Viti i ri i vjetër
Richard N. Haass
Një tjetër shtet duhet të shtohet në listën e paparashikueshmërive: Shtetet e Bashkuara. Këtu çështja është nëse sistemi politik amerikan mund tia dalë me sfidat me të cilat po përballet, shumë prej të cilave janë ashpërsuar. SHBA-ja mbetet fuqia më e madhe ekonomike dhe politike në botë, por dilemat për ofrim të zgjidhjeve kanë vënë në dyshim aftësinë e saj për të vepruar dhe prirë në botë
New York - Çdo shikim prapa në 2012-n detyrimisht do të përqendrohej në tri pjesë të botës: eurozonë, e cila, po shihet qartë se po përballet me paqartësi të pafundme financiare; Lindje të Mesme, të zhytur në kryengritjet e veta, përfshirë marrjen e pushtetit pothuajse të pakufizuar të Vëllazërisë Myslimane në Egjipt dhe luftën e përshkallëzuar në Siri, që tashmë ka marrë jetët e më shumë se gjashtëdhjetë mijë personave; dhe rajoni i Azisë së Paqësorit, që përballet me rritje të nacionalizmit dhe tensioneve politike pas dekadave të kaluara pothuajse ekskluzivisht të jashtëzakonshme me rritje të madhe ekonomike në kohën kur kishte një qetësi relative politike.
Atëherë cilat çështje do ta dominojnë 2013-n?Asnjëra në veçanti, apo sikur e kanë shprehi të thonë francezët, plus ça change, plus cest la même chose. Si rrjedhojë, ne pa fije dyshimi mund të parashikojmë një vazhdim të vështirësive përgjatë gjithë Evropës, derisa shtetet në jug në veçanti po luftojnë të reduktojnë shpenzimet publike me qëllim që politikat e tyre fiskale ti ndërlidhin me kapacitetin e tyre aktual ekonomik.
Çka mund të jetë ndryshe në këtë vit është se Franca, e jo Greqia apo Spanja, shumë lehtë të jetë në qendër të stuhisë. Kjo do të ngrinte dilema fondamentale, madje ekzistenciale për Gjermaninë, gjysma tjetër e tandemit që ka qenë në zemër të projektit evropian qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Mundësia që Evropa si një tërësi do të përjetojë pak, për të mos thënë fare, rritje ekonomike, vetëm se do ti vështirësojë gjërat për zyrtarët në qeveri, banka dhe institucione rajonale.
Njëjtë, Lindja e Mesme mbetet në fazën fillestare të një transicioni revolucionar. Në këtë vit presidenti egjiptian, Mohamed Morsi, do të jetë në krye të pushtetit, por nuk është e qartë nëse ai do ta përdorë atë pushtet - dhe si do të duket Egjipti politikisht dhe ekonomikisht si rezultat i qeverisjes së tij. Mosmarrëveshjet e fundit për një draftkushtetutë të kohëve të fundit shfaqin një shoqëri të përçarë dhe një qeveri që duket se barazon (dhe e bën me konfuzion) sundimin e shumicës me demokracinë.
Përkundrazi, regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, me gjasë do të rrëzohet para fundit të këtij viti. Por sikur e kemi parë edhe në vende të tjera në rajon, do të jetë e zorshme të vihet rend dhe gjërat të marrin drejtimin e duhur. Mund të dominojë lufta sektare, ose mund të shpërthejnë luftimet ndërmjet grupeve të ndryshme anti-Assad. Ka gjithashtu një mundësi të njëmendtë të kryengritjeve të mëdha në Bahrejn dhe Jordani.
Në fund, droja në rajonin e Azisë së Paqësorit nuk e ka ndërmend të largohet; në fakt ka shumë mundësi që të intensifikohet. Mundësia e një incidenti ushtarak, përfshirë Kinën dhe ndonjë prej fqinjëve të saj - qoftë Japonia, Filipinet, ose Vietnami - nuk mund të injorohet, dhe mbetet të shihet nëse kapacitetet diplomatike të rajonit do të jenë të afta ti zbrazin këto ngarkesa. Lidershipi i ri në shumë shtete të rajonit, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korenë Jugore, e bën të ardhmen edhe më të paqartë.
Çka mund të pritet tjetër në 2013-n? Një mundësi dëshpëruese është se përpjekjet globale për të aranzhuar korniza të reja për promovim të tregtisë, ngadalësuar ndryshimin klimatik ose për ta rregulluar hapësirën kibernetike, me gjasë do të shkojnë huq. Multilateralizimi në shkallë të gjerë, ku shumica e 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të negociojnë për të pasur marrëveshje, ka ardhur në një moment pengese. E ajo që më së shumti mund të shpresojmë është arritje e marrëveshjeve ndërmjet shteteve të zgjedhura dhe nënshkrim të pakteve për të zgjidhur vetëm pjesë të problemeve.
Sfida më e madhe për botën mund të jetë ajo se çka do të bëhet me programin bërthamor të Iranit. Teherani zyrtar tashmë ka shumicën e materialit të duhur për të prodhuar armë bërthamore. Në të njëjtën kohë kanë nisur të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonominë iraniane sanksionet e vëna prej disa shteteve.
Ka shenja të një debati në rritje brenda vendit nëse duhet të shkohet përpara me armët bërthamore - dhe kështu të rrezikohet i tërë rendi ekonomik i vendit, por edhe ai ushtarak - apo të pranohet një kompromis diplomatik. Një pakt i tillë do tu vinte kufij aktiviteteve bërthamore të Iranit, dhe kështu do ta hapte mundësinë për më shumë mbikëqyrje ndërkombëtare me leje të Iranit.
Çështja kryesore këtë vit me gjasë do të jetë nëse do të mund të negociohet një marrëveshje që do të ishte e mjaftueshme për Iranin, por jo e tepruar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin dhe të tjerët. Çka është e sigurt, sidoqoftë është se 2013-ta do të përcaktohet në një mënyrë fondamentale pavarësisht se a do të ndodhë sulmi ushtarak kundër Iranit, apo nëse do të shmanget.
Një tjetër shtet duhet të shtohet në listën e paparashikueshmërive: Shtetet e Bashkuara. Këtu çështja është nëse sistemi politik amerikan mund tia dalë me sfidat me të cilat po përballet, shumë prej të cilave janë ashpërsuar. SHBA-ja mbetet fuqia më e madhe ekonomike dhe politike në botë, por dilemat për ofrim të zgjidhjeve kanë vënë në dyshim aftësinë e saj për të vepruar dhe prirë në botë. Ngjarjet e fundit në Washington kanë vënë në dyshim këtë garanci. Zhvillimet botërore jo vetëm në këtë vit, por edhe në dekadën e ardhshme dhe përtej saj, do të varen sesa SHBA-ja mund ti menaxhojë më mirë sfidat dhe ndarjet e brendshme.
(Autori, president i Këshillit për Politikë të Jashtme që nga viti 2003, më parë kishte shërbyer si drejtor i planifikimit politik për Departamentin amerikan të Shtetit(2001-2003), dhe ishte i dërguar special i ish-presidentit George W. Bush në Irlandën Veriore dhe Pakistan, para se të jepte dorëheqjen nga administrata e Bushit për shkak të luftës së Irakut. Ai gjithashtu ka qenë asistent special i presidentit dhe drejtor për çështje të Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në presidencën e George W. Bushit.
Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, Project Syndicate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore.)







