Shtetet arabe të paqartësisë
Artikujt tjerė
- Ambicie sa për një kryeministër tjetër
- Mbi rrotacionin
- Kosova shënon javën e tolerancës
- A jemi ne me ne?
- 23 qershori: Heroik apo erotik?
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
Nuk ka dyshime se status quoja postkoloniale në Lindjen e Mesme është duke u shkatërruar. Një rajon shumëdimensional duhet ende të kristalizohet në konstruksione më definitive politike
Madrid Revolucionet që kapluan botën arabe gjatë dy vjetëve të fundit kanë bërë që shtetet kryesore arabe ti ekspozohen një brishtësie të jashtëzakonshme. Me përjashtim të shteteve historike si Egjipti dhe Maroku, shumica e shteteve arabe janë konstrukte artificiale të kolonializmit evropian, të cilat kombinuan fise dhe etni të ndryshme në shtete unike që mund të bëheshin bashkë vetëm nën sundime autoritare apo falë një armiku të përbashkët sionizmit dhe padronëve perëndimorë.
Trazirat e sotme, sidoqoftë, nuk nxiten më nga zemërimi ndaj forcave të huaja; përkundrazi, ato shënojnë një fazë tjetër të procesit të dekolonizimit: pranimin e së drejtës për vetëvendosje nga njerëzit dhe fiset e bashkuara vetëm nga lidhja e fortë e diktatorëve.
Në të vërtetë, është krejtësisht e gabuar që të parashikohet shfaqja e shteteve të reja arabe nga mbetjet e shteteve të vjetra, artificiale. Okupimi amerikan i Irakut e nisi këtë model, pasi që theu pushtetin qendror të qeverisë dhe forcoi enklavat etnike dhe fetare.
Ajo që ndodhi në Jugosllavi, një produkt i gabuar i diplomacisë wilsoniane, mund të ndodhë edhe te krijimet e tjera më cinike perandorake në Lindjen e Mesme. Ajo që Sigmund Freud e definoi si narcizëm i dallimeve të vogla shkaktoi ndarjen e Jugosllavisë në shtatë shtete të vogla (përfshirë Kosovën), pas një prej luftërave më të përgjakshme në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. A mund ta shmangin shtetet arabe një fat të ngjashëm?
Demokratizimi i botës arabe nuk ka të bëjë vetëm me rrëzimin e diktatorëve; ai ka të bëjë po ashtu edhe me rikrijimin e hartës politiko-etnike të rajonit, i cili i ka lënë një mori grupesh minoritare të pakënaqura. Kijini parasysh kurdët, të cilët ishin të ndarë nëpër Irak, Turqi, Siri dhe Iran.
Mirëpo kurdët nuk janë fort të vetëm. Libia ishte krijuar nga tri ish-koloni italiane, Tropolitania, Cyrenaica dhe Fezzan, secila e përbërë nga konfederata të ndryshme fisnore (saadin në Cyrenaica, saff al-Baharin në Tripolitania dhe tuaregun në Fezzan). Rënia e Muammar Gaddafit hapi kutinë e Pandorës të rivaliteteve të vjetra, me Cyrenaican që u zhvillua në një rajon gjysmautonom, të njohur si Barqa.
Njësoj kështu, tensionet e kamotshme ndërmjet pakicës sunite në Bahrejn dhe shumicës shiite janë përkeqësuar që nga copëtimi i lëvizjes shiite pro-demokraci të vendit, më 2011. Për sa i përket Jordanisë, baraspesha e pasigurt ndërmjet shumicës palestineze dhe pakicës beduine ishte vështirë të ruhet edhe në kohëra stabiliteti; e tani është një ndërmarrje edhe më e vështirë.
Shtetet e tjera në rajon kanë lëvizur buzë kolapsit që nga fillimi. Jemeni u krijua më 1990, nga ribashkimi i Jemenit Jugor dhe Jemenit Verior që zhvilluan luftëra të ashpra në vitet 1972 dhe 1979. Mirëpo liderët e këtyre vendeve kurrë nuk kanë qenë në gjendje ti integrojnë fiset, njësitë kryesore të strukturës shoqërore të Jemenit, në sistemin politik ashtu që një gjë e tillë të gjenerojë pranimin e tyre të patjetërsueshëm të shtetit sovran.
Siria po demonstron gjithnjë e më fuqishme se si një luftë kundër një diktatori mund së shpejti të shndërrohet në një betejë sektare për mbijetesë apo zotërim. Pavarësisht legjitimitetit botëror që tani gëzojnë Këshilli Kombëtar i forcave revolucionare dhe opozitare të Sirisë, kolapsi i çrregullt i regjimit mund të çojë akoma drejt ndarjes së shtetit nëpër enklava etnike autonome. Rebelët, kryesisht sunitë të ndihmuar nga grupe xhihadiste si Nusra Front, një degë e Al-Qaedas në Irak, kurrë nuk kanë tentuar me të vërtetë të arrijnë deri te minoritetet e shtetit të krishterët, shiitët, druzetë dhe kurdët të cilët kanë mohuar Këshillin Kombëtar si të bindur ndaj Turqisë dhe Katarit.
Kurdët, nën sundimin e arabëve, turqve dhe iranianëve, panë në shkatërrimin e regjimit të Saddam Husseinit në Irak dhe shohin edhe tani në shkatërrimin e autokracive të tjera arabe një mundësi për tiu bashkuar lojës së re të Lindjes së Mesme të madhe. Kjo nënkupton realizimin e ëndrrës së bashkimit të kombit të tyre të shpërndarë në një shtet të pavarur kurd.
Grupet militante kurde në Sirinë veriore, të cilat zgjodhën të qëndrojnë jashtë luftës civile, ndërsa përgatiten për vetë enklavën e tyre autonome nëse regjimi i Bashar al-Assadit bie, tani po tërhiqen në luftime; kurdët e Irakut, të cilët po i trajnojnë vëllezërit e tyre sirianë, mund ti pasojnë po ashtu. Turqia, pashmangshmërisht e sheh aktivizimin kurs në veri të Sirisë të drejtuar nga partia e Unionit Demokratik, një degë e Partisë kryengritëse Punëtore të Kurdistanit në Turqi si një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e vet dhe do të bëjë gjithçka të mundur për ta shmangur atë që të përhapë rebelimin në mesin e vet minoritetit të qetë kurd të Turqisë.
Libani paraqet një tjetër sixhade etnike që nuk mund të jetë imune ndaj ngjarjeve në Siri.
Tanimë, shenjat e efektit të përhapjes mund të shihen në përleshjet ndërmjet grupeve militante sunite dhe alevite. Sado hegjemonik që Hezbollahu mund të duket tani, pushteti i tij në Liban varet me të madhe nga mbështetja e regjimit të Assadit. A do të nxisë rënia e Assadit dhe ngjitja e opozitës sunite në pushtet, për ta balancuar pushtetin në Siri, riformësimin e balancës së pushtetit edhe në Liban.
A mund Sudani Jugor, një shtet kryesisht i krishterë që u nda më 2011 nga veriu mysliman pas një lufte të gjatë civile, të bëhet një paradigmë e re për shtetet johistorike arabe, të copëtuara nga rivalitetet etnike dhe fisnore?
Siç supozohet të ketë thënë kryeministri i Kinës, Zhou Enlai, rreth ndikimit të Revolucionit francez: Është ende të thuhet.
Mirëpo nuk ka dyshime se status quoja postkoloniale në Lindjen e Mesme është duke u shkatërruar. Një rajon shumëdimensional duhet ende të kristalizohet në konstruksione më definitive politike.
(Shlomo Ben-Ami, ish-ministër izraelit i Punëve të Jashtme dhe ministër i Sigurisë, është nënkryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Paqen me seli në Toledo. Ai është autor i librit Vrazhdët e luftës, plagët e paqes: Tragjedia izraelito-arabe. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese Project Syndicate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).








