ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 205 *** 22:20    Anima *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Kakofonia e botës

Publikuar: 27.02.2013 - 20:14


Disa analistë vazhdojnë të mendojnë me vetëbesim se është e mundshme rivendosja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Azisë dhe Perëndimit, marrë parasysh simbiozën ndërmjet demokracisë perëndimore dhe konfuçianizmit autoritar. Por, as që është afër të arrihet harmonia që buron prej ndeshjes së papritur ndërmjet këtyre kulturave dhe sistemeve

Në kryeveprën e tij “Diplomacia”, Henry Kissinger përshkruan, mbase në mënyrë idilike sistemin e baraspeshës ndërkombëtare të fuqisë që pas Kongresit të Vjenës në vitet 1814-1815 prodhoi atë që u njoh si “Koncerti i Evropës”. Sikurse e përshkruan Kissingeri, pas luftërave napoleonike, “nuk kishte një ekuilibër të vetëm fizik, por edhe një moral. Fuqia dhe drejtësia ishin në harmoni të plotë”. Afërmendsh, koncerti mbaroi në një kakofoni me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1914.

Sot, pas brutalitetit të gjysmës së parë të shekullit njëzet, bipolariteti i përkohshëm i luftës së ftohtë dhe statusi jetëshkurtër i Amerikës si një superfuqi e pas 1989-s, bota edhe një herë është në kërkim të një rendi të ri botëror. A mund të globalizohet diçka si rasti i Koncertit të Evropës?

Fatkeqësisht, kakofonia botërore duket si më e mundshmja. Një arsye e dukshme është mungesa e një arbitri të pranueshëm dhe ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara, të cilat më së miri mishërojnë fuqinë e viteve të fundit, nuk janë fort të gatshme - dhe më pak të afta - për ta ushtruar këtë detyrë. Dhe Kombet e Bashkuara, të cilat më së miri mishërojnë parimet e rendit ndërkombëtar, janë si gjithnjë të ndara dhe të pafuqishme.

Por, përtej mungesës së një arbitri, shfaqet një tjetër çështje: vala e globalizimit që ka pasuar përfundimin e luftës së ftohtë, në mënyrë paradoksale është zgjeruar në fragmentim, duke prekur vendet demokratike dhe jodemokratike. Prej shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, vetëshkatërrimit të dhunshëm të Jugosllavisë, dhe ndarjes paqësore të Çekosllovakisë e deri te presionet e sotme centrifugale në Evropë, Perëndim dhe shumicën e vendeve në zhvillim, ishte pikërisht fragmentimi themeli i marrëdhënieve ndërkombëtare në dhjetëvjetëshat e fundit.

Revolucioni i informacionit ka krijuar një botë më transparente, më të pavarur dhe më globale sa asnjëherë tjetër. Ama, kjo, në shkëmbim, ka çuar në një kërkesë ballkanizuese dhe të ankthshme për identitet. Kjo përpjekje për ta rimëkëmbur unikaten është sebepi kryesor i fragmentimit në rritje të sistemit ndërkombëtar.

Në Koncertin e Evropës ishte kufizuar numri i aktorëve dhe ata kryesisht ishin shtete, kombëtare apo imperiale. Vlerat themelore ishin gjerësisht të përhapura, dhe shumica e aktorëve i mëshonin fort mbrojtjes së rendit ekzistues. Në botën e ditëve të sotme, përfshirja e shteteve dhe aktorëve joshtetërorë, e ka bërë të këtë rend të paqartë dhe lëmsh. Të gjithë janë të përfshirë; forcat transicionale, shtetet dhe aktorë joshtetërorë. Dhe, qëllimet e tyre janë të ndërlikuara dhe nganjëherë kundërthënëse, pa asnjë zotim universal për ta ruajtur status-quon.

SHBA-ja mund të jetë duke provuar të krijojë një pakt transatlantik të tregtisë dhe investimeve me Evropën, që do të bëhej një deklaratë politike për botën se udhëzuesi perëndimor kryesisht përbën pikën referues të vlerave universale. Por, a ekziston një Perëndim i tillë? Në epokën tonë të fragmentimit, është një Perëndim amerikan më dinamik dhe më i fuqishëm, një Perëndim evropian, globalisht më problematik (në vete i fragmentuar ndërmjet veriut prosperues dhe jugut të ngecur ekonomikisht), dhe madje një Perëndim britanik dhe, në Japoni, një Perëndim aziatik.

Koncepti i BRIC-it (Brazili, Rusia, India dhe Kina) mund të jetë një vegël e re mprehëse. Por, hiç këtu shifrat e rritjes së lartë të tyre, a ka BRIC-i ndonjë rëndësi të njëmendtë? Në të vërtetë, Kina është dukshëm në një kategori vetjake, si një burim i rrezikut të perceptuar (apo real) për ambientin e saj rajonal. Nëse ngadalësohet rritja e BRCI-it (sikur ka nisur të ndodhë), artificialiteti i konceptit do të bëhet botërisht i dukshëm. Ajo çka i bashkon sot fuqitë në rritje, më shumë është mohimi i përgjegjësive ndërkombëtare, sesa përpjekjet e tyre të përbashkëta diplomatike.

Fragmentimi i prek gjithashtu shoqëritë përbrenda. Ndarjet e thella partizane - pavarësisht për shkak të rolit të Qeverisë, apo çështjeve kulturore/sociale - po çojnë drejt një pothuajse paralize në shoqëritë e brendshme, sikur po ndodh në SHBA. Në shoqëritë jodemokratike, ndarjet mund të çojnë drejt revolucionit dhe betejave të dhunshme për pushtet. Kështu ka qenë puna me shumicën e botës arabe prej fundit të vitit 2010.

Madje edhe vetë Evropa është më e fragmentuar se ngaherë. Në të vërtetë, Moises Naim pretendon rënien e saj në librin e tij të fundit, “The End of Power: From Boardrooms to Battlefields dhe Churches to States, Why Being in Charg Isn’t What It Used To Be”. Derisa përfundimi i Namit mund të duket i parakohshëm, ai e ka mirë për një gjë: “Fuqia më nuk kryen punë sikur kryente në të kaluarën”. Është “më e lehtë ta fitosh, më zor ta përdorësh - dhe më e lehtë ta humbësh”.

Disa analistë vazhdojnë të mendojnë me vetëbesim se është e mundshme rivendosja e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Azisë dhe Perëndimit, marrë parasysh simbiozën ndërmjet demokracisë perëndimore dhe konfuçianizmit autoritar. Ky është argumenti i Kishore Mahbubanit në librin e tij “The Great Convergence”. Por harmonia që buron prej ndeshjes së papritur ndërmjet të kulturave dhe sistemeve, as që është afër - dhe nuk do të jetë derisa nuk do të jetë i zbatueshëm me përpikëri sundimi i rendit dhe ligjit në botën në zhvillim, dhe derisa nuk merr hov një kulturë e modestisë brenda Perëndimit plural.

Kakofonia e botës ka zëvendësuar “Koncertin e Evropës”. Dhe kështu lirisht mund të thuhet për të ardhmen e dukshme.



(Autori është këshilltar i lartë në IFRI (Instituti Francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare), profesor në Institutin e Studimeve Politike në Paris. Është autor i “The Geopolitics of Emotions: How Cultures of Fear, Humiliation, and Hope are Reshaping the World”.

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore”).

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 16°CI kthjellėt
Tiranė 16°CI kthjellėt
Shkup 17°CI kthjellėt
Prishtinė32°CMe diell
Tiranė34°CMe diell
Shkup36°CMe diell