ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

The Economist: Risajimi i Shkupit

Publikuar: 14.01.2013 - 20:49

Gurët e belasë. Maqedonia po shkruan një tregim të ri për kryeqytetin e vet

Në 2010-n gazetarëve u ishte dhënë një video e montuar në kompjuter me planet për kryeqytetin maqedonas. Do të kishte shtatore dhe monumente, muze dhe ndërtesa të reja qytetare, një hark triumfal, madje edhe një flakadan të përhershëm. Pas dekadave të gjumit letargjik, planifikuesit e Shkupit të akuzuar për turbofolk duket se ishin të vendosur se qytetit duhet t’i ndërrohej pamja për herë të fundit. Derisa Nikola Gruevski, kryeministri maqedonas, ishte në zyrë, ata planifikonin të ndërtonin sa më shumë vepra të artit publik që mund të kishte një gjë që kryeqyteteve evropiane u ishin dashur tre shekuj për t’i pasur në sheshe. Shumëkush besonte se po bëhej fjalë për një shaka.

Tre vjet më vonë, projekti është afër përfundimit dhe ky kënd i Ballkanit po përjeton shok sebepi i ndryshimit të madh. Por ky është më shumë sesa një projekt i thjeshtë rinovimi. Pothuajse çdo strukturë dhe shtatore është pjesë e një skeme më të gjerë ideologjike për ta rishfaqur identitetin e Maqedonisë. Sheshi në zemër të Shkupit, që për dekada me radhë ishte një hapësirë e thatë dhe e zymtë, tani është stërmbushur me shtatore. Ka heronj maqedonas të shekullit të nëntëmbëdhjetë, cari mesjetar Samuel (për të cilin bullgarët me zemërim thonë se ishte bullgar) dhe Justiniani, një perandor bizantin, që ishte lindur në afërsi të Shkupit. Afër tyre janë edhe dy shenjtorë, Sirili dhe Metodi, baballarët e alfabetit cirilik. Skena qendrore i është rezervuar Aleksandrit të Madh. Ai rrethohet nga luftëtarë, të cilët pastaj rrethohen nga një fontanë, me muzikë, luanë që hungërojnë dhe drita që ndërrojnë ngjyrat.

Qëkur Maqedonia ishte pavarësuar në vitin 1991, Greqia është përfshirë në një luftë të ashpër diplomatike me fqinjin e saj verior. Shteti i ri, i krijuar pas ndarjes së ish-Republikës së Jugosllavisë, pretendohet se ishte një copë territori i marrë prej rajonit verior të Maqedonisë greke. Për më keq, maqedonasit sllavë, thonë grekët, ishin munduar të vidhnin kulturën dhe historinë helene.

Deri në momentin kur Greqia bllokoi më 2008-n anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Qeverisë maqedonase nuk i kishin lënë përshtypje vërejtjet greke për historinë. Qysh atëherë, megjithatë, ideologjitë nacionaliste janë bërë të zëshme. Larg prej të qenit të Maqedonisë një shtet i shpikur, sikur pretendojnë grekët, Vangel Bozinovski, një prej arkitektëve që po punon në arnimin e sërishëm të Shkupit, ka thënë se një fakt i shpikur është shteti grek në shekullin e nëntëmbëdhjetë, dhe si pasojë janë ata që po e vjedhin historinë maqedonase, përfshirë edhe atë të Aleksandrit të Madh. Për ta forcuar këtë pretendim, është vendosur shtatorja e babait të Aleksandri, Filipit të Maqedonisë dhe shumë të tjera të nënës së tij, Olimpia. Një muze neoklasik arkeologjik është afër përfundimit dhe ndërtesa e re për ministrinë e jashtme me stil klasik është afër mbarimit.

Neoklasicizmi nuk është i vetmi stil që po përdoret sërish. Bozinovski, i cili ka ndërtuar një “shtëpi përkujtimi” për ta nderuar Nënën Terezë, shkupjanen që deri në vdekje ndihmoi të varfrit e Kalkutës, flet edhe për “eklekticizmin”. Ai po punon për rikrijimin e një ndërtese për të cilën thotë se “do të jetë njëmend baroke”. Në 1689-n qyteti i atëhershëm osman ishte djegur nga austriakët. Bozinovski pretendon se duke e ndërtuar ndërtesën barok vetëm se po e rikthen këtë stil në vendin e vet; përpara se të digjej, thotë ai, Shkupi ishte barok po aq sa Praga.

Po qyteti gjithashtu dëshiron ta rikthejë edhe lavdinë e kohëve jo fort të largëta. Afërt ndërtesës së kuvendit, sipër së cilës tani kanë mbirë kupola prej xhami, është një memorial për maqedonasit e vrarë në luftën e vitit 2001 kundër gueriljeve shqiptare. Shqiptarët përbëjnë së paku një të katërtën e popullsisë dhe shumë prej shqiptarëve kundërshtojnë atë çfarë po bëhet së fundi në Shkup. “E urrej”, thotë Lura Pollozhani, një gazetare shqiptare e Maqedonisë. “Nuk e shoh veten”. Duke shpalosur gjithçka që lidhet me Maqedoninë antike, beson ajo, shqiptarëve po u thuhet: “Ne ishim të parët në këtë tokë”.

Por shqiptarët kanë hisenë e tyre politike në Maqedoni dhe një shesh i ri po ndërtohet gjithashtu në pjesën e dominuar nga shqiptarët. Një shtatore e Skënderbeut, një hero shqiptar i mesjetës, do të pasohet nga monumente të tjera. Një shtatore prej tridhjetë metrash e Nënës Terezë, një shqiptare, po planifikohet të ndërtohet në sheshin kryesor të qytetit. Rindërtimi i një kishe të shkatërruar në vitin 1963 është ndërprerë si pjesë e një belaje vicioze pasi shqiptarët kërkonin të rindërtohej një xhami.

Maqedonasit kanë mendime të ndryshme për planet e Qeverisë për rinovimin kulturor. Ata thonë se diçka duhej të bëhej, dhe diçka është bërë, edhe pse nganjëherë po teprohet. Por maqedonasit liberalë dhe opozita ndihen të fyer. Në kuvend janë ngritur shumë pyetje në lidhje me koston e projektit.

Saso Ordanoski, një analist veteran, është veçanërisht kritik. “Është një katastrofë. Është një ‘Disneyland’. Ata e konsiderojnë Maqedoninë të jetë një djep antik i civilizimit dhe jo një shtet i vogël, normal dhe modern evropian. Kjo është jashtë standardeve”.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 13°CI kthjellėt
Tiranė 13°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 14°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°C
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme