Paradoksi i dy mesazheve negative të fushatës elektorale të Berishës
Mesazhet që jepen gjatë një fushate elektorale mund të jenë disa pozitive e disa negative. Mesazhet pozitive përcjellin vizionin/propozimet e kandidatit për të ardhmen dhe synojnë që tu mbushin mendjen votuesve të prirur drejt tij që tia japin votën ditën e zgjedhjeve. Ndërsa mesazhet negative japin arsyet përse votuesit e prirur drejt kundërshtarit nuk duhet të votojnë për të.
Për shembull, në fushatën e Obamës në vitin 2008, mbizotëronin dukshëm mesazhet pozitive (të shpërndara nëpërmjet mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale), të cilat synonin rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje të votuesve të prirur drejt tij. Dhe Obama mori atëherë 10 milionë vota më shumë se çkishte marrë katër vjet më parë kandidati i majtë paraardhës, ndërkohë që kundërshtari i tij i djathtë McCain mbeti pothuaj në nivelin e votave që kishte marrë Bushi (pavarësisht fiaskos ekonomike që la pas ky i fundit).Ndërsa në vitin 2012, fushata e Obamës u përqendrua më shumë në mesazhe negative, që jepnin arsyet përse votuesit që mund të prireshin drejt Romneyt të mos votonin për të. Në përfundim të zgjedhjeve, Romney nuk arriti të merrte më shumë vota se çkishte marrë paraardhësi i tij i djathtë, pavarësisht se Obama ishte në pozitë të vështirë (ngaqë nuk kishte realizuar shumë nga premtimet e bëra në 2008-ën). Ndërsa vetë Obama mori 4 milionë vota më pak se çkishte marrë katër vjet më parë.
Le të vijmë tani në Shqipëri. Në fushatën tonë elektorale, e cila ka kohë që ka filluar jozyrtarisht, vërehen dy mesazhe negative të Berishës, të cilat, paradoksalisht, nuk shënjestrojnë votuesit e prirur drejt Edi Ramës.
Ka muaj që ai sulmon pa pushim tatimin progresiv të propozuar nga PS-ja, duke e quajtur atë tatimin e Spiro Kolekës, dajës së Edi Ramës. Votuesit e prirur drejt Ramës nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë sqaruar me dhjetëra herë se tatimi progresiv nuk ka lidhje me Kolekën, por me Obamën, Merkelin, Cameronin, etj, etj, dhe se Koleka nuk ka qenë daja i Ramës. Së dyti, votuesit e prirur drejt Ramës janë tradicionalisht të majtë dhe e pëlqejnë parimin kush fiton më pak, të paguajë më pak, i cili është në themel të tatimit progresiv.
Po përse atëherë Berisha nuk e ndërpret avazin e tatimit të Kolekës?
Duke ditur se një pjesë e votuesve të PD-së janë tradicionalisht të djathtë dhe duke ndjerë se disa prej tyre mund të jenë zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe nga korrupsioni në kupolën e PD-së, Berisha synon tu trazojë emocionet e tyre të vjetra antikomuniste. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e Kolekëve të urryer.
Kuptohet që edhe eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë mjek personal i Hysni Kapos dhe mik personal i birit të Enver Hoxhës. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Një sulm tjetër pothuaj i përditshëm i Berishës ndaj Ramës dhe PS-së është ai rreth mosmarrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Ashtu siç e izoluan Shqipërinë nga Europa baballarët e Bllokut, neobllokmenët e rinj duan të bllokojnë integrimin e saj në BE, duke mos votuar ligjet me 3/5, thotë pa pushim Berisha dhe lejtnantët e tij.
Votuesit e prirur drejt PS-së nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë sqaruar me dhjetëra herë se integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik hartimi ligjesh, por proces zbatimi të tyre. Së dyti, votuesit e prirur drejt PS-së e dinë që Berisha mund të jetë njeriu më i painteresuar për integrimin europian, sepse kanë dëgjuar për disa kryeministra ballkanas që kanë përfunduar në burg pas ose në prag të anëtarësimit në BE.
Si në rastin e tatimit të Kolekës, Berisha, edhe me këtë sulm, synon të trazojë emocionet e votuesve të djathtë tradicionalë. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e Bllokut të urryer.
Edhe ndaj këtij sulmi, eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë komunist që në kohën e Traktatit të Varshavës, apo që ka qenë mjek i Bllokut. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Me afrimin e zgjedhjeve, në qoftë se Berisha nuk pushon së përsërituri si papagall dy sulmet e mësipërme, mendja ta do se do të shtohen edhe kundërpërgjigjet nga kampi kundërshtar dy duar për një kokë janë, thotë populli. Si rrjedhim, populli mund të dëgjojë më shumë për të shkuarën e largët se sa për të ardhmen e afërt. Sepse kronikat televizive dhe titujt e gazetave shqiptare kanë prirjen të fokusohen më shumë tek sulmet dhe kundërsulmet personale se sa tek duelet programore









Luli27.01.2013/02:19
sali berisha nuk duhet te zgjedhe ma kurr se e ka hasmue popullin ndermjet tyre dhe tani jane rrite ... sjet plagosjet vjedhjet e qka eshte ma keq.Me fjale tjera ky njeri nuk ka kulture por vetem shane te tjeret.Ky njeri nuk ka kurfar programi per qeverisje te shtetit por vetem e shtyn vendin ne borgj.Ky nuk duhet te votohet as nga partija e tij se nuk e meriton.