Lufta dhe paqja e shpërdoruar
Afrim Kasolli Artikujt tjerė
Nëse brezat e ardhshëm do të mahniten me arritjet heroike të lëvizjes për çlirim, ata do të turpërohen për instrumentet që partia në pushtet ka përdorur për mbijetesën e saj politike
Dukuria e shpërqendrimit është bërë një nga mjetet më të zakonshme që është duke e përdorur Qeveria e Kosovës për të mbrojtur veten nga skandalet e shumta përballë opinionit publik. Kjo strategji banale e prodhuar në laboratorët propagandistikë të partisë në pushtet, synon që ta zhvendosë vëmendjen qytetare nga dështimet konstante, skandalet, marrëzia, moçali politik e ekonomik, si dhe gjendja e pashpresë ku e ka futur vendin ky model i qeverisjes. Kështu, derisa papunësia në shoqëri ka arritur nivel rekord, korrupsioni është shndërruar në normë institucionale qeveritare, (mos)zhvillimi ekonomik, sipas revistave prestigjioze ndërkombëtare që analizojnë trendët globalë ekonomikë në nivel planetar, është bërë identik me vendet si Koreja e Veriut apo nepotizimi është bërë i vetmi kriter i rekrutimit të stafit administrativ në organet shtetërore, si dhe shëndetësia është shndërruar në çerdhe të dehumanizmit, e arsimi në shembull eklatant të dështimit total, e falangat publicistike të qeverisë së Hashim Thaçit, nëpërmjet kësaj strategjie perverse vazhdimisht pretendojnë ta mbulojnë këtë gjendje molisëse shoqërore. Në këtë mënyrë etiketa përballë debatit kritik, propaganda përballë së vërtetës, dhe manipulimi përballë shqyrtimit të fakteve kokëforta janë shndërruar në armët vrastare të demokracisë sonë, me të vetmin synim: që të shushatet analizimi racional i gjendjes dhe kështu të ruhet në pushtet jetëgjatësia e kësaj klientele koniunkturale politike.
Është bërë traditë që sa herë që kjo qeveri ndodhet përballë presionit publik nga skandalet e panumërta, zyrtarë të Partisë Demokratike, dhe madje kryesisht kryeministri Hashim Thaçi, paturpësinë e këtij pushteti tentojnë ta mbulojnë duke u mbështetur në të kaluarën e tyre në UÇK. Rrjedhimisht, medikoriteti institucional, çmoralizimi radikal, si dhe gjeratorja e krimit që i ka kapërthyer tash e sa kohë të gjitha poret e jetës sonë shoqërore dhe ekonomike, si pasojë e veprimeve të kësaj qeverie justifikohet ideologjikisht me fraza frenetike nga pjesëmarrja e tyre në luftën e fundit. Por, a ka keqpërdorim më të madh të kësaj lufte sesa përdorimi i saj si paravan për të mbuluar dështimet aktuale? Kështu, në vend se të dëgjojmë ide konkrete për të dalë nga situata e krijuar, shoqëria bombardohet me fjalime heroike nga kryeministri Thaçi, i cili kërkon nga qytetarët të qetësohen, ti besojnë atij dhe të kujtojnë të kaluarën e tij, apo të paktën të mos ngurrojnë e ta mësojnë historinë e vërtetë ashtu siç na e paraqet me pietet shkencor historiani i kësaj lukunie çoroditëse politike, ministri aktual i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Kjo logjikë groteste përbën mëkatin më të rëndë intelektual dhe tradhtinë me të madhe morale ndaj së vërtetës si dhe paraqet keqpërdorimin më ekstrem që mund ti bëhet sakrificës sonë kolektive që u bë në të kaluarën për çlirim. Objektivisht, me këtë tendencë pretendohet që pikërisht populli të përjashtohet nga historia dhe të pengohet që ai ta zërë vendin e merituar në të.
Pra, me këtë qasje thellësisht manipuluese, gladiatorët e kësaj politike tentojnë ta paraqesin rrugëtimin tonë historik si produkt të një logjike imanente, e cila ka pasur destinacion kryesor etablimin në pushtet të kësaj kaste që aktualisht është duke e sunduar Kosovën. Përgjithësisht, sakrifica e atyre qindra-mijëra luftëtarëve që u angazhuan për liri, shpërdorohet për ta arsyetuar stërkeqjen e përgjithshme shoqërore, ekonomike dhe politike që e ka promovuar partia në pushtet. Gënjeshtër më të madhe besoj se nuk ka. Sepse, idealet e së kaluarës që shërbyen për mobilizim kolektiv tani përdoren si maskë për qëllimet e kufizuara të këtij pushteti thellësisht të degraduar, deligjitimuar dhe tjetërsuar, qoftë në aspektin shoqëror ashtu edhe atë historik. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe gjithë atë zhurmë mediale për krijimin e së ashtuquajturës UÇK Qeveria. E tërë kjo gumëzhimë sipas së cilës kjo qeveri e re e kombinuar ndërmjet PDK-së dhe AAK-së mund ta garantojë stabilitetin e vendit, nuk është asgjë tjetër pos pjesë e kësaj farse propagandistike
Sidoqoftë, kushdo që e ka ende të freskët kujtesën nga ato ngjarje historike, dhe nuk është infektuar nga paçavuret bajate të ministrit Enver Hoxhaj, e të cilat janë të prodhuara mbi një mendësi fashiste (natyrisht këtu nuk e kam fjalën për fashizmin objektiv historik, por për atë fashizmin psikologjik, i cili të bën që ta duash dhe adhurosh pikërisht atë formë të pushtetit që të dominon dhe të shfrytëzon, model ky për të cilin ka bërë fjalë filozofi i njohur Michel Foucault) do të shohë se nuk ka kundërshtim më flagrant ndërmjet vlerave që e nxitën atëbotë reagimin kolektiv dhe rendit të tanishëm ku jemi duke qenësuar politikisht.
