Pse Beogradi kërkon autonomi të serbëve në krahinën e Kosovës?
Augustin PalokajArtikujt tjerė
- Pamundësitë, kriter i zgjidhjeve në dialog
- BE-ja dhe rivaliteti serbo-kroat
- Papa Frana që do ta njohë Kosovën
- A na duhen çipa kundër korrupsionit dhe vjedhjes
- Për Kosovën nuk mjafton vetëm bashkëpunimi rajonal
- Turqia është e vetmja urë mes Lindjes dhe Perëndimit
- BE-ja vërtet nuk është fer ndaj kosovarëve rreth liberalizimit
- Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës
- Pse BE-ja inkuadron edhe Nikoliqin në dialog me Kosovën
- Hashim Thaçi zgjohet në krahun e djathtë!
Nga Kosova mund dhe duhet të injorohet platforma e Serbisë. Por Kosova nuk mund ta injorojë injorimin që kësaj platforme ia bën BE-ja. Nuk është problem kur Serbia kërkon zgjidhjen e statusit të Kosovës duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, por problem është se edhe BE-ja i ka premtuar Serbisë se nga ajo në dialog nuk do të kërkohet të heqë dorë nga Kushtetuta e saj
Në fillim të vitit 1999, vetëm disa javë para se të nisnin bombardimet e NATO-s për ta çliruar Kosovën, në Kështjellën mesjetare franceze Rambouillet afër Parisit zhvilloheshin bisedimet për të gjetur një zgjidhje paqësore për Kosovën. Për sa kanë zgjatur këto bisedime, palët nuk janë takuar fare mes vete, sepse Serbia asnjëherë nuk i kishte kuptuar seriozisht ato. Në atë kohë jashtë mureve të Kështjellës një politikan serb nga Kosova, Momqilo Trajkoviq, u thoshte gazetarëve se në rast se Kosova fiton ndonjë autonomi tepër të madhe, atëherë do të kërkojmë që serbët në veri të Kosovës të kenë autonomi në atë autonomi. Se Kosova mund të jetë e pavarur as që guxonte të mendonte në atë kohë ndonjë politikan serb, por në atë rast, në vend të autonomisë në autonomi përmendej ndarja e plotë e Kosovës.
Duhet përmendur këtë vit për të rikujtuar se ndarja e Kosovës ka qenë gjithmonë variant rezervë maksimalisht i Serbisë në rast se, sipas mendimit të tyre, Serbia do ta humbiste Kosovën. Prej atëherë në vazhdimësi është punuar për të krijuar një realitet në terren si pikënisje për kërkesat serbe që të mos lihet veriu në kuadër të ndonjë Kosove, e cila do të ishte jashtë sovranitetit të Serbisë. Me dhunën ndaj një pjese të popullatës civile serbe në pjesë të tjera të Kosovës, ose me heshtjen ndaj kësaj dhune, edhe shqiptarët kanë dhënë kontribut në favor të ndarjes së Kosovës. Kështu me vite, me mbështetjen aktive apo pasive të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Beogradi dhe serbët në veri e kanë krijuar realitetin në terren, sipas të cilit serbët në veri të Kosovës nuk pranojnë të administrohen nga Prishtina.
Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës për të realizuar qëllimet e tyre kanë përdorur atë që e quajnë taktika e shqiptarëve. Sipas tyre, nëse shqiptarët e Kosovës kanë fituar pavarësinë duke refuzuar të jenë pjesë e Serbisë, dhe nëse ata kanë arritur të kenë institucionet e veta të pavarura duke refuzuar të integrohen në sistemin e Serbisë, atëherë edhe serbët e veriut në të njëjtën mënyrë do ta arrijnë qëllimet e tyre.
Ky realitet në terren që do të shfrytëzohet tash për status të veçantë të veriut, për të cilin Kosova do të jetë nën presion, apo do ta pranojë edhe pa presion fare, është mbrojtur me çdo kusht nga Serbia. Kjo është bërë përmes aparaturës shtetërore serbe dhe përmes strukturave paralele e edhe atyre kriminale në veri. NATO-s nuk i është lejuar ta ndryshonte këtë realitet, ndërsa EULEX-i nuk ka dashur ta ndryshonte atë.
Tash dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ardhur në fazën ku do të shtrohet në tryezë edhe çështja e veriut. Në fakt, do të shtrohet çështja e statusit të kësaj pjese të Kosovës, sepse veriu edhe ashtu ka qenë temë pothuajse në të gjitha pikat e diskutuara në dialogun teknik.
Është e pamundur të gjesh ndonjë arsye për deklarimet e njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, nga kryeministri e teposhtë, se në dialog nuk do të diskutohet për veriun. Është e pamundur që ne të dimë më shumë sesa dinë zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës. Është e pamundur që zyrtarët e lartë të BE-së, të cilët ndërmjetësojnë dialogun, të mos u kenë thënë qartë se dialogu do të duhej në një moment të zgjidhte edhe çështjen e veriut. Edhe vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, edhe shumë ministra të vendeve mike të Kosovës, kanë thënë se duhet të gjendet me dialog një zgjidhje për veriun e Kosovës. Ja se si u përgjigj në pyetjen se a do të jetë veriu i Kosovës temë e dialogut në vjeshtën e vitit 2010, kur nuk dihej ende se Kosova do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mendohej se dialogu do të fillonte sa më shpejt, një zyrtar shumë i lartë i BE-së dhe njëri prej kryesorëve sa i përket dialogut: Ne do të fillojmë së pari me disa çështje të vogla teknike. Duke i zgjidhur ato do të relaksojmë raportet dhe në një moment në rend dite do të vijë edhe veriu i Kosovës. Dhe kur kjo të ndodhë, ne nuk do të nisemi nga Pakoja e Ahtisaarit, por nga realiteti në terren. Kështu, zyrtarë të tillë të BE-së, në mënyrë direkte apo indirekte, i kanë dhënë mbështetje Beogradit që të ruajë realitetin në terren në veri të Kosovës. Kjo tregon se ata kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë idenë se çfarë dëshirojnë të arrijnë në veri të Kosovës. E kjo do të fillon të realizohet të enjten në takimin e katërt me radhë të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq. E BE-ja, së paku personat rreth baroneshës Catherine Ashton, punojnë për të siguruar një status special për veriun e Kosovës. Këtë e kanë parasysh kur thonë se BE-ja nuk ka platformë dhe platformë e vetme e BE-së janë konkluzionet e Këshillit të ministrave të jashtëm të muajit dhjetor të vitit të shkuar. Por pikërisht ato konkluzione hapin mundësi për një trajtim të veçantë të veriut përmes përmendjes së nevojave të posaçme të popullatës lokale.
Ndonëse ishte pritur që BE-ja të bënte thirrje për shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele, apo atyre të Serbisë në veri të Kosovës, sido që dikush ti quajë ato, një thirrje e tillë kësaj radhe kishte munguar edhe nga Këshilli i BE-së. Madje termi struktura paralele apo struktura të Serbisë nuk përmendej fare në to. Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian para tre muajsh ishte pohuar se në veri të Kosovës vazhdojnë të veprojnë strukturat e Serbisë, por Këshilli nuk i referohet kësaj pjese.
Këshilli bën thirrje për një progres të mëtejmë në këtë pikë, përfshirë edhe një progres të pakthyeshëm drejt vendosjes së strukturave në veri të Kosovës, të cilat do të plotësojnë nevojat e popullatës lokale në fushën e sigurisë dhe drejtësisë në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese, dhe në këtë mënyrë të sigurohet funksionaliteti i një sistemi të vetëm institucional dhe administrativ brenda Kosovës, duke respektuar nevojat e posaçme të popullatës lokale.
Duke sqaruar qëndrimet rreth kësaj pjese të konkluzioneve, që tash BE-ja i quan si platformë të saj të vetme për dialog për veriun e Kosovës, disa diplomatë të vendeve anëtare me të cilët patëm biseduar thanë se porosia për Beogradin është e qartë, se në Kosovë mund të ketë vetëm një sistem të sigurisë dhe drejtësisë, por kanë shtuar se porosia për Prishtinën është se duhet të pranojë një lloj trajtimi special të veriut. Sipas të njëjtave burime, qysh atëherë dihej se në fillim të vitit të ri, pra tash në raundin e parë të dialogut të dy kryeministrave, do të fillojnë të adresojnë statusin e veriut që, sipas tyre, duhet të çojnë deri tek mosndryshimi i kufijve të Kosovës, por një lloj trajtimi special të veriut të Kosovës.
Vetë fakti se të njëjtat porosi për veriun e Kosovës iu adresuan edhe Beogradit, edhe Prishtinës dëshmon se Serbia është faktor në vendimmarrje për çështje të brendshme të Kosovës, siç është veriu.
Duke pasur parasysh këtë duket jo vetëm naive, por edhe irrituese të dëgjosh presidenten e Kosovës apo edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë të thonë se në dialog me Serbinë nuk flitet për çështjet e brendshme të Kosovës. Se funksionimi i pushtetit, lokal apo qendror, në veri të Kosovës nuk është çështje e brendshme e Kosovës do të mund të thuhej vetëm në rast se ajo pjesë e Kosovës të mos konsiderohet si pjesë integrale e Kosovës. Apo ndoshta presidentja pajtohet më thëniet e këshilltarit të saj Ramush Tahiri se strukturat serbe në veri nuk janë paralele, sepse janë strukturat e vetme atje.
Çfarë zgjidhjeje do të prodhojë dialogu për veriun e Kosovës mund të kuptojmë ndoshta gjatë këtij viti. Por tashmë nuk bëhet fjalë fare për shuarjen e strukturave paralele në veri. Edhe vetë përfaqësuesit e Kosovës flasin për ndërprerjen e financimit të tyre nga Beogradi e jo për shuarje. Më shumë sesa shuarjen e këtyre strukturave, dialogu pritet të rezultojë me legalizimin e tyre.
Platforma e Serbisë dhe rezoluta e cila është miratuar në Kuvendin e Serbisë dëshmojnë se pushteti i atjeshëm nuk e ka kuptuar ende realitetin. Madje, të përkujtojnë vitet e fundit të shekullit të kaluar, kur përfliteshin lloj-lloj autonomish për Kosovën dhe lloj-lloj ndarjeje të Kosovës në rajone. Madje kjo platformë duket edhe qesharake në disa raste. Duket nganjëherë edhe si një temë diplome e një studenti mesatar lidhur me rregullimin e brendshëm të ndonjë rajoni të padefinuar. Si mund të merret seriozisht një dokument i cili propozon ndarjen e Krahinës së Kosovës dhe Metohisë në disa rajone dhe krijimin e dy dhomave të Kuvendit të Krahinës së Kosovës dhe Metohisë, një prej të cilave do të përbëhej nga përfaqësuesit e bashkësive fetare.
Nga Kosova mund dhe duhet të injorohet platforma e Serbisë. Por Kosova nuk mund të injorojë injorimin që kësaj platforme ia bën BE-ja. Nuk është problem kur Serbia kërkon zgjidhjen e statusit të Kosovës duke respektuar Kushtetutën e Serbisë, por problem është se edhe BE-ja i ka premtuar Serbisë se nga ajo në dialog nuk do të kërkohet të heqë dorë nga Kushtetuta e saj.
Duke hezituar që publikisht Serbisë ti thuhet se statusi i Kosovës është çështje e mbyllur, zyrtarët ndërkombëtarë, me apo pa qëllim, inkurajojnë Serbinë që të mbajë iluzionet se Kosova është pjesë e saj. Kjo sjellje e Serbisë do të largojë zgjidhjen e problemeve në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës e jo të afrojë. Nga ana tjetër, duket paksa jo modeste që në Bruksel ndoshta të mendojnë se baronesha Catherine Ashton me dy-tre bashkëpunëtorë të saj mund të arrijnë atë që nuk e ka arritur as Marti Ahtisaari me propozimin e tij gjithëpërfshirës.
Tash kur Kosova në tërësi ka zbatuar propozimin e Ahtisaarit, kërkesat që ajo pako të mos vlejë në ndonjë pjesë të Kosovës mund të hapë edhe çështje të cilat është dukur se janë mbyllur. Sepse edhe shqiptarët e Kosovës mund ta pyesin me të drejtë veten pse vetëm ne të respektojmë Pakon e Ahtisaarit e të njëjtën nuk e respektojnë as serbët në veri e as BE-ja.


xhevdeti16.01.2013/13:06
Merre si ta merr ketu nuk po bisedohet ne ndarjen e Serbise por ne ndarjen e Kosoves dhe trojeve shqiptare ne pergjithesi,pazaret e tilla te coptimit jane duke e ndihmuar edhe nderkombetaret me insistimin e Rusise cariste ne kohen e moderrnizimit te ketije shekulli famkeq per ne shqiptaret ne tersi.Shqiptaret kurr nuk paten udheheqes te cilet luftojne per interesa te kombit,kjo e keqe vazdon edhe ne ditet e sotme per fat te keq.

Driton Bakija Gjakove 16.01.2013/11:32
Shkrim i mire nga ,Augustin Palokaj.Krtikon Qeverine e ,Kosovese per moseanagazhime e Qverise se ,Kosoves ne dipolpmacine Evropjane per ta zhgjedhure ceshtjen e ,Veriut te Kosoves ku presindeteja dhe kryeministri thojne ndryshe dhe veprjone ndryshe.Krtikon ,Serbine qe nuk pranon ralitetin ne ,Kosove eshte ende me iden e vjeter dhe thote sa ato qe e kane fituare ,Shqiptaret Pavarsine ne ,Serbet duame nje statuse specjale per Veriun e Kosoves.Kurse per ,Bashkimin Evropjan thote se pajtohet me ralitetin ne terrene dhe duhet gjendure nje zhgjedhje qe te kenaqe te dyja palet si ,Shqiptaret dhe Serbete.







Realisti16.01.2013/14:38
Bisedimet Prishtine-Beograd detyrimisht duhet te perfundojne me rrumbullaksimin ligjor te realitetit ne veri te Kosoves. Kjo eshte zgjidhja e vetme me te cilen do te pajtohen Serbia dhe BEja. Ne te kunderten, statusquoja do te mbetet,dhe si e tille do te minoje zhvillimin e shtetit te Kosoves. Madje, pas kesaj faze do te inkurajohen idete separatiste te serbeve ne veri. Qellimi kryesor i bisedimeve eshte qe pala shqiptare te bindet se legalizimi i gjendjes faktike ne veri eshte ne te mire te vendit. Kjo do te jete detyra me e veshtire per qeverine e Prishtines. Gjithçka tjeter eshte humbje kohe, ashtu siç jane frazat boshe se veriu "eshte" pjese e Kosoves. E verteta eshte e hidhur por ajo duhet gelltitur. Nuk jetohet me enderra...