e saj edhe do të vërehej. Por duke pasur parasysh se ajo kryesisht u mor me ligje për ndonjë qytet apo komunë, me deklarata në mbështetje të autoriteteve të Kosovës sa herë që krijohej ndonjë trysni publike ndaj tyre, dhe nuk u dëgjua për ndonjë problem konkret të qytetarëve, pakkush në të ardhmen do të vërejë se nuk ka më ICO. Shikuar anën tjetër të medaljes duhet thënë se nga Kosova po largohet e vetmja prani multilaterale ndërkombëtare, e cila Kosovën e trajton si shtet. KFOR-i, OSBE-ja, UNMIK-u, Zyre e BE-së dhe EULEX-i nuk e trajtojnë Kosovën si shtet.

Sot prapëseprapë është një ditë e rëndësishme në historinë e Kosovës, sepse edhe vendimet formale, pa marrë parasysh a ndryshojnë  apo jo shumë në substancë, janë të rëndësishme në historinë e zhvillimit të një shteti të ri.  Problemi në rastin e Kosovës është se „mbikëqyrja ndërkombëtare“ nuk është shfrytëzuar sa duhet për të siguruar një zhvillim të mirëfilltë të demokracisë në Kosovë, të sundimit të ligjit dhe të krijimit të kulturës së pavarësisë. Me territor të ndarë, me marrjen e vendimeve kyç nga ambasadat e huaja, me mungesë të kulturës së llogaridhënies para qytetarëve nga ana e udhëheqësve politikë, Kosova edhe pas ditës së sotme do të jetë larg nga pavarësia e plotë. 

Pavarësia e Kosovës, posa është shpallur, ka pasur edhe prapashtesën „e mbikëqyrur“. Kjo mbikëqyrje është dashur të ishte një lloj korrektuesi i ndërkombëtarëve ndaj gabimeve të pushtetit vendor. Kështu së paku ishte shitur para shpalljes së pavarësisë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse një pjesë e madhe e popullatës ishte e pajtimit që të jetë kështu.

 Aty ku është dashur ta „mbikëqyrë“ Kosovën bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë dhe ka lejuar që të ketë një degradim kaq të madh të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kanë toleruar mashtrimet në zgjedhje dhe madje, sipas disa diplomatëve, kanë ndikuar nganjëherë edhe që për shkaqe politike të ndalen hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion, nëse dikush në Bruksel apo diku tjetër ka vlerësuar se një gjë e tillë do të kishte ndikim në atë që është konsideruar „stabilitet politik“. Kanë folur shpesh për „lirinë e mediave“, por nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar mediat. Nuk kanë bërë asgjë edhe për të parandaluar ndarjen e Kosovës.

Por faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë vendimet kryesore politike, duke i shndërruar politikanët vendës vetëm në vegël të tyre. Nuk u ka penguar manipulimi i zgjedhjeve të vetme të përgjithshme, të cilat i kanë organizuar vetë kosovarët vetëm për shkak se institucionet e dala nga to kanë pranuar të hyjnë në dialog dhe të bëjnë kompromise me Serbinë. Në vend që t’ia imponojnë Kosovës një demokraci çfarë kanë shtetet perëndimore, pra ku qeveria u përgjigjet të zgjedhurve të popullit në Parlament, „ndërkombëtarët“ në Kosovë kanë bërë çmos që Parlamenti të jetë vetëm një vegël e tyre dhe e qeverisë dhe si një lloj dekori i demokracisë. Vendimet kryesore për vendin, si dialogu me Serbinë, marrëveshjet me Beogradin që vënë në dyshim identitetin shtetëror të Kosovës në takimet ndërkombëtare dhe rajonale, e edhe zgjedhja e presidentit, liderëve të institucioneve të tjera shtetërore e deri tek guvernatorët e bankave dhe krerëve të institucioneve gjyqësore e akademike, edhe tenderët për rrugë dhe shitje të ndërmarrjeve publike,  janë bërë jashtë institucioneve, shpesh nëpër shtëpi private apo restorante.

Në këto më shumë se 4 vjet „pavarësie të mbikëqyrur“ Kosova nuk ka krijuar as kulturën e pavarësisë. Kjo nuk do të ndryshojë as pas ditës së sotme, kur  formalisht të vendoset „pavarësia e plotë“ apo „e pambikëqyrur“ e Kosovës. Edhe pas asaj  kosovarët nuk do të vendosin për veten. Ata për çfarëdo veprimi të tyre do të kërkojnë lejen e „miqve ndërkombëtarë“. Do ta bëjnë këtë kur duhet e edhe kur nuk duhet. Nganjëherë do ta bëjnë këtë nga nevoja dhe vetëdija se pa ndihmën ndërkombëtare Kosova mund të pësojë rëndë, por shpesh do ta bëjnë nga pasiguria dhe mungesa e vetëbesimit.

Në kushte të tilla, duke i shtuar kësaj edhe faktin se në Kosovë do të ketë prani të huaj ushtarake, gjykatës, policë dhe hetues të huaj, të cilët nuk do t’u përgjigjen ligjeve të Kosovës e në të njëjtën kohë do të kenë pavarësi në punën e tyre nga institucionet kosovare, Kosova nuk mund të jetë tërësisht e pavarur. Këtë fakt e bën më të rëndë edhe qëndrimi „neutral ndaj statusit“ që do të vazhdojnë të kenë EULEX-i dhe KFOR-i e edhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Në fund duhet thënë se vendimi i atij që quhet „Grup Drejtues Ndërkombëtarë“ që t’i jepet fund asaj që quhet „mbikëqyrje e pavarësisë“ është më shumë rezultat i dëshirës së tyre që sa më pak të merren me Kosovën sesa që reflekton ndonjë përparim të madh të Kosovës në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e demokracisë.  Në kohën kur Kosovës po i thuhet se „do të ketë pavarësi të plotë“, Kosova nuk do të ketë kontroll të një pjese të territorit të saj, nuk do të jetë anëtare e asnjë organizate kryesore ndërkombëtare dhe nuk do të ketë raporte kontraktuale as me BE-në e as rrugë formale të integrimit në NATO, ndërkohë që nuk është e njohur nga gjysma e shteteve të botës. Për këto dështime dhe ata të cilët deri tash e „mbikëqyrën“ pavarësinë kanë një pjesë të përgjegjësisë po ashtu. Ajo që është edhe më e rëndë, Kosova do të ketë një Parlament kukull, me deputetë të papërgjegjshëm, të shantazhuar dhe shantazhues, do të ketë një spektër politik ku secili mund të bëjë koalicion me secilin nëse u përpiqen interesat materiale.   E të huajt do të merren me Kosovën aq sa është e domosdoshme në përshkrimin e vendeve të tyre të punës, jo pse e duan Kosovën, por për shkak se marrin rrogë për një gjë të tillë. E edhe numri i tyre do të jetë gjithnjë e më i vogël.

Kosova do të jetë e pavarur vetëm atëherë kur kosovarët të vendosin që vërtet të jenë të tillë, por kur të vendosin se vetë duan të marrin përgjegjësinë. Kjo është si duket për klasën politike të Kosovës më e vështirë sesa për gjithçka të pyesin ambasadorin e Amerikës apo diplomatët tjerë, sepse e kanë më lehtë që nga kritikat të mbrohen duke u thirrur në „obligimet ndërkombëtare“. Kështu edhe për dialogun me Beogradin, i cili Serbisë i solli statusin e vendit kandidat me BE-në e Kosovës fusnotën si njollë në emrin e saj, na u tha se „ishte obligim ndërkombëtar“ dhe kundërshtarëve u dha epitetit si „antievropianë dhe antiamerikanë“. Epitetet edhe ashtu përdoren në mënyrë banale kur s’ka argumente. Mbikëqyrja e tillë çfarë pati Kosova deri më sot nuk i solli asnjë të mirë. Ajo që është për keqardhje është se kjo „mbikëqyrje“ nuk i dha Kosovës madje as një mësim të vetmin që do t’i shërbente të ndërtonte pavarësinë e plotë, të pambikëqyrur, një ditë. 

Pa marrë parasysh të gjitha këto vendimet e sotme, po ashtu shënojnë një ngjarje historike, ngjarje e cila është dashur të ndodhte. Ajo nuk do të ndryshojë asgjë dramatike as në funksionimin e Kosovës e as në jetën e përditshme të qytetarëve të saj. Por në eksperimentet ndërkombëtare të krijimit të shteteve me ndihmë ndërkombëtare, siç është rasti i Kosovës, do të jetë një ngjarje e cila do të studiohet si rast i veçantë.   

biankoneri12.09.2012/10:22

shume shkrim i mir veq se pak kontradiktor,