ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Joshja autoritare e putinizmit

Marcel H. Van Herpen Publikuar: 18.03.2013 - 20:10

Putinizmi paraqet një model të mençur dhe efektiv për një regjim djathtist autoritar, që do të mund të funksiononte përbrenda qarkut sociopolitik të Evropës moderne – e të cilin e djathta ekstreme e Evropës Perëndimore duket të jetë e gatshme ta rivalizojë. Le të shpresojmë që këto forca të mos lidhin një kauzë të përbashkët me liderët më të paskrupullt politikë të Evropës

Paris – Një fenomen befasues është gjithnjë e më i dukshëm në Evropën Perëndimore: partitë e ekstremit të djathtë po largohen nga ideologjitë e tyre tradicionale antikomuniste dhe antiruse, duke shprehur shumica prej tyre admirim – dhe madje edhe përkrahje të plotë – për regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin. Për të qenë të sigurt, disa liderë të mëparshëm dhe aktualë politikë evropianë kanë kërkuar të lidhin aleanca me regjimin e Putinit. Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schreder, për shembull, iu bashkua bordit të projektit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore” (duke e siguruar qasjen e drejtpërdrejtë të Gjermanisë në furnizimet e Rusisë nëpërmjet detit Baltik) menjëherë pasi e braktisi detyrën. Ngjashëm kështu, “The Economist” e përshkroi ish-presidentin çek, Vaclav Klaus, një euroskeptik i shquar, si një prej “admiruesve më të ngrohtë jashtë vendit” të Putinit. Mirëpo, oportunizmi nuk është një afinitet ideologjik.

Nga ana tjetër, Partia Kombëtare Demokratike e së djathtës ekstreme të Gjermanisë ka demonstruar nostalgji për vlerat e Gjermanisë Lindore, duke quajtur të vdekur Republikën Demokratike Gjermane “një Gjermani më e mirë” se sa Republika Federale. Në vitin 2011, NDP-ja u shkri zyrtarisht në një tjetër parti të ekstremit të djathtë, Unioni Popullor i Gjermanisë, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e lidhur me Partinë Liberaldemokrate të Rusisë (LDPR) dhe themeluesin dhe liderin e tij, ultra-nacionalistin, Vladimir Zhirinovsky.

Derisa Zhirinovsky për një kohë të gjatë ka qenë një anëtar i shquar i opozitës së Putinit, ai ka shprehur tendenca të ngjashme autoritare, për shembull, duke premtuar që të themelojë një shtet policor, në rast se zgjidhet president. Dhe lidhjet e tij komuniste janë të qarta.

Jo vetëm se krijimi i LDPR-së ishte një projekt i përbashkët i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe KGB-së, por Zhirinovsky ka mbrojtur për më tepër edhe kthimin e territoreve lindore – pjesën më të madhe të Polonisë dhe rajonin e Baltikut  - Gjermanisë, të cilat ajo i kishte humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Francë, ndryshimi ekstrem i aleancave nga e djathta është edhe më i theksuar,  i ilustruar me miqësinë e ngushtë me Rusinë e re. Në një intervistë të vitit 2011, Marine le Pen, lidere e Frontit Kombëtar, e përçoi admirimin e saj për Putinin, para se të bënte të ditur se, nëse ajo zgjidhet presidente më 2012, Franca do ta braktiste NATO-n dhe do të kërkonte aleancë trelaterale me Gjermaninë dhe Rusinë.

Për më tepër, Marion Maréchal-Le Pen, mbesa e Le Penit dhe një prej dy deputetëve të partisë, është një anëtare e shquar e grupit Francë – Evropë - Rusi të sponsorizuar nga Fronti Kombëtar, i cili mbron një botë “multipolare” – apo, më saktësisht, më pak amerikane. Dhjetorin e kaluar, Maréchal-Le Pen pretendohet se ka vizituar Aleksey Pushkovin, prijësin e komisionit të marrëdhënieve të Jashtme të Dumas ruse dhe një ekstremist i supozuar putinist.

Duke i pasur parasysh rrënjët e paqarta ideologjike të Putinizmit, ky kthim nga Rusia mund të shihet si plotësim i mozaikut. Mbi të gjitha, Putinizmi karakterizohet më pak nga ajo çfarë mbron se sa nga ajo që kundërshton – Perëndimin dhe demokracinë, liberalizmin, komunizmin dhe individualizmin e stilit perëndimor. 

Në të vërtetë, joshja e partive të së djathtës ekstreme të Evropës Perëndimore prej agjendës negative të Putinit mund të kuptohet në aspektin e një tjetër antiideologjie autoritare: fashizmi i Benito Mussolinit. Sipas esesë së vitit 1932 të Mussolinit “La doktrina del fascismo” (Doktrina e fashizmit), e shkruar nga filozofi Giovanni Gentile, fashizmi e kundërshton demokracinë, socializmin, liberalizmin dhe individualizmin (plus bolshevizmin, parlamentarizmin, frankmasonerinë, pacifizmin dhe barazinë).

Mirëpo, derisa putinizmi dhe fashizmi italian ndajnë karakteristikën e rrallë të mohimit si të komunizmit ashtu edhe të ideologjive demokratike, ekziston një dallim i rëndësishëm në afrimin e tyre ndaj kësaj të fundit. Ndërsa Mussolini e kishte shpallur zyrtarisht fashizmin jodemokratik, Putin nuk e kundërshton haptazi demokracinë apo e mbron në mënyrë eksplicite shtetin njëpartiak. Në vend të kësaj, ai pretendon se ka krijuar një demokraci “të menaxhuar” apo “sovrane” – një sistem ky që parandalon alternimin e pushtetit, duke krijuar në këtë mënyrë një shtet faktikisht njëpartiak.

Në këtë aspekt, putinizmi mund të shërbejë si model për partitë e ekstremit të djathtë, të cilat, në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të mbrojnë haptazi një regjim autoritar apo një sistem njëpartiak. Në të vërtetë, putinizmi po demonstron se si të manipulohen rregullat e demokracisë parlamentare – sipas të cilave të gjitha partitë politike të Evropës janë detyruar të veprojnë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – për t’u shërbyer objektivave autoritare.

Imazhi publik i Putinit si një aventurier i fortë dhe potent, i fotografuar duke peshkuar apo nëpër gjueti pa bluzë, e forcon cilësimin e tij si një lider i fuqishëm dhe karizmatik. (Ngjashëm kështu, Mussolini ishte filmuar pa bluzë, duke korrë misër). Ekziston një paralele e qartë ndërmjet marrëdhënies së ngushtë të Putinit me Kishën konservatore, ultra-nacionaliste ortodokse të Rusisë dhe lidhjes së Frontit me qarqet integruese katolike.

Për më tepër, e djathta ekstreme e Evropës Perëndimore mund të mësojë nga mënyra se si Putin menaxhon organizatën e tij rinore, Nashi. Për dallim nga Komsomoli i Bashkimit Sovjetik, i cili bëri gjithçka përveç se pushoi të shërbejë si një mjet ideologjik për Partinë Komuniste deri në kohën e shpërbërjes së ish-Bashkimit Evropian, Nashi është akuzuar për ngacmimin e diplomatëve dhe kundërshtarëve të regjimit – duke sugjeruar një ngjashmëri më të madhe me Rininë e Hitlerit apo madje edhe me këmishëzinjtë e Mussolinit. Në të vërtetë, derisa Nashi shihen më shumë si një koleksion i huliganëve të pandershëm, anëtarët e organizatës u nënshtrohen trajnimeve paraushtarake për të kompletuar indoktrinimin e tyre ideologjik ultranacionalist.

Putinizmi paraqet një model të mençur dhe efektiv për një regjim djathtist autoritar, që do të mund të funksiononte përbrenda qarkut sociopolitik të Evropës moderne – e të cilin e djathta ekstreme e Evropës Perëndimore duket të jetë e gatshme ta rivalizojë. Le të shpresojmë që këto forca të mos lidhin një kauzë të përbashkët me liderët më të paskrupullt politik të Evropës.



(Marcel H. Van Herpen, drejtor i Fondacionit Cicero, është autor i librit “Putinizmi – Rritja e ngadaltë e një regjimi të djathtë radikal në Rusi”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 28°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 28°CI kthjellėt
Shkup 31°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell