Fatmirësisht Angela Merkel mbikëqyr situatën
Cees van der LaanArtikujt tjerė
- 23 qershori: Heroik apo erotik?
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
- Vizioni dhe fantazia
- Rruga e Arbrit duhet të përfundohet
- Jeta kundrejt përfitimeve
- Drejtësia si themel i pasurisë së shtetit shqiptar
Kriza e euros ndikon në debatin e detyrave të Bashkimit Evropian
A jeni duke i përcjellë bisedat në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, e pyeta këto ditë një kolege të redaksisë së lajmeve botërore. Jo nuk jemi. Këto biseda bëhen rregullisht dhe nuk prodhojnë shumë lajme,'' ishte komenti i saj sqarues.Disa ditë më parë ishte ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në një udhëtim pozitiv në Holandë. Vetëm disa gazeta i kushtuan vëmendje vizitës së tij dhe kjo madje ishte fshehur në faqet e fundit. Mesazhi i tij: Serbia dhe Kroacia kanë shumë të përbashkëta. Serbia ka të drejtë të njëjtin trajtim sikurse vendi, kundër të cilit më parë kishte luftuar ashpër dhe me shumë viktima. Gazetari duket se nuk ishte i befasuar.
Festimi i pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt, në Holandë kaloi si i padukshëm. Ky festim që për këtë shtet të vogël është shumë i vlefshëm te ne nuk kishte vlerë për lajm. E kjo histori duket e paska e çuditshme, sepse Holanda deri tash ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me Kosovën.
Avionët luftarakë të Holandës në vitin 1999 i rrëzuan dy avionë serbë të tipit MIG në sulmet ajrore mbi pozicionet ushtarake në Serbi dhe Kosovë. Refugjatë shqiptarë ishin strehuar përkohësisht në Holandë. Holanda pastaj u përpoq në disa mënyra për stabilizimin e situatës në Kosovë. Për shumë vjet kishte trupa holandeze atje. Pieter Feith ishte shumë vjet shef i misionit të BE-së. Edhe tashti ka ende holandezë, të cilët përpiqen për rindërtimin e shtetit.
Thjesht, mund të themi se Kosova e ka krijuar një vend të ngrohtë në zemrën e holandezëve. Kjo mund të jetë shumë e vërtetë, por unë guxoj të pretendoj që shumë holandezë nuk e dinë se çfarë gjërash të tmerrshme kanë ndodhur në Kosovë apo ku gjendet ajo në Evropë. Beogradi tashti nuk është më sinonim për një vend nacionalist, helmues dhe vrastar, por njihet si një vend ku janë koncentruar klubet vallëzuese më të mirët në Evropë. Të rinjtë fluturojnë atje për të kaluar fundjavën. Paqja dhe siguria në rajonin jugor evropian është bërë kryesisht një çështje për politikanët dhe jo për qytetarët.
Unë nuk e përjashtoj se qytetarët në vendet, si: Gjermania, Belgjika, Suedia, Danimarka, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca e shikojnë ndryshe këtë situatë. Në Evropën Perëndimore banorët kanë gjëra të tjera në kokën e tyre në vend se të merren me situatën e sigurisë në Ballkan. Kriza financiare ka goditur fort. Papunësia rritet në shumicën e vendeve të zonës së BE-së, qeveritë kanë bërë përsëri shkurtime të ndjeshme, qytetarët i shohin të ardhurat e tyre duke rënë dhe çmimet e pronave për vite janë në rënie. Pasiguria e madhe në lidhje me punën dhe të ardhurat janë në qendër të vëmendjes në jetën private dhe politike në Evropën Perëndimore.
Prej fillimit të krizës bankare në vitin 2008 vëmendja e shteteve perëndimore dhe veriore të Evropës është koncentruar në shpëtimin e euros. Nga fillimi i krizës bankare në vitin 2008 të gjitha përpjekjet e vendeve perëndimore dhe veriore të Evropës janë për të shpëtuar euron, në kurrizin e qindra miliardave të parave publike, të cilat në fund të fundit duhet të përballohen nga qytetarët ordinerë.
Politikanët këtu kritikojnë sjelljet e papërgjegjshme të homologëve të tyre jugorë, kur është fjala për menaxhimin e kujdesshëm të financave shtetërore dhe reformat e domosdoshme ekonomike. Mbështetja për të shpëtuar euron dhe kështu për të ndihmuar vendet e Evropës Jugore - është ende atje, por ajo mund të humbë shpejt.
Kriza e euros ndikon në debatin e detyrave të Bashkimit Evropian, kurse formalisht këto nuk kanë të bëjnë asgjë me njëra- tjetrën. Kryeministri britanik, Cameron, njoftoi muajin e kaluar se mendonin ta rivlerësonin anëtarësimin e vendit të tyre në BE. Në Holandë është ndezur që nga viti 2005 - kur një shumicë e refuzojë Kushtetutën Evropiane - një debat i ashpër në lidhje me rolet dhe përgjegjësitë e 'Brukselit'. Ashtu si në vende të tjera edhe këtu ekzistojnë ndjenja të forta antievropiane, edhe pse në bazë të llogaritjeve nga agjenci të pavarura, ekonomia holandeze ka përfituar më shumë se vendet e tjera nga tregu i brendshëm evropian. Disa parti politike kohëve të fundit kanë bërë propozime për ti kufizuar detyrat dhe kompetencat e BE-së.
