Habemus Populus*
Flaka Surroi... apo rrëfimi për zgjimin e popullit
Që nga dorëheqja e Papa Benediktit XVI, pos që u spekulua shumë për arsyet e dorëheqjes së tij, ishte folur shumë edhe për procedurën e përzgjedhjes së Papës së ri. Kështu, dy javët e para të këtij muaji u karakterizuan me ankthin, të cilin e përjetonte e gjithë bota katolike, në pritje të shfaqjes së tymit të bardhë dhe të dëgjuarit të së famshmes Habemus Papam (Kemi Papë apo jemi bërë me Papë). Papa erdhi, në personin e kryepeshkopit të Buenos Airesit, për të cilin thuhej se kishte bërë jetë asketi, por që megjithatë mbante edhe një njollë të përhimët, nëse jo të zezë, ngase gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar nuk kishte pasur qëndrim kundërshtues ndaj diktaturës gjakpirëse ushtarake, që në shtetin e vet kishte zgjatur gati tetë vjet. Nuk kishte pasur qëndrim kundër censurës; kundër luftës së ushtarakëve ndaj subversivëve (të atyre që mendonin ndryshe); kundër torturës që iu nënshtruan të gjithë ata që u shpallën armiq të popullit, pavarësisht se kishin qenë punëtorë, studentë, profesorë, amvise...; kundër përvetësimit të fëmijëve të nënave të burgosura, e më pas edhe të vrara; kundër zhdukjes së 9 mijë vetave... Sido që të jetë, Sheshi i Shën Pjetrit u mbush njerëz në pritje të kumtit. Pas katër tentimesh, në të pestin u zgjodh i pari latino-amerikan për Atin e Shenjtë, dhe u pagëzua me Françesk, për shkak se ky si jezuit, është ndjekës i Shën Françeskut. Mirë boll. Dhe që në paraqitjet e para publike duket se ka nisur të ngjallë simpati te njerëzit. Të shohim pra, se a do të sjellë ndonjë ndryshim revolucionar në kishën e mbushur me skandale dhe me dilema nëse duhet evoluuar.
Për mua, që nuk kam asnjë lidhje me asnjë konfesion, por që kam pasur rastin të përcjell zgjedhjen madje të katër papëve qëkur kishte vdekur Papa Pali VI (Gjon Pali I, Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Françesku I), secila ardhje e Sumo Pontifice-s të ri, ka qenë një déjà vu. Teksa kjo fe e organizuar ka vazhduar të përhapet për të arritur ti ketë 1,2 miliardë besimtarë, megjithatë nuk e ka ndërruar qëndrimin ndaj gruas. Thuajse ende vazhdon ta kultivojë bindjen se gratë janë të mira vetëm për ti përkrahur, dhe asgjë tjetër, burrat të cilët mendojnë dhe veprojnë (siç e kishte thënë vetë Papa Françesku më 2007, gjatë zgjedhjeve presidenciale në Argjentinë, kur kandidonte kryetarja aktuale e Argjentinës). As pas gjithë këtyre shekujve, në Kishën Katolike nuk u urua Habemus Matrem, për ndonjë Ëmë të Shenjtë... e kush e di edhe sa kohë do të kalojë që kjo të ndryshojë...
Po nejse. Përderisa Vatikani po e zgjidhte çështjen e trashëgimtarit të papës dorëheqës, në Barcelonë po ndodhte mrekullia e përmbysjes së një rezultati të disfavorshëm. Blaugranat, në një paraqitje brilante e mundën Milanin me 4:0, me dy gola të gjeniut Messi, njëri prej të cilëve do të mbahet mend gjatë. Asgjë e jashtëzakonshme do të thoshte dikush, marrë parasysh se Messi tashmë i ka shënuar madje 51 gola në 40 ndeshje. E jashtëzakonshme ishte se loja e tij, klasa e treguar dhe përkushtimi që bënë që dikush si Marco Materazzi, një interist i përbetuar dhe katolik i përkushtuar, të shkruante këtë në Twitter: Po ku e kanë krijuar këtë jashtëtokësor? Nuk është qenie njerëzore ky... Habemus Messi.
Ashtu pra, Habemus Messi dhe mirë që e kemi, sepse ai dhe fitorja e Barcelonës pa dyshim më dhanë një kënaqësi të posaçme atë të shijuarit të një futbolli të bukur dhe një loje që shumë pak ekipe mund ta realizojnë. Por, papandehur ma dhanë edhe një elan, të cilin nuk dita ta shpjegoja derisa nuk u gjeta, së bashku me qindra qytetarë të Prishtinës me rrethinë, para ndërtesës së KEK-ut, në protestën e radhës kundër faturave anormale të rrymës, që janë vetëm njëri element i hajnisë që ka kapluar Kosovën.
