Debakli i platformës së Nikoliqit
Artikujt tjerė
- Ambicie sa për një kryeministër tjetër
- Mbi rrotacionin
- Kosova shënon javën e tolerancës
- A jemi ne me ne?
- 23 qershori: Heroik apo erotik?
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
Pas disa muajsh pritjeje dhe shprese se qëndrimi i ri i Qeverisë serbe ndaj Kosovës do të ketë më shumë realizëm se paraardhësit e saj, në Beograd u publikua një platformë e re e bisedimeve, e cila ka përjetuar një debakël pa e parë mirë dritën
Një ekzaminim sipërfaqësor i përmbajtjes së platformës dhe mënyra si është përpiluar e bëjnë atë dukshëm të diskutueshme me të metat e saja të shumta në thelb. Edhe pse Nikoliqi, menjëherë pas marrjes së detyrës, njoftoi për organizimin e një debati publik, i cili pritej të rezultonte në përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, debati plotësisht ka munguar, ndërsa puna e përgatitjes së këtij dokumenti të rëndësishëm i është lënë një numri të vogël të njerëzve nga kabineti i Nikoliqit. Nga një platformë e tillë e krijuar nga rrethi i ngushtë i kreatorëve nuk mund të presim asgjë më shumë sesa nga idetë nga kohët e kaluara, në bazë të të cilave, në vend të përcaktimit për normalizim të ardhshëm të marrëdhënieve me Prishtinën, Beogradi po preferon gjithnjë e më shumë të merret me çështjet e brendshme të Kosovës.
Në këtë aspekt, në vend që Nikoliqi të përpiqet për një plan më gjithëpërfshirës për tejkalimin e mosmarrëveshjeve historike të dy vendeve fqinje, platforma është fokusuar vetëm në një çështje, të cilën e favorizon Beogradin zyrtar - pozita e serbëve në Kosovë. Në shqyrtim të kësaj çështjeje, e cila është ekskluzivisht prej interesi për Serbinë, duke injoruar të gjitha proceset që janë duke u zbatuar mbi bazën e Planit të Ahtisaarit nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot, ku bëhet një prezantim i detajuar i statusit të veçantë që kërkohet për komunitetin serb në Kosovë. Kjo kërkesë është e bazuar në koncepte të vjetruara ideologjike të territorializimit dhe getoizimit të çështjeve etnike, si një mjet për të zgjidhur problemin e pozitës së minoriteteve. Në përpjekjen joserioze për të propozuar një zgjidhje për problemin e statusit të pakicës serbe në Kosovë, lidershipi serb i vendit ka "ofruar" një listë dëshirash të përpunuara në detaje pa llogaritur as në masën më të vogël pikëpamjen e palës tjetër, me të cilën çdo zgjidhje do të duhej të dakordohej në procesin e negociatave. Në këtë broshurë të shkurtër, por të qartë dhe të markuar si sekret shtetëror, tërësisht injorohen implikimet dhe pasojat e mundshme të një kërkese të tillë në lidhje me vazhdimin e dialogut të filluar, si dhe kërcënimin në rritje të një reaksioni të mundshëm zinxhiror në rajon.
Strategjia e dokumentit të diskutueshëm dhe metodologjia e zbatimit të saj, e cila rrjedh nga ajo, na kujtojnë pashmangshëm agjendën e hedhur poshtë më parë e ish- presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, e cila përbëhej nga katër pika. Përmbajtja e platformës së Nikolliqit nuk është asgjë tjetër vetëm se një elaborim i asaj logjike që sillte plani i Tadiqit, ndërsa partnerët për zbatimin e tij edhe këtë herë kërkohen në adresën e gabuar. Në vend se të formulohej një propozim që mund ta interesonte Prishtinën zyrtare si palë e ligjshme dhe partner në negociata, Nikoliqi ngjashëm me Tadiqin vendosi për të lobuar te komuniteti ndërkombëtar, duke kërkuar vetëm koncesione të njëanshme nga autoritetet e Kosovës. Një plan i tillë jokonsistent dhe me përmbajtje hipokrite është lënë pa përgjigje në çështjen kyç - pse zyrtarët e Kosovës duhet të bien dakord për koncesione të njëanshme nëse platforma e Nikoliqit nuk ka ofruar asgjë në këmbim?
Mangësitë e mësipërme konceptuale janë pasojë logjike e mungesës së idesë dhe ngurrimit të Beogradit zyrtar dhe shoqërisë serbe, si një tërësi, që më në fund të marrë parasysh realitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës si e vetmja mënyrë për të tejkaluar mosmarrëveshjen mbi statusin e Kosovës, çështje e cila i paraprin çdo diskutimi serioz për të gjitha çështjet e tjera, duke përfshirë statusin e pakicave. Përveç statusit, si gëlltitje të një kafshate të hidhur të cilën Serbia vazhdimisht e shtyn për më vonë, marrëdhëniet shqiptaro-serbe kanë eskaluar në ditët e fundit me një tjetër problem në lidhje me pozitën e pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës. Me gjithë dallimet specifike dhe të konsiderueshme të problemit në të dyja anët e kufirit, shihet qartë se çdo zgjidhje për Kosovën veriore pothuajse automatikisht rrit kërkesat dhe shtyn drejt trajtimit reciprok të shqiptarëve në jug të Serbisë. Për shkak të logjikës tashmë të krijuar reciproke, zgjidhja për problemin e pakicave duhet të kërkohet në kuadër të mekanizmave të statuseve paralele që gjatë negociatave do të çojë në një marrëveshje që do të integrohen në një pako, e cila do të rregullojë statusin e komuniteteve pakicë në të dyja anët e kufirit. Nënkuptohet se ajo duhet të paraprihet nga një njohje e ekzistencës së kufirit, të cilën gjë përherë e ka refuzuar Beogradi, përkatësisht tejkalimin e gjendjes aktuale dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes si burim i të gjitha problemeve që ekzistojnë në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në vend se të përpilojnë një plan gjithëpërfshirës që për qëllim do të kishte vendosjen e bazave për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy vendeve fqinje, krijuesit e platformës kanë zgjedhur të vazhdojnë një politikë autiste që mohon realitetin, duke gjetur kështu kuptimin e saj të vetëm. Si një shembull ilustrues të një qëndrimi të tillë të veçantë ndaj realitetit në këtë platformë mund të përdoret propozimi për çmilitarizimin e Kosovës, si dhe çështjen e sigurisë, e cila është tani në duart e NATO-s, e që propozohet ti jepet në përgjegjësi Eurokorpusit dhe ushtrisë së Serbisë dhe Shqipërisë, e cila gjë në Prishtinë dhe në kryeqytetet perëndimore ka shkaktuar vetëm tallje të vërtetë.
Ndoshta dallimi i vetëm, që qartazi duket në pozitën e Beogradit nga e mëparshmja, është se ajo në këtë dokument flet edhe për serbët në veri, edhe për ata në jug të lumit Ibër. Kjo është me gjasë si pasojë e kërkesave ndërkombëtare për heqjen dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës, e cila gjë është përsëritur si qëndrim i Ivica Daçiqit, e cila ishte politikë në të cilën këmbënguli edhe ish-regjimi i Boris Tadiqit. Edhe pse në mesin e vëzhguesve mbetet e dyshimtë braktisja e vërtetë e Beogradit zyrtar të kësaj ideje, fakti është se trajtimi i unifikuar i pakicës serbe në veri dhe pjesës e cila banon në zonat në jug të Ibrit, e bën çdo ide të ndarjes më të ndërlikuar teknikisht dhe politikisht të parealizueshme.
Edhe pse menjëherë pas publikimit të platformës së debatuar të presidentit serb është bërë e qartë se ai kurrë nuk do të bëhet një dokument zyrtar i miratuar nga të gjitha institucionet relevante, komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet kanaleve diplomatike menjëherë ka kryer riformulimin e disa dispozitave me të cilat kërkohen pezullimi i dialogut teknik. Kjo dispozitë e ashtuquajtur Pako marrëveshje u refuzua në fillim, sepse ,sipas saj, asgjë nuk është rënë dakord derisa çdo gjë është rënë dakord, duke anuluar një kërcënim të drejtpërdrejtë të bllokadës së vazhdimit të dialogut në Bruksel. Rreth dispozitave të tjera, aktorët kryesorë ndërkombëtarë nuk janë deklaruar zyrtarisht, por heshtja e tyre dhe mungesa e mbështetjes janë një shenjë e qartë e mospajtimit me planin e Nikoliqit. Duhet të kujtojmë se në një mënyrë pothuajse identike një vit më parë është anashkaluar agjenda katërpikëshe e Tadiqit. Duke qenë se platforma e Nikoliqit vuan nga defekte identike sikurse plani i Tadiqit, është pothuajse e sigurt se këto dy dokumente politike të krijuara në Beograd do të pësojnë të njëjtin fat.
Pa marrë parasysh se sa i parëndësishëm si dhe sa i pazbatueshëm në realitetet dhe në praktike është ky propozim që këshilltarët e Nikoliqit e përpiluan, kihet përshtypja se qëllimi i tij i vërtetë nuk është kontributi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese me Kosovën, por mbi të gjitha për të përfituar opinionin e brendshëm publik me premtimet false që ofrohen si kompensim për disa nga vendimet e vështira të cilat autoritetet e Beogradit do të duhet të bëjnë në të ardhmen. Ky lloj i llogaritjes megjithatë ka shkaktuar një valë të re të mosbesimit në palën tjetër bashkëbiseduese, ndërsa propozimet e Nikoliqit kuptohen edhe si një lloj shuplake në fytyrë ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian në përmirësimin e dialogut ekzistues teknik për të arritur zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Prandaj, në të ardhmen duhet të presim një rritje graduale të presionit mbi autoritetet e Beogradit në mënyrë faktike, por nëse kjo nuk është e mundur atëherë formalisht të ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës, duke eliminuar kështu pengesat e krijuara artificialisht për ratifikimin e saj në skenën ndërkombëtare, sidomos në aspektin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në rendin e ditës do të përfshihen, përveç energjisë dhe telekomunikacionit, pashmangshëm edhe çështja e strukturave paralele (administrative dhe të sigurisë), si dhe çështja e funksionimit të gjykatës në veri të Mitrovicës. Me ose pa një platformë, Nikoliqi dhe partnerët e tij të koalicionit, metodën e përdorur të gjuetisë në errësirë duhet ta zëvendësojnë me një qasje më serioze dhe realiste, e që shumë e më shumë do të respektojnë pikëpamjet dhe interesat e palës shqiptare. Mbi të gjitha ajo (pala shqiptare) është e vetmja partnere reale në negociata dhe adresa më e rëndësishme e cila duhet marrë parasysh në arritjen e të gjitha marrëveshjeve të ardhshme.
(Autori është analist politik nga Beogradi. Teksti është pjesë e këmbimit brenda projektit Reconnection të fondit Hartefakt, me përkrahje të Ambasadës britanike në Prishtinë dhe asaj në Beograd. Pikëpamjet e dhëna në këtë tekst janë qëndrime të autorit)










Bashkimi12.01.2013/21:17
Me ne fund nje koment i nje serbi normal