Testi i maturës injoron materien profesionale

Publikuar: 09.06.2012 - 20:50

Shumë kohë kaloi dhe shumë kohë pritëm që një ditë të kemi një test të harmonizuar në relacionin planprogram- pyetje në test. Për fat të keq kjo nuk u arrit as pas 13 vjetësh në liri. Që  nga paslufta, arsimi profesional në vazhdimësi ishte i ngarkuar me teste dopio: test i brendshëm i vitit XII, test i brendshëm i vitit XIII dhe në fund kulmoi testi i famshëm i maturës ose siç quhet ndryshe testi kombëtar. Të shtunën testit kombëtar do t’i nënshtrohen me padurim dhe me një dozë frike mijëra nxënës. Ata kanë bazë reale për t’u frikësuar për faktin se 40% e materies që kanë shtjelluar për katër vjet mësim nuk është e përfaqësuar me asnjë pyetje në testin në fjalë. Shtrohet pyetja: çfarë suksesi do të kenë nxënësit dhe çfarë rezultati do të kenë shkollat profesionale, e konkretisht drejtimi teknologji ushqimore, gjenerata e parë në Klinë, për të cilin drejtim jam i thirrur dhe kam të drejtën të shfaq brengën time dhe shqetësimin e nxënësve të mi, kur në test nuk do të bjerë asnjë pyetje nga materia e tetë lëndëve profesionale që ata i kanë mësuar. Shqetësimet tona i patëm shprehur edhe në vitet e mëhershme dhe mendoja se të paktën gjatë këtij viti do të ndryshonte gjendja, pasi edhe ashtu ishte premtuar se do të bëhej riformatizimi i testit të maturës. Por në fakt kjo nuk ndodhi! Përmirësimi ishte vetëm kozmetik dhe jo përmbajtjesor. Kështu u vendos që testi të mbahet për dy ditë dhe të bëhet një ndarje në lëndë të përgjithshme dhe në lëndët e profilit përkatës. Takimet rreth riformatizimit të testit të maturës, realisht kanë qenë të pakta. Në shkurt është mbajtur një takim me drejtorët e shkollave. Aty kanë marrë pjesë edhe nga një nxënës si përfaqësues të drejtimeve përkatëse. Nxënësve iu qe servuar forma dhe mënyra e mbajtjes së testit. Pas kësaj, ne patëm biseduar brenda aktiveve profesionale rreth mënyrës së përgatitjes dhe parashtrimit të pyetjeve në lëndët e përgjithshme dhe ato profesionale dhe patëm dalë me qëndrimin se forma përmbajtjesore e testit nuk ishte e qëlluar. Kjo për faktin se në ditën e dytë të testit që duhej t’i kushtohej komplet materies së lëndëve të ngushta, nuk pati pyetje të këtij karakteri. Bazuar në fletëpalosjet që erdhën në duart e nxënësve u konstatua në aspektin profesional se kishte lëshime të cilat do të barten në kurrizin e nxënësve të pafajshëm. Aty, vendosa që ta ngre zërin e pakënaqësisë rreth mënyrës së mbajtjes së testit. Para dy javësh ishim të ftuar si administrator në një takim pune rreth pjesës teknike organizative të testit të maturës ku edhe në atë takim shtrova shqetësimin tim dhe të nxënësve rreth këtij defekti përmbajtjesor. Për rrjedhojë mora një përgjigje jobindëse, pa baza arsyeshmërie, kinse jemi shtet i dalë nga lufta dhe se nuk ekzistonte mundësia teknike e shtrimit të shqetësimit tim. Atëherë shtrohet pyetja: për çfarë janë ligjëruar dhe mësuar lëndët profesionale, kur dihet se rezultati i testit të maturës është çelës për hapjen e portës së Universitetit, përkatësisht për t’u regjistruar në fakultetet e drejtimeve përkatëse. Përderisa testi i maturës për gjimnaz është plotësisht i harmonizuar në relacionin materie e shtjelluar- test dhe bën që nxënësit e gjimnazeve të jenë më të suksesshëm në test, testi i shkollave profesionale është jo i harmonizuar mirë në të njëjtin relacion dhe bën që nxënësit e shkollave profesionale të  futen në garë me minus përqindje të arritshmërisë dhe suksesit në test. Shpresoj që pas gjithë kësaj kohe të kaluar, hartuesit e testit kombëtar do të bëjnë një punë të mençur e cilësore e jo sasiore. “Shkenca nuk ka atdhe, por atdheu duhet të ketë shkencëtarë”.





Ali Morina, mësimdhënës në SHMP “Fehmi Agani”, Klinë