Substancialisht, përpjekja për çlirim ishte një aksion i përbashkët kolektiv dhe nuk ishte produkt i asnjë njeriu të vetëm siç synohet të paraqitet me këtë rast. Kështu deti i trazuar i historisë që atëbotë përfshiu mbarë kombin, ishte nxitur nga idealet e lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Këto ishin forcat lëvizëse të historisë, të cilat pulsonin nga të gjitha misteret e shoqërisë, e që nëpërmjet një solidariteti kolektiv synonin jetësimin atyre idealeve. Prandaj, këto personalitete që atëbotë u ndodhen në funksione të caktuara organizative brenda kësaj lëvizjeje, nuk ishin krijues të kësaj tendence historike, por më shumë ishin produkt sipërfaqësor i këtij vullneti ngulmonjës kombëtar për çlirim. Për këtë arsye tani askush nuk ka të drejtë që një epoke historike tia atribuojë vulën personale. Një prirje e tillë paraqet kriminalizim të kësaj epoke.
Në këtë mënyrë Hashim Thaçi dhe suita e tij që aktualisht ndodhet në pushtet do të mbahen mend vetëm si krijues të një rendi që në mënyrë konstante shpërfilli dhe devalvoi pikërisht këtë trashëgimi të paharruar. Dhe ky rend qëndron në antinomi të plotë me forcat shtytëse historike të asaj periudhe si në sferën politike e sociale e deri tek motivet psikologjike. Pra, me veprimet tij politike kryeministri i kësaj qeverie, jo vetëm që e nëpërkëmbi esencën e kësaj përvoje, por ai u shndërrua në varrmihësin kryesor të saj.
Përmbajtësisht, fryma e paqes post-historike e etabluar nga Hashim Thaçi nuk ka asnjë vlerë të përbashkët dhe lidhje imanente me idealet për të cilat dikur u luftua. Nëse dikur siguria për të ardhmen, optimizmi për zhvillim dhe shpresa për mundësitë e barabarta ishin motivet kryesore të lëvizjes, vendin e tyre sot e ka zënë, depresioni, frika, pasiguria, deprivimi shoqëror dhe pabarazia. Në këtë atmosferë rrënuese, pikërisht karrierizmi, etja e shfrenuar për luks e pushtetarëve dhe tendenca për korrupsion janë bërë karakteristikat qenësore të modelit strukturor të kësaj qeverie.
Shndërrimi i pushtetit vetëm në instrument për realizim të interesave personale dhe shtrirja e tentakulave të tij mbi të gjitha resurset ekonomike të vendit është bërë burim i fuqizimit të kësaj kaste të re turbo-kapitaliste. Strukturalisht kjo gjendje promovon një monopol të paparë të pushtetit mbi shoqërinë, duke e kontrolluar atë politikisht dhe ekonomikisht. Kurse, kolapsi ekonomik, dhe mungesa e zhvillimit për shumicën qytetare e ka bazën pikërisht te kjo logjikë. Duke qenë në pushtet dhe rrjedhimisht pronare kryesore e ndërmarrjeve ekonomike të vendit, kjo strukturë i privatizoi shumicën prej këtyre ndërmarrjeve pa asnjë kriter e me çdo kusht, jo për hir të promovimit të zhvillimit, prodhimit e shndërrimit të ekonomisë në shërbim të kombit e mirëqenies së përgjithshme, por vetëm për hir të fitimit personal dhe grupor. Mbi këtë bazë u postuluan konturat e këtij modeli bizar të stratifikimeve shoqërore, ekonomike dhe abrogimit të të drejtave qytetare. Si pasojë e kësaj qasjeje, politika institucionale e Hashim Thacit sot më shumë së kurrë e ka ndarë shoqërinë në dysh. Kështu, infrastruktura ekonomike është bërë superstrukturë si dhe superstruktura është shndërruar në infrastrukturë. Pra shkaku është pasojë; je i pasur sepse je në pushtet apo je në pushtet sepse je i pasur. Dhe kjo ndarje ka bërë që sot shoqëria jonë të ndahet ndërmjet një oligarkie të pasur financiare në njërën anë dhe një shumice të varfër qytetare të përjashtuar politikisht, të papërfaqësuar institucionalisht dhe të pambrojtur juridikisht, në anën tjetër.
Prandaj vënia në pah e të gjitha këtyre fakteve i shpërfaq dallimet e thella dhe kundërvëniet radikale që ekzistojnë ndërmjet këtyre dy rendeve. Në këtë mënyrë, çjerrja e kësaj fashoje false tregon se sa të kota janë përpjekjet e pushtetit aktual për tu strehuar në të kaluarën dhe për ta qëndisur vetveten me kostum historik. Sepse njerëzit në të ardhmen do të mësojnë për këto periudha si të ndara ndërmjet vete. Dhe nëse brezat e ardhshëm do të mahniten me arritjet heroike të lëvizjes për çlirim, ata do të turpërohen për instrumentet që partia në pushtet ka përdorur për mbijetesën e saj politike. Përfundimisht, me gjithë synimet e marrëzishme për ta përjetësuar veten në histori me çdo kusht, madje duke shkelur me këmbë mbi çdo vlerë etike e standard universal të demokracisë, është më se e qartë se Hashim Thaçi dhe kamarrilla e tij e kanë dënuar vetveten me një vdekje politike të palavdishme e me një mbulim të përjetshëm nga pluhuri i harresës.
(Autori është deputet i lëvizjes Vetëvendosje)








