“Mallkimi i Mollës së Kuqe” (3)

Veton Surroi Veton Surroi
Publikuar: 09.06.2012 - 21:02

7.

Nëse do të mund të simbolizohet shtetndërtimi me termet kompjuterike atëherë shqiptarët janë të zënë me dy sfida. Një, ndërtimi i “hardware” (pra komponentëve materialë), që do të thotë ende me definimin e çështjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Dy, ndërtimi i “software”, pra krijimin e një programi operativ (administrimin, kulturën etj.) në transformime strukturore që do t’i bënin të gatshëm për anëtarësim në BE.

Për më tepër, nëse do të mund të përdornim simbole të tjera, shqiptarët janë të zënë në definimin e dyfishtë të kufijve të vet. Së pari, me definimin e kufijve të etnicitetit (Kosova me çështjen e veriut të vendit të vet, të banuar nga minoriteti serb) dhe së dyti me definimin e kufijve të identitetit të vet, pra kalimin e urës drejt identitetit të vet perëndimor.

Shqiptarët, kështu, janë të zënë me “mallkimin e Mollës së Kuqe”, kufirit proverbial të cilin e kishin një natë para Kongresit të Berlinit dhe i cili  që prej atëherë ende nuk është gjetur.

Molla e Kuqe sot merr një dimension të paqëndrueshmërisë çfarë e kishte gati edhe para 150 vjetësh, ngase fakti se shqiptarët janë të përkushtuar drejt bashkimit të tyre brenda Bashkimit Evropian, apo se janë shoqëritë më proamerikane dhe proevropiane në Evropën e sotme , nuk do të thotë se është e garantuar rruga drejt identitetit të tyre evropian, pra perëndimor.

(Ka kush thotë se identiteti perëndimor dhe ai i BE-së nuk shkojnë detyrimisht bashkë, dhe do të marrin shembull zviceranët apo norvegjezët, por harrojnë se asnjëri prej këtyre vendeve a kombeve nuk e ka pasur të kontestuar identitetin e vet evropian, pra edhe perëndimor , siç e kanë pasur shqiptarët, dhe se kthimi nga identiteti i vet perëndimor  duhet të vuloset me atë evropian).

Shqiptarët, duke jetuar në lagjen ballkanike të “shteteve të pakompletuara” ,e me Serbinë në avantazh të dhënë integrues në BE, do të jenë pjesë e atyre që do të mbesin prapa gjatë këtij dhjetëvjetëshi karshi integrimeve evropiane. Koincendentalisht apo jo, shqiptarët në shumicën e tyre, në Shqipëri e Kosovë do të jenë në të njëjtin klub stagnues me Bosnje e Hercegovinën dhe, me gjasë, me Maqedoninë - një hapësirë me shumicë religjioze a kulturore myslimane që përmban shtete disfunksionale apo problem identiteti, apo që të dyja së bashku.

Në këso situate, shqiptarët do të ballafaqohen me tri lloji të presionit të Lindjes. Së pari nga ekspansioni ekonomik i Turqisë, i cili i sheh tregjet e Ballkanit Perëndimor si habitat natyral, një ekspansion që është shumë më intensiv se cilado ekonomi (në tkurrje) perëndimore. Së dyti, nga një politikë e jashtme neotomane turke, që e sheh hapësirën e Perandorisë së saj si një habitat natyror, një formë e vulosjes së simbolit të një Turqie të fortë të shekullit XXI. Dhe, së treti, nga ana e islamit politik, i cili tashmë po bën depërtimet e veta, në veçanti në Maqedoni, duke u përpjekur që të zbehë identitetin kombëtar shqiptar në favor të atij fetar.

Dikush mund të thotë se një sforcim i këtillë lindor mund të ketë pak ndikim në orientimin strategjik të shqiptarëve, por një analizë më e hollësishme do të tregojë se kombinimi i një perspektive të mjegullt evropiane, shtetësisë së pakompletuar dhe një presioni të fortë ekonomik, politik dhe religjioz lindor, mund të shërbejnë si një shkarje historike.

Shqipëria ka një sistem hibrid me institucione demokratike jo tërësisht funksionale të shoqëruara nga tendencat autoritare të elitave në pushtet dhe një shkarje e këtillë historike mund të shërbejë si një pauzë në reforma si dhe vetarsyetim për një këso pauze (“ne duam rritje ekonomike si Turqia, jo reforma si vendet e BE-së). Një shprehje e këtillë po fiton influencë t enjë pjesë e elitave të Shqipërisë, posaçërisht si përgjigje ndaj një Bashkimi Evropian që po e përjeton krizën e vet (të radhës), por tashmë me seriozitetin e ekzistencës së monedhës së përbashkët euro. Për Kosovën dhe elitat e saj që duan të kopjojnë këto të Shqipërisë, posaçërisht aspektet jodemokratike të sjelljes së tyre, kjo do të ishte vetëm vazhdim i një rruge antievropiane. Dhe, për Maqedoninë, një shkarje historike do ta çonte peshoren shqiptare më larg kombëtares e më afër fetares.

Për ata në BE që për një arsye a tjetrën duan të kenë një pauzë më të gjatë në anëtarësimin e shteteve të reja, një shkarje e tillë do të ishte e mirëpritur.

Për shqiptarët në tërësi, kjo do të ishte një shkarje që do t’i ndryshonte objektivat historike, dhe do t’i  përfshinte në një skemë gjeopolitike për të cilën shqiptarët janë më së paku të interesuar apo të përgjegjshëm: debatin nëse Turqia, e cila do ta ketë 100-vjetorin e Republikës së vet të themeluar më 1923 është një shtet europerëndimor apo i përket Lindjes? Kjo do të ndodhë ngase nëpërmjet të fazës së tanishme të stagnimit në integrim, shqiptarët do të puqen me çështjen simbolike të integrimit të Turqisë, në njëqindvjetorin e shtetit të Ataturkut,

Herën e fundit që shqiptarët ishin pjesë e një debati të këtillë doktrinar ishte para një mijë vjetësh, gjatë Skizmës së madhe që e ndau dysh krishterimin. Shqiptarët nuk ishin shumë të vëmendshëm se çka po ndodhte, vetëm për të marrë vesh se kisha e tyre u nda dysh dhe se ata do të duhej t’i përjetonin konsekuencat e vendimeve të tjetërkujt.

Në një kontekst shumë më të vogël historik, debati lidhur me atë se a është Turqia apo jo shtet evropian nuk u hyn fare në punë shqiptarëve. Por, mund t’i ndiejnë pasojat e këtij debati nëse nuk i kanë në duar dizginat për procesin vetjak të integrimit evropian.



8.

Është strategjikisht e rëndësishme për shqiptarët që të kthehen në kontekstin e shekullit të ri, te elementet bazike të vendimeve të para 100 vjetëve. Vendimi i thellë historik për të qenë shqiptar, evropian dhe perëndimor duhet të rivizitohet sot. Dhe, siç shpjeguam më lart, shqiptarizmi në njëzet vjetët e fundit është përshkruar strategjikisht si bashkim brenda Evropës së bashkuar, pra një projekt evropian.

Nëse ky konstatim është i vërtetë, atëherë çështja e integrimit evropian të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë shndërrohen në objektiva kombëtare të shqiptarëve duke qenë njëkohësisht pjesë e projektit të bashkimit të Evropës.

Por, a është e vërtetë kjo për elitat e BE-së dhe ato shqiptare? A mendojnë me të vërtetë në këtë mënyrë?

Nëse gjykojmë nga sjelljet, ekziston një  konsensus i pashprehur me fjalë se hapësira shqiptare nuk është e gatshme ende për të qenë evropiane.

Në BE ekziston pak a shumë konsensusi se Shqipëria është një shtet hibrid, duke mos i qenë i gatshëm për status kandidati meqë është një kombinim i demokracisë zgjedhore e autokracisë, me institucione të kontrolluara në formë jodemokratike (pra një shtet pjesërisht i lirë me terminologjinë e Freedom House). Ekziston konsensusi brenda BE-së lidhur me faktin elementar se nuk ekziston një qëndrim i unifikuar rreth pavarësisë së Kosovës. Dhe ekziston konsensus brenda BE-së se Republika e Maqedonisë nuk është ndonjë çështje që ia vlen për të unifikuar qëndrimet dhe për t’i ndihmuar vendit të ecën përpara në integrime.

Shkurt, ekziston konsensus në Evropë se kjo hapësirë karakterizohet nga statu-quoja, madje duke e trajtuar statu-quonë  si një çështje pozitive marrë parasysh çintegrimin e Shqipërisë më 1997, luftën në Kosovë 1998-1999 dhe luftën në Maqedoni më 2001. Një përshkrim i këtillë mund t’u konvenojë edhe elitave në këtë hapësirë po ashtu ngase nuk ekziston trysnia për reforma.

Në Shqipëri, shteti mund të përshkruhet si demokraci, por siç ma tha një zë i pavarur, është një demokraci ku vriten demonstruesit, ku votat nuk numërohen dhe ku gjykatat kontrollohen nga pushteti politik, kriminelët, paraja apo që të gjitha së bashku. Fokusi i qeverisë nuk është te reforma; është si t’u bëhet bisht kërkesave evropiane për reformë.

Në Kosovë, një elitë e bazuar në vjedhjen e organizuar dhe masive të votës e ka zaptuar vendin, tërë funksionet e saj publike me një stil të krimit të organizuar dhe është duke qeverisur vendin duke shpenzuar centin e fundit të parasë publike në projekte të dyshimta apo të korruptuara, me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare që kërkon vetëm stabilitet bazik, në mënyrë që ta arsyetojë praninë e vet aty. Elitat qeverisëse janë të përqendruara, karshi Evropës, të fitojnë liberalizimin e vizave, një ngjarje që do të kishte efektin e madh të ventilit social, duke i krijuar kushte një vale të rinjsh kosovarë të gjejnë vende, qoftë edhe të përkohshme pune, në vendet e BE-së. Me këtë, elitat qeverisëse besojnë në vazhdimin e pushtetit.

Në Maqedoni vendi është duke u shtyrë thellë e më thellë drejt stagnimit të vet, duke e krijuar një mekanizëm vetëpërmbajtës për qeverinë- e cila është furnizuesja kryesuese e vendeve të punës- në mënyrë që të ketë më shumë stagnim.

Shqiptarët janë të zënë në rrethin vicioz të stagnimit: në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, elitat politike nuk janë duke bërë hapa vendimtarë drejt integrimit në BE, sepse duke mos i bërë këta hapa e vazhdojnë pushtetin e vet (politik dhe ekonomik).

Bashkimi Evropian ndihmon në këtë rreth vicioz duke mos krijuar presionstimulim të mjaftueshëm për ndryshim në ato vende. Dhe këtë nuk e bën, sepse është zënë gjithnjë e më shumë në brendavështrim; procesi i zgjerimit nuk është as afër prioriteteve të veta.



(vijon nesër)

kristofer gabriel azeuxhel29.08.2012/05:45

orientimi proislamik i shqiptareve te kosoves e maqedonise ndoshta vjen per shkak te varferise,,,ndoshta ka ngecje e gjera te kqija te pasojave te ndryshme shoqerore por radikalizimi proislamik i shqiptarve te kosoves nuk me pelqen aspak..ma mir i varfer se islamik i dhunshem...paramendone me u fute sheriati islamik ne institucionet e brishta demokratike te kosoveska edhe edhe gjera tjera por arabizimi i kosoves aspak nuk eshte i volitshem per qytetaret liridashes shqiptar te kosoves,,edhe ne maqedoni dihet se jan disa rryma orientale islamike tek shqiptaret e ksaj republike,,,ma mire eshte te kete ne kosove demokraci te dobet se islamizem trushperlares..ma mire eshte keshtu siq eshte tani kosova se proislamizem arabik oriental lindor..

Driton Bakija Gjakove 25.06.2012/10:14

Te lumte ,zoetri ,Veton Suroi per kete shkrim shume te mire.Po ashtu kerkoj ndjese per gabim gjuhesore sic fjalija,Raportin ku munegon shkronja,R.Pastaj fjalija tjeter sic eshte,Pergjisi ku munegone shkronja,R.Kerkoj ndjese nga ,Zoetri ,Veton Surroi dhe nga ,Gazeta Koha Ditore.

Driton Bakija Gjakove 24.06.2012/11:31

Te lumte zoetri ,Veton Surroi per kete shkrim te mire.Ju anlizoni faktorin ,Shqiptare ne ,100 vjete rapotin e tije ne mese ineditetit ,Islamike dhe inditetit ,Evropjane dhe krtikoni me te drjete magesite dhe ,dobesit e shtetit ,Shqiptare te ,Shqiptare ,Maqedonine dhe ,Kosoven ku merrni shembull dobesit e tyre por cekeni se duhet ,Shqiptaret ne pegjisi te jene me nje rruge ,Evropjane.

Artani09.06.2012/21:15

Te lumte Veton Surroji po politikuajt tan spo I han as lima as sharra