ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Është 8 Marsi: Sa gra do të abuzohen, rrihen apo dhunohen në shtëpitë e tyre sot?

Publikuar: 09.03.2013 - 19:04

Sot bota shënon 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Një ditë që kremton arritjet ekonomike, politike dhe sociale të grave dhe kontributin e tyre në shoqëritë tona. Ngjarjet, duke përfshirë ato të organizuara nga OSBE-ja, do të fokusohen në përparimin e arritur nga gratë në formësimin e jetës publike, në të qenët pjesë e proceseve vendimmarrëse, në të qenët agjente aktive të ndryshimeve.

Sidoqoftë, është një mendim, një pyetje, të cilën nuk mund të mos ia bëj vetes në një ditë si kjo: sa gra dhe vajza do të abuzohen, rrihen apo dhunohen në shtëpitë e tyre sot? A ka rezultuar në më shumë barazi mes grave dhe burrave në sferën private ky përparim i bërë nga gratë në jetën publike?  Kur flasim për çështjen e dhunës kundër grave në familje, nuk mund të mos theksohet që me gjithë përparimin e arritur në barazinë gjinore, pabarazia dhe diskriminimi i grave dhe i vajzave të reja vazhdon. Për më tepër, kushtet e pafavorshme ekonomike dhe sociale kanë pasur ndikim negativ në statusin ekonomik dhe social të shumë grave, andaj krijimi i varësisë financiare dhe sociale i bën ato më të pafuqishme që të veprojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre për të jetuar pa dhunë.

Statistikat globale tregojnë që një në tri gra do të përjetojë një lloj të dhunës të bazuar në gjini gjatë jetës së tyre. Gjatë vitit 2012, në Kosovë janë raportuar 1.021 raste të dhunës në familje në polici. Mirëpo, kjo nuk është e tëra. OJQ-të që ndihmojnë viktimat e dhunës në familje thonë që mbi 40 për qind të rasteve asnjëherë nuk raportohen tek autoritetet.

Shumica dërrmuese e viktimave të dhunës në familje janë gra dhe vajza; gra me statuse të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike. Por të gjitha durojnë në heshtje. Pse?

Vazhdimësia e pabarazisë gjinore dhe disa norma të roleve të meshkujve dhe femrave tolerojnë, dhe madje e legjitimojnë dhunën kundër grave dhe vajzave në familje. Abuzimi fizik, dhuna emocionale dhe ekonomike ndaj grave, tolerohen dhe madje arsyetohen në baza të normave të tilla.

Për më tepër, gratë të cilat vendosin që të flasin dhe të thyejnë zinxhirin e heshtjes jo gjithnjë marrin mbrojtjen dhe shërbimet për të cilat kanë nevojë. Sistemi i koordinimit mes institucioneve – policisë, gjyqësorit, shërbimeve sociale dhe spitaleve – ka ende dobësi të cilat mund të dekurajojnë gratë që të denoncojnë rastet e dhunës dhe të kërkojnë mbrojtje. Adresimi i këtij problemi kërkon punë në shumë fronte– kërkon punë në parandalim, mbrojtje, rehabilitim dhe riintegrim.

Por, dhuna nuk është e pashmangshme dhe gjendja mund të ndryshohet. Institucionet relevante janë të obliguara me ligj që të merren me këtë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.         

Në Kosovë ka pasur përparim të theksuar në këtë aspekt. Por janë disa fusha dhe aspekte ku mund të rriten përpjekjet. Për shembull, korniza ligjore do të mund të përmirësohej me inkriminimin e akteve të dhunës në familje, sanksionimin e kryesve të këtyre akteve dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave të viktimave. Zbatimi i ligjit duhet të përforcohet dhe fushëveprimi e cilësia e asistencës së viktimave në strehimore, në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe më gjerë, duhen përmirësuar. Përmirësimi në protokolle dhe mekanizma referues do të rriste koordinimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm përgjegjës për mbrojtjen e viktimave dhe do ta shtonte llogaridhënien.  Njohuritë e ligjit nga gratë duhen rritur në mënyrë që instrumentet në dispozicion të përdoren në mënyrë efikase për të adresuar dhunën në familje.

Presioni publik dhe kërkesat që institucionet të përmirësojnë mënyrën e funksionimit dhe të ofrojnë mbrojtje më të mirë për viktimat e dhunës mund të shkojnë më larg nëse ne të gjithë pajtohemi që ky lloj dhune nuk mund të tolerohet, nuk mund të fshihet, por duhet të raportohet.

Përmirësimi i përpjekjeve parandaluese është gjithashtu qenësor. Ngritja e vetëdijesimit publik, por duke u angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me komunitetet, përfshirë burrat dhe djemtë dhe punën me ta në ndryshimin e sjelljeve është njësoj e rëndësishme. Një faktor kyç në këtë kontekst është edhe sektori i OJQ-ve, i cili mund të jetë më i bashkuar në përpjekjet për të luftuar dhunën që ndodh në familje.

Media, duke luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e opinionit publik si dhe vlerat dhe opinionet e individëve, duhet të jetë një faktor kyç në njohjen dhe trajtimin e dhunës në familje si një çështje e interes madhor publik dhe si një çështje e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur. Raportimi i dhunës në polici (192) ose përmes linjës për raportimin e dhunës në familje (0800 11 112) - që të dyja linja falas - është një nga to. Kërkimi dhe inicimi i diskutimeve me përfaqësuesit e zgjedhur, gra dhe burra, është një mënyrë tjetër. Të gjithë faktorët relevantë, përfshirë Kuvendin e Kosovës, duhet ta rrisin përkushtimin e tyre në implementimin e Ligjit për Mbrojtjen kundër Dhunës në Familje, Programin e Kosovës kundër Dhunës në Familje dhe Planin e Veprimit 2011- 2014.

Sot është 8 Marsi dhe pjesa më e madhe e botës shënon progresin që gratë kanë arritur në formësimin e shoqërive tona dhe në pjesëmarrjen në proceset vendim-marrëse. Megjithatë, shumë gra në botë dhe në Kosovë do të vazhdojnë të përjetojnë dhunë në bazë gjinore. Dhe përderisa e kaloni ditën dhe ndoshta blini apo merrni një ose dy lule, pyesni veten: në çfarë shoqërie doni të jetoni? A mund të rrini të heshtur duke e ditur se një në katër gra të Kosovës do të abuzohet, rrihet apo dhunohet gjatë jetës së saj?

Mos keni dyshim, OSBE do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të ngritur vetëdijesimin dhe për të parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave në familjet e tyre.

(Autori është Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë)



 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 23°CI kthjellėt
Shkup 25°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°C
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme