AKSH - ushtri private ose ilegalja e re maoiste-virtuale
Halil MatoshiArtikujt tjerė
- Hysteria vazhdon
- Hysteria: Mirë se erdhët në orën e biologjisë!
- Vitet e sfidës së madhe: Të kalohet Rubikoni
- Deutschland Uber Alles!
- Tentim dhunimi në Kuvendin e Kosovës!
- Kompromis mbi kompromisin
- Mitrovica kundër qytetarit Spahiu
- Urime Hashim!
- Kryeministri po i armiqëson kosovarët me Perëndimin
- Tregtarë flamujsh, kontrabandistë pasaportash...
Në secilën periudhë të historisë më të re gjenden shqiptarë idealistë që e kanë shkrirë jetën e tyre për lirinë e atdheut, që mësyjnë në luftë pa iu trembur qerpiku, madje si në dasmë! Por a duhet të na gëzojë kjo nëse rezultat është humbja në rrafshin ushtarak dhe diplomatik? Kosova ka aq shumë legjendarë e kaçakë e aq pak patriotë ligjorë dhe liderë vizionarë që e bëjnë luftën duke shënuar avantazhe në tryezën e negociimit karshi armikut dhe duke hetuar, gjetur e rigjetur interesat e vendit të tyre në korpusin e interesave të aleatëve, qofshin ata të rrafshit global apo rajonal
Për dallim nga kaçakët mes dy luftërave botërore dhe nga luftëtarët nacionalistë shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, trupat që e quajnë veten Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) shfaqen në rrethana krejtësisht të tjera, historike, politike dhe teknologjike.
Këta burra shfaqen pa asnjë shkas real, pos një mijë arsyeve virtuale, financiare dhe psikologjike. Shfaqja e tyre është absurditet politik pas një lufte të fituar në aleancë me Perëndimin (Kosova) dhe pas dy rebelimeve të intensitetit më të ulët, për liri e drejtësi (në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës) duken krejtësisht grotesk dhe po të mos kishte sherr dhe rrezik të lartë për interesat e Kosovës, në këtë mesele, do të mund të thuhej se janë vetëm hajgarexhinj!?
Një ushtri virtuale ka qarkulluar në internet që nga paslufta në Kosovë. Por ndikimi i saj ka qenë modest në UÇK në Maqedoni dhe në UÇMPB në Luginë të Preshevës, të dyja këto formacione politike-ushtarake kanë ditur në masë të mirë ti hartojnë dhe lokalizojnë objektivat e tyre në terrenin operacional dhe diplomatik. Kurse ushtria e re operon me hartat e vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Otomane.
Ndoshta edhe pa faj, sepse përditë i dëgjojnë palaço-historianët dhe palo-burrat e analizës politike dhe gjeostrategjike, e së fundi sikur morën leje nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, që vajtonin ato vilajete me pretendimin për ti rikthyer.
Ndoshta më 1912 ky pretendim edhe ishte legjitim.
Pa dashur tia cenoj askujt krenarinë e ndërtuar nëpër betejat e viteve 1998-99, e më pastaj në dy rebelimet e viteve 2000, apo mbi postulate psiko-sociale dhe mite, dhe pa më të voglin qëllim për tia lënduar ndjenjat patriotike asnjë qytetari të Kosovës, si dhe pa ia mohuar asnjë shqiptari vullnetin për të bërë vepra të mëdha dhe heroizma në interes të lirisë dhe atdheut, këto trupa virtuale-mediatike, që shfaqen në publik sipas modelit të kërcënimit të paqes rajonale, thjeshtë dhe fort, i kanë cenuar themelet e lirisë dhe të sigurisë në shtetin e ri kosovar dhe para së gjithash kanë shkaktuar shqetësime të panevojshme tek qytetarët kosovarë.
Po si do të veprojë nesër shteti kosovar nëse tipa të maskuar si këta burrat që kërcëllinë armët në Vushtrri dalin për të mbledhur haraç nëpër popull e biznese në emër të një armate fantome kombëtare e cila do ti bashkojë trojet etnike shqiptare?
Për një Shqipëri të madhe!?
Për cilën? Atë gjeopolitike, reale apo atë qiellore - virtuale, mitike dhe mentale.
Një Shqipëri e kujtesës...
Jashtë kontekstit të politikës rajonale amerikane dhe evropiane, jashtë aleancave dhe rreshtimeve, si dhe angazhimeve të Perëndimit në rajonin tonë, nuk do të ketë kurrfarë Shqipërie të madhe, dhe kurrfarë shtetesh të tjera të mëdha;
Sepse kjo lloj lufte e mësymjeve shtetomëdha është ndalur dhe ndëshkuar njëherë në Evropën hitleriane dhe përsëdyti në Ballkanin e diktuar nga Milosheviqi, pra këto mësymje janë shkatërruar nga F-117-shat e ShBA-së së bashku me aleatët evropianë, fillimisht në Bosnjë e më vonë në Kosovë gjatë viteve 90.
Koston e hartave të tilla gjeopolitike nuk është në gjendje ta paguajë askush sot në kushtet e globalizimit të tregut dhe politikës, ndërsa hartat e tilla mentale vetëm sa shkaktojnë kaos të brendshëm, cenojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë brenda Kosovës, pra e bëjnë fragjile sigurinë e saj, të përgjithshme, duke qenë se siguria e brendshme gjithnjë reflekton në atë të jashtme.
Këta burra goxha barkaçokë, me tesha të kombinuara kamuflazhi ushtarak dhe me kombinezone si të ish-kombinatit ndërtimor industrial Ramiz Sadiku e me kollanë nmes, me nga një allti dasmash nshokë, e shfaqin imazhin arkaik të bajraktarëve shqiptarë, si konstantë e pandryshueshme e cubave dhe kaçakëve që nga vakti i turkut e pastaj Serbisë...
Në kohën kur ky vend ka një Kushtetutë në fuqi, ka ligjet dhe sistem politik demokratik (Republikë Parlamentare), pra edhe mekanizma kushtetues të sigurisë dhe të mbrojtjes, shfaqje të tilla shpalosin kontekstin e mosfunksionimit të shtetit ose të paralizimit të segmenteve të sigurisë në Kosovë. Këto pamje që erdhën përmes mediave nga Vushtrria, siç u tha, nuk janë marrë në një shtet afrikan si Mali i trazuar dhe këta nuk janë rebelët islamikë që po duan ta marrin shtetin nën kontroll.
Këto pamje vijnë nga odat ose kafehanet e Kosovës, vend pretendent për tiu bashkuar bllokut të vendeve evropiane (BE-së) dhe në këtë kontekst, këta burra, qofshin edhe idealistë të pastër si loti, ose po duan të bëjnë hajgare me shtetin, ose e bëjnë nga padija, pa i njohur dhe respektuar interesat jetike të Kosovës dhe tërë hapësirës që e kontrollojnë shqiptarët në rajon.
Se për rebelim nuk kanë biçim.
Kosova nuk ka nevojë për Hezbollah, sepse është nën ombrellën e NATO-s, madje me trupat e saj në kufi.
Dhe nëse dikujt i shkon mendja se kështu balancohet frika (duke e trembur Serbinë) edhe në këtë aspekt e ka keq. Tashmë shoqëritë e Evropës Juglindore kanë hyrë në fazën e modernizimit dhe evropianizimit, ku vlen parimi i balancimit të dinjitetit e jo frikës dhe në këtë periudhë Kosovës i duhen liderë të pakorruptuar, të guximshëm por të arsyeshëm. Që analizojnë në mënyrë racionale trendët rajonalë dhe gjithevropianë dhe në ato përvijime të politikave, qoftë të shteteve veç e veç, qoftë të organizmave mbinacionalë si BE-ja, NATO etj., i gjejnë dhe klasifikojnë interesat imediate kombëtare duke ruajtur aleancat e arritura dhe duke bërë për vete aleatë të rinj, përmes politikave aktive, në kushte paqësore, duke reflektuar sa më shumë siguri, pra edhe duke prodhuar siguri e jo në njërën anë vetëm duke konsumuar siguri (KFOR) e në anën tjetër duke e cenuar atë.
Gabim fatal. Nëse dikush hala mendon se prapa diplomacisë së fuqishme (negociatat me Serbinë janë në rrjedhë) duhet të qëndrojë një forcë, atëherë dakord, kjo forcë është Kosova shtet demokratik, me stabilitet të brendshëm, paqësor dhe bashkëpunues në të gjitha nismat rajonale dhe më gjerë. Kjo forcë qëndron në respektimin e ligjeve dhe të Kushtetutës, në etikën e pushtetit, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarëve, në përmbushjen e standardeve themelore të NATO-s për ta avancuar FSK-në në ushtri kosovare, brenda vitit 2013, dhe marrjen e detyrave mbrojtëse, si dhe në depolitizimin, profesionalizimin dhe pajisjen me teknologji të lartë të efektivave të Policisë së Kosovës dhe mbi të gjitha në mospërdorimin e policisë së shtetit për nevoja partiake, zgjedhore dhe për ndjekjen e oponentëve politikë.
Hartat mentale të luftënxitësve ballkanikë janë gjithmonë të mëdha, mësyjnë që të lyejnë me ngjyrat etnike sa më shumë tokë, territore dhe mundësisht pa njerëz që perceptohen si të tjerë, që nuk përkasin në ne, pra këto harta mentale të fiksuara edhe në mendësinë shqiptare dëshmojnë se hartuesit e tyre më së paku mendojnë për humanitetin, për njerëzit e thjeshtë, të cilët mezi mbijetojnë nga fukarallëku, e lëre më të ndërtojnë jetët e tyre në mirëqenie.
Harta të tilla i kanë themelet në nacionalizmin si streha e fundit e horrave, në mendësinë kolektive, si harta shpirtërore, në mite e legjenda, por të përpunuara nga ideologjia marksiste leniniste, që gërshetohet me revolucionin permanent të Law Trckyt, përkatësisht nga maoizmi. Ato harta mentale gjithnjë joshin turmat, sepse individë të paarsimuar dhe të pashpresë rëndom shkrihen në turmë, në të vetmen kështjellë ku ndihen të sigurt dhe të dobishëm.
Por liderët e emancipuar politikë dhe ushtarakë modernë nuk guxojnë të gjykojnë kurrë e aq më pak të veprojnë me zemërimin e turmave.
Është simptomatike mendësia shqiptare e paspavarësimit të Kosovës, e cila në kushte të lirisë po rrëshqet pikërisht në terrenin e nacionalizmit, ku të fituarit shfaqen të viktimizuar, e humbësit janë ata që gjithmonë kërcënojnë!?
Së këndejmi, Enver Hoxha si maoist e kombinonte vijën terroriste të Partisë Komuniste me nacionalizmin. Fatkeqësisht shumë shqiptarë ende bien nën kurthin e këtyre teorive, jo pse i kanë studiuar dhe i njohin, porse i bartin të ngulitura nga elitat politike dhe kulturore të proviniencës enveriste, nga interpretimet ideologjike të historisë. Dhe disa shqiptarë folklorikë ende mendojnë se sa herë del dushku u dashka një ushtri e re, një luftë e re dhe në emër të këtij rrengu ata janë në gjendje të vrasin.
Vrasja është shndërruar në folklor!
Po çka po ndodh në prapaskenë?
Tashmë po pranohet edhe nga Prishtina zyrtare se negociatat tashmë janë politike.
Dhe në negociata palët fillimisht marrin pozicione të forta, me platforma e rezoluta ose vija të kuqe, edhe kjo dihet.
Mirëpo në thelb, që të dyja palët do të lëshojnë pe. Që të dyja palët do ta pranojnë realitetin, Serbia Kosovën e pavarur, kurse Kosova parimet e Pakos Ahtisaari, të cilat, jo që kanë mbetur të paqarta për serbët kosovarë, por duket se nuk i kanë zbërthyer as vetë politikëbërësit shqiptarë.
Serbia madje me gjysmë zëri edhe me rezolutën e miratuar u çoi selam serbëve kosovarë se po ua ndal grazhdin, porse paradoksalisht mban qëndrimin se nuk e njeh shtetin kosovar e në anën tjetër kërkon autonomi për serbët!?
Autonomi në autonomi!
Kjo mendësi sovjetike-serbe nuk ka përkthim në anglisht!
Siç nuk ka mundur kurrë të përkthehet solucioni kombet dhe kombësitë!
Por në anglisht mund të përkthehet Kushtetuta e Kosovës, që parasheh një pushtet autonom lokal nën juridiksionin e Prishtinës (njëlloj autonomie politike - financiare të komunave serbe në veri), pra zgjidhje joterritoriale. Kompromisi i dhimbshëm i Prishtinës zyrtare, që aq dendur dhe pa arsye po përmendet tani, ka ndodhur që në negociatat e Vjenës 2006. Në këtë raund bisedimesh Prishtina ska më çtë japë dhe as që do ti kërkohet nga Brukseli filantropi politike.
Beogradi është ai që do të japë: shpërbërje të strukturave ilegale administrative dhe të sigurisë në veriun e Kosovës.
Ata po na bëjnë presion nëpërmjet Bashkimit Evropian, ndërsa ne nuk i lëmë në Kombet e Bashkuara. E çfarë, a duhet kështu të shtyhemi me vite? ka thënë kryeministri serb Daçiq, duke bërë me dije se për karrige në OKB Prishtina duhet të japë diçka!?
Daçiq e di se Prishtina e ka dhënë tashmë atë diçka, por lufta e tij është që ajo diçka të jetësohet. Ajo diçka tashmë dihet: mbrojtja e veçantive etnike, historike dhe fetare e serbëve të Kosovës dhe kjo mbrojtje është legjitime përderisa të mos dominojë koncepti i deetnizimit të shtetit kosovar dhe arritja e një cilësie të re të kombit-shtet, (njësi e rritur) sipas modelit të shtetit qytetar dhe jo kombit etnik.
Kryeministri serb Daçiq e pranoi botërisht dhe para deputetëve të Skupshtinës serbe se duhet pranuar realiteti lidhur me Kosovën, sepse sovraniteti i Serbisë në Kosovë të thuash nuk ekziston. Ai më në fund, i trandur nga ethet nacional-shoviniste, tha se mitet dhe përrallat nuk duhet që të jenë themel për negociata.
E në Kosovë, kur dalin në televizor burra me maska dhe harta përpara, që për jetësimin e tyre duhet shkatërruar pesë shtete ballkanike të bëra ose të sponsorizuara nga Perëndimi, folklori shpërthen, jep emocione të forta, kryesisht tek shtresat më të paarsimuara të popullsisë. Ata kallëzojnë përralla në TV, e askush nuk i interpreton ato. Prokuroria dhe organet e ndjekjes heshtin me krye në zall para rikuperimit mediatik të një organizate të shpallur terroriste nga administrata e George W.Bush dhe e pasuar nga Barack Obama. Politika sguxon, sepse humbet ndikim ose tek njerëzit me ndikim të korpusit nacionalist ose tek turmat që politikës i qasen me emotivitet e jo me racionalitet.
Është për të qarë se shqiptarët ende në dekadën e dytë të shekullit 21 kanë sentiment për kaçakët, e këta kaçakët modernë bëjnë kërdi në internet.
E pastaj turma e hipnotizuar nga kleronacionalistët bëhet e rrezikshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.
Po lërini përrallat, sepse arusha nuk tutet me tupan!
Po kush duhet ta thoshte këtë në Prishtinë?
Kryeministri!?
Ai ska guxim prej burrështeti!


Kastrati23.01.2013/20:52
Halil Matoshi,ideologjite tua liberale kurre nuk me kane pelqyer edhe pse te respektoj per shume shkrime tuajat,dhe jeni i sakte ne analiza preveq kesaj teme qe e keni paraqitur ketu.Pikerisht eshte titulli i temes ai qe nuk pershtatet sepse nje organizate religjioze neoislamiste e te financuar nga qarqe te huaja si serbia,turqia,shoqata humanitare saudite ta quash ilegalja maoiste eshte e papranueshme.Keta rrugaqet AKSHnuk jane tjeter veqse ..... te aganit,krasniqeve,ramiqit e disa tjereve qe deshirojne Shqiperi ta Madhe ku do te sundohej nga sheriati islamik e asgje me teper.

Ilyric22.01.2013/16:52
Avash Avash o vllezer kujdes se qka ka shkruar asgje nuk ka shkruar diqka t re perpos asaj qe lufton k njeri me gjith Shpirt qe nuk jemi Shqiptar por Kosovar me 5 gjuh ne Parlament me nga dy Gjuh ne gjdo tabel ne Autostrad apo ne rrug Nacionale po ashtu ne komuna apo gjetiu, mos e ngritni ore vllezer ket Zoteri qe don me gjith shpirt te formoj nje Komb Kosovar qe kurr nuk ka Egzistuar.

Safeti18.01.2013/11:17
Arusha nuk tutet me Tupan po mi kujton fjalet e disa shokeve te tu kur thoshin se na ban shkrum e hi per dy ore,nuk luftohen me nje kallash kundra nje tanku etj etj
Është e vertet se na bani shkrumb e hi por ne nje menyr apo tjetren Arushen e larguam nga Kosova ,pra gjysma e punes ka mbaruar nese beson ne at qe do me bë e Ti i nderuar Halil me shum shok te cilet gjither i shihni gjerat me negativizem ju kurr nuk mund te realizoni gje
Pershendetje

zemra18.01.2013/11:01
heuuuu te lumte ajo dore e te lumte ajo pende

Driton Bakija Gjakove 18.01.2013/10:22
Shkrim i mire nga halil Matoshi.analize shume e mire dhe thelle qe duhet cmuare.Te lumte ,Halil Matoshi.Respekete.

Lis18.01.2013/10:13
Falemnderit Ztr. Matoshi Falemnderit shume per shpresen qe jepni, per qartesine qe tregoni, per ç'jerrjen e maskave qe beni, per kontributin e Juaj qe demonstroni dhe dashurine qe reflektoni!
Duke jetuar me rreshtat shkrimet e Juaja uroj qe penda e juaj te jehoj edhe me............
Rrespekt!

Xhevat Berisha18.01.2013/08:47
Heu t'lumshin duart Halil Matoshi,se ska kush që ni fjal ta qet posht.
Po t'na perfaqsonin në Bruksel njerz siq ësht Halil Matoshi, atëher epilogu i bisedimeve do dukej kështu siq thot Zoti Matoshi. Por njerzit e korroptuar edhe qendrimet i kan laike, dhe ne me arsye jem kah frigohemi.

besi17.01.2013/22:26
ZOTERI MATOSHISHKRIMET NE JUAJA THUAJA SE TE GJITHA I KAM LEXUAR DHE ME TE VERTETE ASNJI SHKRIM I JUAJI NUK KA PASUR VEREJTJE SEPSE KENI QENE SHUM I SAKTE ,NE QET ARTIKULL NUK PO MUNDEM VETEM ME DIQKA TE PAJTOHEM KUR KE THENE QE KOSOVA I KA INSTUTUCIONET E VETA LEGJITIME ,sigurin ushtrin etj, A KISHE MUNDUR PER HATER TE RRESPEKTIT QE KAM NDAJ JUSH TE ME PERGJIGJESH NE NJE PYETJE ? KU JAN ATO INSTUTUCIONE ,KU ESHTE POLICIA , ushtria , NATO QE NE NJI PJESE TE KOSOVES DIKUSH DEL I ARMATOSUR DERI NE FYT BLLOKON RRUG RRAHIN SHQIPETAR, DJEGIN SHTEPI, MBYSIN NJASHTU A TA MERR MENDJA ZOTERI MATOSHI QE KY POPULL ESHTE I PROKUOUAR PER KETO NGJARJE DHE NGA MOS DURIMI DHE NEGLIZHENCA E PERGJEGJESVE TE SIGURISE DUHET PRA TE MOBILIZOHET VET POPULLI DHE TE BEJE DIQKA, DHE ZOTERI MATOSHI NESE VAZHDON KJO SITUAT QFARE ESHTE DUKE U INJORUAR KOSOVA APO DUKE LENE ANASH NE TE GJITHA ASPEKTET APO THENE ME KONKRETISHT E LENE PAS DORE NGA EUROPA DO TE SHFAQEN LLOJLLOJ USHTRI, MUGJAHEDINE POR EDHE SEKTE ETJ.

taqo skali17.01.2013/21:52
Bravo Matosh gjithmone i sakte .....analize e perkryer.......po kujt ja thua se ....a te kupton njeri mor bure i dheut......te adhuroj dhe te respektoj per shkrimin....respekt









murati26.01.2013/17:17
Duhej çmuar ajo qe AKSHja nuk ka vend dhe as arsy ne ket kohë të ekzistoi.Krejt atë qe mund te bej AKSHja, nuk shfrytzohej per interes te ShqiptarvKosovës.Kosova ka Organet e saja ato qe janë ,Keto Organe kanë marrë pergjegjesi për të mos pasë arsy për asnje formacion tjeter.Populli i peshon gjerat,dhe vlerso ato.