• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

UNESCO alarmon se Gjirokastra e Berati po betonizohen

Publikuar: 10.03.2013 - 15:32

Tiranë, 10 mars - Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO ka ngritur për herë të dytë shqetësimin për gjendjen e dy qendrave historike të Shqipërisë që i ka nën mbrojtje. Sipas ekspertëve të kësaj organizate pasuria botërore e Gjirokastrës dhe e Beratit po betonizohet.

Një letër me nëntë pika UNESCO i ka dërguar Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, raportojnë mediat në Shqipëri. Gjithnjë sipas tyre, letra shpreh shqetësimin e madh për mungesën e kontrollit ndaj ndërtimeve pa leje dhe moszbatimin e një plani për të përmirësuar gabimet që janë bërë tashmë.

Specialisti i monumenteve, Lorenc Bejko, u ka thënë mediave atje se kjo letër i paraprin një vendimi që UNESCO pritet të marrë në qershor nëse Berati dhe Gjirokastra do të futen në listën e trashëgimisë në rrezik.

“Shqetësimet që Komiteti i Trashëgimisë Botërore ka ngritur qysh në vitin 2011, ngelen po të njëjtat, të cilat nëpërmjet procedurës së tyre standarde, pra të qendrës së trashëgimisë botërore, përfundojnë në marrjen e një vendimi”, ka thënë Bejko. “Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i cili me sa duket do të mblidhet këtë vit, si çdo vit, në mesin e 2013-ës, për të marrë një vendim përfundimtar për statusin e pasurisë botërore të Beratit e Gjirokastrës, si pasuri në rrezik apo jo”, ka shtuar ai.

Ndër shqetësimet e tjera që UNESCO i adreson Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, është mungesa e një programi për ndërhyrjet arkeologjike, si dhe ngritjen e strukturave monitoruese në këto qendra në mbrojtje të saj. Sipas Bejkos, reagimi i strukturave shtetërore është tërësisht i kundërt nga ai që kërkon UNESCO.

“Në të gjithë këtë procedurë që UNESCO ndjek për të marrë një vendim nëse Berati e Gjirokastra do të shpallen pasuri botërore në rrezik apo jo, Këshilli Kombëtar i Restaurimit, vendosi të kryejë një ndërtim të ri në qendrën historike të Gjirokastrës, në zemrën e qytetit, e cila bie në kundërshtim jo vetëm me rregulloren shtetërore të administrimit të qendrës historike të Gjirokastrës, por bie në kundërshtim edhe me parimet e administrimit të Beratit, Gjirokastrës si pasuri botërore”, ka thënë Bejko.

Një tjetër pikë në letrën e UNESCO-s është edhe kërkesa ndaj shtetit shqiptar për ta vënë në dijeni këtë mekanizëm për çdo projekt restaurimi që ndërmerret në Berat dhe në Gjirokastër. Të njëjtat shqetësime i janë dërguar Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë edhe më 2011.

Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 metra mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum. Qyteti i dritareve, qysh njihet ndryshe Berati është njohur si pasuri botërore nga UNESCO në vitin 2008. Trojet e Beratit, sipas arkeologëve kanë qenë të banuara nga njerëz të civilizuar që nga shekulli VII para erës sonë.

Gjirokastra, ose ndryshe që njihet edhe si “qyteti i gurit” është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman. 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°C
Shkup 16°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell