ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Epoka e dytë nukleare

Publikuar: 11.01.2013 - 20:15

Problemi më i madh emergjent rrjedh nga shkatërrimi i monopolit të dikurshëm të shteteve të mëdha mbi armët bërthamore dhe fuqizimi i shteteve më të vogla, si Koreja Veriore, Pakistani, Izraeli e ndodh që edhe Irani. Rregulla të reja për diplomacinë, strategjinë ushtarake dhe kontrollin e armatimit janë të nevojshme për stabilizimin e këtij rendi bërthamor

New Haven, 9 janar – Lansimi nga Koreja Veriore i një rakete me rreze të gjatë të veprimit, kah mesi i dhjetorit, u përcoll me furinë e dënimeve nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ishte komike, si për nga parashikueshmëria, ashtu edhe joefikasiteti.

Por, lansimi dëshmoi një realitet më të madh, që nuk mund të shpërfillet më: bota ka hyrë në një epokë të dytë bërthamore. Bomba atomike ka hyrë në aktin e dytë, rikthimin e pas-Luftës së Ftohtë. Kjo skemë më e madhe duhet të kuptohet, po qe se duam që ta menaxhojmë.

Konturat e epokës së dytë bërthamore ende janë duke marrë formë. Por, vitet e ardhshme do të jenë posaçërisht të rrezikshme, për shkak se vetë faza fillestare ngërthen rreziqe, derisa rregullat dhe vijat e kuqe ridefinohen. Kjo ka zgjatur të paktën dhjetë vjet në epokën e parë bërthamore dhe këtë herë mund të mos jetë ndryshe.

Në Lindje të Mesme, Azi Jugore dhe Azi Lindore, rivalitetet e vjetra tani po shpalosen në një kontekst bërthamor. Një gjë e tillë tashmë ka ndryshuar strategjitë ushtarake në Lindjen e Mesme. Një pjesë e arsenalit bërthamor izraelit tashmë po zhvendoset në det, me koka bërthamore në nëndetëse, për të penguar marrjen në cak në një sulm të befasishëm. Izraeli po ashtu është duke lansuar një gjeneratë të re të satelitëve, për të dhënë paralajmërim të hershëm të përgatitjeve të shteteve tjera për sulme me raketa. Po qe se njësitë mobile raketore të Iranit shpërndahen, Izraeli do që për këtë të informohet menjëherë.

Rrjedhimisht, problemi i vjetër i paqes arabe-izraelite tani shihet në kontekstin e një kërcënimi bërthamor iranian. Dy problemet janë të lidhura. Si do të përgjigjej Izraeli në rast të sulmeve me raketa nga Gaza, Libani dhe Egjipti, në rast se po të njëjtën kohë përballet me rrezikun e një sulmi bërthamor nga Irani? Çfarë do të bënte SHBA-ja dhe Izraeli, po qe se Irani e vë në jetë kërcënimin e vet deri në pikën e evakuimit të qyteteve apo vendosjen e raketave në qytete, për t’u siguruar se sulmi mbi do të shkaktonte dëme kolaterale masive?

Pakistani ka dyfishuar arsenalin e vet bërthamor gjatë pesë viteve të kaluara. Forcat e armatosura të saj pritet që të shpalosin armë të reja taktike bërthamore – armë të fushëbetejave me rreze të shkurtër veprimi. India ka vënë në përdorim një treshe bërthamore – bombardues, raketa dhe nëndetëse – derisa më 2012 e kishte testuar një raketë balistike ndërkontinentale, me kapacitet për ta goditur Pekinin dhe Shanghain. India pothuajse me siguri ka një kokë të shumëfishtë bërthamore (të njohur si MIRV), derisa po ashtu ka lansuar satelitë për t’i ndihmuar në marrjen në shënjestër të forcave të Pakistanit.

Në Azinë Lindore, Koreja Veriore është shndërruar në fuqi bërthamore dhe pritet që arsenalit të saj t’i shtojë një klasë të tërë të re të bombave të uraniumit. Ajo ka bërë testet e nevojshme, për të dëshmuar se mund të ndërmarrë sulme mbi Korenë Jugore dhe Japoninë, para se të kryhet ndonjë kundërsulm.

Edhe Kina është duke i zhvendosur forcat e veta bërthamore tek raketat mobile dhe nëndetëset. Këto armë mund të vihen në gjendje gatishmërie, në një mënyrë që do të ishte tejet e dukshme për satelitët amerikanë dhe mediet globale. Kështu, kinezët shumë lehtë mund ta “nuklearizojnë” një krizë me SHBA-në apo këdo tjetër. Ata nuk kanë nevojë të detonojnë një armë bërthamore, por vetëm të alarmojnë kundërshtarët për rritjen dramatike dhe rrezikun e një mejdani.

Rusia, duke mos dashur të mbetet e vetmja jashtë aktit, pak kohë më parë ka ndërmarrë manovrat më të mëdha bërthamore për dhjetëvjeçarë të tërë, për t’iu kujtuar të gjithëve se mbetet një fuqi serioze bërthamore.

Këto zhvillime individuale janë shqetësuese. Por, ato nuk mund të kuptohen si të vetme nga sistemi më i madh shumëpolësh i fuqive të mëdha, sistem ky që është duke u formuar. Deri në një shkallë të madhe, është ky sistem multipolar bërthamor: posedimi i armëve bërthamore kontribuon në statusin global të një shteti si fuqi e madhe.

Për ta kuptuar këtë, ta marrim parasysh çështjen në vijim: Kur ishte hera e fundit që SHBA-ja apo dikush tjetër propozoi në mënyrë serioze që India ta nënshkruajë Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT) – pra që India të heqë dorë nga bomba. Duke i pasur parasysh problemet ekonomike të Amerikës dhe shkurtimet në mbrojtje, ashtu edhe pushtetin në rritje të kinezëve, nuk ka as gjasa që një kërkesë e tillë të bëhet. India është bërë anëtare e pranuar dhe legjitime e klubit bërthamor. Madje edhe më pak gjasa ka që Kina apo Rusia të çarmatosen për hir të një bote pa armë bërthamore.

Por, problemi më i madh emergjent rrjedh nga shkatërrimi i monopolit të dikurshëm të shteteve të mëdha mbi armët bërthamore dhe fuqizimi i shteteve më të vogla, si Koreja Veriore, Pakistani, Izraeli e ndodh që edhe Irani. Rregulla të reja për diplomacinë, strategjinë ushtarake dhe kontrollin e armatimit janë të nevojshme për stabilizimin e këtij rendi bërthamor. Të shtiresh se ky rend nuk ekziston, nuk është strategji.



(Autori është profesor i menaxhmentit dhe i shkencave politike në Universitetin Yale. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”) 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°C