Zhani Ciko: Si e zbulova operën 200-vjeçare për Ali Pashën

Artikujt tjerė
- Kalendari historik, 19 mars
- Zhani Ciko: Si e zbulova operën 200-vjeçare për Ali Pashën
- Arkeologjia e Mëngjesit, apo e pathëna e artit të Rexhep Ferrit
- Kolona e Ujkan Hysajt udhëton edhe për në Itali
- Koleksione të veçanta të Francës vijnë në Bibliotekën Kombëtare
- Hamami i Prishtinës, si në legjendën e Rozafës
- Kalendari historik, 18 mars
- Sislej Xhafa, në enciklopedinë botërore të artit
- Jakova promovon monografinë për Drinin dhe Lojërat popullore të Gjakovës
- Dirigjenti kosovar Kushtrim Gashi para publikut zviceran
Tiranë, 18 mars - Janë vitet 1820 në Janinë, atëkohë pjesë e Shqipërisë e nën Perandorinë Osmane. Personazhi kryesor i operës, është figura e njohur historike Ali Pashë Tepelena.
Kapiteni francez i anijes, Bernier, gjendet në Janinë ku është stacionuar së fundmi batalioni i tij. Aty, i bie në kokë për një vajzë të bukur me emrin Ariana, shqiptare nga origjina e me banim në Korfuz. Ka disa ditë që nuk ka marrë asnjë lajm prej saj dhe është i shqetësuar. Miku i Bernierit, Roberti, përpiqet ta ngushëllojë.
Shqetësimi i kapitenit për të dashurën e tij është plotësisht i justifikuar. Ndërsa Ariana ecte në bregun e plazhit të Korfuzit, është marrë për t'u bërë pjesë e haremit të famëkeqit Ali Pasha.
Ajo nuk mund t'u rezistojë pa qarë, urdhrave që të harrojë njeriun e zemrës së saj shpejt, sepse tashmë i përket vetëm atij... Vajzat e tjera të haremit, nuk ia dalin t'i japin shpresa Arianës, përkundrazi e këshillojnë që t'i dorëzohet fatit dhe të ndjekë vullnetin e zotit. Kjo, duket se është mënyra e vetme për t'i përballuar vuajtjet.
Ndërkohë Bernier ka mësuar se çfarë i ka ndodhur Arianës. Detyrohet të gjejë një pretekst për të takuar Ali Pashën në pallatin e tij. Fillimisht, sundimtari është i kënaqur që të mirëpresë një francez si mysafir, sepse tek e fundit, dihet që meshkujt francezë marrin vesh shumë nga femrat. Pashai dëshiron t'i tregojë atij, blerjen e vet më të fundit, të cilën Bernier duhet ta ketë zili. Kur dy të dashuruarit shohin njëri-tjetrin, e kanë të vështirë t'i shtypin ndjenjat e tyre të vërteta. Përpiqen të mos e japin veten se njihen, por sapo Pashai i lë pak minuta vetëm, ata rrëfejnë dashurinë e tyre. Despoti e ka dëgjuar gjithçka që ka thënë çifti, nga një vend i fshehur. Një ndjenjë e nxehtë zemërimi ia skuq fytyrën. Ai betohet për hakmarrje dhe kërkon që francezi të vihet nën pranga. Roberti ia del të hyjë në harem me batalionin francez. Me një goditje të fuqishme, çifti i ri lirohet...
Ky do të ishte një sinops i shkurtër i premierës shqiptare të operës gjermane dedikuar kohëve të lavdishme të pashait të Janinës. Zhani Ciko, drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, rrëfen për Gazeta shqiptare disa detaje mbi pjesën.
Profesor, kur e keni zbuluar këtë pjesë operistike?
Ka vite që më ka rënë në dorë dhe e kam shtyrë disa herë vënien e saj në skenë. Kam kohë që gërmoj për vepra të huaja që kanë të bëjnë me Shqipërinë ose personazhe të saj historike. Nuk e di se sa e njeh publiku këtë pjesë, por besoj se do të kenë interes për të sepse është një vepër e mirë. Ka qenë pjesë e strategjisë së punës sime, që herë pas here të vë në skenë vepra me natyrë historike, e sidomos ato të autorëve të huaj që kanë motive shqiptare, siç ishte para kësaj edhe "Skënderbeu" i Vivaldit. Duhet të dimë konsideratën që të huajt kanë pasur për ne.
Nuk duket se është vënë shumë herë në skenë...
Është vënë, në kohën që është shkruar nga Albert Lortzing në teatrot gjermane, por nuk rezulton të ketë pasur vënie të tjera, pra nuk kemi dijeni se ka pasur jetëgjatësi. Deri më tani, ka vetëm një version në CD të realizuar nga orkestra e Këlnit, por vetëm si muzikë, pa video e pamje, ndaj mendoj se produksioni ynë do të jetë interesant.
Kush është Ali Pasha në këtë opera?
Është një personazh autoritar, si shumë udhëheqës të kohës. Opera nuk ka të bëjë shumë me egërsinë dhe natyrën e tij. Nuk flitet për luftëra e ngjarje historike. Përplaset me dy francezë që gjenden në Janinë, e shkaku është një femër e bukur shqiptare nga Korfuzi që është bërë pjesë e haremit të tij. Vepra është shumë gazmore, pashait i pëlqen haremi dhe argëtimi, por përveçse autoritar, ai duket edhe një burrë babaxhan, që endet mes egërsisë, kënaqësisë që ndjen nga të pasurit pranë një femër të bukur e njëkohësisht edhe dhembshurinë për të.
Ndaj, vepra cilësohet si romantike?
Tema është ekzotike, ndërsa muzika nuk është folklorike, s'ka të bëjë me muzikën orientale. Është një vepër elegante që ka atmosferë të gëzueshme. Është aventura e dy të rinjve. Është i gëzueshëm fakti që, edhe pse autori i libretit e muzikës, Albert Lortzing ka qenë shumë i ri, i ka tërhequr vëmendjen pashai ynë.
A ka lidhje kjo vënie në skenë me kthimin në qendër të vëmendjes të kësaj figure historike?
Jo, aspak! Nuk do të kishin mjaftuar dy muaj për të gjetur libretin, muzikën e për të krijuar gjithë stafin. Ka qenë thjesht një koincidencë e bukur. Unë kam vite që e njoh këtë vepër dhe e kam gjetur rastësisht. E kam shtyrë shumë madje, vënien e saj në skenë.
A është imazhi i pashait, gjakatar apo udhëheqës?
Nuk është një histori luftërash e vrasjesh. Muzika e vërteton më shumë këtë gjë. Më vjen mirë që për të interpretuar pashain ka ardhur Gëzim Myshketa, që është vokalisht shumë i mirë për të. Baritoni mundet ta mishërojë shumë mirë këtë rol.










nn19.03.2013/09:20
...me ëndje do ta dëgjoja nji operë e shkruar kaq heret per nji pasha të cilin e kishte joshur shumë jeta e Sulltanit, prandaj ishte munduar ta kopjoi atë duke e zhvleresuar vehten ne te vërtetë...