ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Pritshmëritë negative të shtetëzimit berishian të CEZ-it

Altin Ketro Publikuar: 13.01.2013 - 17:25

Shtetëzimi që qeveria “Berisha” po i bën sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili u menaxhua për afro 4 vjet (maj 2009) nga kompania çeke “CEZ Shpërndarje”, përbën dështimin më spektakolar të saj me privatizimin e sektorëve me rëndësi strategjike. Fundi i CEZ-it ishte i pritshëm për sa kohë kjo kompani s’mundi të operonte në treg si e pavarur, por pranoi qysh në krye të herës të bënte kompromise me qeveritarët të cilët kishin aty interesa personale.

Si rrjedhojë, pasi e molën mirë e mirë, sot përballemi me realitetin ku, CEZ ka ngritur duar lart në shenjë dorëzimi. Për CEZ-in mëmë (atë të Pragës) ky dështim do të duhej të jetë një mësim i vlefshëm në të ardhmen, kurse për ne këtu, një hap mbrapa në inkurajimin e investitorëve të mëdhenj të huaj për të bërë biznes e hedhur milionat e tyre në Shqipëri.

Tashmë Shpërndarja pritet të jetë sërish shtetërore. Duhet vetëm që të rikthejë edhe emrin e dikurshëm “OSSH” që të marrë trajtën e plotë.

Nuk dua të bëj kasandrën, por ky shtetëzim nga Berisha, pesë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, gjykoj se do rezultojë me kosto shumë herë më të lartë.

Është provuar tashmë se CEZ-i, në vetvete, e ka keqmenaxhuar situatën e mbledhjes së të ardhurave që vijnë nga furnizimi me energji elektrike i konsumatorit. Po kështu, investimet për të ulur humbjet në rrjet nuk kanë qenë në pritshmëritë e kërkuara kur “i hyri detit në këmbë” në këtë aventurë shqiptare. Megjithatë, duhet pranuar se, si kompani e huaj që ishte, nuk ra totalisht në batakun e punësimit kuturu sipas listave me emra militantësh që dërgojnë rëndom seksionet e partive që aktualisht bashkëqeverisin.

Në kushtet kur kontrolli mbi këtë sektor do i kalojë sërish shtetit dhe specifikisht, Ministrisë së Ekonomisë … (METE), situata, sipas traditës, pritet të marrë të tatëpjetën. Si linjë vertikale do e drejtojë de jure LSI-ja, por de fakto Berisha do jetë ai që do ketë kontrollin mbi të. Ai s’mund ta lërë aleatin e vet që të përfitojë në këtë vit elektoral duke shumuar vota në këmbim të favoreve për punësim. Dhe Shpërndarja është nga ata sektorë tipikë që mund të fusësh me shumicë militantë që të vetmen gjë që do dinë të bëjnë është të tundin derën e të marrin rrogën.

Eksperienca jo e largët, është ajo e zgjedhjeve vendore të majit 2011, ku, LSI-ja në Tiranë shumëfishoi një dorë të mirë votash vetëm nga fakti që shtoi artificialisht vende pune, ndër të tjera, në QSUT “Nënë Tereza”. Me premtime joshëse, duke u punësuar nga një person në familje, ajo arriti të marrë minimumi 3 vota të asaj familjeje vetëm se 50 ditë para zgjedhjeve i punësoi dhe pas tyre nuk dinte se me çfarë t’i paguante.

E njëjta strategji do ndiqet edhe me Shpërndarjen, por këtu është një front shumë herë më i madh. Përplasja e “titanëve” Berisha- Meta për ta shfrytëzuar në këtë drejtim, sigurisht do ketë pasoja të rënda për vet këtë sektor.

Një tjetër aspekt negativ i shtetëzimit “Berisha” në këto momente, do jetë përdorja e këtij sektori për fushatë. Dihet se edhe gjatë menaxhimit nga CEZ-i, zonat më problematike për mospagesën e faturës së energjisë elektrike kanë qenë zonat elektorale ku Partia Demokratike ka më shumë mbështetje. Njëkohësisht, këto janë edhe nga zonat më të varfra, pra manipulimi psikologjik është edhe më i madh.

Shumë herë CEZ-i është tërhequr nga presioni i qeverisë kur u ka shkëputur energjinë debitorëve të këtyre zonave. Me Shpërndarjen shtetërore, loja politike për të marrë sa më shumë vota në këmbim të mospagesës së faturës, do bëhet edhe më e rëndë. Por, nëse në rastin e parë, koston e mosarkëtimeve e vuante kompania private (gjë që çoi edhe në falimentim), në rastin e dytë, koston do e vuajnë vet shqiptarët, ata që paguajnë. Kjo, pasi taksat e tyre  nuk do shkojë për të përmirësuar një të mirë të munguar, por për të paguar diferencat e munguara në buxhet për blerje energjie.

Në këtë argument, nuk po përfshijë faktin se çështja mund të shkojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar ku pala çeke synon të përfitojë sa më shumë të mundet nga gafat e qeverisë shqiptare.

CEZ-i çek po ikën, OSSH-ja shtetërore e Berishës pritet të vijë. Hapin e parë e hodhi ERE e cila shpalli konkursin për vendin e administratorit publik të këtij sektori. Hapi tjetër është heqja e licencës së CEZ-it nga qeveria. Një zot e di se ç’pasoja do lërë deri më 23 qershor. Kurse ata që do të vijnë më pas, do t’u duhet shumë mund e energji për të mbyllur vrimat të cilat Berisha do t’ua lërë me përmasat e turbinave të hidrocentraleve. Sipas shprehjes: “pas meje, u bëftë qameti”…

(Marrë nga gazeta Tema)

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 22°CI kthjellėt
Tiranė 22°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 22°CI kthjellėt
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell