ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Të gabuarit

Publikuar: 03.02.2013 - 17:38

Kosova kurrë nuk do të mund të ecë përpara përderisa nuk bëhet e aftë të mendojë vetë dhe për veten. Nuk do të mund të ecë përpara pa zbatimin e ligjshmërisë dhe pa sundim ligji. E Kosova stagnon dhe nuk ka sundim ligji, për shkak se janë njerëzit e gabuar, të shantazhueshmit, ata që përkrahen politikisht

Nëse dikush nuk e ka pasur të qartë se përse numërimi i votave pas secilës palë zgjedhjesh në Kosovë zgjat me nga disa javë, e besoj se konventa e PDK-së do ta ketë dhënë përgjigjen më adekuate. Pas “kongresit” të Partisë që zgjati dy ditë, pasoi numërimi i votave për zgjedhjen e 154 anëtarëve të Këshillit Drejtues. Në garë kishin marrë pjesë 275 kandidatë, kurse votat i kishin hedhur 719 delegatë të konventës zgjedhore. Dhe numërimi zgjati rrafsh tri ditë – për të lënë të besosh se edhe me këtë rast do të jetë përdorur taktika e njëjtë sikurse në zgjedhjet e shkuara parlamentare, kur votat ishin vjedhur apo edhe kurdisur brenda vetë partisë. Edhe pse për korrektësi, duhet thënë se askush nuk u ankua për keqpërdorimin eventual – por doli paksa i çuditshëm epilogu, me listën që e përmbante edhe emrin e Jakup Krasniqit në të, edhe pse ai nuk mori pjesë në këtë proces fare.Sido që të jetë, konventa e PDK-së qe organizuar mirë – me shumë rend e disiplinë, me dukje të pasur dhe me një shpenzim të konsiderueshëm parash për t’i akomoduar gjithë ata njerëz të ardhur nga vendet e ndryshme të Kosovës që e mbushën sallën e “bororamizit”. Transmetimi i drejtpërdrejtë nga RTK-ja na tregoi se dita e parë i ishte dedikuar liderit dhe glorifikimit të të gjithanshmit dhe shpëtimtarit të Kosovës. Ky, nga ana tjetër, pati nevojën ose të dëshmonte se është i pakontestueshëm, për pasojë edhe i sigurt se askush nuk do të guxonte të votonte kundër tij (me përjashtimin e njërit delegat) ose pati frikën nga zhvillimet brenda primareve nëpër degë, e që për pasojë kanë mundur ta shkaktonin rënien e rejtingut të tij të brendshëm. Ani se në formën siç e kontrollon partinë, edhe kjo kishte gjetur zgjidhje, ngase atëherë votat do të mund numëroheshin nja pesë ditë, që të sigurohej 99,87% i arritur me votat me aklamacion.

Por, megjithatë, ajo që në fund bëri që edhe pikëçuditësja të çuditej, ishte proklamimi se PDK-ja ishte parti e orientimit të qendrës së djathtë. Në sa vjetët e përcjelljes së aktiviteteve të partive politike, nuk më ka rënë të shihja një program politik të kësaj partie. Një vit, para nuk e di se cilave zgjedhje, shpaloseshin pjesë të programit copa-copa dhe atë posa zbuloheshin programet e partive të tjera që më pas replikoheshin këndej. Më pas, në zgjedhjet e shkuara, pos shumë premtimeve që dilnin kryesisht si kundërreagim ndaj premtimeve të të tjerëve, nuk pamë që partia të kishte një program, një orientim dhe një cak tjetër, pos që të mbetej në pushtet me çdo kusht. Nga ana tjetër, duke e marrë parasysh orientimin politik të shumicës së themeluesve të kësaj partie, po e kam shumë vështirë të besoj se marksistët-leninistët dhe enveristët të jenë bërë të djathtë tash. Por duket se djathtizmi është një send shumë atraktiv këto ditë, pra, meqë tashmë LDK-ja dhe AAK-ja janë deklaruar prej kohësh të tillë, valles iu bashkua PDK-ja, se mos po mbetet mbas.

E pjesën për konventën e PDK-së nuk kam si mos ta përfundoj pa i përmendur femrat dhe pjesëmarrjen e tyre në Këshillin Drejtues. Në fund doli se ato e bëjnë rreth 25-përqindëshit të anëtarëve të udhëheqjes politike, pra, që ky numër nuk e përmbush as minimumin e kërkuar në Kuvend. E mandej ankohen se përse femrat nuk kanë më shumë fuqi në shoqëri – e si ta kenë, kur nuk mund ta imponojnë veten as në partinë e tyre?

Nejse – le të jetë kjo temë për të analizuar, përderisa kalojmë në, për mua, ngjarjen e javës, për nga pesha. Për herë të parë, një i akuzuar serb, një gjeneral ushtrie, e pranon në procedurë gjyqësore në Hagë se Serbia ka bërë krime kundër shqiptarëve në Kosovë. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i armatës serbe, ka pranuar të jetë fajtor për pjesëmarrje në krimet, synimi i të cilave ka qenë dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova. Ai i pranoi vrasjet masive, djegien e pronës, si dhe krimet e rënda që janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit. Është fakt se për këtë pranim i ka marrë vetëm 15 vjet burg dhe se pas 10 vjetësh mund të lirohet nga burgu (nëse i mbijeton) – por kjo është prova më e fuqishme që mund ta përdorë cilado viktimë e luftës në luftën juridike dhe gjyqësore kundër shtetit serb.

Ajo që ishte më shokuesja në këtë rast ishte mosreagimi i Qeverisë së Kosovës e as e ndonjërit zyrtar – ama bash asnjërit nuk iu kujtua të thoshte bile një fjalë në lidhje me një pranim kaq publik të një faji të madh për të gjithë atë dhembje që na është shkaktuar. Asnjë fjalë! Thuajse përmbahen nga çfarëdo komentimi, se në mos pahiri po i prishin punët me negociatorët në Bruksel, se mos po hidhërohet naj Daçiq a naj Nikoliq, e po mbeten pa e bërë edhe ndonjë syret bashkë me baroneshën.

Në vend që kjo të ishte shtytëse shtesë që të animohen të gjithë ata që pësuan dëme të mëdha materiale gjatë luftës e të kërkojnë reparacionin nga shteti, zyrtarët e të cilit po e pranojnë se kanë bërë faj dhe, çka është më me rëndësi, dënohen nga instanca më relevante ndërkombëtare e gjyqësisë, ky moment i ri shikohet si një gjë që ka ndodhur andej diku nga Poli i Veriut a i Jugut. Thuajse nuk ka të bëjë asgjë me ne. Thuajse e gjithë ajo vuajtje e pikëllim u la në harresë, sepse qeveritarët, edhe nëse kanë pësuar dëme gjatë luftës, deri tash i kanë kompensuar shumëfish, dhe shumë më mirë seç do ta kenë ëndërruar ndonjëherë. Bash do të jetë interesante të kuptohet nëse dikujt nga kosovarët do t’i bjerë ndërmend ta përmendë këtë punë, e besa edhe ta shfrytëzojë në procesin e negociatave... apo është se edhe këtu do të këshillohen që të heshtin, sikur që u ndodhi deçanasve para tri ditësh.

Tashmë prej ca javësh është bërë publik një vendim krejt i paqartë dhe skandaloz për bartjen e njëzet e tre hektarëve tokë të dy ish-ndërmarrjeve shoqërore të Deçanit në pronë e posedim Manastirit ortodoks. I mbështetur mbi një vendim të Kuvendit të Serbisë nga 1997, nga koha e ligjeve diskriminuese serbe (efektin e të cilave në Kosovë e kishte anuluar administratori i parë i Kosovës, Kouchner, më 1999) – Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme kishte vendosur në këtë formë.

Por problemi është paksa më i thellë seç mendohet: Vendimin për faljen e këtyre tokave e mori përfaqësuesi i UNMIK-ut (sic!) në emër të famëkeqes Agjenci Kosovare e Mirëbesimit (AKM), që supozohet se është shuar me pavarësimin e Kosovës. Nga ana tjetër, Oda e Supremes, duke e pranuar AKM-në si palë, e ka vërtetuar këtë vendim. Pra UNMIK-u, që më nuk ka fuqi ekzekutive, sepse nuk e ka Kornizën Kushtetuese por vetëm Rezolutën 1244, e paraqet veten si trup që i ka “trashëguar kompetencat e AKM-së”, ani që ekzistojnë dy ligje të miratuara nga Kuvendi i Kosovës që thonë se këto kompetenca kanë kaluar te Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Logjikisht, ky vendim do të duhej të ishte i paligjshëm, pos nëse fusnota e hamamit shërben si klauzolë në favor të UNMIK-ut. Kjo qe e para.

E dyta është se çdo vendim i shkallës së parë është i kontestueshëm. E edhe nëse ky vendim i Odës është i pakontestueshëm me mjet të rregullt, megjithatë ekziston një mjet juridik që e lejon shqyrtimin e jashtëzakonshëm, po qe se ka prova të reja që nuk janë marrë parasysh gjatë marrjes së vendimit. E po qe se as kjo nuk funksionon, si qytetarët ashtu edhe komuna e prekur nga një vendim i këtillë e kanë edhe Gjykatën Kushtetuese për ta shprehur pakënaqësinë dhe për të kërkuar mbrojtjen e një të drejte që pretendohet se është shkelur.

Në rastin e Deçanit, asnjëra nga këto mundësi gjyqësore nuk është shterur ende. Prandaj edhe befason jashtë mase vizita e ambasadores amerikane, e edhe e atij britanik në Deçan, për t’i udhëzuar qytetarët dhe zyrtarët se vendimin duhet pranuar, se nuk duhet protestuar, ngase kjo falje ishte e paraparë me Planin e Ahtisaarit. Duke shtuar se po të mos ishte ky plan, nuk do të kishte as pavarësi për Kosovën. Vizita pa dyshim se befason, për shkak se me të gati se parandalohet zhvillimi i procedurave të rregullta gjyqësore. Gati se nuk u jepet rast as instancave përgjegjëse, gjykatave të pavarura, që ta bëjnë vlerësimin përfundimtar të rastit. Thuajse qëllimi është t’i bëhet presion publik si Supremes ashtu edhe Kushtetueses, duke insistuar se një vendim politik është më i rëndësishëm, për pasojë edhe më i fuqishëm, sesa një vendim gjyqësor, i pavarur. Për shkak se Kosova, pa dyshim, ua ka borxh jetën amerikanëve dhe britanikëve. Dhe, tash ky borxh duhet të lahet, ashtu që duhet dëgjuar udhëzimet e përfaqësuesve të tyre diplomatikë.

Por, përkundër borxhit që e kemi, janë katër gjëra që diplomatët duhet të kenë parasysh: një, që e drejta për protestën është liri e shprehjes dhe e drejtë e garantuar kushtetuese; dy, gjyqësia do të duhej të ishte e pavarur – së paku këtu kanë shkuar shumë para të këtyre dy shteteve, që Kosova të bëhet me gjyqësi të aftë dhe të pandikuar, ashtu që qytetari të dijë se kur i bëhet një e padrejtë, ka ku të drejtohet për të kërkuar zgjidhje; tre, Plani i Ahtisaarit kurrë nuk u zbatua në veri të Kosovës dhe Kosova vazhdon të jetë e pavarur, por jo me sovranitet të plotë. Pra, është plan të cilin e zbatojnë kryesisht vetëm shqiptarët, edhe atëherë kur është në dëm të tyre. Dhe, e fundit: në rastin e zonave të mbrojtura rreth monumenteve kulturore e historike, është e vërtetë se Plani i Ahtisaarit ka paraparë kufizimin e aktiviteteve që mund ta rrezikojnë objektin apo jetën e murgjve, porse ky kufizim assesi nuk “do t’i prekë të drejtat pronësore”, thuhet në propozimin gjithëpërfshirës. E ky vendim e bën mu këtë – ua “vjedh” pronën punëtorëve të atyre ish-ndërmarrjeve shoqërore dhe ia fal një objekti fetar.

Kosova kurrë nuk do të mund të ecë përpara përderisa nuk bëhet e aftë të mendojë vetë dhe për veten. Nuk do të mund të ecë përpara pa zbatimin e ligjshmërisë dhe pa sundim ligji. E Kosova stagnon dhe nuk ka sundim ligji për shkak se janë njerëzit e gabuar ata që përkrahen politikisht. Dhe, përderisa është absolutisht e pakontestueshme se ndihma ndërkombëtare është kyç, posaçërisht ajo financiarja, megjithatë ekziston një ndihmë tjetër që i duhet Kosovës: që të ngrihet brezi i ri i politikanëve e liderëve të ardhshëm institucionalë; njerëz të rinj, të shkolluar përnjëmend dhe me një diapazon më të gjerë sesa skemat pasurore personale, e që do të ishin në gjendje të funksiononin me duar të pastra dhe pa bagazhe; njerëz të rinj që përnjëmend e duan shtetin e tyre e që nuk do të kenë nevojë që për çdo banalitet t’i kthehen Dragodanit; njerëz të rinj që do të ishin të pashantazhueshëm.

Sa më mirë do të ishte për të gjithë.



flaka@koha.net

 

Komente (10)

bushi09.02.2013/14:00

te lumt...

skender morina05.02.2013/09:00

ja e ardhmja e kosoves domethan ma pas perparim duhet me punua gjith populli 5 vjet pa marr paga por vetem qka ju takon me ngren gjat gjith muajit keshtu mujm me perparue populli kosovar tung...

Bariu04.02.2013/15:01

O Flake vertete gjithemon ke shendrrit rrugen e atyre qe e dojn shtetin dhe lirine e duke e lane anash pasurine personale.Me kete me kujtove nje ndodhi e imja si bari.Me humben nja 10 krer dele ne mal.Kur arrita ne shtepi po e shof tufen paksa te zvogluar.I alarmova fqinjet dhe dulem ne mal per ti kerkuar.pas ca kohe i gjetem t gjtha shndosh e mire.I qova neshtepi e prej gezimit qe i gjetem i zotishtepis me urdhroj qe ta therim njeren ga delet.Ushtrue menza dhe rakija e bente te veten dhe lekurate edeleve shtoheshin vazhdimisht.Dikur kur na duel shpija pame se ne grumbull kishte me shum se 10 lekura delesh.njeri nga fqinjet qe ishte pjesmarrs i ati ahengu tha se edhe ujku skishte me bere kaq shum zarar.
Ajo qe ndodhi ne Kosoven e para lufte dhe ne Kosoven e pas luftes as gje nuk shkoj ne favor te keti populli perveq asaj shpalleje te pavaresie ne baze 1244shit dhe pasurimit te uzurpusve te thesarit popullorLIRISE.

luledukagjini04.02.2013/14:23

Te pershendes oj e ditur Flaka qe mundohesh sado pak te besh drit ne ket terr te zi qe na ka mbulue e gjith KOSOVEN nga njerz nga analfabeti ne minister e deputet kryetar komune ,e drejtor.A ka fuqi qe na shpeton nga keta bandita qeveritar ,apo jemi dorzue zoti ju ardht hakesh.

Arta04.02.2013/12:58

Te lumt Flaka pa ket realitet qe te vetdijohen, ky eshte termi i cdo gjeje me dit ather te gjitha t'mirat vin.

TRUNGU04.02.2013/09:53

Flake qe shendrit ne realitetin e hidhure kosovar.Kosova kurre nuk do te hece perpara sepse perkrahen politikish njerezit e gabuar qe jane te pa afte profesionalisht me pergatitje shkollore shume te dyshimet,te shantazhum dhe te dyshimet ne shume afera te korrupcionit,krimeve,hanis etj.Serbis i konvenojn keta njerez te udheheqin Kosoven e edhe i perkrah permes serbeve te Kosoves e ne anen tjeter i shfrytezon dobesit dhe te metat e tyre si arsyetim per qellimet e veta per te i akuzuar tek nderkombtaret per vepra te ndryshme si ne raportin e Dick Martit etj.Si rrjedhoje e dobesive te gabuarit pranojne fusnota,fonde te vecanta per veriun e vendit,pengojne qytetaret ne shfrytezime e te drejtave kushtetuse per pronat shoqerore duke u fale manastireve ortodokese nga 24 hektar toke shoqerore duke e perdore planin e M.A.ne menyre te rrejshme permes nderkombetareve.Populli ne Kosove duhet te vetdisohet per te hece perpara se me njerez me bagazh te sterngarkuar me dobesit prej me te ultave Kosova jo qe do te stagnoje por eshte kah i vehet laku ne fyt dhe te ngulfatet e te mbetet as e gjalle e as e vdekure.Njerez qe e kan bishtin e zant me dere dhe nuk flasin per rastin Ojdaniq se friksohen nga kundersulmet serbe edhe heshtin se...PRONTO SJELLE E PSHTJELLE nuk mundet te dale jashte kornizes PRONTO.Per keso tipash ne udheheqje eshte kendu kenga KU E LAM E KU NA MBETI VAJ VATANI E MJER MILETI.

Qobani vrella e Gadimese 04.02.2013/09:26

Krejt eshte ne dritte, krejte Jane ka edine, dhe nuk Po ndermarrin ase gje !? Kushe eshte ai trim,ai atedhetar qe dota kerset pushken e pare ,per me mbrojun popllin,prej ketyre te kurubve,prej Hajnave ? Kushe eshte ai Qe e qet pushken e par, Allahu e shperbleft Meter mira,edhe käme shperblyun me siguri,se ka Qitun pushken e par per mbrojten e popllit.

Fahredin Berisha04.02.2013/00:37

Përshëndetje e nderuara Flaka dhe komplimente për artilkullin ne fjalë ...por edhe për punët dhe angazhimet tuaja te derianishme...! Nga largësia fizike që kemi me Kosovën, një numër i madh i bashkkombasve të mijë nuk kemi qasje direkte në rrjedhat e politikës së Kosovës, poashtu mundësia e ndikimit politik është e limituar ... Me intereson të dij shkurt..! Se si qendron situata me Njerzit Intelektualët e kalibrit të lartë që kishin emer dhe autoritet në vitet kur ne ishim student vitet 19811982 e me vonë..! Nuk mund kuptoj se si intelektualet e kalibrit të lartë e me pervoj profesionale nuk jan te kyqur ne proqeset politike e që jan të rëndsishme për të ardhmen e vendit..! Edhe nese kemi një klasë te re poltike dhe të pa pervojë ne politikë, me një bashkpunim më të mirë, me kshillëdhënës nga intelektual të shquar e më pervojë profesionale do të kordinonin më suksesëshëm politikat ditore ..! Nuk e di..! kam frik se inatet tona dhe mentaliteti i vjetër do të na paraqesin si subjekt i dezorganizuar ne arenen politike nderkombtare dhe me këtë gjithmon do të vonohemi në garë me të tjerët ...! Punë të suksesëshme dhe shumë fat e shëndet të mirë për juve dhe familjen Fahredini Suedi

Zana03.02.2013/21:08

Te lumte!
Shpresat jane humbur, se kriminelet eshte veshtire me i hjek, keshtu qe po frikohem se kjo mund te mbetet edhe per nja 1o vite vetem ender!

yzil prizren03.02.2013/19:54

Me këtë "pozitë në pushtet" shumica janë të kënaqur, si p.sh.ndërkombëtarët opozita,tyxharë biznismenëtmatrapazët, analistë në shumicë,shoqëria civile,...Për të gjithë "ka idare",përveq atyre që janë të sinqertë dhe principiel!?

1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°C
Shkup 16°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell