ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:30 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:10 Oxygen ® - vazhdimi *** 18:50 Marketing *** 19:00 Lajmet e mbrëmjes *** 19:35 Filma Vizatimor: “ Ariu i Vogël Çarli “ epis. 18, 19, 20 *** 20:15 N’Darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing  *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Parathënie e një viti të rëndë

Publikuar: 05.01.2013 - 16:13

Në vitin 2013 papunësia do të vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse do të bjerë dhe më shumë, hendeku tregtar do të thellohet më tepër, e konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet më keq. Do ta kemi kështu derisa të kuptojmë se ne thjesht jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe nuk ka se si të prodhojë prosperitet

Derisa po shkruaja shkrimin festiv tashmë të vitit që shkoi, fillova të bëj një shfletim të të gjitha kolumneve që kisha shkruar në 2012-ën. U ndala tek e para, e shkruar më 6 janar 2012, në të cilën po bëja, mu siç provoj të bëj tani, një parashikim ekonomik të vitit. Asokohe kisha shkruar kështu: “Për Kosovën këtë vit asgjë nuk do të jetë më lehtë. Do të na zvogëlohen remitancat, investimet e huaja e donacionet nga një vit i rëndë evropian; të tria këto burime thelbësore të zhvillimit ekonomik kosovar. Me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punës. Për më tepër, këtë vit do të mbështetemi edhe një herë në shpenzime qeveritare si alternativë e vetme e rritjes ekonomike. Në parametra si këto vendet e punës do të stagnojnë dhe më shumë, por jo dhe korrupsioni”.

 

Po i shkruaja këto fjalë në kohën kur qeveritarë e proqeveritarë, ministra e zëvendësministra, militantë e analistë-militantë, me dokumente quasi-planifikuese e prezantime power-point që i quanin strategji, promovonin të kundërtën: rritje të eksportit, ulje të deficitit tregtar, mbështetje për sektorin privat, rritje ekonomike prej 5-7%, rritje të investimeve të huaja e ulje të papunësisë. Do të doja sinqerisht që parashikimet e mia të ishin të gabuara, por ja që një vit më pas fatkeqësisht ato dalin të sakta.

 

E para, rritja ekonomike nuk ishte 5.4% siç parashikonte Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, e hiç se hiç 7% siç ëndërronte Plani Bullgar, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit,ajo ishte afër 4%; saktësisht 3.9% (burimi: BQK, FMN dhe Ministria e Financave). E dyta, importet nuk u ulën, eksportet nuk u rritën e hendeku tregtar nuk u tkurr, siç pretendonin konferencat ministrore të kohës, por fatkeqësisht edhe siç kisha shkruar në fillimvit ndodhi e kundërta; importet u rritën për gati 3%, eksportet ranë për gati 19% e deficiti tregtar u rrit nga 2.07 në 2.22 miliardë euro brenda një viti të vetëm (burimi: Doganat e Kosovës, Agjencia e Statistikave dhe BQK). E treta, investimet e huaja nuk u rritën si trumbetonin pothuajse të gjithë, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit ato ranë për besoni ose jo plot 54% (burimi: BQK). Thënë të drejtën këtë rënie kaq drastike nuk e kisha menduar asnjëherë. E katërta, siç kisha shkruar një vit më parë “me 4% rritje ekonomike ne nuk do të mund të akomodojmë as ata që për herë të parë futen në tregun e punë” papunësia nuk doli të ishte 30% siç pretendonin qeveritarët hajgare që e llogarisnin atë nga intensiteti i frekuentimit të kafeneve, por plot 45%, numër ky i njëjtë me vitet paraprake (burimi Agjencia e Statistikave). E pesta, remitancat nuk u rritën për 10%, siç parashikonin projeksionet qeveritare, por fatkeqësisht siç kisha shkruar në fillimvit, ato ranë për 1% (burimi: BQK).

 

Në shkrimin e parë të vitit që shkoi, sa për të simbolizuar nivelin e hajnisë në vend, kisha shkruar edhe për vendimin e “Mercedesit” për të mos hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Qeverinë e Kosovës për shkak të aferave korruptive. Një vit më pas nuk di nga t’ia filloj. Një vit më pas jo vetëm që u ranguam njëjtë nga Transparency International, por ende pa filluar java e vitit të ri mirë, gazeta numër një amerikane “New York Times” kishte bërë një shkrim mozamakeq të zi për Kosovën. Ky shkrim e përshkruante vendin tonë si një oazë të gangsterëve korruptimë që zhvatin e rrjepin çfarëdo që u del para. Nën titullin: “Kosova nuk arrin të shkundë imazhin e perëndimit të egër në mes të investitorëve” qëndronte përshkrimi më i hidhur, por gjithsesi real, i situatës ekonomiko-korruptive në Kosovë; përshkrimi “perëndimi i egër” gjithsesi se do të na djegë për një kohë të gjatë.

 

E njëjtë sikurse një vit më parë, institucionet tona vazhdojnë ta kenë të humbur lidhshmërinë me realitetin ekonomik të vendit. Disa vendosin t’i kontestojnë numrat zyrtarë, të tjerët i kontestojnë raportet ndërkombëtare, e pak nga ta dhe preferojnë heshtjen. E siç e do rutina qeveritare tanimë, parashikimet zyrtare parashohin prapë rritje ekonomike prej 5.5%, rritje të eksporteve, rënie të importeve, ulje të deficitit tregtar, ulje të papunësisë, rritje të investimeve të huaja e prosperitet të gjithëmbarshëm ekonomik. Thënë të drejtën parashikimet tona zyrtare, që nuk kanë dalë asnjëherë të sakta në pesë vitet e fundit, janë më tepër lista dëshirash se sa komponentë domethënës. Kjo sepse asnjëri prej objektivave nuk përcillet me politika, mjete e aktivitete që ndërlidhen me njëra - tjetrën; pra që kanë një rrjedhë minimalisht logjike.

 

Them kështu meqë dallimi mes një liste dëshirash dhe një liste objektivash është në përshkrimin e rrugës që t’i planifikosh të bësh. E para, kur parasheh rritje ekonomike prej 5.5% është e udhës të parashikosh fillimisht orientime buxhetore që stimulojnë sektorin privat e jo të parashikosh buxhet që mbështetet tërësisht në import. E dyta, kur parasheh ulje të papunësisë apo dhe tkurrje të hendekut tregtar është e udhës të parashikosh krijimin e pakove fiskale që ulin barrën tatimore, pakove kreditore që ulin normat e interesit, pakove stimuluese që rrisin e promovojnë prodhimin vendor apo pakove gjyqësore që krijojnë ligjshmërinë e mbrojnë konkurrencën fer. E treta, kur parasheh rritje të investimeve të huaja është e udhës të reagosh para se skandalet të marrin faqet e gazetave botërore, të monitorosh prokurimin publik, të reduktosh burokracinë, të dënosh keqpërdoruesit e të ndërtosh imazhin e një vendi të sigurt. Qëndrimi indiferent ndaj skandaleve korruptive, mosdhënia e përgjegjësisë e stimulimi i krimit me struktura parainstitucionale nuk ka se si të sjellë hair.

 

E për të bërë një bazë të shkrimit të ardhshëm, atij të një viti nga sot, logjika ekonomike më thotë se së pari Kosova nuk do të mund të ketë as këtë vit rritje ekonomike më të madhe se 3.5%, rritje kjo që nuk do të përkthehet në zhvillim ekonomik gjithmonë për shkak të modelit tonë zhvillimor që mbështetet kryesisht në shpenzimin e parasë publike, por jo në sektorin privat. E me 25% të GDP-së të dhënë nëpërmjet një prokurimi publik të korruptuar as rritja modeste prej 3.5% nuk do të përkthehet në zhvillim ekonomik; e njëjta do të kornizohet vetëm si rritje e pasurisë së një grupi të lidhur ngushtë me shpenzuesit e parasë publike. Së dyti, në vitin 2013 them se deficiti tregtar do të vazhdojë të thellohet meqë eksportet tona do të bien më tutje nga një vit edhe më i rëndë evropian që po humb potencë në konsum njëtrajtësisht sa humbin edhe prodhuesit tanë potencë në prodhim nga anomalitë e brendshme. Në mungesë të prodhimit vendor ne do të mbështetemi edhe më tutje në importe të cilat me vete do të marrin mbi 2.6 miliardë euro në vit. Së treti, me ritmin e skandaleve të deritanishme e me intensitetin e lodhur të reagueshmërisë sonë ndaj tyre, investimet e huaja do të goditen edhe më shumë. Përjashto ndonjë privatizim aty-këtu të bërë nga ndonjë tyxhar oriental që sheh Kosovën vetëm si mundësi zhvatjeje të shpejtë, as edhe një emër serioz nuk do të prekë Kosovën.

 

E në parametra si këto, papunësia do të vazhdojë të mbetet në stadin e njëjtë, fuqia blerëse do të bjerë dhe më shumë, e konkurrueshmëria e bizneseve tona do të rëndohet dhe më keq – për të prodhuar kështu një bazë edhe më të rëndë për vitin vijues; njëjtë siç kanë bërë këta paraprakët për vitin që lamë pas. Do ta kemi kështu derisa të kuptojmë se ne thjesht jemi në një udhë të mbrapshtë e vazhdimi i kësaj udhe nuk ka se si të prodhojë prosperitet. Vetëm ndërrimi radikal i paradigmës ekonomike që mbështetet në iniciativën private, prodhimin e brendshëm, ambientin ligjore e vullnetin pozitiv politik mund të japë shpresa për një rimëkëmbje të mirëfilltë. Por ja që në përgjigje të problemeve si këto në vend të pranimit e reflektimit, ne do të dëgjojmë prapë konferenca përmbyllëse me plot lavde e kore gazmore që kontestojnë numrat, promovojnë përrallat e dhunojnë kohën.

Komente (3)

Xhaferi06.01.2013/02:04

"Parathënie e një viti të rëndë"
Shkrim i mire dhe profesional i z.Abdixhiku i cili me shkrimet dhe prezentimet e tija mundohet qdohere te kontribon per zhvillimin ekonomik te vendit. Fatkeqesisht kjo qe ka thene z.Abdixhiku edhe ne praktike qytetaret po e shofin se eshte e vertete, por ata me kete menyre te mosdhenjes se llogarise nga ana e pushtetareve kane frigen qe kjo gjendje e paperspektives do te vazhdon edhe nje kohe te gjate...

meta06.01.2013/00:25

Në disa qoshe të botës njeriu përpiqet të komunikojë me kafshë për ti kuptuar më mirë nevojat e tyre,do ishte e paarsyeshme të presim që i zoti i kafshës të pret që kafsha ta kuptoj atë. Mirëpo sa do që këta njerzë janë shumë tolerantë në vetidihet se toleranca nuk është veti aq e shquar e njeriut për fat të keqe shohin si të arsyeshme dhe të pa evitueshme përdorimin e dhunës ndaj kafshës në rast se kjo rrezikon njeriun.Shtrohet pyetja si ashtë e mundur që në Kosovë njeriu të jetë kaq tolerantë ndaj dukurive më të poshtra që disa "njerzë" i ushtrojnë mbi ta? Mos vallë jemi një popullë që kemi tejkalu vetëdijen e njeriut të sotëm dhe kemi durim ti tolerojmë jo vetëm kafshët po edhe "njeriun" që e kem pranë sado që ky lloj "njeriu" na rrezikon jetën në cdo kohë.Apo kemi të bëjmë me ndonjë devijim gjenetik si popullë.Mendoj se para se të eksperimentojm me njëren apo tjetren supozim duhet dhënë rastin të thënës së vjetër "si a veni bohet kuveni",pra edhe pak dhunë ndaj këtyre "njerzve"!

elioti05.01.2013/20:07

I nderuari Lumir, si gjithmone i sakt,i paanshem,tejet objektiv dhe shume ,shume profesional ne analizat tuaja te spektrit ekonomik. Fatekqesisht gjithmon duke u terhjek vrejtjen dhe duke u trguar ketyre debilave rrugen se si,sa dhe kur por kujna se? Ju kuptoi plotesisht kur thuani se veq jeni lodh duke perseritur e lemeritur po thuaj gjithmon te njejata probleme.... Shume entuziast dhe njerz me potencial ekonomik dhe financiar qe dikur kemi pas deshire dhe vullnet te investojm disa kem bere kete dhe kemi deshtuar nga sabotazha dhe kercnimet, reketimet e gangastervedhe prosperojm ne Ks kemi humb definitivisht te gjitha shpresat..... Fatkeqesisht zymt shume zymt dukete horizonti ekonomik,social dhe politik i Kososves dhe frigohem qe do te kaloj edhe shume kohe qe te filloj dicka e mbar......

1000  Karaktere
Prishtinė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 15°CKryesisht me vranėsira
Shkup 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė21°CRrebesh shiu
Shkup24°CMe diell