Kush jemi ne

Grupi KOHA, më parë Kompania KOHA, zë fill më 17 korrik të vitit 1990, kur në Kroaci u regjistrua Ndërmarrja "Koha". Aktualisht ka në përbërje gazetën "Koha Ditore", televizionin kombëtar "KohaVision", shtypshkronjën "KOHA Print", televizionin kabllor "ARTA", Shtëpinë botuese KOHA dhe Portalin KOHA.

Revista "Koha"

Më 26 shtator të vitit 1990, lexuesit shqiptarë të Jugosllavisë së atëhershme për herë të parë kishin në duar një botim informativ-politik tërësisht të pavarur, të pandikuar drejtpërdrejtë nga forca në pushtet apo shoqata qytetarësh me ngjyrime interesash partiake, dhe kjo ishte revista "KOHA". Themelues i saj ishte Veton Surroi.

Impresumi i numrit të parë të revistës "KOHA" kishte këtë përmbajtje:

"Themelues dhe botues: Ndërmarrja ARTA, sh.p.k. Zagreb.

Me vendimin e Ministrisë  së Informimit të Republikës së Kroacisë..."

Firma ishte regjistruar në Kroaci si shenjë proteste ndaj represionit serb dhe si e tillë mbetej jashtë kontrollit të Ministrisë  serbe të Informacionit.

Më 12 qershor 1991 revista u detyrua ta ndalte botimin edhe nga shkaku se Kroacia shpalli pavarësinë nga RSFJ-ja dhe automatikisht anuloi vlefshmërinë e regjistrimit të revistës në Zagreb.

Më 2 mars të vitit 1994 rifilloi botimi i saj. Tani ndërmarrja ndërroi emrin nga ARTA dhe u regjistrua në Prishtinë me emrin NGTB KOHA.

Në gusht të vitit 1996 KOHA formoi edhe rrjetin e shpërndarjes së revistës.

Koha Ditore

Më 31 mars të vitit 1997 filloi botimi i "KOHËS Ditore", e para e përditshme e pavarur në gjuhën shqipe në Kosovë. Që atëherë ajo ndërpreu botimin vetëm një muaj, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kur forcat policore e ushtarake serbe në shenjë hakmarrjeje detyruan mbylljen e saj, vranë rojën dhe dogjën shtypshkronjën (24-25 mars 1999).

Më 26 prill 1999, "Koha Ditore" rifilloi botimin në Maqedoni, ku u shpërndahej falas refugjatëve të shumtë që kishin braktisur Kosovën të kërcënuar nga forcat serbe.

Sipas sondazheve të  "Strategic Puls Research", "Koha Ditore" është gazeta me qarkullimin dhe shpërndarjen më të madhe në Kosovë.

Ka një edicion ndërkombëtar që kryesisht shpërndahet në shtete të  Evropës Perëndimore.

Radio KOHA

Nga maji i vitit 1998-s e deri më 24 mars të vitit 1999 në kuadër të  Kompanisë Koha ka funksionuar edhe "Radio KOHA"

Agjencia e Lajmeve ARTA

Më 1 mars të vitit 1998 nis ARTA, shërbimi i lajmeve nëpërmjet internetit në gjuhën shqipe e angleze.

TV KohaVisioni

Shtylla e dytë  e "Grupit KOHA" është "KohaVisioni", televizion kombëtar. Ka nisur emetimin e programit më 21 shtator 2001 dhe aktualisht emeton 24 orë program në rrjetin tokësor si dhe në satelitor në Europë, kurse në SHBA dhe Kanada përcillet nëpërmjet sistemit IPTV.

Koha Print

Shtypshkronja "KohaPrint", ka filluar punën gjatë vitit 1996. Më 24 mars të vitit 1999 policia serbe shkatërroi shtypshkronjën dhe i vuri zjarrin. U riaktivizua pas përfundimit të luftës, në vitin 1999.

Shtëpia Botuese KOHA

Grupi KOHA ka edhe sektorin e botimeve. Libri i parë i botuar ishte "Kosova, një histori e shkurtër" e Noel Malkolmit, më 1998. Deri tash janë botuar mbi 70 tituj veprash letrare për të rritur e për fëmijë dhe me përmbajtje historike.

Produksioni muzikor

Me qëllim të  sjelljes së një cilësie të re muzikore në Kosovë, me fillim nga janari i vitit 2005, Grupi KOHA ka ndihmuar një numër artistësh kosovarë me editimin e albumeve të tyre. Deri më tani janë edituar 6 CD dhe 2 DVD me muzikë kosovare.

Portali KOHA

Nga tetori i vitit 2009, KOHA ka lancuar portalin e vet, duke zëvendësuar dy faqet, ndër më të vizituarat, të Kohës Ditore dhe të Kohavisionit.

TV kabllor ARTA

Kanali i parë  kosovar i lajmeve 24 orë në ditë, me moton: "Çdo minutë, një ecje me kohën"
Grupi KOHA është pronë dhe udhëhiqet nga Flaka Surroi.