ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Mbreti kthehet në shtëpi (2)

Publikuar: 23.11.2012 - 20:14




Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin, përkatësisht 100-vjetorin e shtetit shqiptar, elitat politike në pushtet po duan që ta privatizojnë, për ta monopolizuar dhe shtënë në grusht vetë historinë kombëtare të shqiptarëve. Në anën tjetër, në këtë mësymje janë turrur edhe opozitat, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë

Pse mburren politikanët shqiptarë në këtë festë?

Derisa dy taborët e politikës shqiptare nuk po mund të merren vesh për votimin e dy ligjeve, si parakusht për marrjen e statusit të vendit kandidat nga BE-ja.

Në këtë histori nuk po mungon as populli i ndarë në të dy taborët dhe i lajthitur nga tregtarë flamujsh duke e kthyer festën në histeri!?

Secili nga liderët politikë të Shqipërisë, por edhe të Kosovës ia ka mësyrë lartësimit të vetes qoftë duke u rreshtuar, qoftë duke kundërshtuar një figurë historike, varësisht se më afër cilës ideologji ai militon. Së fundi doli që demokratët e Berishës të rreshtohen me Ahmet Zogun, kurse socialistët e Edi Ramës me viktimat e tij. Një dorë shqiptarësh dalin në krah të Enverit, kurse të dytët në krah të viktimave të tij. Po askush nuk po bën asnjë përpjekje që të hedhë dritë mbi veprat e mëdha të përbashkëta, si dhe mbi gabimet e mëdha të përbashkëta, për të mos u përsëritur ato.

Një palë na qenkëshin me Mbretin e një palë me Enverin.

Të dyja palët duan të rreshtohen krah rilindësve, kurse që të gjithë përkrah Skënderbeut të qortueshëm tashmë dhe legjendës se paqortueshme të Adem Jasharit, për të qenë sa më afër piedestalit nga ku i vështron historia (qoftë si hero kombëtar, qoftë si ngjarje madhore historike) dhe nga ku i japin mesazhe popullit se kë duhet votuar.

Pse la shteg të krijoheshin rrethana revolucionare, madje edhe komplotiste?

Pse i përbuzi Nolin, Fishtën, Gurakuqin, Konicën?

Pse organizoi falanga në Mat, që kryenin krime politike?

Pse i dënoi me vdekje në mungesë patriotët kosovarë Hasan Prishtinën e Azem Bejtën?

Pse urdhëroi të vritej Luigj Gurakuqi me atentat në Bari dhe pse forcat e tij vranë Bajram Currin në Dragobi?

Po, Avni Rrustemin - pse?

Pse ishin të majtë në pikëpamje.

E po pse të vritet njeriu për mendimin ndryshe, nëse ai e do atdheun dhe lirinë po aq sa ty?

Pse e la të vdiste në mjerim gruan e kaçakut drenicar Shotën, në Fushë-Krujë?

Dhe me gjithë këto pse-he, brezat e shqiptarëve vazhdojnë të dergjen në konfuzion, të nënshtruar nga një lloj i nacionalizmit të ri irracional, patologjik.

Në anën tjetër, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, thuhet se pavarësinë e kanë shpallur liderët e zgjedhur të popullit të Kosovës, kurse në librat shkollorë thuhet se shpalljen e bëri Hashim Thaçi!?

Por kush lodhet ta ndreqë këtë çarje dhe çartje të historisë.

Prandaj, ky brez shqiptarësh, po edhe shumë para tij, janë viktimat më të mëdha të shkollës që ua kanë mbjellë stereotipat për  liderët e tyre, bardh-zi, ose heronj ose tradhtarë, po asnjëherë persona realë, me të mirat dhe të këqijat e tyre.

Politikanët bëjnë punën e tyre, shpesh përmes demagogjisë dhe teorisë së lojërave, varësisht nga rrethanat, konteksti dhe aleancat, sepse të bërit politikë është arti i të mundshmes, prandaj shqiptarët ngatërrohen kot e i bien në qafë njëri-tjetrin për hesapet e tyre – politikanëve - që paguhen nga arka e shtetit për punën e tyre, madje duke krijuar pasuri të pamasë personale.

Elitat politike e kulturore shqiptare nuk kanë ditur të ndërtojnë një dije të balancuar dhe të diferencuar nga qasja emotive për tjetrin si armik.

Nuk kanë dashur të krijojnë një shoqëri të lirë, të hapur dhe miqësore me të tjerët.

Sepse thjesht nuk mund të qeverisin pa armiq!

Shqiptari tipik e sheh një armik përditë në shkollë e lajme, në rrugë, madje edhe në gjërat ushqimore dhe në veshjet.

Jeta në armiqësi të vazhdueshme, në histori që rrjedh gjak, është e padurueshme, e sëmurë…

Pse tjetri është armik?

Sepse shqiptarët kanë shumë ankth nga e kaluara dhe frikë për të ardhmen.

Për ta jetuar të sotmen dhe të ardhmen duhet “harruar” nga pak prejardhjen, për ta forcuar miqësinë qytetare dhe vullnetin për ta vijuar ekzistencën, sepse, siç thotë Ortega Y Gasset, në shtet nuk na mban ajo se çka kemi qenë dje, por ajo se çka jemi dhe çka do të jemi nesër.

Ndoshta ndërtimi i marrëdhënieve midis njëri-tjetrit në mënyrë irracionale (trupi politik i sëmurë) mund të jetë një nga shkaqet e rëndësishme që e mban fenomenin primitiv të përjashtimit të tjetrit akoma të gjallë sot në shekullin XXI…?

Duhet reflektuar për marrëdhëniet midis individëve në shoqërinë e re kosovare, duke parë të shkuarën dhe të tashmen si të qortueshme e të diskutueshme, e për ta negociuar një të ardhme më racionale, për sa i përket perceptimit dhe trajtimit të tjetrit.

Në fakt, mënyra me të cilën i drejtohemi tjetrit është pa dyshim një moment socio-emocional dhe kulturor.

Prandaj, duhet dhe ka hapësirë për të dialoguar dhe rinegociuar të gjitha vlerat, pos atyre që përfaqësojnë të keqen universale, dhe valorizimi duhet të ndodhë jo në baza etnike si shqiptarë dhe serbë, por në baza qytetare, duke e deetnizuar nacionalizmin, pra duke e deetnizuar shtetin.

Kombet i përfaqësojnë elitat politike, qeveritë, dhe në raportin “unë dhe tjetri”, shumëçka varet nga sjellja e qeverive, elita kulturore dhe media, duhet të ndërtojnë lajmin, tregimin dhe tablonë e pranimit të tjetrit si vlerë e jo si pengesë për realizimin e lirisë.

Etnonacionalizmi është kiç, thotë Danilo Kish, dhe si i tillë, mendoj se ai në epokën e televizionit është shndërruar në spektakël masiv, që është i akseptueshëm për turmat. Turma nga spektakli ekzaltohet dhe lehtë kapërcen kufijtë normalë për të hyrë në ekzekutimin e një linçi publik.

Prandaj për këtë 100-vjetor shqiptarët kanë bërë mirë që kanë pritur Mbretin si njeriun e tyre, duke ia njohur hisen për një varr me shenjë në atdhe, po ashtu siç e varrosën Enver Hoxhën me dinjitet më 1981.

E Kosova ku gjendet në këtë “humbje në interpretim”

Rroftë mbreti!

Poshtë mbreti!

Ashiqare konfuze. Me një shumicë enveriste që i turren Mbretit pa ditur asgjë ose fare pak për të bëmat e të pabëmat e tij.

Presidentja ia dha hakun Mbretit. Kryeministri e shau...

Punë për ta, sepse asnjëri nuk shquhen për racionalitet dhe që dinë të mbajnë kohezionin kombëtar e shtetëror...

Kjo asgjë nuk ndryshon.

Nuk e ndreq jetën e mjerë të qytetarit të zënë me kaçavidat e pushteteve personale e kleptokratike të kastave që e kanë dominuar shoqërinë shqiptare dhe atë kosovare dhe që i kanë zaptuar shtetet përkatëse.

Kosova nuk guxon të ndahet rreth Zogut dhe Hoxhës.

As rreth demokratëve e socialistëve.

Secili lë t’i mbajë bindjet e veta dhe lë ta shprehë lirshëm mendimin e tij, por s’është frytdhënëse interferimi i trupit politik kosovar në atë shqiptar, dhe anasjelltas, natyrisht.

Që të dy këta burra kanë bërë histori, më shpesh si nacionalistë sesa siç ishin, i pari diktator i djathtë e i dyti, i majtë (shteti kosovar është produkt i nacionalizmit shqiptar.)

Sefte e mbi të gjitha, këtyre shoqërive paralele u duhet kthjellimi, që të dalin nga qorrsokakët e historisë së interpretuar ideologjikisht, që të mos mbesin të humbur në interpretim.

Sepse shqiptarët prodhojnë më shumë histori sesa që mund të konsumojnë.

Prandaj kanë gjithnjë e më pak bukë!

Shoqëritë shqiptare hala janë tek epoka kur të njëjtët njerëz sakaq të bëjnë hero, sakaq të pështyjnë, me një disponim krejtësisht konfuz e të ngatërruar. Sikur në tregimin për popullin kafshë dhe popullin forcë, nga kreu i këtij shkrimi.

Komente (2)

Linda24.11.2012/09:41

Shkrim i shkelqyer. Vetem nje verejtje e kam Enver Hoxha u varros ne prill te vitit 1985 e jo ne vitin 1981.Perndyshe lutem shume qe nje dite Shqiperia e Kosova te gezojne dite te mira, se realiteti qe sot po mbreteron per fat te keq nuk le shume per te deshiruar.

drini23.11.2012/20:22

Je i madhe

1000  Karaktere
Prishtinė 27°CI kthjellėt
Tiranė 27°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 31°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell