ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Tenderomania

Publikuar: 12.01.2013 - 20:42

Tregimi për fenomenin e keqpërtypjes së 1 miliard eurove çdo vit

Janë mbi 1 miliard euro para publike që jepen çdo vit nëpërmjet procesit të prokurimit publik në Kosovë. Ky 1 miliardësh përbën një të pestën e bruto produktit vendor të Kosovës. E nëse praktika e korrupsionit si në rastin e pasaportave ekstrapolohet në gjithë këtë shumë, pra nëse për çdo proces tenderues kërkohen 10% të vlerës totale siç kërkonin këta të pasaportave (1.4 milionë tall për 14 milionë vlerë), i bie se çdo vit bizneset kosovare u paguajnë vendimmarrësve mbi 100 milionë euro haraç e shpërblesë. Në pesë vjet kjo shumë bëhet gjysmë miliardi – para e pastër; por jo vetëm kaq.

Them jo vetëm kaq, meqë në praktikat korruptuese të Kosovës paraja publike e dhënë nëpërmjet procesit të prokurimit publik mund të keqpërdorohet nëpër tre filtra; që të tre ndajnë pak hise për keqpërdoruesit. Filtri i parë është ai i pagesës së haraçit fiks prej 10%, haraç ky që paraqet koston neto për taksapaguesit. Në mungesë të tij vlera totale e punëkryerjes do të ishte për aq më e ulët (gjithmonë nën supozimin e një konkurrence fer e të drejtë). Filtri i dytë paraqet jo vetëm pagesën e haraçit, por edhe kontraktimin e një biznesi të lidhur ngushtë me vendimmarrësit. Kosovarët këtu mbajnë dy kosto, koston e tarifës fikse dhe koston e produkteve apo shërbimeve që dalin nga një biznes jokompetent. Pra thënë ndryshe, punët e bëra nga një biznes më pak kompetent dalin o më të shtrenjta, o më të lodhëta sesa kur bëhen nga një biznes kompetent; këtë kosto shtesë natyrisht se e paguajnë taksapaguesit. Ka dhe një kosto makroekonomike nga lindja e konkurrencës jo fer, të cilën do ta elaborojë më vonë.

Filtri i tretë është ai pagesës së haraçit, dhënies së punës tek një biznes korrekt, por më pas edhe nënkontraktimi i një biznesi të tretë i lidhur ngushtë me grupet vendimmarrëse; pra vendimmarrësit shpëlajnë paranë duke kushtëzuar biznesin korrekt fitues me nënkontraktimin e një biznesi tjetër që nuk bën punë, nuk shton vlerë, por vetëm merr paranë. Kostoja e kosovarëve në këtë rast është e trefishtë, kosto e tarifës fikse, kosto e produkteve apo shërbimeve dhe kosto shtesë e një biznesi të rregullt që do të kompensojë pagesën e dy të parëve. Pra në secilën formë e në secilin filtër, rrjeti keqpërdorues i parasë publike kanalizon paranë nëpër rrugë të cilat u kultivojnë atyre fitime goxha të shëndosha e jo të kufizuara vetëm në tarifë të kosovarëve u japin kosto në çmim e kualitet. Prandaj në këtë logjikë kostoja prej një të dhjetës së vlerës tenderuese shumëfishohet.



* * *



Sistemi i krijuar që nga paslufta e i ushqyer deri më sot nga pothuajse të gjithë, përbën një formë të sigurt financimi e pasurimi për grupe të ngushta interesi. Ky sistem financon funksionimin partiak meqë janë mu këto biznese të shpërblyera që renditen gjatë zgjedhjeve për të derdhur paratë e padeklaruara të partive politike. I njëjti shërben edhe si sistem i pasurimit politik meqë ngritja e shpejtë dhe e pashpjegueshme e kapitalit të politikanëve buron mu nga një rrjet rëndë i korruptuar si ky. Në vitin 2012 në kuadër të “Riinvestit” bëmë analizën e sistemit të prokurimit publik. Të dhënat nga analiza tregojnë se pjesa më e madhe e tenderëve u jepet një grupi shumë të kufizuar të ndërmarrjeve. Kosova madje sot ka koncentrimin më të madh të shpenzimit të parasë publike në gjithë rajonin. Modeli i tillë i  korrupsionit njihet si modeli i “dorës grabitëse” në të cilin qeveria (si institucion) zaptohet nga bizneset e grupet e tjera të interesit që financojnë partitë politike në baza të rregullta, të cilat më pas nëpërmjet zaptimit të institucioneve mbajnë gjallë bizneset; pra bëhet fjalë për krijimin e një lidhjeje biznes-parti-biznes.

Tenderomania është sistem goxha i konsoliduar, vështirë i diktuar dhe jashtëzakonisht i qëndrueshëm përballë kapaciteteve hetuese të Kosovës. Kreativiteti (i mbrapshtë) i sistemit të tillë u pa edhe nga skandali i pasaportave, ku pagesa e haraçit për tender bëhet nëpërmjet dhënies së punëve tek bizneset që nuk kanë as lidhjen më të vogël me natyrën e punës. Në Kosovë një biznes i licencuar për ndërtim të rëndë mund të marrë lehtësisht tenderin e furnizimit me letra tualeti, apo një biznes tjetër për qeramikë e beton mund të marrë lehtësisht tenderin e pasaportave biometrike. E bëjnë këtë sa për të kanalizuar paranë publike përfundimisht tek xhepat e vendimmarrësve. Ky kreativitet i kooperuesve sot ka ndërtuar edhe një praktikë tanimë standarde të mbrapshtisë; të bëj një shembull për këtë. Gjithmonë sipas raportit të 2012-s, janë tanimë të zakonshme rastet e tërheqjes së bizneseve fituese nga procesi i prokurimit, për t’u lënë rend bizneseve të  renditura si të dytat. Bëhet kështu meqë fituesi ndërton marrëveshje me përcjellësit që kanë çmim më të lartë (shpeshherë edhe dy herë më të lartë) në këmbim të një pagese për tërheqje, diçka si fitim neto pa fije pune; puna më e madhe është mbushja e dosjes tenderuese, tërheqja dhe pagesa e një dënimi fiks – e gjitha kjo pa fije konsekuence për herën tjetër. Në këtë bashkëpunim të mbrapshtë pjesëmarrës domosdo janë edhe vendimmarrësit.

Sistemi në fjalë bëhet gjithashtu i qëndrueshëm e i konsoliduar meqë përmban elementin e vetëselektimit. Është situata kur bizneset e rregullta lodhen nga trajtimi jokorrekt dhe nuk tenderojnë më fare duke u lënë rrugë të hapur e të lehtë gjithë keqpërdoruesve të tjerë. Kujtoj se vetëm gjatë vitit 2012 numri i konkurrentëve ka shënuar rënie për plot 13% - dhe kjo bën një dëm për vendin meqë çdo largim nga intensiteti i konkurrencës së plotë kushton. E kur jemi tek përqindjet, vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë anuluar plot 35% të tenderëve. Ka dy shpjegime prapa anulimeve të tilla. E para, dhe hiç e zakonshmja, sepse fituesi është vërtetuar të jetë lidhur ngushtë me grupe të interesit dhe i njëjti është larguar nga organet shqyrtuese. E dyta, edhe shumë më e pritshmja, sepse fituesi është një biznes që nuk ka lidhje me vendimmarrësit, apo në rastet më të rralla dhe nuk pranon të japë tall dhe si i tillë eliminohet lehtësisht për teket edhe më të vogla, siç ishte njëri prej rasteve i mosvulosjes së njërës prej 1000 faqeve të dosjes tenderuese (ani pse kishte vulosur i shkreti 999 të tjera). Në të dyja rastet ne kemi të bëjmë me një sistem të sëmurë e defektuoz që keqprodhon një të tretën e produkteve. Në një shembull hipotetik, çdo fabrikë, çdo mjek apo çdo ekip që defekton çdo të tretën herë do të përfundonte i falimentuar, i dështuar e i harruar.



* * *



Ky cikël vetushqyes e destruktiv i rrjedhës së parasë publike shkakton kosto enorme për zhvillimin ekonomik të vendit. Jo pa qëllim në fillim të shkrimit përmenda një të pestën e bruto produktit vendor. Bëra kështu meqë paraja publike (fatkeqësisht) sot është faktori më domethënës i ecjes ekonomike të Kosovës. Kjo sepse vendi ynë vazhdon të ketë, si asnjë vend tjetër në rajon e më shumë, një sektor privat tërësisht të paaftë për të luajtur rolin e gjeneratorit ekonomik. Rrjedhimisht ritmi i ecjes sonë zhvillimore varet plotësisht nga vendimet e të korruptuarve; pra ne jemi në derexhe të tyre. Nëse një euro e pranuar si taksë e një biznesi të rregullt, e cila në çdo rrethanë tjetër do të investohej për makineri, vend pune apo lëndë të parë, pra për vlerë të shtuar - pra nëse një euro e tillë kalon nëpër sistemin e tanishëm të prokurimit publik efekti i saj përfundimtar është larg prej efektit të një euroje të plotë. Fillimisht është pak cent më pak për pagat e qeverisë megalomane, më pas është pak cent më pak për tallin prej 10%, e  në fund është pak cent më pak për pranimin e saj në këmbim të punës nga një biznes që nuk është kompetent për të bërë punë, por merr punë meqë bën pjesë në ndërlidhjen biznes-parti-biznes. Këto pak këtu e pak aty në fund zhbëjnë të gjithë euron fillestare. Pra një euro me efekt pothuajse të plotë në duar të biznesit privat ka efekt pothuajse minimal pas filtrimit në sistemin e korruptuar kosovar. Niveli i zhvillimit ekonomik kosovar sot variron varësisht se në duar të kujt është ajo euro. Në rastin tonë ajo euro është më mirë të mos mblidhej fare.

Në rrethana si këto ne kemi pranuar në vazhdimësi analiza ekonomike që kanë theksuar se Kosova edhe pse mund të ketë rritje ekonomike prej 3 e 4% sot, apo 7-8% nesër, nuk do të thotë se mund të ketë edhe zhvillim ekonomik. Nën menaxhimin korruptiv të parasë publike, vlera e re e shtuar sot është vlerë e pasurisë së një grupi të ngushtë të njerëzve që nuk kanë për qëllim logjikën e shëndoshë biznesore (pra investimin e rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës) por shfrytëzimin e kësaj dere keqpërdoruese për aq kohë sa munden, për aq kohë sa zgjat. Të njëjtit e kanë bukur të qartë se ndërrimi politik i partisë në pushtet nënkupton edhe përfundimin e qejfit të tyre, ashtu siç këta kishin përfunduar qejfin e paraprakëve.

Prandaj them se nëse ky vit do të duhej të niste me një hap të mbarë atëherë lufta ndaj hajnisë, që tanimë është bërë edhe parakusht publik i BE-së, do të duhej të merrte vëmendjen e politikanëve tanë. Jo më me tryeza shaka, assesi me këshilla e komisione sa për sy e faqe, por me ndërrim radikal të vullnetit politik. Po mendoj, në një këshill kombëtar që lufton korrupsionin të gjitha thirrjet për antihajni duhet të drejtohen jo prej njerëzve nga aty, por mu ndaj njerëzve aty. Janë mu ministrat, zëvendësministrat e zëvendëskryeministrat që mbajnë përgjegjësi mbi burimin e vetëm të keqpërdorimit të parasë publike: prokurimin publik. Arsyeja pse ne sot kemi korrupsion kaq enorm është mu për shkak të tenderomanisë, e cila krijohet e mbahet mu nga shtrofullat e ministrave; aty ku shpërndahet paraja publike. Çdo thirrje tjetër është e thatë. Në fund të fundit, hajninë nuk e shkaktojnë qytetarët që blejnë bukën e mëngjesit në furrë, por pushtetarët që marrin taksat e furrës në mbrëmje.

Komente (7)

Driton Bakija Gjakove 14.01.2013/14:47

Shkrim shume i mire nga,Lumir Abdixhiku.Preshkruan gjen ekonomike Ku ndodhet sot ,Kosova dhe ceke te metat e qeverise per keqeverisje dhe korropcjone dhe shume te meta te kesaj qeveria.Ceke me fakte dhe shifra keqeqeverisjen dhe korropcjonin.

prizren13.01.2013/14:09

Te Nderuar komentues me keto para blehen DIAMANTE NE AUKSIONE , SIDOMOS NE LONDER. Jo, kjo qe shkruaj nuk eshte iluzion por eshte REALITET. Gazetaret duhet te vizitojne edhe vende te tilla sidomos LONDREN!!!!!Jewelry

Session Jewellery
Auction 20629
London, Knightsbridge
16 Jan 2013, session starting at 1100 GMT

Kosovari13.01.2013/11:44

Edhe ni shkrim per te na binde qe keta vjedhin. Te bindur jemi. Mjafton. Tutje ?

Shaqa13.01.2013/10:56

Shume analize e mire por mekate qe ministrat tone e veqanerisht kryeministri dhe Bajram Rachepi nuk elexon ker artikull por edhe ma e keqe eshte , se edhe nese e lexon nuk e kupton ,se eshte e komlekuar per koken e tij. E sa per popullin e njejta gje nuk e e marrin vesh ket shkrim kaq kompleks dhe duhet thjeshtesuar.Se ne e kemi nje proverb tonen qe themi " gjarperi qe nuk me kafshon mua rroft 100 vjet"!!!!'

Theranda13.01.2013/10:38

Pake intelektual si lumniu marrin guxim ti qesin publikisht te gjitha dobesit dhe hajnit e kesaj e qeveri,pasi qe mendojn qe nje dit te behen pjestar te ksaj qeverie ma te korruptuar jo ne rajon po edhe ma gjer.Por un mendoj se edhe populli deri diku i ka kuptuar hajnit e kesaj qeverie ,por ne mjerisht jemi nji popull qe edhe historia e ka vertetuar se nuk dim kure me kerku dhe qka me kerku ! pse heshtim ,ken po e presim te naj drejtoj punet tona? te huajt! te cilt kan ardh me luftu krimin e jan ba bashke me tanet e po vjedhin sa po munden .Po qfaj kan ata, kur i zoti i shpis e vjedhe shtepin e vete ,ateher pse te huajt mos me vjedhe, ata sot jan neser sjan.

Arsimi Londer13.01.2013/10:22

...dhe me keto para blehen aeroporti, distribucioni, PTK e kompani te tjera duke i pasur turqit e si paravan dhe ortake.

fiona krasniqi13.01.2013/09:37

Te lumte Lumir je i pa krahasueshem vetem vazhdo por fatkeqsisht ske kujt ti tregosh.

1000  Karaktere
Prishtinė 20°CI kthjellėt
Tiranė 20°CI kthjellėt
Shkup 23°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell