Epiqendra e zgjedhjeve amerikane

Raghuram RajanRaghuram Rajan
Publikuar: 10.09.2012 - 22:12

Chicago – Një debat i vërtetë po zhvillohet tani në fushatën zgjedhore për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky debat sipërfaqësisht ka të bëjë me përkujdesjen shëndetësore dhe taksat. Më rrënjësisht, me demokracinë dhe ndërmarrjen e lirë.

Demokracia dhe ndërmarrja e lirë duket se po përforcohen reciprokisht – është e vështirë të mendohet një demokraci në lulëzim që nuk ka ekonomi tregu. Për më tepër, derisa një numër i ekonomive formaliste socialiste ka përqafuar ndërmarrjen e lirë (apo “socializmin me karakteristika kineze”, siç do të thoshte Partia Komuniste e Kinës), duket vetëm çështje kohe fakti kur ato do të detyrohen të bëhen më demokratike.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se pse demokracia dhe ndërmarrja e lirë duhet të jenë kaq reciprokisht mbështetëse. Mbi të gjitha, demokracia i sheh individët e caktuar si të barabartë dhe i trajton si të tillë, me çdo të ri që ka votë të barabartë, ndërkohë që ndërmarrja e lirë i fuqizon individët bazuar në atë se sa vlera ekonomike krijojnë dhe sa pasuri posedojnë.

E çfarë e parandalon një votues mestar në një demokraci që të votojë për të shpronësuar pasurinë dhe suksesin? Dhe pse kjo e fundit nuk e shkatërron pushtetin politik të mëparshmes? Jehonat e një tensioni të tillë tanimë po shfaqen ndërsa presidenti, Barack Obama, po përpiqet që të zbrazë këtë zemërim të shtresës së mesme, ndërsa ish-guvernatori i Massachusettsit, Mitt Romney, po u apelon biznesmenëve të mërzitur.

Një arsye se pse votuesi mesatar pajtohet racionalisht që të mbrojë pasurinë e të pasurit mund të jetë ajo se e sheh të pasurinë më shumë si menaxher funksional të asaj pasurie. Kështu që, në vazhdën e asaj se të pasurit janë vetëpasuruar dhe janë shfaqur fitues të një tregu të drejtë, konkurrues dhe transparent, shoqëria mund të zgjedh tu lejojë atyre që të posedojnë dhe menaxhojnë pasurinë e tyre, ndërsa e ndajnë hisen e tyre të arsyeshme të taksës. Sidoqoftë, sa më shumë që të pasurit shihen si dembelë apo kokulur – në rastet kur ata thjesht e kanë trashëguar apo, ç’është edhe më keq, e kanë fituar pasurinë e tyre në mënyrë të ligë – votuesit mesatarë aq më shumë duhet të hapen për të votuar për rregullore të ashpra dhe tatime më të majme për ata.

Në Rusinë e sotme, për shembull, të drejtat për pasuri nuk gëzojnë ndonjë mbështetje të  madhe popullore, për shkak se shumë oligarkë jashtëzakonisht të pasur të shtetit konsiderohen të kenë mbledhur pasuritë e tyre nëpërmjet mënyrave të dyshimta. Ata bëhen më të pasur për shkak se e menaxhojnë sistemin, jo për shkak se e menaxhojnë biznesin e tyre aq mirë. Kur qeveria i ndjek magnatët e pasur të naftës, si puna e Mikhail Khodorovsky, pak zëra ngrihen në protestë. Dhe, kur të pasurit përkulen para autoriteteve për të mbrojtur pasuritë e tyre, atëherë kontrolli i ashpër në arbitrimet zyrtare zhduket. Qeveria pra është e lirë të bëhet më autokratike.

Në këtë rast, konsiderojeni sistemin konkurrues të ndërmarrjes së lirë si një fushëlojë të hapur për të gjithë. Një sistem i tillë në përgjithësi ka tendencë ta lejojë më efikasin që të grumbullojë pasuri. Sa më e drejtë që të jetë konkurrenca aq më të avancuara janë perceptimet e legjitimitetit.

Për më tepër, nën kushtet e konkurrencës fer, procesi i shkatërrimit kreativ ka tendencë që të tërheqë me vete pasuritë e trashëguara dhe të keqmenaxhuara, duke i zëvendësuar ato me një pasuri të re dhe dinamike. Pabarazia e madhe, e ndërtuar gjenerata me radhë, nuk bëhet burim i një fyerje të madhe popullore.

Përkundrazi, çdokush mund të ëndërrojë se edhe ata do të bëhen të pasur një ditë.

Kur aspiratat e tilla shihen si të besueshme, sistemi tërheq mbështetje demokratike shtesë. Të pasurit, të sigurt për legjitimitetin popullor, mandej mund të përdorin pavarësinë që ua sjellë më vete pasuria për të kufizuar në mënyrë të paarsyeshme qeverinë dhe mbrojtur demokracinë. Ndërmarrja e lirë dhe demokracia e mbështesin njëra-tjetrën.

Ekziston një besim popullor se sistemet demokratike mbështesin pasurinë dhe ndërmarrjen e lirë për shkak të votave dhe se ligjvënësit mund të blihen, sikurse dhe kapitalistët i mbajnë paratë në duart e tyre. Mirëpo ky besim mbase është i gabuar.

Siç na sugjeron rasti i Rusisë, pa mbështetjen e popullit, pasuria mbrohet vetëm me masa gjithnjë e më shtrënguese. Në fund të fundit, një sistem i tillë humb çdo gjurmë si të demokracisë ashtu edhe të ndërmarrjes së lirë.

Atëherë le të kthehemi në zgjedhjet presidenciale të Amerikës. Kriza e fundit, e shoqëruar nga pako të shumta shpëtimi për institucionet financiare, ka ngritur pikëpyetje të shumta rreth asaj se si të paktën një segment i biznesit – bankierët – i fitojnë paratë e tyre. E ndërkohë që shkeljet e “bankarëve” dalin në shesh, sistemi nuk duhet më edhe aq fer.

Veç kësaj, Ëndrra Amerikane duket se po mjegullohet, pjesërisht për shkak se një arsimim i mirë, i cilit duhet të jetë pasaportë për pasurim, po bëhet gjithnjë e më pak i përballueshëm për shumicën e shtresës së mesme. Kjo gjë e mbyt mbështetjen për sistemin e ndërmarrjes së lirë.

Obama e kupton këtë, gjë kjo që edhe e shpjegon tërheqjen dhe përqendrimin e tij kah shtresa e mesme. Ai është një bartës standard i demokracisë.

Në anën tjetër, profesionistë dhe ndërmarrës të suksesshëm besojnë se janë aty ku janë falë pasurisë së tyre legjitime. Ata janë të pasur të angazhuar në punë dhe nuk u pëlqejnë barra në rritje e rregullativave dhe gjasat për taksa më të larta. Ata ndjejnë sikur po fajësohen për suksesin e tyre dhe nuk mund ta durojnë një gjë të tillë. Romney e kupton se fuqia e Amerikës bazohet fuqimisht në ndërmarrjen e lirë.

Zakonisht, kjo gjë nuk mund të kontestohet. Pesha e votave nga shtresa e mesme do të dalë më e rëndë ditën e zgjedhjeve. Por shtresa e mesme është më se e ndarë: disa duan të mbrojnë çdo të drejtë dhe pasuri që tashmë kanë, ndërsa të tjerët duan që qeveria tu jep atyre një shans më fer. Për më tepër, vendimi i Gjykatës Supreme për qytetarët me të drejta të barabarta të vitit 2010, i cili lejon shpenzime të pakufizuara të pavarura politike nga organizatat si korporata dhe unione, i ka ndihmuar Romneyt më shumë se sa Obamas.

Cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve, tensionet ndërmjet demokracisë dhe ndërmarrjes së lirë, çështje këto qendrore në këto votime, nuk duket se do t’i ndihmojnë shumë asnjërit. Një sistem i ndërmarrjes së lirë që mbështet vetëm në pushtetin që vjen nga paraja e të suksesshmit nuk është stabil dhe vështirë se mund të mbetet kumbues për shumë kohë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ringjallin mundësinë e realizimit të Ëndrrës Amerikane për shtresën e saj të mesme, madje edhe nëse ajo nënkupton ringjalljen e rregulloreve të buta dhe të peshave relativisht të ulëta të taksave, të cilat ua kishin lejuar lulëzimin ndërmarrjeve. Virtyt i demokracisë është se debati mund të çojë drejt një konsensusi të tillë. E ne vetëm mund të shpresojmë.



(Raghuram Rajan është profesor i financave në shkollën e bizneseve Booth të Universitetit të Chicagos. Ai më parë ka shërbyer si kryeekonomisti më i ri ndonjëherë i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ishte edhe shef i Komitetit indian të Financave për sektorin e reformave financiare. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).