Të zakonshmet e shëmtuara
Flaka SurroiTë rralla janë ditët ku do të mund ti gëzoheshim ndonjë lajmi të mirë, e që nuk ka të bëjë me futbollin, që të sjellë shpresë për një diçka më të mirë nesër
Ngjarja që shënoi javën, për mua pa dyshim, ishte fitorja e Messit në garën për Topin e artë. E fitoi për të katërtën herë me radhë; Është i pari që ia doli ta fitonte lojën me poker, i vetmi i cili katër vjet me radhë nuk e ndërron buzëqeshjen kur e merr shpërblimin. Dorën në zemër, i ndërron smokingët, dhe kësaj radhe i kishte bërë konkurrencë madje Edita Tahirit me topthat që përbënin bazën e dizajnit të setrës dhe të fjongos. Kur ia thirrën emrin, kamera e regjistroi fytyrën e konkurrentit të tij që e luan futbollin ndryshe dhe që mbase tregon të ketë filozofi tjetër jete: Cristiano Ronaldo, i dëshpëruar me një grimasë që nuk i ngjante as një gjysmëbuzëqeshjeje, tek shihte se si Pulga (apo Pleshti në shqip) po bëhej protagonisti kryesor i historisë së re të futbollit. Të cilën histori, do të thosha për mëri, nuk ia njohin ata që dikur kishin qenë aktorët kryesorë të saj, madje edhe para se të kishte lindur vetë Messi.
Sido që të jetë, nuk munda pa e nisur këtë shkrim me Messin. Lajmet për të kryesisht lidhen për një diçka të bukur dhe të jashtëzakonshme, e që në asnjë formë nuk mund të lidhen as me doganierët në veri; as me Sao Tome Principen, as me negociatat e as me Natali Velijajn që janë bërë të zakonshme. Dhe sa më të shëmtuara, aq më të zakonshme bëhen.
Prej fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, na është thënë se kufijtë po menaxhohen bashkërisht dhe se tash do të fillonte edhe mbledhja e tagrave doganore që do ta mbushnin buxhetin e varfëruar të Kosovës. Serbia, nga ana tjetër, po na thoshte që kufiri nuk është kufi, por në fakt është vijë ndarëse administrative, dhe se qytetarët e veriut do të merrnin çfarëdo malli për nevojat e tyre personale dhe për jetesë dhe ato ti kalonin prej njërës në anën tjetër me kamionë që bartin 3,5 tonelata mall. Duke bërë muhabet me një njeri numrash, llogarisnim sa pako cigare do të mund ti zinte një kamion 3,5 tonësh. Numri që na doli ishte marramendës, por, duke mos e pasur as intencën më të vogël të përzierjes në punët e ekspertëve të lëmit (kontrabandës së duhanit, kuptohet), vetëm mund të konstatoj se një kamion cigare mund tia sjellë ndonjërit biznesmen cigarexhi shumë dhjetëra mijëra euro fitim. Natyrisht, në emër të përmbushjes së nevojave personale të banorëve të veriut.
Nga ana tjetër, disi si turpshëm na u bë me dije se doganierët kosovarë në dy pikat doganore në veri kishin mbetur të ngujuar atje për në javë të plotë, në pritje të zëvendësimit dhe të helikopterit që e bën transportimin e personelit, i cili vazhdon të jetë i rrezikuar po qe se përpiqet të kalojë nëpër rrugë tokësore drejt vendit të punës. E më pas, disi kalimthi na u tha se serbët kishin ngre një bllokadë me vetura, duke mos dashur të lejojnë askënd, pos atyre që do ti përzgjidhnin ata vetë, që të kalonin nëpër territorin serb... përderisa ne ende trumbetojmë se Serbia de facto e edhe de jure na e njeh pavarësinë...
Në vijim të deklaratave skandaloze për arritjet e mëdha në dialogun teknik që nuk e ka pasur ndërmend të shndërrohet në politik dhe, në të cilin është thënë se veriu nuk do të diskutohej kurrë dhe, për të cilin është thënë se nuk ka nevojë për platformë e strategji, për shkak se tashmë ekziston Kushtetuta dhe, i cili është cilësuar si përkufizim i obligimeve që nuk nënkupton koncesion të ri, por në të cilin proces megjithatë duhet lëshuar pe... vjen ajo tjetra në lidhje me hapjen e zyrave ndërlidhëse të ndërsjella në kuadër të misionit të BE-së në shtetet përkatëse. Ministri i Jashtëm, të cilin kishte shumë kohë që nuk e kishim parë, por të cilit ia kishim lexuar lavdet e pabesueshme që ia kishte thurur shefit të tij partiak, doli për të na thënë se personi, i cili do të emërohet ambasador në Beograd do ta ketë statusin e ambasadorit dhe të gjitha autorizimet që i takojnë. Por, nuk e dha përgjigjen në një pyetje shumë të thjeshtë: kujt do tia prezantojë kredencialet ambasadori i Kosovës në Serbi dhe cila do të jetë hapësira eksterritoriale në të cilën do të punojë përfaqësuesi i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Kosovës në Beograd, e që nuk është një zyrë në ndërtesën e misionit të BE-së në Beograd? Dhe përderisa së pari Thaçi thotë: ...atje do ta dërgoj njërin nga ambasadorët e mi më të mirë, e më pas Hoxhaj insiston se gati-gati po themelojmë marrëdhënie diplomatike me Serbinë, Daçiqi del dhe gjakftohtë deklaron (natyrisht sepse ashtu edhe i konvenon, pos të tjerash) se këta zyrtarë do të jenë persona teknikë që do të merren me çështjen e zbatimit të marrëveshjeve që nuk kanë nënshkrim e që quhen konkluzione. Për më tepër, ka mbi tri javë që flitet se përfaqësuesi teknik i Serbisë në Kosovë do të jetë Oliver Ivanoviq, serb i Mitrovicës, që është edhe zyrtar i Qeverisë së Serbisë, si shtetas i Serbisë që është, përderisa njëkohësisht mban shtetësinë kosovare.
Se cilat do të jenë përgjegjësitë e këtyre personave mbetet ti kuptojmë. Ndoshta dikush në BE do të jetë në gjendje tua përpilojë nga një përshkrim të punës, pavarësisht përrallave që na i tregon zoti ministër i Jashtëm, ngase po e kam shumë vështirë të besoj se cilido ambasador që të shkojë në Beograd do të mund ta ekspozojë flamurin dhe stemën e Kosovo* dhe të paraqitet nëpër takime zyrtare si përfaqësues i shtetit me fusnotë, e të pranohet nga zyrtarët e ndryshëm me të cilët do të përpiqej të ndërtonte ura bashkëpunimi. Po e kam shumë vështirë ta besoj, përderisa shumë do të doja që cilido që do të shkonte atje të më demantonte. Asaj që po ia bart gajlen është se në këtë mision të kotë teknik do të mund të digjej ndonjëri nga ata tre diplomatë që kanë marrë lëvdata nga homologët e tyre këtu për punën që e kanë kryer nëpër shtetet ku kanë qenë të akredituar... mbase do të duhej menduar sërish, para se të merret vendimi për ambasadorin në Beograd. Fundja, nuk do të ishte deklarata dhe premtimi publik i parë që nuk do të respektohej nga kryeministri.
E meqë u prek tema e politikës së jashtme, nuk bën pa e përmendur Sao Tomen. Për fat të keq, para dy ditësh përjetuam një nokdaun që dhembi si dreqi, kur kryetari i shtetit që ka popullsi sa Prishtina, prishi vendimin e Qeverisë së vet për të na e njohur pavarësinë. Ky kishte qenë shteti për të cilin na kishte folur zëvendëskryeministri i parë Pacolli, dhe i cili e kishte lavdëruar veten duke thënë se njohja na erdhi si rezultat i përpjekjeve të tij të lobimit nëpër Afrikë. Kështu, edhe ky arkipelag iu shtua dy shteteve të tjera afrikane që na njohin, por në fakt nuk na njohin, dhe edhe një herë me veprimet euforike të politikanëve kosovarë i dëshmuam vetes që Serbia na mbyt në planin diplomatik, kurdo, sido dhe për çfarëdo.
Në planin e brendshëm e mbysim ne vetveten, ska nevojë kush të na shkatërrojë. Qe sa javë ende merremi me rastin e pasaportave, me rastin e ryshfetit për marrjen e tenderit. Gjatë javës marrim vesh që restorantet shndërrohen në vendin më të përshtatshëm për të dorëzuar shuma aq të mëdha parash sa duhet pasur bile një çantë të mirë dokumentesh për ti palosur madje 950 bankënota nga 500 euro për ti mbledhur 475 mijë euro me një vend. Gjithashtu marrim vesh se në mesin e të përfshirëve dhe të atyre që ua kanë parë hairin parave që kanë qarkulluar herë me bankë e herë në dorë janë edhe zyrtarë ministrie, si dhe miq zyrtarësh të një organizate spiunësh që është shuar, dhe për shkak se është shuar ka ende nevojë për para për të funksionuar, e që rastësisht është themeluar nga një parti, e cila gjithashtu ka nevojë për para për ta siguruar vjedhjen e votave në cilindo proces të zgjedhjeve...
Rasti, i cili po i merr përmasat e një skeme sa të komplikuar aq të thjeshtë, keqpërdorimi i mjeteve publike për sigurimin e fuqisë dhe pushtetit, po dëshmon dita më ditë se rrjeti i merimangës i shtrirë nga strukturat që gjithë ditën flasin për të mirën e shtetit, por që më së paku ia duan atij të mirën, është aq i gjerë dhe aq i koklavitur, sa megjithatë nuk do të mund të shprishet vetëm pse do ta ngufasë ndonjë ditë një merimangë pak më të madhe... tregon se ka nevojë për një pastrim të përgjithshëm e të thellë, për shkak se merimangat dinë të shkaktojnë shumë dëme.
Dhe nuk do të mjaftojë të dëgjojmë deklarata si kjo e zëvendëskryeministrit, nuk e di cilit me rend, Kuçi, i cili kur në Rubikon foli për rastin Zharku dhe për faktin se partia e tij nuk përzihet në drejtësi, e tha këtë: ... Në momentin që është marrë vendimi, (Zharku) ka dhënë dorëheqje. Ka qenë një akt i mirë. Kemi mbajtur zgjedhje të reja, kemi zgjedhur kryetarin tjetër dhe asnjëherë nuk i kemi thënë drejtësisë pse po e bën këtë ose këtë.
Po zoti Kuçi e di se në momentin kur ekziston vendimi i plotfuqishëm, asnjë zyrtar nuk mund ta mbajë postin politik të zgjedhur dhe se ose duhet dhënë dorëheqje, ose duhet shkarkuar. Dorëheqja e Zharkut ka qenë e obligueshme, përderisa akt i mirë do të kishte qenë po qe se do të jepte dorëheqjen në kohën kur është ngritur aktakuza. E akt edhe më i mirë, po qe se do ti dorëzohej drejtësisë dhe nuk do të arratisej, si kriminelët nëpër filma.
Nga ana tjetër, problemin me sundimin e ligjit në Kosovë, pra për pasojë edhe me shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohemi, nuk mund ta zgjedhin as deklaratat sikur kjo, por mund të shpjegojnë shumëçka. Mbase ky është burimi i të gjitha problemeve që i ka Kosova: Merreni rastin e PDK-së dhe krahasojeni me cilat do shtete demokratike, jo diktatoriale, por demokratike... gjema një vend në rajon apo Evropë, që partia politike në pushtet ka njerëz më së shumti të dënuar, dhe ne po themi ndërhyrje e në drejtësi... Kjo do të thotë që partia politike në pushtet nuk e pengon drejtësinë, por kjo nuk do të thotë se drejtësia duhet të ketë duart e lira e të punojë kundër ligjit...
Për mua kjo do të thotë se Kosovën nuk duhet dhe nuk bën ta udhëheqë partia që ka më së shumti të dënuar, e që ka më së shumti zyrtarë nën hetime për korrupsion dhe keqpërdorim detyrash zyrtare. E nuk duhet, për shkak se me këtë udhëheqje kemi mbërritur në pikën ku për pesë vende pune që ka shpallur kompania jonë, të kenë konkurruar madje 300 veta për një javë sa ka zgjatur konkursi... dhe nuk është se të gjithë duan të punojnë në gazetë a televizion. Është se edhe kanë kryer shkollë e skanë çka të bëjnë dhe prej çka të mbijetojnë. Është se shohin se si u tretet koha kot, përderisa kokën ua mbushin dërdëllitjet për atë se sa të mirë janë ata që mbajnë pushtetin...
...E qysh mandej mos me u gëzu e mos me fol për Messin. Ai bile nuk bën hile.
flaka@koha.net


Arbana Shala14.01.2013/11:37
Lionel Messi eshte padyshim futbollist i shkelyeshem. Mirepo, Messi dhe Argjentina kishin mundur te benin dicka me shume qe edhe talentet e fubollit te lindur ne Kosove te kan nje perspektive me te mire. Kosova nuk mund te luaj me shtetet e tjera as ndeshje miqesore, per shkak se disa vende si Argjentina nuk e njohin pavaresin e Kosoves. Nuk e di se Messi ka folur shume per kete padrejtesi qe u behet kolegeve te tij Kosovar.

Driton Bakija Gjakove 14.01.2013/11:20
Shkrim i mire nga,Flaka Surroi.Krtikone me te drjete qeverine e ,Kosoves se nuk punon shume per tju permisuare jten qytrateve te,Kosoves.Flet per korropcjone per kryetrat e Komunese qe eshte i korroptuare dhe nuk jepe pergjisi Zharku.Kurse ata qe kane kryer shkole dhe kane kryer masterin bredhin kote se koti duke gjeture pune.Dhe ceke disa gjera te tjera qe nuk mbizitrjone ne shume e keqeja se e mira.

Prirenasi14.01.2013/00:09
Shkrimi eshte shume real.Derisa populli cdo dite e me teper eshte me i varfer kurse politikanet me te pasur dhe te zhytyr ne korupsione.Derisa mbahen zgjedhjet premtojne shume por shihet se sa realizohet.Ku eshte premtimi i Hashim Thaqit per stadiumin e Liris ne Prizren

izet13.01.2013/19:42
Jam i bindur qe Oliver Ivanoviqi do te sillet pikerisht si ambasador ne Kosove, dhe se do te i kete te gjitha dyert e hapura nga te gjitha institucionet qe veprojne ne Kosove, si ato vendore ashtu edhe nderkombetare. Per me teper, si banor i Kosoves qe eshte, atij do ti ofrohen edhe punesime per familjaret e tij, antaresi neper borde te ndryshme, dhe njikohesisht te deklaroj qe ai as qe jeton ne Kosove, e lere ma dicka tjeter. Kete "ambasadori" i Kosoves ne Beograd, edhe nja 30 vite se pakut, vetem mund te imagjinoj. Deja vu, apo?










Arsim Imeri15.01.2013/09:59
Shkrimi i mire po, nuk t kisha preferu me shkru shpesh ti. Ma mire mi jep hapsire tjerve si E.Robelli.