ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Kumbara i Malit të Zi

Publikuar: 19.12.2012 - 20:20

Pak javë para se në Bari të Italisë të fillojë procesi gjyqësor kundër disa të akuzuarve për kontrabandë me cigare në Mal të Zi, në postin e kryeministrit kthehet Milo Gjukanoviq – për herë të shtatë që nga fillimi i viteve ‘90. Karriera e tij politike është shembull i pengmarrjes së një shteti

Mund të tingëllojë si minimizim nëse Milo Gjukanoviqi quhet politikan kontrovers. Që nga fillimi i karrierës së tij politike në fund të viteve ‘80 ai përmendet në kontekst të aferave korruptuese, tregtisë ilegale me cigare dhe privatizimeve jotransparente. Dhe që nga fillimi i karrierës së tij politike, Gjukanoviqi arrin të sundojë në Republikën e vogël të Malit të Zi – njëherë kryeministër, pastaj president, mandej kryeministër... Në fillim të këtij muaji Gjukanoviqi u zgjodh sërish shef i Qeverisë – për herën e shtatë që nga viti 1991. Partia e tij, e cila quhet Partia Demokratike e Socialistëve (sic!), i fitoi zgjedhjet në muajin tetor – diçka e pritshme për një grup politik që funksionin si ndërmarrje për menaxhim interesash ekonomike. Në Qeverinë e re të Mbretit Milo (koha e Kral Nikollës ka mbaruar moti) janë të përfaqësuara disa parti zëdhënëse të pakicave kombëtare dhe të qarqeve klienteliste.

Gjatë fushatës zgjedhore sundimtari shumëvjeçar premtoi hiq më pak se 40 mijë vende pune dhe integrim të shpejtë të Mali të Zi në Bashkimin Evropian. Me gjithë krizës financiare dhe rritjes së skepticizmit në vendet e BE-së ndaj pranimit të anëtarëve të rinj, ministrat e vendeve të BE-së në prag të verës së sivjetshme vendosën të fillojnë negociatat për anëtarësim të Malit të Zi. Kur morën këtë vendim ministrat nuk e fshehën dot ngurrimin, sepse, siç dihet prej shumë raporteve jo vetëm mediale ndërkombëtare, Mali i Zi njihet si qendër e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Andaj, BE-ja i bëri apel udhëheqjes në Podgoricë që të forcojë sundimin e ligjit, të respektojë të drejtat themelore dhe të luftojë keqpërdorimet. Mali i Zi është vendi i parë ballkanik që në kuadër të integrimeve evropiane do t’i nënshtrohet vlerësimit nga ana e entit evropian të policisë Europol.

Kthimi i sundimtarit

Mbetet të shihet nëse nën Qeverinë e Gjukanoviqit Mali i Zi do të përparojë në rrugën e integrimeve evropiane. Gjukanoviq me vite të tëra konsiderohej pengesë e madhe në këtë rrugëtim. Autoritetet e drejtësisë në Itali e Gjermani kanë zhvilluar me vite hetime kundër Gjukanoviqit dhe klanit të tij nën dyshimin e kontrabandës me cigare. Si kryeministër dhe president vendi ai gëzonte imunitet dhe kështu përherë i ka shpëtuar ndjekjes penale. Në fund të vitit 2010 Gjukanoviqi deklaroi se do të largohej nga skena politike, sepse ishte i vetëdijshëm që për shkak të së kaluarës së tij nuk ishte në gjendje të çonte Malin e Zi drejt portave të BE-së. Si pasardhës ai caktoi djaloshin Igor Lukshiq. Atëbotë, Gjukanoviqi tha se kishte arritur gjithçka në jetën publike dhe politike, duke e pavarësuar Malin e Zi nga përqafimi “vëllazëror” i Serbisë dhe duke hapur rrugën e integrimit në BE. Tani, shtoi Gjukanoviq, ka ardhur koha për “një jetë të dytë”, larg politikës.

Dy vjet më vonë, në pragdimrin e vitit 2012, ai u kthye në pushtet. Dhe shkaqet për këtë kthim duhet të kërkohen në Bari të Italisë. Atje në fillim të shkurtit do të fillojë një proces gjyqësor kundër disa të akuzuarve për tregti ilegale me cigare; të gjithë i përkasin klanit Gjukanoviq. Vetë Gjukanoviqi nuk është në mesin e të akuzuarve, por kushedi se çfarë mund të thonë dëshmitarët, andaj ai që tani ka gjetur strehë nën imunitetin e pushtetit dhe është bërë kryeministër.

Firma fiktive

Zhdërvjelltësia e Gjukanoviqit është legjendare. Në vitin 1991 ai u zgjodh kryeministër i Malit të Zi derisa ishte ende 29-vjeçar. Atëbotë ai gëzonte mbështetjen e Slobodan Millosheviqit. Më vonë Gjukanoviqi kundërshtoi Millosheviqin dhe u bë partner i Perëndimit. Në fillim të agresionit serb kundër Kroacisë prej territorit të Malit të Zi u sulmua Dubrovniku, perla e Adriatikut nën mbrojtje të UNESCO-s, më vonë Gjukanoviqi i kërkoi falje Kroacisë. Në gjysmën e parë të viteve ‘90 regjimi i tij, sipas medieve malazeze, lidhi kontaktet e para me mafien italiane. Pastaj përmes portit të Tivarit tonelata të panumërta me cigare u dërguan kontrabandë në anën tjetër të Adriatikut. Cigaret silleshin në Mal të Zi përmes firmave fiktive në Zvicër, në Virgin Islands dhe Panama, mandej përfundonin në tregjet e zeza të BE-së. Hetuesit gjermanë supozojnë se kjo kontrabandë ka shkaktuar dëm në vlerë prej “së paku dhjetë miliardë eurosh”. Ish-ministri italian i Financave, Ottaviano del Turco, është i bindur se Gjukanoviqi ka bashkëpunuar ngushtë me mbretin italian të tregtisë ilegale me cigare, Francesco Prudetino.

Një pjesë e bizneseve kontrabandë, sipas autoriteteve italiane, u zhvilluan përmes përfaqësisë tregtare të Malit të Zi në Milano. Shefja e kësaj zyre ishte një bashkëpunëtore besnike e Gjukanoviqit dhe në metropolin e Italisë Veriore njihej si “Lady Cash”, si zonja që artikujt luksozë i paguante me para në dorë. Kështu së paku shkruante së fundi revista malazeze “Monitor”.

“Ekzekutor i dobishëm”

Gjukanoviqi njëherë për njëherë është i sigurt në kolltukun e kryeministrit. Ai madje mund të jetë inspirim edhe për kryeministra të vendeve të tjera të rajonit, të cilët po ashtu janë të përbuzur nga bashkësia ndërkombëtare, por shfrytëzohen si “ekzekutorë të dobishëm”. Milo Gjukanoviqi në Mal të Zi ka krijuar një pushtet aq të madh ekonomik, saqë pa të askush s’mund ta qeverisë vendin. Me këtë aksident “demokratik” duhet të jetojnë qytetarët e Malit të Zi derisa të kenë një opozitë, e cila ende nuk e di se çfarë do. Gjukanoviqi së paku kujdeset për stabilitet politik, andaj edhe gëzon mbështetjen e amerikanëve. Pak para se Gjukanoviqi të zgjidhej kryeministër për të shtatën herë, në Podgoricë qëndroi diplomati amerikan Philip Reeker, i cili tha: “Gjukanoviqin e njohim mirë, e kam takuar shpesh dhe e konsideroj mik”.

 robelli@bluewin.ch

Komente (4)

pejoni20.12.2012/15:49

@meho , rri e shit speca e mos u përziej atje ku smerr erë ?

Meli20.12.2012/15:37

O Enver Robelli, a ty t'ka mbetur mu marr me Gjukanoviqin ?! Po mos te ishte ai, Mali i Zi ende do te ishte koloni e Serbise! Pastaj burre, cila force tjeter politike do te perballet me aq vendosmeri edhe sot hegjemonise serbomadhe, edhe permes 30 40 te serbeve sabotues permanente te Malit te Zi!?

aliu20.12.2012/15:18

Philip Reeker, i cili tha Gjukanoviqin e njohim mirë, e kam takuar shpesh dhe e konsideroj mik. A mos valle Gjukaviqi rastesisht kontrabandonte cigare Marlboro!

meho20.12.2012/10:50

Ky, me sa duket, eshte bere expert per ceshtje shteterore. pasi qe dha shum keshilla pushtetareve te vendit tone, tani filloi tu jep mende edhe atyre te rajonit dhe me vone do ti veje ne thumb te kritikes edhe znj. Merkel apo z.Holland...

1000  Karaktere
Prishtinė 32°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 32°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 36°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell