Arbëri

Hyri në fuqi Kodi i ri Penal

Descriptive Text

Që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal.

Me këtë rast, përmes një deklarate, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar qytetarët për masat e reja dhe ka ftuar ata që të respektojnë ligjin dhe normat sociale mbi të cilat funksionon shoqëria jonë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

“Tani e tutje fillon një epokë e re në drejtësinë që zbatohet në Republikën tonë, në të cilën qytetarët do të jenë më të mbrojtur nga ligji ndërsa kryerësit e veprave penale do të kenë përgjigje meritore për dëmin që i shkaktojnë rendit tonë shoqëror në të gjitha dimensionet e tij”, ka thënë me këtë rast Tahir.

Sipas tij, abuzuesit me paratë e taksapaguesve tanë, të korruptuarit dhe ata që merren me krimin e organizuar, do të përballën me sanksione të ashpra që s’i kanë hasur asnjëherë më parë dhe nga të cilat s’do mund të shpëtojnë dot.

Ai ka theksuar se ata që ushtrojnë dhunë në familje dhe që abuzojnë me integritetin dhe dinjitetin e qenies njerëzore, do të jenë subjekt i ndëshkimit ligjor dhe s’do lejohen më kurrë që të cenojnë vlerat tona si shoqëri që ka respekt për jetën, integritetin dhe dinjitetin e njeriut.

Ndërsa terrorizmi, financimi i tij dhe nxitja në të, do të ballafaqohen me vendosmërinë e pa kompromis për ta luftuar deri në çrrënjosje çdo tentativë të logjikës së mos durimit.

“Të gjithë ata që cenojnë normat nga ato që i atribuohen dëmit kolektiv e deri të ngasja e veturave në shpërputhje me normat ligjore, nuk do të mund t’i shmangen ballafaqimit me drejtësinë", ka thënë ndër të tjera Tahiri.