Sektori privat dhe privatizimi

Berat Rukiqi
Publikuar: 10.09.2012 - 21:33

Një agresivitet të skajshëm kundër asociacioneve të biznesit ka nxitur qëndrimi i hapur i këtyre asociacioneve mbi procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Në këtë vazhdë në vijim do të mundohem të paraqes faktet që argumentojnë që qëndrimet e komunitetit të biznesit në raport me procesin e privatizimit kanë qenë dhe janë konsistente dhe parimore, gjithmonë të bazuara me misionin themelor të asociacioneve të ndryshme të biznesit: “Përfaqësimi i interesave të biznesit, për një ekonomi të fuqishme në Kosovë”.

Nga ky mision i përmbledhur mund të derivojnë edhe parimet e përgjithshme të angazhimeve publike të odave ekonomike dhe shoqatave të ndryshme biznesore. Këto parime synojnë: promovimin e agjendës zhvillimore, promovimin e sektorit privat si bartës i zhvillimit ekonomik, zvogëlimin e rolit të shtetit në ekonomi, krijimin e kushteve për biznes dhe investime dhe gjenerim të punësimit të qëndrueshëm.

Teoria dhe evidenca praktike për zhvillimin ekonomik nuk njeh ndonjë rast që zhvillimi i hovshëm ekonomik ka qenë barrë dhe rezultat i sektorit publik apo pronësisë të madhe publike në menaxhimin e ekonomisë. Në vijim të tekstit do të mundohem të elaboroj pa përdorur koncepte teorike dhe statistika krahasuese, thelbin e të pavërtetave dhe të vërtetave rreth rolit dhe qëndrimeve të komunitetit të biznesit për procesin e privatizimit si dhe rreth argumenteve pro dhe kundër privatizimit në përgjithësi, duke tentuar të kontribuoj pozitivisht në një debat substancial për zhvillimin ekonomik të vendit.

Etiketimet e llojit “ Odat ekonomike janë argatë të Qeverisë” , nga opinionistë të ndryshëm dhe aktorë të skenës politike: Është argument që ka si qëllim shantazhin dhe kufizimin e lirisë së shprehjes dhe vazhdim i qasjes së “tifozllëkut” politik, duke dhënë qëndrime “nëse nuk je me ne, je me ata ose pinjoll i atyre”. Duke përfaqësuar komunitetin e biznesit është interes primar i odave ekonomike ardhja e çdo investitori ose shprehja e interesat nga çdo investitor potencial me prejardhje të qartë të kapitali , sikurse që është rritja e sektorit privat, përmes futjes së kapitalit privat të brendshëm dhe të jashtëm. Çdo qëndrim pro privatizim bazohet në premisën “ Sektori privat është gjenerator kryesor i rritjes ekonomike të shpejtë dhe të qëndrueshme”

“ Odat ekonomike nuk kanë guxim të kundërshtojnë Qeverinë”: Është një konstatim i pabazuar dhe i interpretuar për të bërë lajm. Vetëm Oda Ekonomike e Kosovës në çdo vit dërgon dhjetëra letra kundërshtuese për politikat ekonomike dhe veprimet e ndryshme nga institucione të ndryshme. Sa për ilustrim ja disa nga fushatat e fuqishme lobuese për ndryshim të politikave ekonomike dhe legjislacionit që ka cenuar konkurrencën e lirë: Rasti i fundit i çimentos, tendenca për monopolizimin e tregtisë së produkteve shtazore, politikat fiskale, implementimi i CEFTA-s, ambienti për biznes, presionet dhe ndëshkimet nga administrata tatimore, (mos) furnizimi me energji elektrike, mbledhja e tatimeve dhe ndëshkimet për biznese , etj. Të gjitha këto raste mund të dokumentohen lehtë në çdo lloj “search engine” në internet.

“Kërcënimi dhe shantazhi ndaj investitorëve është pengesë për zhvillimin ekonomik”. Vendet në transicion nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, si rezultat i transicionit politik dhe ekonomik janë përcaktuar fuqishëm për ekonomi tregu, ku dominon prona private dhe tregu rregullon aktivitetin ekonomik. Këtë përcaktim e ka edhe Kosova, bile edhe si kategori kushtetuese. Të gjitha këto vende kanë zgjedhur instrumentin e privatizimit të pronës shoqërore dhe publike si hap të rëndësishëm të zhvillimit të përgjithshëm. Në shumicën e rasteve investimet e huaja direkte (Definicion: Çdo lloj aktiviteti ekonomik jashtë vendi ku investitori përdor kapitalin për të blerë asete ekzistuese (Brownfield FDI) ose ndërtim të aseteve te reja nga zero (Greenfield FDI), kanë sjell rezultate pozitive në procesin e privatizimeve në shumë nga këto vende. I tërë procesi i privatizimit në këto vende është përcjellë me debat të ashpër pro a contra, por në  fund në çdo vend ky proces është zhvilluar deri në fund, diku është përsëritur, diku tjetër është kryer shpejt, diku shumë ngadalë, por askund nuk mund të evidencohet ndonjë rast që një subjekt parlamentar nga këto vende të dërgojë kërcënime në adresë të investitorit.  Është lehtë e kuptueshme që parullat anti - pronë private dhe anti-privatizim janë “IN” për veprime të aktorëve populistë dhe shumë të arsyeshme në luftën e brendshme politike, por transformimi i tyre në qasje shantazuese ndaj investitorëve të huaj ka vetëm një rezultat: Rreziku politik (shumë i renditur lartë në pengesat për investime të huaja) për investime në Kosovë do të rritet dukshëm dhe do të paralajmërojë dhe largojë edhe ata pak investitorë që Kosovën e shohin si vend atraktiv për investime. Nuk kontestohet që ekzistimi i barrierave për bërje biznes, ekonomia joformale, infrastruktura, sundimi i ligjit” tregu i vogël  janë ndër shqetësimet kryesore për tërheqjen e investimeve, por në asnjë rrethanë kjo nuk e arsyeton asnjë formë të kërcënimit dhe shantazhit ndaj investitorëve me argumentin se “investitorët nuk vijnë për shkak të shkaqeve të lartpërmendura, prandaj edhe nëse kërcënohen nuk do të bëhet me keq, pasi që faji është të Qeveria”.  Irlanda është shembull tipik i suksesit me tërheqje të Investimeve të Huaja si rezultat i shkallës së ulët të rrezikut politik që është arrit përmes respektimit dhe implementimit konsistent të ligjeve, politikave, strategjive, vendimeve institucionale nga të gjithë aktorët politikë në vend (jo domosdoshmërisht duke u pajtuar), edhe në rastet e ndryshimit të qeverive dhe skenës politike.

“Kundërshtimi i privatizimit në emër të qytetarëve dhe interesit publik”. Në shumicën e kundërshtimeve që prezantohen në opinion publik ka shumë pak argumente çka përfiton dhe çka humb qytetari nga procesi i (mos)privatizimit. Faktet kanë karakter ideologjik dhe prezantohen si argument për fitimin e votave ose në rastin e përfaqësuesve të punëtorëve në masë të madhe si qëllim final kanë jo me shumë të drejta dhe kushte më të mira për punëtorë, por ruajtje dhe shtim të privilegjeve të udhëheqësve të punëtorëve.

“Pse privatizimi shton vlerë në kompani dhe krijon efekte multiplikuese”. Në argumentet vijuese proprivatizim do të argumentoj brenda kontekstit të privatizimit të PTK-së.  PTK është kompani profitabile , që ka rritje të të hyrave, ulje të fitimit, shpenzime të larta operative dhe produktivitet të ulët. Si e tillë e ka vështirë që në periudhë afatgjatë të përballojë konkurrencën dhe të ruajë madhësinë ekzistuese të tregut. PTK aktualisht punëson mijëra punëtorë dhe paguan tatim në fitim dhe dividendë në buxhet. Duke qenë që ky është kontributi primar i PTK-së për shoqërinë (shërbimet i shet si çdo biznes tjetër privat, prandaj nuk qëndron fakti që në ndryshim të titullarit të pronës do të pamundësohet qasja në shërbime), interes po ashtu primar është që ky kontribut në shoqëri të rritet. Si vjen kjo si rrjedhojë e privatizimit? Çdo kompani private ka si qëllim kryesor maksimizimin e fitimit. Maksimizimi i fitimit vjen si rezultat i aftësisë me të madhe konkurruese të kompanisë në treg duke ulur kostot operative (privilegjet, bonuset, shpenzimet e derivateve, mirëmbajtjes, etj), duke rritur numrin e shërbimeve dhe klientëve, si dhe duke rritur produktivitetin në përgjithësi. Ulja e kostove dhe rritja e produktivitetit mund të vijë vetëm si rezultat i një menaxhimi modern, efikas dhe pa presione dhe të orientuar kah tregu, ndërsa rritja e shërbimeve, klientëve, rrjetit, gjithëpërfshirjes vjen vetëm si rezultat i investimeve të mëdha, para se gjithash avancimit nga 2G në 3G dhe 4G. Këto investime me resurset aktuale brenda kompanisë dhe brenda kornizave buxhetore nuk mund të realizohen asnjëherë. Efekti i këtyre investimeve nga investitori privat është multiplikues: Qytetarët përfitojnë nga shërbimet e reja që nxisin konkurrencë dhe rrjedhimisht çmime më të lira. Çdo investim, siç mund të jetë kalimi në 3G, nënkupton investime në infrastrukturë të rrjetit, aftësim të gjeneratave të reja, nënkontraktime për kompanitë ekzistuese, mundësi për themelimin e kompanive të reja dhe punësim të ri në këto kompani si rezultat i nevojës për profile të reja të punëtorëve, të ardhura më shumë për konsum që domosdoshmërisht rezulton edhe në rritje ekonomike. Bizneset kanë po ashtu përfitime të shumëfishta, duke filluar nga qasja më e lehtë në shërbime, shërbime me të avancuara teknologjike që janë tejet të domosdoshme për komunikim, atraktivitet për investitorë të tjerë si rezultat i përmirësimit të infrastrukturës dhe broadbandit, punë nënkontraktuese, si dhe kërkesa për inovacion, etj.

“Sektori i madh publik dhe rritja e rolit të shtetit në ekonomi janë të predestinuara për dështim”. Pa pasur nevojë për analizë të thellë të dështimit të sistemit socialist, do t`i potencoj vetëm tri shtete që kanë dështuar plotësisht në aspektin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, para së gjithash si rezultat i sektorëve publikë të mëdhenj, vullnetit të paktë për reforma strukturore në ekonomi dhe menaxhimit të dobët të proceseve ekonomike. Janë Greqia (fare afër falimentimit) e detyruar të shpejtojë privatizimin dhe shitjen e aseteve shtetërore , Spanja me pamundësi të ruajë kapitalin publik në telekom, energji dhe sektor financiar dhe me deficite të mëdha buxhetore, si dhe shteti që vazhdimisht merret si shembull nga kundërshtarët e privatizimit në Kosovë –Sllovenia , që krizën me të thellë ekonomike në histori e vuan si rezultat i prezencës së madhe të shtetit në ekonomi.

“Privatizimi i pronës shoqërore ka shkatërruar ekonominë”. Ky konstatim mund të jetë ose rezultat i naivitetit ose mosdijes. Ekonominë e Kosovës e ka shkatërruar Serbia. Ndërmarrjet shoqërore janë trashëguar me amortizim ekstrem fizikë dhe moral. Në kushte të globalizimit, përdorimit të teknologjisë së avancuar, këto ndërmarrje asnjëherë nuk kanë arrit të bëhen konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

“Nëse sektori privat ekzistues luan rol të dobishëm, pse rritja e këtij sektori përmes privatizimit është e dëmshme”? Është fakt i pamohueshëm që sektori privat punëson numrin më të madh nga të punësuarit aktualë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë është kontribuuesi kryesor në buxhetin e vendit përmes pagesës së tatimeve. Me gjithë kushtet e vështira për operim është sektori privat ai që përveç të ardhurave për ekonominë e vendit ofron produkte cilësore dhe me çmime konkurruese. Pyetja e logjikshme është: çka nuk shkon me sektorin privat dhe çka në cilindo rast është bërë më mirë ose mund të bëhet me mirë nga sektori publik?

Pyetja në argumentin e fundit është ftesë për reflektim të aktorëve me të rëndësishëm të kësaj shoqërie, me shpresën që reflektimet të mos jenë të ngarkuara me ideologji utopike, populizëm, patriotizëm folklorik dhe etiketime shabllon.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës)

Jakova12.09.2012/08:12

Problemi qëndron se këto ndërmarrje janë shitur për ca lekë .Paragjykoni se pronat bujqësore janë shitur tek politikanet dhe shërbëtoret e tyre 1 ari për 34 euro.Ju lutem botoni komentin !

Atdheu 11.09.2012/22:39

Shoku sekretar i partisë e vërteta është se jeni bolshevik të kuq të gjithë .Jemi shteti i vetëm pas Kubës që nuk miraton ligjin për këthimin e pronave tek pronaret legjitimë shqipëtarë.gjer me sot keni shitur 29200 hektarë tokë të cilat kanë emër dhe mbiemër pronarësh shqipëtarë tek argatet e politikës ditore dhe klanoret .Këte ju e quani privatizim .E ju na flisni për pronën private dhe sektorin privat .

Drilon11.09.2012/11:15

Sekretar, shkrimi ishte i domosdoshem. Faleminderit OEKut dhe asociacioneve te tjera per ngritje te zerit kunder padrejtesive te rebeleve.