ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Njerëz – qytetarë - protestues

Publikuar: 04.03.2013 - 20:09

Shoqëria kosovare duhet të mësohet që të ngrejë zërin ndaj cenimit të çfarëdoshëm të të drejtave të njeriut dhe të lirive civile. Protesta në botën bashkëkohore ka marrë konotacionin e një subkulture – a`la Occupy Wall Strett, vetëdije se interesi qytetar është mbi të gjithë. Jo mbi shtetin, por mbi ata që në një moment të caktuar mund të jenë timonierë të tij. Prandaj protestoni, ajo është antidot, vetëdije se dimë çfarë është më mirë

Të protestosh është thjesht veprim që mund të jetë kreativ kundrejt diçkaje me të cilën nuk pajtohesh. Pra, mobilizim për refuzim. Për amerikanët është patriotizëm të kritikosh e të protestosh për të mos e lënë Qeverinë të gabojë!Protesta nuk është veprim antishtetëror, përpos mospajtim, me një gjendje, situatë, taksë, faturë- pra është obligim qytetar.

Shumëçka që vjen si rezultat i politikave publike që miratohen nga politikëbërësit, posaçërisht në pjesën e botës ku jemi ne, nuk shkon në favor të qytetarit. Nuk bëhet fjalë për fshehtësi. Ai ende trajtohet në nivelin e viktimës, rastit social, të cilit i mbyllet goja, në instancë të fundit edhe me një premtim.

Delli i reagimit sikurse nuk ekziston. Ideja e protestës po sfidohet dita - ditës. Në një vend ku protesta kundër padrejtësisë dikur kishte shërbyer si mënyrë jetese së paku gjatë dy dekadave të fundshekullit të kaluar, indiferenca është veç kumt për fatalizëm.

Protestat ndaj faturave të KEK-ut tregojnë se gjeni reagues është para kolabimit. Çfarë duhet të ndodhë në këtë vend, që të mblidhen ndonjë grup njerëzish,  qytetarësh për të shfaqur një mospajtim. Jo protestues hilexhi, që denoncojnë shtetin, të cilit i janë borxhlinj, por asi që patriotizmin e tyre e kanë konvertuar në pagesë të rregullt të të gjitha taksave publike. Pra, një model i protestuesit jo të shantazhuar nga pushteti me largim nga puna të atij apo dikujt nga familja.

Këtu pragu minimal i jetesës është bërë luks, atëherë çfarë humbet nëse lëshohet një zë?! Reagimet zakonisht nëse nuk prodhojnë rezultatin maksimal, së paku sjellin një ndryshim gjendjeje, qoftë edhe në minimum, ama diçka lëviz. Prandaj, qytetarët kosovarë nuk duhet të bëjnë llogaritje aritmetike për një pjesëmarrje në protestë.

Këto fatura që paguajmë aktualisht, nëse miratohet rritja progresive e çmimit të rrymës, e gjasat janë të mëdha se po, do të mbeten si hajmali, sepse do të bëhet edhe më keq. Nga ky shkak, protesta e qytetarëve duhet të jetë jo vetëm simbolike, por numerike dhe përmbajtesore. Presionin duhet përqendruar në parandalimin e rritjes edhe më të çmimit të rrymës dhe gjithashtu në bindjen e konsumatorëve që borxhet duhet larë. Nuk ka sens fshehja e borxheve të konsumatorëve kosovarë pas gabimeve të KEK-ut në fatura. Një qasje e tillë vetëm sa e devalvon protestën dhe lë mundësinë që ajo të shihet si e dirigjuar nga qarqe opozitare. Jo pse ky është ndonjë mëkat, por sepse protesta qytetare s’e duron ngjyrimin politik, gjithnjë në funksion të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm, duke mos vendosur barriera për ata që duan të ngrenë zërin kundrejt një të keqeje të përbashkët.

Qëndrimi i zv. kryeministrit dhe të parit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, se modeli bullgar nuk është i mirë, është sa hipokrit po aq edhe paradoksal. Kjo është haptas një tendencë për disiplinim dhe veprim tipik për shoqëritë-kazermë.

Në një vend me një qeverisje të përgjegjshme nuk ka nevojë të ngrihen 1 milion veta për ta ndryshuar një model qeverisjeje. Mjafton 1 apo 1 mijë, sepse e keqja nuk matet me numra.

Ajo nuk e dëmton një qytetar, por është universale dhe nuk ka tjetër emër. Ndoshta zv.kryeministrit nuk i ka pëlqyer sistemi bullgar, por partia e tij pikërisht në saje të një formule që cilësohet si bullgare ndodhet në qeverisje.

“Treni bullgar” (formula zgjedhore kur një fletëvotim merret me vete nga një votues dhe në vend të origjinalit në kuti futet një fletëvotim fals), e solli partinë e zv. kryeministrit të pushtet. Madje, në gjysmën e mandatit qeverisës edhe disa anëtarë të lartë të partisë së tij kanë deklaruar se votat në zgjedhjet e fundit nacionale janë vjedhur. Prandaj, zoti Kuçi modelit bullgar paska mundësi me ia pa hairin. Madje, ky model i protestës paqësore duhet të shërbejë si mësim për vendet e ngjashme me Bullgarinë, e cila llogaritet të jetë vendi më i varfër, anëtar i BE-së. Gjithsesi që ne jemi më të varfër se bullgarët, sepse këtë e tregoi ditë më parë Indeksi i Varfërisë, i cili e rangoi Kosovën në vendin e nëntë. Por në mos gjë tjetër, si të varfër që jemi mund të pasurohemi me yrnekun për një mobilizim për një të mirë të përgjithshme.

Kauza për një jetë më të mirë nuk duhet kufizuar vetëm në idenë e të bërit, por edhe të parit. Ajo që shihet tregon se në këtë vend të rëndomtët jetojnë për gazep. Ka një fund. Duhet përfunduar logjika e udhëheqjes së vendit, gjithnjë duke u fshehur pas politikave të mëdha. Në këtë rast, paravan është vendosur dialogu me Serbinë. Po pse duhet ta durojmë  ende stilin e heshtjes së gjërave jetike për ato politike. Po, politika bëhet për këta njerëz. Çfarëdo që do të jetë Kosova, tash e tutje nuk ka rëndësi nëse shumica e qytetarëve jetojnë me një standard minimal. Shteti, ndër të tjera, është edhe mekanizëm për t`ua lehtësuar jetën qytetarëve. Përfitimet nga një proces politik me çfarëdo rezultati qoftë ai, nuk u bëjnë fort përshtypje atyre që u kërcasin dhëmbët me 0.90 eurocentë në ditë. Ata- qytetarët e përjetojnë çfarëdo forme qeverisjeje me standardin e tyre.

Pra, sot qytetari kosovar ka nevojë për një koncept politik që ia liron tatimin në të ardhura, çmimin e rrymës, ujit, mbeturinave, e që e rritë efikasitetin e shtetit në arkëtimin e atyre që njihen si të hyra vetjake.

Profili i vjetër partiak, i qëndrimit pas koncepteve madhore politike, përfundimisht do t`i degjenerojë subjektet politike dhe do ta mbajë gjallë frymën klienteliste që mbretëron te shumica.

Kjo qasje gjithsesi, jo me automatizëm, do ta rrisë nevojën për modelin bullgar të protestës - por jo të trenit. Guru i rezistencës, Stéphane Hessel, iku nga kjo botë ditë më parë, por la pas idenë se të krijosh do të thotë të ekzistosh dhe anasjelltas.

Në esencë filozofia e tij jetësore, por edhe profesionale është ngritur mbi idenë e të indinjuarit ndaj padrejtësisë shoqërore. Përse të mos e bëjmë një gjë të tillë kur ka shumë arsye. Qytetari do të thotë aktivizëm. Luani vendit, nami nuk bëhet!

Indinjohuni!

Kosovës i duhet njeriu qytetar i Branko Merxhanit, ai i cili ka qëndrim kundrejt një gjendjeje, pra e zgjedh vetë rregullin jetësor. Sipas tij, individi si një vlerë psikologjike nuk ka pushuar kurrë së qeni armik i ‘institucionit përfaqësues”, domethënë armik i shtetit.

Fundja, shteti funksional pasqyrohet edhe nëpërmjet organizimit të protestave, prandaj  qytetari duhet të ndërrojë në thellësi idenë e protestës për sigurinë tradicionale. Nga kërcënimi dhe ruajtja e kufijve nga jashtë –në protestë për sigurinë njerëzore. Prandaj, pa një ndërrim të të kuptuarit të sigurisë njerëzore, nuk do të mund të bëhet më tepër për një jetë më të mirë.

Të protestosh është vetëdije, kauzë dhe kambanë se në këtë vend qytetari duhet kthehet në qendër. Në të kundërtën, vendit tonë lirisht mund t`i bashkëngjitet epiteti Gulag-Kosova.



bekim.kupina@kohaditore.com



 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 17°CShi i lehtė
Tiranė 17°C
Shkup 20°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C