ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Dalja britanike, zëri dhe lojaliteti

Publikuar: 28.01.2013 - 20:07

E gjithë situata aktuale me Britaninë dhe BE-në i ngjan një komedie të Shakespeares mbi identitetin e hutuar. Evropa dhe Britania janë të martuara, mirëpo Britania dëshiron që të thellojë marrëdhënien e saj me Amerikën, derisa Amerikës i bën më shumë për Evropën

Princeton – Albert Hirschman, i cili vdiq në fund të vitit të kaluar, ishte një ekonomist i madh, me një dhunti për të prodhuar njohuri goditëse, duke u përqendruar në një element të sjelljes së dukshme si mënyrë për të transformuar këndvështrimin tonë për një mori problemesh të caktuara. Një prej njohurive më largpamëse të tij ishte përkufizimi “dalje, zë dhe lojalitet”. I formuluar pas një eksperience me trenat në Afrikën Perëndimore, Hirschman kuptoi se nëse një sistem kompleks social i lejon njerëzit të largohen (dalin), atëherë efikasiteti i tij mund të përkeqësohet; një zgjidhje më e mirë do të ishte që të mbajë njerëz (lojalitet), gjë kjo që do t’u japë atyre shtytje për të artikuluar kërkesa (zë) që do të përmirësonin performancën e sistemit.

Është më se e lehtë të shihet se si kjo teori mund t’u atribuohet marrëdhënieve personale. Martesat prishen nëse divorci (dalja) është tejet i lehtë; mirëpo edhe bëhet e padurueshme në rast se nuk ka ndjesi të reciprocitetit dhe diskutimit (zë). Zëri mund po ashtu të ulej në rast se mundësi të reja shfaqen: një partner i ri potencial nënkupton se tanimë nuk ekziston ndonjë presion për të diskutuar dhe përmirësuar marrëdhëniet përbrenda aranzhimeve ekzistuese.

Skema mund të aplikohet po ashtu edhe në çështjet politike: Hirschman shkroi një artikull të mbajtur mend, duke treguar se si aftësia për të dalë prodhoi në vitin 1989 në Gjermaninë Lindore një dobësim të papritur lojaliteti.

Evropianët mund t’i rimendojnë disa prej dilemave aktuale të tyre bazuar në teorinë e Hirschmanit. Analogjia e martesës është shndërruar më shumë në një metaforë e tejpërdorur për përpjekjet e Evropës për të integruar. Mirëpo është e qartë se si zëri ashtu edhe lojaliteti janë bërë një problem për Bashkimin Evropian. Shumë qytetarë dhe qeveri besojnë se nuk kanë ndikim apo zë, të cilat kanë tendencë që të reduktojnë edhe lojalitetin.

Tani një mundësi edhe më radikale është shfaqur. Kryeministri britanik, David Cameron, e ka rritur mundësinë për një “Brexit”, termi i përdorur në anglisht për daljen e mundshme të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Polemikat që i paraprinë dhe e përcollën fjalimin e fundit të Cameronit për Evropën treguan se si euroskeptikët britanikë ashtu edhe eurofilët e Evropës – përfshirë këtu edhe figurat ikononike si ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Delors – e përshëndesin iniciativën britanike.

A mund ta dridhë Evropën kërcënimi i daljes britanike dhe ta bëjë përpjekjen e Britanisë së Madhe për reformimin e institucioneve më të mundshëm për të korrur sukses, apo do ta bëjë Evropën një union më stabil?

Korniza e Hirschmanit, e cila na këshillon duke na ndihmuar të mendojmë për atë se si lojaliteti dhe përkushtimi mund të gjenerohen, sugjeron se nuk mundet.

Shtetet nuk e pëlqejnë të jenë të izoluara. Ato duan t’i shohin institucionet e tyre dhe vlerat të pasqyruara dhe të përsëritura te fqinjët – një dinamikë kjo që ndërton lojalitetin. Si një rezultat i kësaj, BE-ja po zgjerohet vazhdimisht, ndërsa SHBA-ja dëshiron ta bindë botën të demokratizohet.

Shtetet demokratike nuk janë të vetme në kërkesën për të zgjeruar ndikimin e tyre. Edhe Bashkimi Sovjetik ka dashur ta rrethojë veten me një rrethojë mbrojtëse të shteteve mendjenjëjta, e edhe Benito Mussolini i Italisë ishte krenar se në atë kohë fashizmi ishte një “mall” eksportues. 

Pranimi i mundësisë së daljes zmbraps procesin themelor të lojalitetit.

Një prej faktorëve që e nxisin ndjenjën e bezdisë të Britanisë në marrëdhëniet e saj me Evropën gjithnjë e më të burokratizuar është besimi se vlerat dhe institucionet e saj janë më afër atyre të SHBA-së, apo të ish-kolonive të tjera anglishtfolëse. Deri në vitet 90, euroskepticizmi britanik shpiku termin “Anglosfera” për ta përshkruar një model, i cili ishte shumë më i suksesshëm dhe më i zgjerueshëm se sa ai i BE-së.

SHBA-ja ka qenë “ajo gruaja tjetër” që e rrezikonte lojalitetin e Britanisë ndaj BE-së, si një partner joshës i përhershëm. Si rezultat i kësaj, Britania ka humbur një pjesë të mirë të aftësisë së saj për t’i dhënë kontribut efektiv reformës evropiane.

Në të vërtetë, hera e fundit kur Britania kishte një zë të fuqishëm evropian ishte para më shumë se dy dekadash.

Në mes të viteve 80, kryeministrja e atëhershme, Margaret Thatcher, i priu me sukses idesë së një tregu të integruar të brendshëm. Liberalizimi i tregut dhe investimit i nënkuptuar nga Akti i Vetëm Evropian ishte inspiruar me të madhe nga vizioni derregullues i Britanisë. Në atë kohë, Delors prezantoi valutën unike si një mënyrë për të plotësuar apo kompletuar tregun unik.

Që atëherë, megjithatë, si modeli financiar amerikan (me institucione të fuqishme financiare që lulëzuan në tregjet e rregulluara) ashtu edhe modeli amerikan për angazhim (në Irak dhe Afganistan) për ca kohë dukeshin më dinamike dhe më në përputhje me kërkesat e një bote të globalizuar.

Të dy elementet e ëndrrës amerikane tani kanë humbur diçka nga thirrja e tyre. Angazhimi në Irak u dëshmua të ishte bazuar mbi një mashtrim. Shtëpia financiare prej letrash u rrëzua. Mirëpo Britania mbeti e joshur nga diçka tjetër dhe kështu, edhe e pavullnetshme për t’u angazhuar në “zë”.

SHBA-ja është e tmerruar nga pasojat e flirtimit të Britanisë. Ajo dëshiron të mbetet e angazhuar në të gjithë botën, jo vetëm me disa ishuj jashtë brigjeve detare evropiane. Është më e lehtë për SHBA-në që të merret me Evropën si tërësi, veçanërisht kur disa evropianë u përgjigjen dilemave të përbashkëta sociale sikur mund të ofrojnë zgjidhje edhe për Amerikën po ashtu.

Rezultati i ngjan një komedie të Shakespeares mbi identitetin e hutuar. Evropa dhe Britania janë të martuara, mirëpo Britania dëshiron që të thellojë marrëdhënien e saj me Amerikën, derisa Amerikës i bën më shumë për Evropën.

Mekanizmat e rritjes së lojalitetit nuk vendosen lehtë. Ato më të mirat janë pozitive, si rritja e shpejtë ekonomike dhe prosperiteti në rritje, të cilat mbështetën ëndrrën evropiane në të kaluarën. Ringjallja e tyre nuk duket të jetë e mundur, të paktën tani për tani.

Mund të ketë po ashtu edhe shtytje negative për lojalitet, të cilat i nxisin të gjithë që të ruajnë standardet e duhura të sjelljes. Rreziku tani është se komedia e dashurisë së gabuar zgjidhet me ndëshkimin si të tunduesit ashtu edhe të të tunduarit.

Cili është ekuivalenti modern i etiketimit me “A”, shenjë kjo ndëshkimi për tradhtinë bashkëshortore në Anglinë e Re koloniale? Ndoshta agjencitë e rejtingut kreditor e kanë përgjigjen.



(Harold James është profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Princeton, si dhe profesor i historisë në Institutit Universitar Evropian në Firence. Duke qenë një specialist në historinë ekonomike të Gjermanisë dhe globalizimin, ai është autor i librit “Krijimi dhe shkatërrimi i vlerës: Qarku i globalizimit, Krupp: Një histori e kompanisë legjendare gjermane dhe krijimi i unionit monetar evropian”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).



 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 28°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 28°CI kthjellėt
Shkup 29°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell