Kontrolli i ushqimit nga rrënja deri në tryezë
Qytetari i Kosovës, kohëve të fundit, është i sulmuar nga të gjitha anët. Kësaj radhe jo me armë, por me diçka më të tmerrshme se ato: me ushqim të helmuar. Në cilësinë e konsumatorit të këtij ushqimi, ai është shndërruar në njërin nga konsumatorët më të traumatizuar në Evropë.
Kjo po ndodh për faktin se në tokën e tij pjellore, ai po e prodhon vetëm një pjesë të vogël të ushqimit, ndërsa pjesën tjetër që ai e konsumon, po e importon nga vendet tjera. Derisa ushqimit të cilin po e prodhon vetë, ai i beson, atij që vjen nga jashtë, nuk ka se si ti besojë, për shkak se nuk e ka parë në proces prodhimin e tij.
Për më keq, si shtetas i një shteti të ri, ai ka frikë se institucionet e reja të vendit të tij, nuk janë në gjendje që ta kontrollojnë dhe monitorojnë gjithë ushqimin që futet në vend.
Njerëzit e Kosovës, pothuajse për çdo vit, po kërcënohen, herë nga ethet e shpezëve, herë të derrit, e madje edhe nga kërcënimet e shpifura për helmimin e krejt tokës së tyre, ku ata e prodhojnë ushqim e pakët.
Para pak muajve ky vend u kërcënua, kësaj radhe seriozisht, nga një substancë helmuese me emrin aflatoksinē, e cila u fut këtu, përmes misrit, nga shumë vende me të cilat vendi ynë bën tregti.
Ditëve të fundit ky kërcënim ka qenë edhe më i keq! Kjo substancë përmes konsumimit të misrit, nga kafshët dhe shpezët, është konstatuar në qumësht, e ka frikë të bazuar se ajo tashmë ka kaluar edhe në mish dhe vezë.
Tashti edhe ushqimi i përditshëm i njerëzve u shndërrua në kërcënim që i ka sfiduar rëndë institucionet e shtetit të Kosovës, të cilat me të gjitha kapacitetet, janë vënë në mbrojtje të tyre.
Për herë të parë u vu në sprovë, së pari efikasiteti i bazës së re ligjore, pastaj edhe infrastrukturës institucionale dhe në fund edhe ajo fizike.
Edhe pse Kosova e ka një bazë modeste ligjore, të miratuar në Kuvend, me të cilën aktualisht po operohet, përditë e më shumë po dëshmohen se ajo nuk po arrin që të zbatohet. Kjo po ndodh ,sepse disa ligje janë shumë të avancuara dhe nuk i përgjigjen transicionit nëpër të cilin po kalon vendi ynë, disa janë në kundërshtim me njëri - tjetrin, disa të tjera nuk kanë sinergji në mes tyre, e për disa madje nuk janë krijuar struktura të qëndrueshme institucionale, që mund ti zbatojnë.
Le ti marrim me radhë.
Në nenin 5 të Ligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve (2011), ndër të tjera thuhet se shpërndarësit nuk duhet të ofrojnë produkte për të cilat e dinë ose duhet të dinin në bazë të të dhënave që ata posedojnë si profesionistë, se nuk i plotësojnë kërkesat e sigurisë.
Madje sipas këtij ligji, shpërndarësit obligohen qē ta monitorojnē sigurinē e produkteve të tyre tē nxjerra në treg, dhe të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe prodhuesit, për marrjen e masave për parandalimin e rreziqeve?!
Sdo mend së ky nen i këtij Ligji shumë të avancuar është marrë nga ligjet e vendeve të BE-së, i cili ka dalë si rezultat i traditës së gjatë të funksionimit të shtetit dhe ndërgjegjësimit institucional të qytetarëve të atyre vendeve, ku ai edhe zbatohet.
Kjo kërkesë ligjore, në kushtet e vendeve në transicion, zbatohet nga shpërndarësit, vetëm në rastet kur pasojat janë ekstreme, të dukshme në opinion, ndërsa në rastet kur pasojat janë afatgjata, kërkesa përfillet nga një numër relativ i shpërndarësve?!
Kjo ka ndodhur edhe këto ditë, ku në disa markete, vazhdonte të shitej qumështi, me çmim të përgjysmuar, si aksion, për heqjen e stoqeve, edhe pasi qē rezultatet e analizave të mostrave të tyre, tregonin se ato lloje të qumështit, kanë dalë pozitive.
Më tej ky ligj thotë se kur prodhuesit dhe shpërndarësit e dinë ose duhet të dinin, bazuar në të dhënat që posedojnë̈, se produkti që kanë vendosur në treg paraqet për konsumatorët rrezik, që nuk është në përputhje me kërkesat e përgjithshme të sigurisë, duhet menjëherë të njoftojnë organet kompetente për rrezikun, si dhe për masat që kanë ndërmarrë për të parandaluar rrezikun për konsumatorët.
