Arbëri

Nis ndërtimi i tri mbikalimeve në autostradën Morinë-Kukës

Në aksin rrugor Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, mungojnë mbikalimet. Së fundmi kanë nisur të ndërtohen tre të tilla. Banorët e fshatrave në këtë zonë thonë se mbikalimet do të përmbushin nevojat e tyre të përditshme.

Për t’i çuar njerëzit për tek banesa e fundit kur vdisnin, detyroheshin të bllokonin autostradën nga të dy krahët. Prandaj mbikalimi që po ndërtohet kryen një funksion shumë të madh dhe zgjidh problemin, citon oranews një bashkëbisedues.

Por mbikalimet e planifikuara janë me konstrukt metalik dhe shkallë, duke e bërë të pamundur lëvizjen e bagëtive nga njëra anë në tjetrën, ankohen banorët.

“Në lidhje me kalimin e bagëtive është problem, sepse thuajse kjo është e pazgjidhshme, vetëm me atë nënkalimin që do bëhet”, thotë një banor.

Ndërkohë punimet për dublimin e urave në Kukës-Morinë thuajse janë drejt përfundimit .Në fund të procesit e gjithë autostrada është parashikuar të rrethohet në të dy anët e saj me mbrojtëse metalike e rrjetë.