ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Odiseja e pensionistëve të Kosovës

Publikuar: 13.02.2013 - 20:03

UNMIK-u dhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës nuk bënë zgjidhje për pagimin e pensioneve. As Qeveria e mëvonshme, madje as pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk u kujdes për pensionistët dhe invalidët e punës. Fondi Pensional i Serbisë, pas 20 gushtit 2013, do të detyrohet t’ua paguajë kosovarëve pensionet e realizuara para qershorit 1999

Ta quash pozitën e paprecedent të pensionistëve dhe të invalidëve të Kosovës odise - është vlerësimi më i butë i mundshëm, sepse padrejtësia, madje edhe nëpërkëmbja që e përjetuan, që nga korriku i vitit 1999, kur Kosova praktikisht, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-s dhe UNMIK-ut, si instrument i qeverisjes së përkohshme të Kosovës, e deri në ditët e sotme, janë të pakuptueshme dhe veprime plotësisht të patolerueshme.

Kjo kategori e qytetarëve kosovarë në disa vitet e para të pasluftës në Kosovë, nuk reaguan me kohë, duke u nisur nga vlerësimi se gjendja e rëndë ekonomike e sociale ishte e tillë, se duhej të pritej ndryshimi i saj e pastaj të realizohet edhe e drejta për pensionet e merituara.

UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës nuk e zbatuan ligjin në fuqi për pensionet

 Rregullorja nr. 1999/24 mbi Ligjin në fuqi në Kosovë, e datës 12 dhjetor 1999, e nxjerrë nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, në bazë të Rregullores së Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nr. 1991/1 të datës 25 korrik mbi autorizimet e Administratës së Përkohshme në Kosovë, në dispozitën: LIGJI NË FUQI thotë:

1.1   Ligj në fuqi në Kosovë do të jetë:

(a) Rregullorja e shpallur nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me të, dhe

(b)   Ligji në fuqi në Kosovë, më 22 mars 1989.

Me nenin 1. 2, rregullohen kompetencat e gjykatave, të organeve ose personave lidhur me zbatimin e ligjeve të përmendura në dispozitat e nenit 1. 1, kurse në dispozitën e nenit 1. 3, thuhet: “Në të ushtruarit e funksioneve të tyre, të gjithë personat të cilët marrin detyra publike... duhet t’i respektojnë standardet e të drejtave të njeriut ndërkombëtarisht të njohura...” Në vazhdim numërohen tetë sosh, duke filluar me Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut të 10 dhjetorit 1948. Njëra prej tyre është edhe Marrëveshja ndërkombëtare mbi të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, e datës 16 dhjetor 1965, e cila me disa nene i rregullon edhe të drejtat e pensionistëve.

Në Dispozitën 1. 4, thuhet: “Personat, të cilët ushtrojnë detyra publike, apo punojnë në shërbime publike në Kosovë, nuk duhet të diskriminojnë asnjë person, mbi çfarëdo baze gjinore, racore, të ngjyrës, religjionit, bindjes politike apo të qëndrimeve të tjera, mbi bazën e origjinës natyrore, etnike apo sociale, në lidhje me shoqërinë, pronën, lindjen apo ndonjë status tjetër. Gjatë procedurës penale, i pandehuri ka të drejtë në dispozitën më të favorshme të ligjeve penale në fuqi prej 22 marsit 1998 deri në nxjerrjen e kësaj rregulloreje.”

Mirëpo, kur është fjala për të drejtat e pensionistëve dhe të invalidëve, as UNMIK-u, as përfaqësuesi special (PSSP) i OKB-së, as Këshilli i Përkohshëm i Kosovës, i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës, nuk i kanë zbatuar dispozitat e përmendura.

Veprimet diskriminuese të qeverive kosovare ndaj pensionistëve

Të gjitha qeveritë e Kosovës, madje edhe ajo pas shpalljes së Pavarësisë së shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk kanë treguar as kujdes, as vullnet politik, për ta zgjidhur si duhet pozitën materiale të pensionistëve dhe të invalidëve të punës. Madje, lirisht mund të thuhet se ishin diskriminuese, sidomos për pensionistët dhe invalidët e punës.

Rregulloret e nxjerra në kohën e UNMIK-ut ose të qeverive kosovare, për aplikimin dhe shumën e caktuar për pensionet e moshës (për qytetarët mbi moshën 65-vjeçare) dhe pensionistët kontributpagues, në fillim nga 40 e pas gati dhjetë vjetëve, mezi në shumë 40 deri 60 euro për të moshuarit dhe 45 deri 54 euro për kontibutpaguesit dhe invalidët e punës para disa muajsh, gjithë kohës, sidomos kur është fjala për pensionistët dhe invalidët e punës, siguronin një lloj lëmoshe, e jo pensionet e merituara në bazë të punës dhe kontributin e tyre në të gjitha fushat e jetës në Kosovë. Mjafton të thuhet, se shumat prej 45-54 eurosh edhe tani i marrin akademikët, sikurse të pensionuarit që ishin shërbyes teknikë me paga minimale. Fakti se edhe tani, mësimdhënësit e fakulteteve me dyzet vjet stazh pune dhe me të ardhura të rregullta midis 700-1.500 eurosh, marrin pension në shumë 54 eurosh (plus pensioni i pleqërisë), dëshmon më së miri se është fjala për veprime pa precedent në regjion dhe Evropë.

Arsyetimet e qeverive dhe të ministrave për punë e çështje sociale se pushteti i Kosovës nuk mund t’i sigurojë e paguaj pensionet e merituara, pasi buxhetet (“e konsoliduara”- çfarë mbiemri i pakuptimtë për buxhetin që nuk ka mjaft para) të Kosovës, nuk kanë mundësi financiare për këtë qëllim, edhe pse pensionet hyjnë në kategorinë e të ashtuquajturave “obligime ligjore”, që do të thotë se duhet të trajtohen me prioritet, kur përgatiten e miratohen buxhete vjetore, janë të paqëndrueshme. Mirëpo, plotësisht absurde janë insistimet e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Ndërkombëtare në Kosovës, që pensionet dhe pagat për ata me nevoja të veçanta, mos të jenë më të larta, se ato që paguhen tani. Por, po ata përfaqësues, deri tani nuk e ngritën zërin as kundër shumave në buxhet për investime kapitale, që janë ndër më të lartat në buxhetet e vendeve të regjionit, as rritjet prej 30-50 për qind të pagave të disa kategorive të shërbyesve civilë, kur qeveria i nxori brenda natës, madje për qëllime plotësisht politike, edhe pse dihet se pikërisht mjetet për investime kapitale, janë segmenti ku ndodhin keqpërdorimet më të mëdha dhe veprimet korruptive të pushtetarëve dhe të ndihmaçarëve të tyre.

Këto veprime i kanë shtyrë pensionistët dhe invalidët dhe asociacionet e tyre, që me këmbëngulje të kundërshtojnë disa projektligje, që janë shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës, sepse nxjerrja e tyre vetëm tenton ta çimentojë gjendjen ekzistuese të patolerueshme, e jo të bëjnë zgjidhjen e merituar të pozitës së tyre materiale.

Pensionistët dhe invalidët e Kosovës, nuk janë kundër investimeve kapitale, as kundër pagave të shërbyesve civilë, madje i gëzon secili metër asfalti, dhe secili metër katror i një shkolle apo ambulance të re. Por, me të drejtë kërkojnë, madje edhe insistojnë që: çështje sociale, pensionet, shërbimet shëndetësore dhe e arsim etj., duhet të kenë përparësi kur aprovohet buxheti vjetor i Kosovës, sepse është fjala për veprimtari dhe nevoja, madje minimale, prej të cilave varet edhe vetë jeta e qytetarëve të këtyre kategorive e veprimtarive.  

Si të veprohet pas disa vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në favor të pensionistëve

Njëra prej çështjeve më të diskutueshme sa i përket realizimit të së drejtës së pensionistëve për shuma, së paku afërsisht me ato të të pensionuarve në vendet e regjionit, prej Maqedonie e deri në Slloveni, që sillen prej 250-700 euro, madje edhe me kategorizimin e domosdoshëm, varësisht nga kontributet e paguara në fondet pensionale, ishte dhe mbesin obligimet e Fondit Pensional të Serbisë ndaj të pensionuare dhe invalidëve kontributpagues të Kosovës.

Duhet të pranohet dhe të thuhet hapur, se sjellja e zyrtarëve të UNMIK-ut, e qeverive dhe e Kuvendit të Kosovës në lidhje me pensionet e kontributpaguesve, ishin dhe mbesin kundërligjore, diskriminuese dhe si të tilla të papranueshme. Mirëpo, po aq fajtore janë subjektet sindikale të Kosovës, sepse organet dhe udhëheqësit e tyre, por edhe ekspertë në radhët e tyre, që deri tani nuk ishin në nivel, kur është fjala për debatet dhe mundësitë e modalitete për gjetjen e zgjidhjeve adekuate të problemit të pensioneve të merituara.

Një prej frazave të përdorura aq shpesh, që është bërë madje edhe e mërzitshme, ishte si vijon “Mjetet e fondeve të pensioneve dhe të invalidëve të punës i ka “plaçkitur” Fondi Pensional i Serbisë”, pra Serbia. Disa ekspertë financiarë kosovarë, herë pas here kanë deklaruar publikisht, ose në takime e debate për pensionet, se në Fondin Pensional e Invalidor të Kosovës (të ish-BVI-ve), nuk ka pasur mjete financiare rezervë, (ndoshta vetëm 3 për qind –rezervë e detyrueshme, sipas ligjit), sepse prej mjeteve të grumbulluara nga kontributet për pensione, mbi bazën e parimit të solidaritetit të gjeneratave, deri në vitin 1990, u janë paguar pensionet qytetarëve të Kosovës. Por, nëse kishte uzurpime të çfarëdo natyre, ato duhet t’i kompensojnë institucionet serbe, sepse për të gjitha, sipas Ligjit për pensione të Serbisë, për to garanton shteti serb.

Por, pas një debati që u zhvillua në takimin e përfaqësuesve të subjekteve sindikale, një numri përfaqësuesish të organeve e të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe disa ekspertëve të pavarur të Kosovës më 4 shkurt 2013, në të cilin u fol gjerë e gjatë për situatën e krijuar pasi në kohë të fundit lidhur me paditë e tyre, disa pensionistë të Kosovës, apo edhe të Serbisë,Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, edhe pse pas shumë mundimeve e peripecive, që kishin zgjatur me vjet, kishte nxjerrë vendime (aktgjykime definitive) në favor të tyre.

Madje, Gjykata në fjalë, i kishte dërguar urdhër Fondit Pensional të Serbisë shkresa me të cilat kishte insistuar që ai Fond është i detyruar t’i paguajë pensionet padrejtësisht të ndërprera e të papaguara deri tani.

Po ashtu, Gjykata në fjalë, i kishte hedhur si të paqëndrueshme “argumentet” e Fondit të Serbisë, që kishte deklaruar se pensionistët kosovarë nuk kishin paraqitur kërkesa për marrjen e pensioneve; se nuk i kishin pasur adresat e tyre, apo për arsye se të punësuarit në Kosovë nuk kishin paguar kontribute pensionale pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Fakti se 6.000 pensionistë kosovarë të kombësisë shqiptare dhe 27.000 pensionistë serbë të Kosovës, i kanë marrë dhe i marrin pensionet rregullisht dëshmon se nuk qëndronin arsyetimet me të cilat kishte provuar të shfajësohej Fondi Pensional i Serbisë.

Për fat të keq, organet e pushtetit, pensionistët, po edhe ekspertë të ndryshëm, vetëm pas vendimeve të përmendura të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, më në fund, por më mirë vonë se kurrë, e kuptuan, se Fondi Pensional i Serbisë, sipas konventave ndërkombëtare, ka obligim ligjor që t’ua paguajë pensionet e plota individëve të pensionuar deri në majit të vitit 1999, por edhe atyre që do të fitojnë të drejtën për pensionim, për vitet e stazhit të punës para vitit 1999. Ky obligim është i ngjashëm me atë që kosovarët kanë punuar kohë të caktuar p. sh. në Zvicër, Gjermani, Francë, Itali, Suedi etj.

Dilema e dikurshme e pensionistëve, se duke kërkuar pensionin nga subjektet e Serbisë, do ta dëmtonin shtetësinë e Kosovës, më nuk qëndron, sepse prej Serbisë nuk kërkohet lëmoshë, po realizimi i një të drejte ligjore, e njohur edhe e siguruar edhe me konventa evropiane dhe ndërkombëtare.

Organet qeveritare serbe, ashtu si edhe Fondi Pensional i Serbisë, pas vendimeve në fjalë të Gjykatës Evropiane në favor të një pensionisti kosovar janë alarmuar dhe kanë formuar një Komision për shqyrtimin e situatës së krijues dhe për modalitete e procedurat lidhur me pensionet e papaguara, sepse obligimet e tyre deri tani kapin shumën prej 1,5 miliardë eurosh. Por, nëse ato nuk i paguajnë me kohë, për shkak të kamatave dhe kërkesave gjyqësore për dëmshpërblime për shkak të uzurpimit të pronës mbi bazën e së drejtës për pension, ajo shumë do të mund të arrinte edhe deri në 5 miliardë euro.

Kur dhe kujt t’i paraqitet kërkesa për të drejtën për pension

Sipas informatës që u dha në Konsultën juridike më 4 shkurt 2013, pensionistët kosovarë, apo bashkëshortët ose trashëgimtarët ligjorë (pas vdekjes së pensionistëve), përmes avokatëve të autorizuar, apo personalisht (ky variant është më pak efektiv), duhet t’ia paraqesin Fondit Pensional të Serbisë kërkesën, së bashku me dokumentet e domosdoshme me të cilat dëshmojnë se ata janë gjallë, apo se janë trashëgimtarë ligjorë të pensionistëve që kanë vdekur, etj., pasi deri më 20 shkurt 2013 do të publikohet njoftimi i FPS me kushtet për paraqitje të kërkesave për pensione që do të zgjasë deri më 20 qershor. Ndërsa, pas 20 gushtit pritet të përcaktohen masat për zgjidhjen definitive të problemit.

Çështja e pensioneve të kosovarëve pritet të trajtohet edhe gjatë bisedimeve midis përfaqësuesve qeveritarë të Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me çështjet e mësipërme tani e tutje duhet të bashkëpunojnë sa më mirë se deri tani: organizatat sindikale të pensionistëve, institucionet shtetërore, por edhe ekspertë të fushave të ndryshme: juristë, ekonomistë, avokatë etj.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 15°CShi
Shkup 15°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°C