Kaçakët antievropianë
Halil MatoshiArtikujt tjerė
- Hysteria vazhdon
- Hysteria: Mirë se erdhët në orën e biologjisë!
- Vitet e sfidës së madhe: Të kalohet Rubikoni
- Deutschland Uber Alles!
- Tentim dhunimi në Kuvendin e Kosovës!
- Kompromis mbi kompromisin
- Mitrovica kundër qytetarit Spahiu
- Urime Hashim!
- Kryeministri po i armiqëson kosovarët me Perëndimin
- Tregtarë flamujsh, kontrabandistë pasaportash...
Skandalet e turpshme e frikësuese në majat e shtetit, aferat korruptuese dhe shpërthimi i dhunës verbale e fizike në Kosovë e arritën kulmin kur një ish-kryetar komune dhe kryetar dege i partisë së kryeministrit del kaçak në një shtet kinse ligjor: Nuk do ti dorëzohem drejtësisë thotë ai, duke e kërcënuar hapur EULEX-in, e shefi i tij hesht. Në Kosovë është suspenduar shteti ligjor Kosova ka hyrë në kursin antievropian
Pas valëvitjes së flamujve dhe dhënies zjarr retorikave turbonacionaliste e folklorike për një Shqipëri etnike, dhe dhurata retorike për një pasaportë shqiptare që kryeministri Berisha u premtoi shqiptarëve kudo që janë, për 100-vjetor, megjithatë duket se ai po rikëndellet. Nga kjo listë e dëshirave Berisha e hoqi Kosovën, sepse Tirana, sipas tij, do ta ndjekë kursin e mbështetjes për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës dhe të zbatimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.
Doli që në këtë retorikë mujshore me Kreshnik Spahiun dhe nacionalistët kosovarë, Berisha ta ketë trajtuar Kosovën si diasporë shqiptare, për të cilën e obligon Kushtetuta e vendit (preambula e saj) që të kujdeset, ndonëse Kosova është shpallur e njohur gati nga 100 kombe të botës si shtet sovran.
Dhe pikërisht këtu ai ia bëri vetes një kurth, nga i cili mezi do të dalë.
Etnonacionalizmi i shfrenuar si paranojë, së fundi, në anën tjetër gjuha përjashtuese ndaj opozitës si bartëse e sovranitetit të popullit (për aq sa ka vota të fituara), e cila, e indinjuar nuk votoi tri ligjet që ishin ndër kërkesat e Komisionit Evropian, si dhe dyshimet e bazuara në procesin zgjedhor, në Bruksel shihen si rezistencë shqiptare kundër Evropës dhe evropianizimit të Shqipërisë, së këndejmi vendi i shqiponjave nuk e mori statusin e vendit kandidat.
Një shans i humbur? Mos qoftë shansi i fundit!?
Sepse shqiptarët kanë ditur të humbasin epoka të tëra.
Burimi i gjithë kësaj energjie antievropiane dhe egërshane ndër shqiptarët, ku të gjithë janë kundër të gjithëve, është etnonacionalizmi dhe shmangia e debatit nga ana e shtetit dhe elitave politike e kulturore me shtetasit, për ndërtimin e një shoqërie politike liberale, me qytetarin (individin e lirë) e jo heronjtë, mitet dhe vëllazëritë e modelit sicilian në qendër.
Këndej Bjeshkëve të Nemuna, aferat e turpshme si ajo Pronto, skandalet korruptuese në Ministrinë e Brendshme (korrupsioni i zyrtarëve të saj që sipas dëshmitares Natali Velija e dëmtuan arkën e shtetit për 1.4 milionë euro) dhe shpërthimi i dhunës verbale e fizike skanë të ndalur.
Kulmi u arrit me rastin e një ish-kryetari komune dhe kryetar dege i partisë së kryeministrit, i cili del kaçak në një shtet kinse ligjor, kur ky vend dhe njerëzit e tij ishin dorëzuar vetë para drejtësisë ndërkombëtare (Tribunali i Hagës) për hir të një procesi epokal dhe pa u shkuar, besoj, mendja që të bëjnë kaçakllëk.
Nuk do ti dorëzohem drejtësisë tha zyrtari i PDK-së, i cili madje hapur kërcënoi jo vetëm drejtësinë e vendit, por edhe sigurinë kombëtare (se ai paskësh mundësi që të shkaktonte tronditje e revoltë qytetare të përmasave kryengritëse) dhe për habinë e shtetasve, shefi i tij sërish heshti.
Nuk dua të besoj se kryeministri e inkurajon në marrjen e ligjit në dorë
Jo, absolutisht.
Çështë e vërteta, kryeministri foli i pari kundër EULEX-it, për ta shpëlarë vetveten karshi rivalit të tij partiak, Fatmir Limaj, dhe nuk u ndal me kaq, ai u ngrit kundër vetë BE-së, pse, sipas masës së tij, evropianët nuk po e tolerojnë etnonacionalizmin dhe talebanizimin e kësaj mendësie politike të Qeverisë së tij, që ngadalë po shtrihet horizontalisht, duke zbritur në popull
Pra kryeministri kosovar me pamaturinë e tij, në Vlorë e Tiranë, Prishtinë e Shkup, nuk mundi dot ta frenonte retorikën turbonacionaliste, si në rastin e Berishës, por ky, për të garuar me lëvizjen Vetëvendosje se cili u fryn më shumë borive luftënxitëse!?
Kryeministri i vendit me fjalimet e tij, pa sens politik dhe rezon shtetëror, po krijon ambient të përshtatshëm për shpërthimin e antievropianizmit, madje edhe dhunës, qoftë të nxitur nga nacionalistët, qoftë nga klerikët, që e duan shtetin e ri, të parët me gjak të pastër e të dytët, teokraci.
Zyrtari kaçak i PDK-së hapur e sfidoi shtetin dhe shteti në heshtje e pranoi pafuqinë e vet ose mungesën e vullnetit politik të partisë në pushtet për të qenë shtet kushtetues.
Sepse ky zyrtar jo vetëm që i ka shpallur shtetit karshillëk, por ka kërcënuar dhe shantazhuar hapur sistemin e drejtësisë në vend, kur dihet se EULEX-i vepron në suaza të kushtetutshmërisë dhe në bazë të ligjeve në fuqi të vendit dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës me rezolutë të posaçme.
Me këtë akt është suspenduar shteti i së drejtës (besohet përkohësisht?) dhe kanë dështuar organet e ndjekjes, gjë që nuk u falet, ngase mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë nuk guxojnë të dështojnë edhe nëse dështon politika dhe kolapton një Qeveri!?
Para syve të kryeministrit pasuan akte terrori verbal dhe fizik, shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe lirive civile, në salla konferencash e zyra të shoqërisë civile, në rrugët e kryeqytetit dhe në salla sportive e mes tifozërisë gjithnjë më agresive dhe kleronacionaliste.
Kryeministri gjatë kohë i ka lëshuar punët e shtetit në duar mafiozësh e zyrtarësh publikë të lidhur me kazinotë, në duart e masave të zemëruara e të çoroditura, derisa grupet fetare, kundërqytetëruese dhe kundër modernizimit të shoqërisë, me agresivitet e plot mllef rrokën shkopinjtë e bejsbollit, për ti rrahur qytetarët që perceptohen të ndryshëm nga ata.
Kryeministri as pas këtyre simptomave të rrezikshme për pesë ditë rresht nuk qiti fjalë nga goja, as nuk e thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, as su bë i gjallë gjëkundi!?
Pas sulmit mbi lirinë e shprehjes dhe dhunimin e të drejtave të njeriut dhe lirive civile, reagoi ministrja e Integrimeve, sa për ta justifikuar veten si bartëse të këtij dikasteri dhe MPB-ja sa për ta larë gojën, se është në mbrojtje të rendit publik, përderisa qytetarë të frustruar, të paarsimuar e të ndikuar nga individë e grupe që haptas deklarojnë se nuk i binden Kushtetutës së vendit dhe ligjeve në fuqi, e bënin ligjin në mes të Prishtinës.
Në këtë kakofoni pushtetare, të shoqëruar me spiunazh e shpifje publike ndaj secilit që mendon ndryshe, të duket festë, madje edhe kur reagon Vlora Çitaku, kundër dhunës, ose kur e dëgjon një zyrtar të shtetit (Xhavit Haliti), që e di se kaçakllëku e shkatërron imazhin e shtetit.
Po ashtu ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ishte racional në Interaktiv të KTV-së.
Ai është psikiatër dhe e ka hetuar se në Kosovë ka shumë intolerancë, ku thuaja të gjithë kanë diçka kundër të gjithëve, ku të gjithë pajtohen se nuk pajtohen për asgjë, që nga politikat kombëtare e deri te ekonomia, që nga evropianizimi i vendit dhe tek të drejtat themelore të njeriut, që nga modeli qeverisës (kleptokratik) dhe mospajtimi i traditës dhe fesë me liberalizimin (vlerat e përbashkëta evropiane), që nga gjuha e deri te nacionalizmi. Dhe mjerisht në Kosovë debati as që ka nisur, sepse mujshia ballkanike ad hominem nuk lë hapësirë për të dëgjuar tjetrin dhe për ti dhënë argumentet ndryshe.
Në këtë ambient të rrëshqitshëm e të pasigurt, natyrisht se disa çarqe, qoftë kombëtariste, qoftë fetare, po duan ta ndalin debatin me dhunë, në emër të kombit apo Zotit, hala pa ia nisur!?
Sepse hapja e debatit shoqëror druajnë mos ua deplason argumentet mbi të cilat ata e mbajnë pushtetin politik. Kjo ndodhi edhe me një tubim për promovimin e revistës Kosova 2.0 dhe u pasua me dhunën ndaj zyrave të Liberta dhe qytetarëve, madje edhe të huajve. Ksenofobia dhe homofobia u pikëtakuan në mësymjet e nacionalklerikalizmit kosovar.
Kryeministri edhe në këtë rast heshti gati një javë ditë, për ta lëshuar një komunikatë tejet të zbehtë, së cilës nkatundet e Kosovës i thonë: Mka qu nana me la gojën, nga droja se po humb xhematin e tij, që e shfrytëzon vetëm gjatë zgjedhjeve dhe e lë në mëshirën e teologëve dhe seherbazëve bjerrakohës të skajeve më të errëta të qytetërimeve.
Sidoqoftë, Agani foli duke e dënuar dhunën, duke mos u pajtuar me të, ai së paku ndien keqardhje, sepse është i vetëdijshëm se shoqëria kosovare duhet të përpiqet ti pajtojë traditat dhe fenë me parimet liberale evropiane, ndërkohë që pajtim nuk do të thotë gjithqysh dashuri, por së paku zvogëlim i dhunës, destruksionit dhe agresionit ndaj tjetrit, që perceptohet si i ndryshëm. Kryeministri i vendit nuk e ka guximin e duhur politik dhe qytetar që të flijojë diçka nga mbifuqia e tij në pushtet për të bërë punë të hairit dhe për tua bërë të qartë kosovarëve (sidomos atyre që janë mbi ligjin) se kursi proevropian është pa mëdyshje i vetmi interes madhor kombëtar i shqiptarëve kosovarë.
Antievropianizmi haxhiqamilist i fillimit të shekullit 20 po rikthehet në hapësirën politike shqiptare pas gati një shekulli e veçmas në Kosovë, në vendin ku të drejtat e njeriut do të duhej të merrnin fuqinë e një kodi shenjtërues, sepse Kosova është çliruar pikërisht nisur nga primesat e të drejtave të njeriut.
Është koha që të këndellet kryeministri i Kosovës për të marrë qëndrime etike si politikan dhe të guximshme si burrë shteti.
Kryeministri i vendit duhet ta rimendojë veten, shtetin dhe të ardhmen e tij.
Duhet të jetë racional dhe të ketë një mendim të diferencuar e jo spekulativ, jodashamirës dhe armiqësor për proceset politike dhe karshi qytetarëve kosovarë.
Ai nuk ka të drejtë as morale dhe as ligjore të përkulet përballë presionit të rrugës, mafisë që e ka zaptuar shtetin dhe modelit të kazinove në qeverisjen e vendit, natyrisht nëse hala është dhe do të jetë në krye të detyrës kushtetuese e qytetare.
Kryeministri duhet tua bëjë të qartë shtetasve (me vendosmëri dhe nën betim kushtetues) kursin evropian të Kosovës, pa mëdyshje, duke e ndalur me forcën legjitime të shtetit dhunën, spiunimin e kundërshtarëve politikë, hajninë dhe krimin dhe duke ua rikthyer kosovarëve dinjitetin, sigurinë dhe shpresën.
Ai është vonë! Nesër gjithnjë është vonë, sepse kthesa e tij është dashur të ndodhte pardje!
Nuk i falet një kryeministri që në mitingje të jetë mburravec, krenar dhe i zjarrtë në retorika, e në krye të detyrës qyqar!


UNE21.12.2012/12:20
eeeehhh more Halil Matoshi, sipas duqave qe po te dalin as ti nuk je hiq ma i mire se kta qe po udheheqin...dallon vetem qe per momentin nuk po mundesh me hy nen dardha e me e hanger naj njo per qata e ki se hiq ma i ndershem nuk je se kta besa veq ma i zi je...ne kete kosove te vogel gjithkush e njef gjithekend

fati21.12.2012/10:40
o more halil ,po ku guxon edhe ky fare kryeminister tju bej za argateve te vet ,kur dihet se edhe ai eshte i perfshire ne gjithe keto te zeza qe po ndodhin,se po te ishte i paster nuk do te munde tja zinin koken kaq lehte, e thirret ne emer te kushtetutes ku ai me qindra here e thene kushtetuten e ku jane te tjeret pra,qe ta respektojne sikurse kryetari i komunes i cili iken nga vuajtje e burgut e gjoja keta te pushtetit nuk po e dikan se ku eshte ,po kjo eshte vetem se nuk guxojne ti bejne za,se me duket se edhe per keta ai kishte dokumente sekrete ....

Xhevat Berisha Janjevë21.12.2012/10:27
T' lumt Zoti Matoshi. sot ma bëre diten pak ma atraktive, kur po e shof se ka njerz edhe pse të pakt që e nominojn realitetin aktual kombtar, sa do që ky realitet na bën të brengosemi pa masë.

Vogoqinca21.12.2012/09:59
I nderuari Matoshi fajet per të gjitha kto marifetllëqe nuk i ka qeverija Thaqi, fajet i kan ata njerz të nivelit tënd që i kan fut vesht në lesh, edhe nuk kan guxim as nji reagim me bë.
TANI KOSOVA KA NEVOJ PER SHUM HALIL MATOSHA

Ermal21.12.2012/09:48
Ky far Matoshi e pat apo nuk e pat mire ky nuk mund te flase ne emer te popullit te Kosoves,sepse ne demokreci ka rregulla per te folur ne emer te pupullit.Pra duhet nenshtruar nje procesi per ta fituer ate te drejt dhe ate legjitimitet,e ky far Matoshi e ka provuer kete madje edhe permes disa partive por te gjitha ato hera ka deshtuar,pra i ka humbur zgjedhjet. Prandaj ky mund te flas vetem ne emer te familjes se vet dhe ate nese e ka edhe aty kete autorizim.

Mitrovica21.12.2012/09:35
Bravo Halil,e thua gjithëmon të vërteten.Siduket@Ahmet Regjepin e paske prek në tela.

Shpresa Gjermani21.12.2012/08:50
Te lumte dhe respekt z.Matoshi, per kete shkrim.
Shpresoj qe do ta lexojne ata qe ua ke deidkuar dhe te kuptojne se duhet ndryshe te udhehiqet shteti.
Cdo te mire dhe gezuar festat e fundvitit.

Afrimi 21.12.2012/01:12
Cili kryeminister o Halil djali, me vota te vjedhta kryeminister nuk vlen as 5 pare ! 30 e 30 qe kane votu kjo i bie qe vota reale nuk i ka as 5 !

Malsori21.12.2012/00:23
Respekt.Z.Halil Matoshi keto gjera jan krej te vertet,Por Populli duhet ti kuptoj.

Ahmet Rexhepi20.12.2012/23:48
more gazetar shume po paraqitesh si me pas kan naj far kryetari amerikan mos harro se nga kosova je edhe nuk je ti hiq ma i mire se as nje politikan te kosoves se edhe ti je ma hajn se edhe ata qe jan ne pushtet edhe ata qe po presin te hypin ne pushtet pra mos u paraqit aq shume se nuk je kerkushi shume po llamat.

Nexhmedini20.12.2012/23:44
Kur jane ne pyetje interesat personale dy kryeminstrat flasin me gjuhen e patriotizmit,kurse kur Serbija e rrezikon Kosoven keta behen evropian te moderruar,keshtu e ka politika.

Fita20.12.2012/22:53
Halil krejt me vend e ke ,por vetem se te demolimi i skenes Kosova 2.0 nuk jam i mendimit me ju.Un sa kam informacione kjo afere e pederllekut apo e homoseksualitetit a transseksualitetit si te doni thuani edhe Kroacia dhe Serbia i ka perjetuar dhe bile atje dhuna ka qene shum me brutale se ne Kosove.Ne Serbi ka qen e parapare edhe mbajtja e nje parade te ketyre te dashuruarve dhe nuk ka mund te mbahet per shkak te reagimit te shum organizatave shoqerore civile.E ne Kosove krejt te mirat na erdhen veq kjo na ka munguar deri tani.E neser nuk asht qudi te ngriten edhe pedofilat ti kerkojn te drejtat e tyre.Un ndoshta e kam gabim, por keto qasje te ketyre grupeve transseksuale edhe Evropa perndimore i shiqon me injorance ani pse ligjet e konfirmojn prezencen ne te drejten e tyre.

arberi20.12.2012/22:33
Bravo matoshi, vertet je analis dhe besa trim, te lumt

super super20.12.2012/22:02
Krejt kjo more Halil asht e sakt, por me prit pi hashimit dishka asht e kot.Biseda telefonike me matrapazt e vet tregon nivelin e tina.

buqkurish20.12.2012/20:09
po keshtu e kije kur ne krye te vendit i vendosim hajnat , skem tjeter cka presim prej tyre , edhe a e di cila eshte vetia ma e keqe e hajnit ,kur e tepron tu ba keq ik pej atij vendi e shkon e bane nji strufullog te ri diku tjeter, e thaqi do me ja lane ramushit ne dore paudhesite e veta ?








baci24.12.2012/22:07
bravo Halil je njish