Ardhja para KEK-ut tashmë më paralajmëroi se kësaj radhe protesta do të ishte më ndryshe. Organizatorët, një grup qytetarësh të moshës së re, kishin paraparë që protesta të shndërrohej në marshim, kurse ne që u ishim bashkuar si në ato ditë kur ishim mbledhur edhe më pak se 100 veta, ashtu edhe atëherë kur hidhnim poçe në oborr të KEK-ut në shenjë revolte, ishim të vendosur ta përshkonim qytetin e të vinim para ndërtesës së MZHE-së, si dhe të Qeverisë për ta përcjellë porosinë tonë absolutisht të qytetëruar dhe paqësore Ndale hajninë zhvilloje shtetin.
Reagimi qytetar ishte i hatashëm. Ende pa mbërritur te semaforët kryesorë, na u bashkua një lumë studentësh, përderisa te lartësia e Fakultetit Filozofik dhe katedralja, na u bashkua një brez pak më i moshuar njerëzish, megjithatë të rinj. Tek ecnim në drejtim të Rektoratit, numri i atyre që na bashkoheshin rrugës rritej, sikurse edhe i atyre që na përcillnin bile me nga një buzëqeshje përkrahjeje nga trotuari.
Ardhja te Grandi tashmë demonstroi një fuqi tjetër të kësaj proteste. Numri i kamerave dhe i gazetarëve që na përcillnin ishte aq i madh, saqë kjo na krijoi pak huti për ne që nuk shihnim se çka po ndodhte pas nesh... atë që po na thoshin ishte se rreshti i njerëzve që i ishin bashkuar marshit tashmë kishte arritur gati te semaforët kryesorë. Rrugës kryesore vazhduan të inkuadroheshin marshuesit, kësaj radhe të moshës së mesme dhe të asaj relativisht të shtyrë ishin kryesisht pensionistët ata që kishin nevojë për ta shprehur zhgënjimin dhe frustrimin e tyre për faturat e fryra sa dyfish pensionet e tyre.
Kur erdhëm te Qeveria, kishim zënë bajagi një hapësirë të gjerë në drejtim në Teatrit, përderisa kameramanët që kishin hipur mbi gurët e granitit të pashtruar, tregonin se si njerëzit vazhdonin të vinin dhe se fundi i radhës ishte diku në lartësi të zyrave të KOHA Ditore. Pa dyshim, po bëhej fjalë për organizimin më të fuqishëm që qytetarët e kishin organizuar vetë deri tash dhe se numri i tyre tashmë i kishte kaluar disa mijëra, ani që raporti në televizionin publik thoshte disa qindra. Protesta përfundoi e qetë, me kërkesa konkrete për dorëheqjen e drejtorit të KEK-ut dhe të dy ministrave: të Zhvillimit Ekonomik dhe të Punëve të Brendshme. Gjithashtu përfundoi mirë dhe pa incidente, ani që në mesin e protestuesve u gjetën edhe provokuesit, që donin ta personalizonin protestën, duke bërtitur Hashim hajni apo edhe Besim hajni, por të cilat thirrje masa i zëvendësonte me brohoritjen, e cila u përsërit gjatë gjithë marshimit: Hajnat nburg!
Nuk e dimë sa të infiltruar do të ketë pasur në masë, as nuk e dimë se sa nga shumë fotografitë që na janë bërë do të përdoren për ta dëshmuar armiqësinë tonë të lindur. Atë që e dimë është se kjo protestë e ka dridhur paksa bile ministrin e Zhvillimit Ekonomik, i cili na zbuloi se kishte aftësi të jashtëzakonshme: Unë sot në protestë nuk kam parë shumë njerëz që janë të zhgënjyer dhe të afektuar nga faturat e energjisë elektrike. Kam parë më shumë njerëz, të cilët kanë pasur dështime politike në jetën e tyre. U mendova me vete: ky njeri do të ketë shumë informatorë të infiltruar në mesin e protestuesve, se nuk e kuptoja se si mundte ndryshe tua njihte të gjithëve karrierat politike. Më pas vendosa ti shikoja fotot dhe xhirimet e protestës dhe përpiqesha tua kujtoja preferencat politike katër zonjave, dy prej të cilave ishin me shami në kokë, që qëndronin stoike nga e majta në skaj; apo njeriut me kaçketë dhe atij me beretë, andej nga e djathta ime... e posaçërisht u përqendrova për ta kujtuar zotërinë që eci bri meje gjatë gjithë shtegtimit jo me një, por me dy pipa në buzë... thashë me vete ky do të ketë pasur karrierë shumë të bujshme politike, sepse i kishte mushkëritë e zhvilluara..., por mbase do të ketë dështuar, sepse nuk ia kishte dalë ti frynte tre pipa përnjëherë...
E bukura e kësaj proteste ishte mu heterogjenia e pjesëmarrësve të saj. Njerëz të cilët janë ngopur edhe me hajni, e edhe me rrena e edhe me talljen që popullit ia bëjnë zyrtarët politikë. Njerëz që kanë dalë në rrugë për ta shprehur zemërimin e tyre, për ti treguar kësaj kaste udhëheqëse se sa janë të indinjuar. Njerëz që nuk zgjodhën të rrinin në shtëpi për të komentuar më pas nga korneri. Njerëz që mbase e gjejnë shpresën e tyre të vetme në grupin e të rinjve që e patën guximin për ta nisur një protestë të qytetëruar dhe paqësore, pa lejuar që primatin ta merrte ndonjë parti politike.
Por, nuk do të ishte kjo Kosovë që është, po të mos ishin komentet edhe të ojq-istëve që nuk ishin protagonistët e ngjarjes, e edhe të shikistëve, të cilët me një shpejtësi marramendëse etiketuese i shpallën që të gjithë protestuesit dorë të zgjatur të Serbisë dhe organizues të komplotit për rrëzimin e pushtetit të zgjedhur në formë demokratike. Apo siç do ta formulonte ministri Beqaj: Pushteti nuk mund të merret në forma të tilla. Pushteti merret me demokraci. Në Kosovë, kjo i bie se demokraci do të thotë të vjedhësh vota. Udhëzim i mirë, ska fjalë.
Sido që të jetë dhe sa për tua qartësuar dyshimet dhe thyer hipotezat: E para, kjo protestë nuk ka të bëjë me rrëzimin e pushtetit, sepse 3-4 mijë veta nuk mund ta bëjnë këtë. Natyrisht, konstatimi i fundit nuk vlen për pjesëtarët e krimit të organizuar sepse ky edhe me më pak veta e merr pushtetin. Protesta ka të bëjë me eliminimin e një padrejtësie dhe ndaljen e vjedhjes sistematike të qytetarit nëpërmjet faturave të rrymës, që prodhohet nga qymyri, që është pronë e këtij populli, dhe për të cilin ky popull paguan tatim. Ka të bëjë edhe me ngritjen e vetëdijes se kur pushtetarët tanë më nuk kanë çka vjedhin, është se nuk kanë lënë më as shtet e as aset për të vjedhur.
E dyta. Fakti se dikush del në rreshtin e parë për tu dhënë përkrahje qytetarëve të rinj organizatorë dhe për ta shprehur indinjatën qytetare, nuk do të thotë se është vetë organizator. Atë që e paraqet ajo apo ai është qytetarja/qytetari që ka refuzuar të mbetet kornerxhi dhe të ankohet tek i pi nja tri makiato se sa keq i kemi punët. Është person që beson në fuqinë korrigjuese të protestës se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë pa dhunë, me vullnet dhe me zbatim ligji. Sado idealiste që mund të tingëllojë, është më mirë kjo sesa të shikohet seri e të besohet se gjërat vetvetiu do të ndryshojnë.
Sepse gjërat në Kosovë nuk do të ndryshojnë për të mirë përderisa Kosovën e udhëheq kjo kastë udhëheqësish që është e gatshme, sado që e mohon, të japë një copë veriu për ta rehatuar veten në pushtet, për shkak se të huajt nuk shohin alternativë tjetër të dëgjueshme për ti zëvendësuar ata. Nuk do të ndryshojnë për të mirë përderisa secili cep i vendimmarrjes, privatizimi e Banka Qendrore të kontrollohen nga shefat Pronto dhe nuk do të ndryshojnë përderisa mosndëshkimi të jetë çelësi i pushtetit në Kosovë. Nuk do të ndryshojnë përderisa ka deputetë të marrë që e besojnë se me komision ad-hoc të përbërë nga injorantët mund të ndryshohet një vendim i pavarur gjyqësor, dhe nuk do të ndryshojnë përderisa ka vendosmëri që aseti më i rëndësishëm i telekomunikacionit të shitet as për 300 milionë euro...
Mbase do të kishte pasur një shans minimal që gjërat të nisnin të ndryshonin, po qe se do të realizohej barsoleta që qarkullon nëpër FB: Në zgjedhjet e ardhshme votojeni Ali Babën... bile e dini që vetëm 40 hajna i ka pas vete. Por ndryshimin përnjëmend mund ta bëjë vetëm populli, një pjesë e të cilit u zgjua javën që shkoi. Uroj që të zgjohet i tëri, e që edhe ne të bëhemi me uratën tonë: Habemus populus!
*Habemus Populus Kemi popull
flaka@koha.net


hjdfh18.03.2013/19:58
Kryeministri po ftohet,takohet e respektohet nga autoritete me te larta nderkombetare....

faton SH18.03.2013/12:42
Mbase do të kishte pasur një shans minimal që gjërat të nisnin të ndryshonin, po qe se do të realizohej barsoleta që qarkullon nëpër FB Në zgjedhjet e ardhshme votojeni Ali Babën... bile e dini që vetëm 40 hajna i ka pas vete. Por ndryshimin përnjëmend mund ta bëjë vetëm populli, një pjesë e të cilit u zgjua javën që shkoi. Uroj që të zgjohet i tëri, e që edhe ne të bëhemi me uratën tonë Habemus populus!
DMTH Flaka qellimi i protestes paska qene qe te largohet kjo qeveri e te na vije nje tjeter.

arb veriu 18.03.2013/10:25
Habemus Flaka!
nuk dita si te komentoj ndryshe por vetem te kopjova duke shkruar Habemus Flaka", e kemi Flaken, nje opinioniste qe te pakten nje nate ne jave i le gjume pushtetaret tane pas leximit te opioneve te saj. po, na duhen edhe flaka te tjera per ta ndezur zjarrin e madh te shpreses se kta bandite udhehqes te largohen nje here e mire jo vetem nga pushteti ku jane me vote te vjedhur, por edhe nga Kosova. te lumte Flaka dhe prape "Habemus Flaka".

ARIANITI17.03.2013/21:37
"Habemus populus" duhet te vazhdoje me protesta te panderprera. Ne kemi te drejte te gezojme frytet e vendit ne te cilin kemi lindur. Ne kemi te drejte universale per pune, kujdes shendetesor dhe per dinjitet njerezor!
Pra, "non desinas populus" deri sa ta largoni mafine nga shteti...

YZIL PRIZREN17.03.2013/17:52
Sikurse shum opinionistë, edhe Ti zonjush pas dy vite "u zgjove".Atëherë ishte "birra minit 300 grosh", një prizrenali qëndroi gjerë të mërkuren...

arber17.03.2013/17:46
Flaka, cdo qendrim i papes, duhet te jete ne perputhje me porosite biblike. Papa nuk ndryshon, po i respekton urdhrat e Bibles. Pra, fare "revolucioni" mos prisni prej papes, sepse nuk ka te drejte te ndryshoje Biblen.








Lasgushi19.03.2013/10:25
Eu cysh na knaqet ju gazetaret e hajt.Cfar ndryshimi po presni prej Papes, kur ai asgje fizike nuk prodhon.As arme, as kamiona, as kerre,as makina te prodhimit, as trena, as anije, as aeroplane,etj. Per te ndryshuar dicka, se pari duhet ditur gjendja fizike e saje, e pastaj me force kinetike te synohet ndryshimi. Papa,se ka as njeren e as tjetren. Pra, si Kosova,deri sa nuk prodhohet asgje, pershkak te pertacis dhe JO diturise se popullates ska me pas as ndryshim ekonomik e as shoqeror.