Papërgjegjësia, ky sport kosovar
Flaka SurroiSa mirë do të ishte që të papërgjegjshmit dikur të mblidhnin mend e të shërbenin si shembull se si nuk duhet vepruar, duke i hapur rrugë një brezi të ri njerëzish, të pastër dhe të paprishur, që mund të na e sjellin ndryshimin aq të nevojshëm. Sa mirë do të ishte...
Është vetëm 21 vjeç dhe sivjet, mbi supet e veta barti barrën e krejt një shteti që kërkonte me çdo kusht që nëpërmjet figurës së saj të dilte në sipërfaqe dhe që pas shumë vjetësh të bëhej objekt bisede për të mirë për një sukses olimpik. Presioni mbi të ishte tepër i madh. Ia mbytëm fuqinë duke folur gjithë ditën për të, duke mos menduar për asnjë çast se do të ishte më mirë ta linim rehat që të përqendrohej e të shtendosej... Ndihmuam ti hapej një varrë, e cila do ti mbetet vragë përjetë, dhe e cila ia ngufati fjalët të martën, kur KOHA e shpalli Supersportiste të Vitit.
Dukshëm e befasuar dhe e prekur, iu drejtua publikut, por fjalët iu ndalën në ajër, sepse e kapluan emocionet, në fakt, e mbyti ndjenja e fajësisë të cilën e shpjegoi kur doli për së dyti për ta marrë, kësaj radhe, trofeun e publikut. Tha diçka si: faleminderit për të gjithë përkrahjen dhe ju kërkoj falje që ju kam zhgënjyer në Londër... porse ju premtoj se do të ketë edhe pjesëmarrje në Rio, e edhe fitore të reja... Me gjithë sinqeritetin e një njeriu të mirë dhe një sportisteje të shkëlqyer, Majlinda Kelmendi nuk la pa falënderuar familjen, miqtë dhe trajnerin e saj për krejt çka kishte arritur deri më tani. Nuk i përmendi institucionet ato i përmendi trajneri i saj, plot hidhërim, me porosinë e qartë se miqtë dallohen në kohë të liga.
Majlinda po kërkonte falje për një gabim të vogël që ia bëri copë e grimë ëndrrat, që ia shkundi gjithë mundin që ka shkrirë në karrierën e vet që nga fëmijëria, për një pakujdesi që më së shumti i kushtoi vetë asaj... Majlinda, vajza modeste, po kërkonte falje fundja për një diçka që është e saja, por për të cilën kishte ndier përgjegjësi ndaj të gjithëve. Po jepte shembullin të cilin do të duhej ta ndiqnin të gjithëpushtetshmit e Kosovës. Të tregonin përgjegjshmërinë, të cilën ua kanë borxh qytetarëve, për shkak se këta merren me punë që nuk janë vetëm tyret... edhe nëse kjo do të thotë se duhet dhënë dorëheqjen.
Të gjithëfuqishmit në Kosovë bëjnë gabim pas gabimi, e gafë mbas gafe, gjithmonë në kërkim të një fajtori kujdestar. Dhe, kur nisen të kërkojnë falje me gati një muaj vonesë, e bëjnë kështu: Mua më vjen keq dhe u kërkoj falje gjithë qytetarëve të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të shkaktoj shqetësim të qytetarëve. Kam bërë përpjekje gjithnjë që të jem në shërbim të një jete më të mirë dhe një stabiliteti relaksimit të jetës së qytetarëve. Unë të gjithë qytetarëve u kërkoj falje për shqetësimin më të vogël me cilindo veprim që kam bërë. Ndërsa bashkëpunimi im me përfaqësuesit e institucioneve ka qenë korrekt, është korrekt dhe do të jetë korrekt (Grabovci, shefi i shefave në Aferën Pronto). Pra, asnjë fije pendimi për asgjë, as në mendje ti shkojë se mbase do të ishte etike të tërhiqej për shkak se është bërë alemi ibret me atë nivel të ulët komunikimi. Të tërhiqej madje edhe për këtë deklaratë që e dha para gazetarëve në fillim të javës, për një arsye shumë të thjeshtë: nëse krejt çka ka bërë deri tash (së paku në këta dy vjetët e fundit) janë shërbim për një jetë më të mirë dhe një stabilitet relaksimi të jetës së qytetarëve, a thua si do të dukej ajo që do ta bënte për të kundërtën, pra për instabilitetin dhe jetën më të keqe të qytetarëve?
Por realiteti është tjetër. Njeriu që refuzon ti kërkojë falje Krasniqit, të cilit së bashku me bashkëbiseduesit e tij ia ka sharë nënën bajagi si shpesh në ato pak minuta përgjimi që na ka rënë ti dëgjojmë, nuk jep dorëheqje, sepse konsideron se i është bërë e padrejtë që i janë zbuluar bisedat ndërmjet miqsh. E nuk i kërkon falje sepse duket se ka krijuar averzion ndaj tij edhe pse e thotë të kundërtën. Thuajse qëllimisht harron se Krasniqi është megjithatë kryetari i Kuvendit, është anëtar i po të njëjtës parti si ai dhe nuk ka dyshim se edhe vota e tij e ka sjellë në atë kolltuk. Dhe si shef i grupit parlamentar të partisë që formon qeveri, duhet të tregojë se ka bile mirësjellje elementare. E nëse ideja e tij është ta heqë atë nga posti i të parit të Kuvendit, atëherë le të bëjë ashtu siç e këshilloi vetë Krasniqi: le ti mbledhë 80 vota e le ta rrëzojë. Kjo është mënyra, e jo me telefona.
Para dy ditësh më erdhi një porosi në të cilën më thuhej se mediumet tona po bënin gabim se po merreshin me përgjimet, sepse po e bënim hit të ditës, thuajse Kosova nuk ka me mijëra probleme të tjera. Në përgjigjen time shpjegoja se vazhdojmë të merremi me përgjime dhe përmbajtjen e atyre bisedave mu përse ato e paraqesin problemin kyç të kësaj shoqërie. Kosova i ka një mijë, madje një milion probleme, sepse udhëhiqet nga klani që më parë shikon si ti rehatojë dajallarët, sesa të merret me përditshmërinë e cila nxihet dita më ditë, për shkak të papërgjegjësisë së pjesëtarëve të tij, e që për këtë tu mos u brejë ndërgjegjja asnjë grimë.
Ja sërish shembulli i ministrit të Brendshëm, i cili me këmbëngulje insiston se ...është duke e luftuar krimin përbrenda Ministrisë, sepse aty është vendi ku duhet të luftohet krimi, ngase ma së pari duhet ta pastrojë oborrin e vet, e mandej të dalë jashtë për ta ndjekur krimin. Kështu siç e thotë ai del se kriminelëve u jep dritë të gjelbër që edhe nja dy vjet (sa i kanë mbetur mandat në ministri) të bëjnë kërdi ku të duan, për shkak se ky së bashku me policinë të cilën e mbikëqyr, nuk do të merret me ta, sepse një herë është i zënë me ata të vetët në Ministri. E të mos harrojmë se Ministria e Brendshme kontrollohet nga PDK-ja që nga viti 2007.
Po ministri po e harron se oborri i tij është e gjithë Qeveria, madje edhe të gjitha institucionet e ndërvarura nga ekzekutivi, dhe se rrethi i krimit është shumë më i gjerë seç pretendon ai. Për më tepër, ai e ka edhe një problem ka dhënë urdhër që deputetët të largohen me dhunë nga ndërtesat institucionale ku kanë të drejtë të hyjnë kur të duan. E kjo mbase edhe do të mund të interpretohej si pengim i kryerjes së detyrës zyrtare, pra potencialisht do të mund të ishte vepër penale. Për ti bërë punët edhe më keq, e ka edhe një problem tjetër shumë serioz, kur përpiqet të heqë përgjegjësinë edhe për ikjen e bashkëpartiakut të tij, Zharku duke ia lënë fajin prokurorisë, ani që urdhrin për arrest e shqipton gjykata, kurse atë e zbaton policia...
Rexhepi po harron gjithashtu se dhomat e dëshmive nëpër stacione të policisë i ka si shosha dhe se prej aty mund të humbë çfarëdo, pos arit e drogës dhe disa dosjeve komprometuese. Po harron të na tregojë se të gjitha ministritë dhe të gjitha institucionet që paguhen nga buxheti shtetëror janë mbushur me përkrahës të partisë në pushtet që nga koha kur ai ka qenë kryeministër dhe se edhe kjo përbën punë me të cilën do të duhej të merrej dikasteri i tij.
Dhe duke ditur se nuk mund të lëvizë asnjë hap në drejtimin pozitiv sepse edhe me dashtë nuk e lënë, sepse krimi është ai që i ka paratë, e paratë janë ato që e sjellin Kosovën, pra për pasojë edhe botën ai vazhdon të kapet për luftimin e krimit përbrenda. Kapet për një fjali që tingëllon qesharake dhe vështirë e qëndrueshme. Çfarë do të ndodhë po qe se ndonjëri nga ata shtatë miqtë e Natali Velijajt del të jetë ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij? A do të kënaqet me edhe një deklaratë se ja, unë jam i hapur për bashkëpunim, apo është se do të japë dorëheqje, duke na kërkuar falje për dështimin e tij në luftimin e krimit?
Papërgjegjësi jo e vogël është edhe atë që po e tregon Gjykata Kushtetuese në rastin e Bajrush Xhemajlit. Rastësi apo jo, Xhemajli është zyrtar i lartë i PDK-së, dhe ka nisur një procedurë para Gjykatës Kushtetuese që nuk e nis gjithkush, për shkak se ose nuk e di, ose nuk ka para për të paguar avokatë për procedura të gjata. Gjykata Kushtetuese fillimisht merr masë të përkohshme, pa e pasur lëndën në dorë, dhe më pas, një muaj e gjysmë pasi e merr lëndën për të cilën thuhet se është ekstensive, e zgjat masën e përkohshme edhe për tre muaj të tjerë. Duke e lënë në liri njeriun e dënuar me vendim të plotfuqishëm për rrezikimin e komunikacionit publik, për aksidentin që shkaktoi ai, duke e lënë të vdekur një të ri 22 vjeç.
Arsyetimin që e jep Kushtetuesja është se dosja është shumë e madhe dhe se duhet të përkthehet në anglishte dhe serbishte. Po le ti ketë dosja edhe 500 faqe me organizim të mirë, dosja mund të përkthehet nga një ekip përkthyesish për maksimum një javë katër muaj duken të tepërta, dhe madje i tejkalojnë edhe afatet ligjore të shqyrtimit të lëndëve nga Kushtetuesja. Një arsyetim i këtillë teknik është shumë absurd dhe nuk mund të argumentohet as me procedurat e ngathëta të prokurimit e as me madhësinë e dosjes, dhe përkthimin e ngadaltë në një shtet që përkthen lënda gjyqësore që nga viti 2000.
Arsyetimi i parë që ishte shfrytëzuar për tia shtyrë Xhemajlit vuajtjen e dënimit kishte qenë problemi shëndetësor, një arsyetim të cilit nuk mund ti qasen të gjithë... vetëm të kujtojmë se sa gra janë detyruar të lindin në burg, apo sa të tjerë kishin përfunduar nëpër spitalet e burgjeve, ngase kishin hyrë në të të plagosur. Zoti Xhemajli e ka një vendim të plotfuqishëm nga Gjykata Supreme që nga qershori 2012, kurse tash i fiton edhe tre muaj e fiu nga Kushtetuesja, e cila duhet vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit kundër tij, në mos i janë shkelur të drejtat në procedurë. Fakti është se aksidenti që e ka shkaktuar ai e ka pasur për pasojë një vdekje. E ka shuar një jetë që nuk mund të kthehet. Minimumin që do të duhej të bënte është ti bartte pasojat e veprimit tij të papërgjegjshëm, e mbase të ndiente bile pak keqardhje e turp për atë që e ka bërë.
Edhe pse të fundit në këtë listë, megjithatë janë të parët me performancën e tyre të keqe, zhgënjyese dhe të turpshme si trup që duhet ti përfaqësojë interesat e popullit dhe ti marrë vendimet në të mirën e tij. Anëtarët e Kuvendit, që janë më të privilegjuarit dhe më të përkëdhelurit e kësaj shoqërie, ende e besojnë se janë kategori e veçantë njerëzish dhe insistojnë që ta kalojnë ligjin për privilegjet e veta dhe tia sigurojnë vetes hem pensionin e parakohshëm, hem pension suplementar. Për korrektësi, duhet thënë të gjithë, pos deputetëve të Vetëvendosjes. Të gjithë mund të shkojnë në pension me 65 vjet moshë dhe të marrin nga 100 euro pension (nëse i kanë mbi 15 vjet pune) pos këtyre, të cilët kërkojnë me dalë në pension me nga 60 vjet dhe, varësisht se sa mandate na kanë bërë të luajmë mendsh me ta, të marrin pension prej nja 450 deri në rreth 600 euro në muaj.
Marre!
...se në vend se të mendojnë se si ta kontrollojnë një Qeveri, e cila krijon buxhete shpenzuese por nuk krijon vende pune; si ta kontrollojnë një Qeveri, e cila vlon korrupsion e skandale, në vend se të shikojnë se si ta sigurojnë zbatimin e ligjshmërisë ata preokupohen me rehatinë e tyre. Kjo tregon nivelin e përgjegjësisë që është instaluar nga kasta e politikanëve që e dinë se askush, as gjyqi, nuk mund tiu bëjë gjë; që e dinë se pavarësisht të gjithave, e kanë fuqinë në duart e veta, dhe mund ti kontrollojnë krejt; që nisin të besojnë se të këqijat që i bëjnë janë në fakt të mira dhe se popullit po i bëjnë shërbim të mirë.
Sa më ndryshe do të ishin të gjitha po qe se politikanët tanë do të kishin shpirtin dhe sinqeritetin e Majlinda Kelmendit. Sa mirë do të ishte që kur do të gabonin dhe do të na bënin dëm, do të tërhiqeshin në heshtje, të penduar. Sa mirë do të ishte që të shërbenin si shembull se si nuk duhet vepruar, duke i hapur rrugë një brezi të ri njerëzish, të pastër dhe të paprishur, që mund të na e sjellin ndryshimin aq të nevojshëm. Sa mirë do të ishte...
...por, mbase edhe po kërkoj shumë, sepse është edhe mjeshtri e edhe mençuri të tërhiqesh në kohë të duhur e kjo kastë injorantësh ka treguar se ka mjeshtri e mençuri vetëm për ti plotësuar aspiratat personale... e besa edhe ato familjare.
flaka@koha.net


X,përsoni analist e kritik i sportit në të dy anët e kufirit.02.01.2013/23:27
Shumë e ndëruara Flaka,sa i përkët asaj që ke shkrua për sportin nuk pajtohëm as atëherë,sepse nuk është ai realiteti që ju keni shkruar.Analitikët e sportit të lartësive e thellsive ndryshë e spjegojnë këtë ngjarje.Për mos më ju lodhë shumë unë e kamë një porosi të vëtemë për te.Lë ti përvishët punës profesionale,lë ti ndegjon këshillat profesionale,lë të bashkëpunojë më garuësët më të mira të botës,lë të punoi më mësuësit më profesional të botës nëse ajo donë endrrën ta bëjë realitet.Tani për tani më këtë megallomani e shkrime të pa nevojshmë në supërlativ nuk ka nevojë se edhe karatistët të gjithë grup moshave,si dhë mundësit e të gjitha grup moshave kanë fituar medalje të arta të argjendeta e të bronzeta shumë më shumë se Majlinda Kelmendi e që aspiratat e tyre janë Lojrat Olimpike RIO 2016.Por ju e keni harruar,anashkaluar mundësin Prizreni i cili para katër viteve ishte në Lojrat Olimpike më 2008 në Pekin,më trajnerin e tijë Sylejman Shala.Të gjitha këto përshkrime sa rromantike,emocionale bile edhe të dhimbshëmë nuk kanë asnjë bazë që ajo të zgjidhët super sportistja e Kohës të cilën e çmoi shumë mu për shkak të objektivitetit e realitetit,por kësajë radhë i keni hudhë poshtë të gjitha normat,rregullorët,kriterjët e sportit ndërkombëtar e bëtëror.Kesaj radhe epiteti i më të mirit prej më të mirëvë është dashur ti shkojë Drilon Hajrizit,por më kriterje ndërkombëtare që janë bërë në europë për TE.Këtë storje më profesionale unë mund tju shkruaj,por e kamë një të vëtemë dëshirë kur e kisha pi një kafë se bashku,atëherë ju kishit më ndrysha mendimin për 360 shkallë,për sportin kosovar dhë vëtë të këtij shkrimi,më gjithë rrespektin që kamë për këtë sportiste,por që realiteti është shumë,shum ndryshë nga vizioni i juaj.Përshendetje e ndëruara Flaka.

Isaku02.01.2013/16:54
Majlinda s'ka cka kerkon falje nga neve per humbjen sportive ne Londer! sepse ajo nuk e ka shijuar as per se afermi kontributet tona qe i kemi dhene per ngritje te rinise tone. Ajo e ka fituar nje pervoje shume te madhe me humbjen e atije dueli, sa qe besoj se ajo e reprodukon ate situate si ne enderr edhe ne jeten e perditeshme. E une shpresoj se nese vazhdon te punoje me pervojen qe e ka fituar nje dite do ta arrije edhe te triumfoje sepse ajo ka tru sportisti e parasegjithash intelekt njerzor. Prandaj ajo dine dhe aty ku ajo e ndien veten fajtore kerkon falje? E keta qe ju i permendeni ne tekstin e juaj te metejme nuk i kane as per se afermi keto velera te Majlindes. Sepse kane prej kujt te mbledhin parane e secilit qe kontribon per shtetin tone, dhe se per ta per fjalija "kerkoj falje" ju duket se eshte sharje sic thot "B.D" per paraardhesit tane, prandaj eshte shume rende te thuhet nga ata.
P.S. "Nje fermer kishte dashte te konkuroj ne nje tender ne qeveri per tu shitur tembel.Por ai nuk merre pjese. E pyesin pastaj qeveritaret "perse nuk morre pjese"? Po, ne qeveri jeni te gjithe Qobana dhe e dini se kur perzihet qumeshti me uje...prandaj nuk morra pjese ne konkurim"

fiona krasniqi02.01.2013/15:25
Te lumte z.Flaka je e pa zevendsueshme.Fatkeqsishte ske kujt ti shkruajsh.

Gerguri01.01.2013/14:32
Nuk eshte se zonja,Surroi"hajt se po e zam se ka te drejte",sepse "te drejte" ka por me shume se "te drejte" ka fakte, te cilat ajo bile i kursen sepse do te ishte edhe me trishtuese."Mbase edhe po kerkoj shume" thote ajo,mbase se po per kohen.Tjetra,Kanuni ka qene i "domosdoshem" ne mungese te ligjit e jo se "shqiptaret nuk kane ... akter,fetyre e as marre" edhe pse besoj se Arsimi i thote keto ne frustrim e siper."Fshat spanjoll"!! eshte risi per mua...te shpresojme se viti 2013 te jete me i mire!

toni01.01.2013/07:57
ne ket gazet nuk lejohen te publikohen mendimet ndryshe veq duhet me lavdue zonjen flaka nese doni me ju publikue mendimi ne ket gazet,apo mas asht rregjim si ne koren e jugot kush mendon ndryshe eleminohet,te njeten bo ben kjo gazet kush mendon ndryshe i eleminohet mendimi,tani kjo gazet me fol per shprehjen se mendimit te lir kjo aht marri

M.sh.i.d!31.12.2012/18:21
Lexo!
Nje fjale e urte thot Me jep nje Vend Pike mbeshtetese dhe me nje Lloz Shkop boten do e leviz! Llozin e keni Intelegjenzen, ame vendin se keni!
Prandaj ju lus juve zonja Surroi,zt. Surroi,zt. Robellin etj qe "piken e juaj mbeshtetese" ta beni VVsjen. Idete si te vetme nuk levizin gjerat!
Prandaj Zonja Surroj, pa hezitim, pa hamendje e me vendosmeri behuni zeri i se drejtes duke pasur nen kembet e tua VVsjen e keta njerz te cthurur ti heqim njeher e pergjithmone qafe.
Kjo eshte deshira ime per vitin 2013!

Tali31.12.2012/13:42
Te lumte Zonja flaka,per ate qe e ke pasqyrue gjendjen e mjerueme te kesaj qeverie, por fjalen Marre!keta e konsiderojn njerzi se te marrum jane.

Fita30.12.2012/22:08
Flaka mire qe e paske permbylllur me kete shkrim sa alarmues aq edhe shpresedhenes per gjeneratat e reja.Po te ishte Kushtetuta, po e supozojme nje shpirt qe frymon haj medet, komplet Qeverin ne Haag do ta kishte dergue per zametet dhe turturat e perjetuara ne kete vit. O e kan sakatue krejt sa qe nuk e di a do te mbijeton edhe vitin tjeter.E kaluam pra edhe nje vit ne kete Shtet ku fshehja e se vertetes te mbronte me mire se sa ligji, dhe te siguronte me shume se pafajesia fale stilit PRONTO.

sali ibishi30.12.2012/21:18
Zonje hajt po e zam "bajagi" se ke te drejt me cka shkruan, pyetja ime eshte perse nuk lejohen komentet te cilat nuk i shkojn pershtati gazetes suaj te publikohen a mos valle nuk eshte kjo Censure mediatike, une them po. Prandaj derisa nuk i lejoni mendimet e te tjerve te cilat jane ndryshe mendoj se e humbeni besimin per ato cfare shkruani tek kjo pjese e lexueseve.A ju pelqen kjo apo jo nuk ka rendsi secili duhet ta pastrj oborrin e vet e mandej te shikoi jasht "gardhit"

Arsimi30.12.2012/19:37
Shkrim i shkelqyer por fatkeqesisht permenden emerat e injoranteve dhe te pafetyreve. Nga rastet e Bajrushit e Xhabirit mund te kuptohet pse perpara ka qene i domosdoshem Kanuni i Leke Dukagjinit. Nga se shqiptaret i mban vetem frika se nuk kane as karakter, as fetyre e as marre. Respektimi i ligjit per ta eshte fshat spanjoll e me kanun ua kane tere patkojt.

afrimi30.12.2012/19:02
fakt desha te them sorry









luledukagjini03.01.2013/13:43
Z.Surroi jeni e shkelqyshme ne qdo shkrim dhe kritik qe bëni ,dhe kta njerz qe ju kritikojn juve jan MJERIMI i kombit ton bashk me qeverin aktuale.