Këto ndjenja antievropiane kanë të bëjnë me disa gjëra. Mund të jetë sipërfaqësore kriza e euros, por ndjenja më e thellë është se politikanët në Holandë kanë vendosur për këtë zgjerim mbi kokat e qytetarëve. Nuk kishte pasur aq debat politik dhe publik në lidhje me BE-në si të tillë dhe në veçanti sikur ishte atëherë në vitin 2004 për zgjerimin me dhjetë vende të reja. Pastaj plasi një debat mjaft i dhunshëm, por atëherë ishte tepër vonë. Kjo ishte një nga arsyet që Holanda hezitoi gjatë në pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë - dhe në retrospektivë - kritikët kishin të drejtë. Të dyja vendet nuk ishin gati për t'u bashkuar me BE-në.
Njerëzit rrugëve provojnë në përditshmëri pasojat e zgjerimit evropian. Në qytetet e mëdha të Holandës, sidomos në Hagë dhe Roterdam, janë vendosur dhjetëra e mijëra evropianë lindorë. Zakonisht këta janë punëtorë, por, megjithatë, ankesat rreth kriminalitetit dhe shtëpive me qira që janë mbipopulluar janë të shumta. Ata japin një kontribut të rëndësishëm në ekonomi, por ndjenja është se vjedhin vende pune nga holandezët e papunë punë të cilën ata faktikisht nuk duan ta bëjnë. Këta evropianë lindorë, bashkevropianë, gjithashtu kanë nevojë për kujdes mjekësor, shkolla dhe shërbime sociale. Për shkak të shkurtimeve, këto tema janë nën presion të fortë.
Në këtë perspektivë, në Holandë dhe në vendet e tjera të Evropës Perëndimore janë rënë tërmete kur bëhet fjalë për anëtarësime të reja nga vendet e Evropës Juglindore për t'u bashkuar me BE-në dhe ndoshta më vonë në eurozonë. Prandaj, ka pak mbështetje në Holandë dhe në disa vende të tjera që përpiqen ta krijojnë mbijetesën e euros.
Ish-kreu i Social Demokratëve dhe më vonë zëvendëskryeministër dhe ministër i Financave, Wouter Bos, bëri një gabim historik, duke thënë se Bashkimi Evropian është një bashkëpunim sidomos ekonomik në mes vendeve. Se ishte dikur një pakt sigurie për të parandaluar Gjermaninë pas dy luftërave botërore të fillojë një luftë tjetër, ai e dinte, por, pasi që kishte kaluar më shumë se një gjysmë shekulli, ai këtë nuk kishte mundësi tiu shpjegonte elektoratit.
Gabimi është se bashkëpunimi evropian në thelb është ende një pakt i sigurisë. Kjo u konfirmua nga shqetësimet e ndryshme të shprehura nga ekspertët dhe politikanët në Evropë për një thyerje të mundshme të eurozonës. Pasoja përfundimtare do të mund të jenë luftërat në mes ish-shteteve të bashkimit.
Natyrisht, shumë vende në Evropën Juglindore i shohin përfitimet ekonomike të bashkëpunimit. Kjo do të jetë një arsye kryesore pse ata kërkojnë anëtarësim në BE. Në anën tjetër, hapja e tregjeve të reja është një arsye e rëndësishme për vendet e Evropës Perëndimore që të fillojnë negociatat për zgjerim.
Megjithatë, në shumë vende të Evropës Juglindore është një nocion i fortë se Konventa Evropiane është një pakt sigurie, e cila problemet me fqinjët i sjell në ujëra të qeta. Vende të tilla si Polonia dhe shtetet baltike ndihen shumë më të rehatshme në kuadër të BE-së se sa në vete. Anëtarësimi në NATO gjithashtu kontribuon në këtë. Vetëdija për këtë mungon në mesin e qytetarëve dhe shumë politikanëve në Holandë. Wouter Bosit dhe shumë të tjerëve duket se u ka humbur kujtesa se në pjesën e dytë të viteve nëntëdhjetë kishte disa luftëra civile dhe të përgjakshme në ish- Jugosllavi. BE-ja atëherë qëndroi e pafuqishme.
Anëtarësimi i ardhshëm në BE-së është duke i detyruar vendet për reforma të brendshme administrative dhe ekonomike dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me vendet me të cilat ata faktikisht nuk dëshironin. Prandaj, është e lavdërueshme që përfaqësuesja e BE-së, Ashton, e mbështetur kryesisht nga kancelarja gjermane, Merkel, e obligon Serbinë dhe Kosovën të ulen në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pa BE-në procesi do të shkonte vështirë ose nuk do të fillonte fare. Në një perspektivë më të gjerë, kjo vlen për të gjithë rajonin. Shqetësimi është se kjo nuk është temë në kryeqytetet e Evropës mbi realizimin e pasojave ekonomike të pranimit të vendeve të Ballkanit në BE. Fatmirësisht ne ende e kemi kancelaren Merkel, por edhe për sa kohë?
(Autori është redaktor i raportimit në gazetën e përditshme holandeze Trouw. Deri nëntorin e kaluar ishte redaktor i politikës në këtë gazetë. Si gazetar ai vizitoi në vitet e nëntëdhjetë dhe në këtë shekull shpesh vendet e Ballkanit, gjithashtu edhe Kosovën. Në vitin 2010 ai ishte bashkëfitues i Çmimit Kombëtar për Gazetarinë. Ai e ka shkruar këtë kolumne ekskluzivisht për Këndin evropian të Kohës. Kjo rubrikë është produkt i bashkëpunimit të Kohës Ditore me Zyrën e BE-së në Kosovë, me qëllim të stimulimit të debatit rreth BE-së dhe perspektivës së Kosovës në BE)