Edhe ky detyrim ligjor nuk mund të përmbushet për faktin se në vendin tonë ende nuk kemi institucione të specializuara dhe laboratorë të akredituar, të cilët do ta konstatonin shkaktarin e rrezikut kaq shpejt?!
Në të vërtetë këto nene përshkruajnë vullnetin e mirë, për sigurinë e qytetarëve, por nuk u përshtaten kushteve të vendit tonë dhe si të tilla nuk mund të zbatohen!
Ndërsa në nenin 6 të Ligjit për ushqimin (2009), shkruan se lajmërimin mbi rrezikun, duhet ta bëjë Agjencia, me qëllim që me kohë të sigurojë informata objektive, reale dhe të qarta lidhur me hazardin dhe rreziqet në ushqimin për njerëz dhe ushqimin për kafshë.
Ky nen i këtij ligji është në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, dhe e definon saktë autoritetin, i cili ka role dhe përgjegjësi për të cilat edhe është themeluar.
Në nenin 2 të Ligjit për Ushqimin, shkruan se ky ligj zbatohet në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, deponimit dhe distribuimit të ushqimit për njerëz dhe ushqimit për kafshë.
Ky nen ka vlerë vetëm atëherë kur këto aktivitete zbatohen në zinxhirin e prodhimit dhe përpunimit. Por, që të arrihet kjo, komplet sistemi i prodhimit, i monitorimit e kontrollit duhet të mbyllen në një qark.
Nga kjo që u tha mund të konstatohet se, Ligji mbi Ushqimin, Ligjin për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, dhe ligjet tjera që kanë të bëjnë me ushqimin, nuk do të mund të zbatohen, sepse nuk mund të krijojnë sinergji në mes tyre, nga vetë fakti se strukturat përgjegjëse për zbatimin e tyre, rolet e veta i luajnë jashtë fushës së tyre të përgjegjësisë. AVUK-u është shkëputur padrejtësisht nga MBPZHR-ja dhe është vendosur pranë Kryeministrisë, me çka është shkaktuar pezullimi i funksionimit të tyre dhe zbatimit të ligjeve.
Me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe në qarkullimin dhe konsumimin e ushqimit të shëndetshëm, nivelet e ndryshme të vendimmarrjes duhet që ti ndërmarrin disa veprime, ndër të cilat mund ti përmend:
- Ndryshimi i Ligjit për Ushqimin, me të cilin AVUK-u mund të kthehet aty ku e ka vendin, pranë MBPZHR-së.
Rasti i eskalimit të aflatoksines në qumësht, dëshmon lidhshmërinë e zinxhirit të ushqimit dhe domosdoshmërinë e kontrollit të të gjitha hallkave të atij zinxhiri. Kalimi i toksineve, nga ushqimi i kafshëve tek ushqimi ë njeriut, na tregon qartë edhe arsyet, pse duhet të organizohet vendosja e kontrollit në vendet kyç, në të cilat mund të shfaqen rreziqet?! Prandaj, vendosja e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të MBPZHR-së, është e domosdoshme.
Vendosja e AVUK-ut në kompetencë të MBPZHR-së, do të mundësonte qasjen më të shpejtë në informatat e rëndësishme, për veprimet e ndërmarra në nivel të fermës, situatën e përgjithshme të hazardeve prezente, si dhe rregullat të cilat duhet të hartohen për ti menaxhuar situatat e rrezikshme.
- Kosova, sikurse edhe vendet e zhvilluara, duhet të investojë në parandalimin e rreziqeve nga ushqimi, me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe mirëqenies së popullsisë.
Ngritja e kapaciteteve profesionale me njerëz me përvojë është një nevojë urgjente për ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të popullsisë.
- Krijimi i mekanizmave në nivelin qendror të vendimmarrjes, për mbikëqyrjen e AVUK-ut dhe institucioneve tjera përgjegjëse për ushqimin, do të ketë efekte në rritjen e syçelësisë dhe efikasitetit, për koordinimin e veprimeve në mes këtyre institucioneve.
- Vendet e CEFT-as , duhet të iniciojnë themelimin e një sistemi të përbashkët për alarmim të shpejtë, siç është RASFF, për raportimin për helmet në ushqim, e cila do të përcjellë paraqitjen dhe qarkullimin e tyre, me çka do të ndihmoheshin vendet e rajonit, që të ndërmarrin në çast masa të nevojshme të mbrojtjes!
- Duhet të zbatohet neni 30 i Ligjit të Ushqimit, i cili e obligon AUK-un që laboratori testues i autorizuar për kryerjen veprimeve të specializuara dhe lëshimin e certifikatave ndërkombëtare, duhet ti plotësojë kushtet e parapara me normat përkatëse dhe duhet të jetë i akredituar nga institucioni i pavarur, sipas ISO standardeve.
Krejt në fund, duhet ta theksojmë faktin se, nga ky konsum i ushqimeve të pakontrolluara, Kosova radhitet si njëri ndër vendet që shpenzon më së shumti për shërimin e njerëzve të sëmurë.






