• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Restaurimi i minares së Arastës në Prizren, në prag të dështimit

Publikuar: 11.03.2013 - 10:23

Prizren, 11 mars – Projekti për rehabilitimin e minares së Arastës në Prizren është bllokuar, pasi që organet e Bashkësisë Islame të Kosovës janë bërë pishman për vendosjen e teleskopit dhe shkallëve në këtë objekt të trashëgimisë fetare të qytetit. Ndonëse vitin e kaluar Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ishte pajtuar që t'u lejojë qasje vizitorëve në bazë të kërkesës së Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, javë më parë ky organ në koordinim me kryesinë qendrore të BIK-ut kanë kërkuar që mos të vendoset teleskopi dhe shkallët e jashtme në minaren e Arastës.

Kjo ka irrituar drejtorin e DUPH-së, Sadik Paçarizi, i cili ka akuzuar ambasadoren e Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan, dhe krerët e BIK-ut për ushtrim të presionit për bllokimin e projektit. Ndërkohë ka vlerësuar se edhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren ka luajtur lojë dyfytyrëshe, ani pse ka qenë bashkëhartues projekti.

“Gjithë organet që merren me trashëgiminë kulturore të Prizrenit kanë qenë të njoftuar me këtë projekt. Është kërkuar pëlqimi nga Bashkësia Islame, që është dhënë më 28 mars të vitit të kaluar, pas së cilës shkresë edhe kemi aplikuar për donacionin e Komisionit Evropian. Vetëm ditëve të fundit, pas intervenimeve të z. Naim Tërnava dhe ambasadores turke, Ozan projekti ka ardhur në fazën para bllokimit”, ka thënë Paçarizi.

Sipas tij, koncepti për restaurimin e minares së Arastës ka pasur për qëllim shfrytëzimin në aspektin e trashëgimisë kulturore si atraksion turistik.  

“Shkresa e fundit e BI-së na kthen në pikën zero", ka deklaruar Pacarizi.

Komuna e Prizrenit vitin e kaluar pati ndarë 20 mijë euro për rehabilitimin e minares së Arastas, derisa për mjete shtesë kishte aplikuar në Zyrën e BE-së në Kosovë, në kuadër të granteve të projektit “Kosova e Bukur”. Përmes një njoftimi Zyra e BE-së pati bërë të ditur se në kuadër të këtyre granteve do të mbështesë në Prizren rehabilitimin e minares së Arastas, projekt ky që parashihej të implementohej nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Sipas burimeve jozyrtare për rehabilitimin e minares së Arastas nga BE-ja janë ndarë 55 mijë euro, derisa vlera e përgjithshme ka qenë 73 mijë euro.

Kundërshtar i restaurimit të tillë të minares së Arastës ka qenë edhe kuvendari i KK-së së Prizrenit nga Partia Konservatore, Munir Basha, i cili pati vlerësuar se intervenimi simbolik në këtë minare nuk është i pranueshëm, ngase në këtë mënyrë vetëm legjitimohet dhe ripërtërihet krimi i bërë nga ish-regjimi komunist ndaj arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe pati kërkuar kthimin e xhamisë së dikurshme.

Sipas shënimeve të historianëve të prezantuara në portalin turistik të Komunës së Prizrenit,  Evrenos-Zade Jakup Beu mes viteve 1526 dhe 1538 ndërtoi mesxhidin ku pastaj ndërtohet edhe xhamia me minare (Arasta), ashtu që objekti fetar kryesisht shfrytëzohej nga tregtarët. Xhamia ka qenë e ngritur nga sipërfaqja e tokës dhe çmohej me bukuri. Përreth xhamisë ndërtohen dyqane, kështu që kjo pjesë shndërrohet në një treg të mbyllur (Arasta, Kapali Çarshinë e Prizrenit), i cili fillonte nga Xhamia e Sinan Pashës dhe përfundonte te Xhamia e Jakub beut. Kapali Çarshia e Prizrenit u dogj tërësisht në vitin 1913 dhe prej asaj kohe nuk kanë mbetur fare gjurmë të saj. Gjatë kohës xhamia restaurohet dhe rinovohet disa herë ashtu që pëson edhe ndryshime si në dukjen e saj ashtu edhe në shfrytëzim.

Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor të saj deri në vitin 1960. Në emër të “modernizimit” dhe “zhvillimit” qeveria e atëhershme rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku për qëllim ka pasur ndryshimin e pamjes dhe organizimit të qytetit. Nga këto ndërhyrje rrënohet tërësisht tregu i mbyllur Arasta sikurse edhe xhamia, ku minarja e saj kursehet duke lënë atë si “obelisk” para kompleksit të banesave shumëkatëshe.

Në vitin 1970 minarja e xhamisë restaurohet dhe konservohet me ç’rast regjistrohet si monument kulture.

Nga ajo kohë e deri në vitin 2007 minarja lihet pa përkujdesje. Në këtë vit, me përkrahjen e organizatës suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij” dhe Komunës së Prizrenit, IMMH-ja e Prizrenit bën restaurimin dhe konservimin e saj (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 21°CI kthjellėt
Tiranė 21°CI kthjellėt
Shkup 24°CI kthjellėt
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell