Pesha diplomatike dhe konstruktive e opozitës dhe e pushtetit
Mero Baze
Rasti i zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri është i pazakontë, kur pesha diplomatike e opozitës është shumë më e madhe se e pushtetit dhe vëmendja e diplomacisë perëndimore është si të shpëtojë stabilitetin në vend nga politikat e pushtetit dhe jo të opozitës
Një natë më parë Edi Rama shtroi një darkë me rastin e zgjedhjes së tij zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, ku merrte pjesë dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj Internacionaleje, Luis Ajala, dhe shumë ambasadorë të Perëndimit në Shqipëri.
Paralelisht me këtë ngjarje, në Shqipëri kishin ardhur dy diplomatë të rëndësishëm të perëndimit, Philip Reeker nga Washingtoni dhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westervele, të shqetësuar drejtpërdrejt nga politika e Qeverisë lidhur me nacionalizmin dhe rrezikun e destabilizimit në zgjedhje. Të dy diplomatët më të rëndësishëm të Perëndimit, miq të Shqipërisë, u fokusuan në rezerva konkrete për politikën e Qeverisë lidhur me retorikën nacionaliste dhe shprehën shqetësimin për zgjedhjet e 23 qershorit, si një premisë që mund të destabilizojë situatën në vend.
Asnjëherë në historitë parazgjedhore të Shqipërisë nuk ka ndodhur që diplomacia ndërkombëtare të jetë kaq e zhvendosur nga normaliteti në raportet me një vend. Për shkak të të qenit traditë shtetërore, diplomacia fokusohet tek bashkëpunimi me pushtetin dhe zakonisht qetësimin e opozitës para zgjedhjeve. Rasti i zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri është i pazakontë, kur pesha diplomatike e opozitës është shumë më e madhe se e pushtetit dhe vëmendja e diplomacisë perëndimore është si të shpëtojë stabilitetin në vend nga politikat e pushtetit dhe jo të opozitës.
Opozitës i ka hije dhe nuk është mëkat të jetë dhe pa shumë etikë para zgjedhjeve, të rrisë retorikën nacionaliste, të ashpërsojë qëndrimet kundër diplomatëve, të denoncojë ndonjëherë pazaret e tyre me pushtetin, dhe janë qeveritë ato që ruajnë balancën e shtetit dhe bashkëpunimin me diplomacinë perëndimore.
Rasti i tanishëm i Shqipërisë është krejt i pazakontë. Sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Ajala, e promovon liderin e opozitës si kryeministër të ardhshëm, lideri i së majtës në Parlamentin Evropian, Swoboda, shkon dhe më tej duke kërkuar largimin e kryeministrit nga pushteti si antiperëndimor, ndërsa në Tiranë zbarkojnë përfaqësuesit më të rëndësishëm të vendeve aleate perëndimore me Shqipërinë për të qortuar Qeverinë shqiptare për nacionalizmin dhe zgjedhjet.
Kjo skemë e përmbysur e traditës se si veprojnë diplomatët para zgjedhjeve me një vend problematik, që është në të vërtetë një thirrje e hapur për ndryshim politik, reflektohet dhe në nivele të tjera të gjesteve politike të pushtetit dhe opozitës në vend në politikat e brendshme.
Fjala vjen, gjatë muajit të fundit kanë ndodhur gjëma të mëdha lidhur me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Janë falur vrasës të urdhëruar politikisht, që kanë qëlluar mbi qytetarët, janë falur dhe kanë shpëtuar pa u lagur pjesëtarët në biznesin e të birit të kryeministrit në Gërdec ku u vranë 26 qytetarë, janë grabitur në rrugë antikushtetuese mandatet në sallën e Parlamentit, duke mos respektuar kodin elektoral që imponon rindarjen e mandateve sipas përbërjes së popullsisë dhe ne nuk kemi një qëndrim agresiv të opozitës për këto gjëma. Përkundër kësaj, Rama ka vazhduar me qetësi të shpjegojë programet e tij për shëndetin publik, rendin etj., duke u mjaftuar me deklarata kritike për këto zhvillime, por jo me beteja për to. Shumë opozitarë janë të zemëruar me këtë sjellje dhe ne shpesh na hanë duart ta sulmojnë Edi Ramën për këtë gjë, por duket se ai e ka të menduar këtë çështje. Pra, nuk është spontan në shmangien e opozitës së ashpër, por është i qartë dhe vendosur se në pushtet do të vijë me program, me ide të reja dhe jo me reaksionin e egër kundër Berishës. Ai gati, gati po sillet si një njeri në pushtet, kurse Berisha po sillet si opozitar. Për gjithçka që nuk ka bërë apo ka bërë keq, Berisha po përpiqet të gjejë fajtorë, të denigrojë opozitën dhe të sillet sikur nuk ka qenë në pushtet këto tetë vjet, ndërsa Edi Rama është gati të debatojë dy orë për sigurimet shëndetësore apo pagat e policëve, dhe të shmangë debatet e egra rreth kapjes së drejtësisë dhe prishjes paraprake të procesit zgjedhor.
E njëjta gjë po ndodh dhe me jetën e brendshme të dy partive. Sali Berisha merret gjithë ditën me fyçkat e veta në përpjekje për të bërë diversion banal me figura brenda PS-së. E ka nisur me këmbën e Blushit, fjalimin e Braçes, spaletat e Pezës, dhe idiotësi të tjera, ndërkohë që partia e tij është kthyer në një varrezë ku nuk ndihen as ata që ikin, as ata që kthehen me bisht në shalë, por vetëm dëgjojnë shakatë e kripura të Duçes për zhvillimet në Partinë Socialiste.
Opozitën nga ana e saj nuk e kemi dëgjuar kurrë të merret me Partinë Demokratike apo të komentojë ndonjë gjë brenda saj. Bile as për rikthimin kokulur të Selamit nuk patën asnjë koment, përveç ndonjë keqardhje të shprehur jo zyrtarisht.
Bile opozita nuk po merret as me faktin që Qeveria po izolohet nga Perëndimi. Lajmet e sotme nga shtypi gjerman janë të mbushura me kryetitullin që Gjermania paralajmëron ashpër Shqipërinë për retorikën nacionaliste dhe zgjedhjet, ndërsa Berisha tallet me ministrin e Jashtëm gjerman, duke theksuar në lajmin e vet se pati një bisedë shumë të përzemërt dhe miqësore.
Një detaj tjetër që bie në sy është dhe qëndrimi i Ramës ndaj shtypit. Në pritjen e tij ishin gazetarë dhe opinionistë të njohur si pro Qeverisë, si Fevziu, Çili apo dikush tjetër, dhe në fjalën e tij Rama i kushtoi shumë rëndësi faktit që ata ishin aty si pjesë e një mënyrë sjelljeje të opozitës ndaj medies, për të mos qëndruar secili në llogoren e vet. Kjo bëhet në një kohë kur Berisha ka shkatërruar gjithë median televizive në vend, përmes presionit për të mos dërguar debatues në emisione, nëse nuk kontrollon gazetarin. Këtë e ka bërë me mua fillimisht dhe më pas me shumë kolegë të mi. Tani të jesh gazetar kritik në Shqipëri ke një problem se je i persekutuar nga pushteti dhe i imponuar të futesh në llogore prej tij, kurse të jesh gazetar pro pushtetit je komod, pasi ke një sjellje qytetare të opozitës dhe luajalitet prej Berishës për shërbimet e veta.
Kjo natyrisht që nuk mund të më pëlqej mua, pasi më vendos në kushte të pabarabarta gare me të tjerët, por kjo është një qasje e vetëdijshme e opozitës ndaj medies dhe është shumë konstruktive. Nga një anë kemi një palë që na sulmon, na gjobit, na djeg makina dhe persekuton financiarisht, nga ana tjetër është një opozitë që është jo vetëm në anën tonë, por dhe shumë e hapur me bastionet saliste të medies.
Kjo diferencë sjelljeje, ku opozita sillet si parti serioze në pushtet, dhe pushteti si opozitë karagjozë, është një argument më shumë për Perëndimin për ta marrë seriozisht opozitën dhe për të marrë edhe më seriozisht ndryshimin e pushtetit karagjoz në Shqipëri.
E gjitha kjo vijë sjelljeje konstruktive e opozitës dhe gjithë ky degradim prej karagjozi i Berishës, është një kontrast i thellë që e bën të lehtë zgjedhjen në sytë e perëndimorëve dhe duket se Perëndimi ka zgjedhur opozitën.
Frika e vetme që mbetet është se këtu as votohet si në Perëndim, as numërohet si në Perëndim, dhe mbi të gjitha as përjetohet prekja e zgjedhjeve si në Perëndim. Në këtë pikë të keqe, Berisha është më serioz.
(Marrë nga Gazeta Tema)






