• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:20 Anima *** 18:00 Talk *** 18:35 Filma Vizatimor: “ Ariu i Vogël Çarli “ epis.16 dhe 17 *** 19:00 LAJMET E MBRËMJES *** 19:35 Sporti ne KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:05 Automan *** 21:30 Dokumentar: “At the Edge of Russia” *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Kosova rrezikon të humbë afatin për të futur në UNESCO “Eposin e Kreshnikëve”

Publikuar: 05.03.2013 - 09:38

Prishtinë, 5 mars - Ani pse fundi i marsit është afati i fundit për aplikim në UNESCO, iniciuesi i projektit për futjen e “Eposit të Kreshnikëve” nën mbrojtjen e kësaj organizate, nuk e di nëse do të arrijë ta kompletojë dosjen e dytë. Në tetor të vitit të kaluar, Zymer Neziri,  punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës - që ka nisur projektin bashkë me profesorët Shaban Sinani e Vasil Tole nga Shqipëria - kishte deklaruar se dosja e zvarritur për më shumë se katër vjet do të finalizohej me afat. Por tani, Neziri nuk është i sigurt nëse kjo do të ndodhë, shkruan sot “Koha Ditore”. Gjithë çka konfirmon ai është se dokumentari për lahutarët që ishte pjesë e dosjes së dytë, është finalizuar dhe do të promovohet javën tjetër. Dokumentari i financuar nga Ministria e Kulturës me 12 mijë euro është realizuar nga regjisori Orhan Kerkezi.

Sa i përket afatit për aplikim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, Neziri nuk ka dhënë përgjigje të prerë se a do të arrihet.

“Shanset ekzistojnë gjithmonë, por varet prej rrethanave që janë dhe që do të jenë. Nuk është e definuar a do të arrihet afati. Nuk varet prej meje, varet edhe prej mbështetjes institucionale”, ka thënë Neziri, derisa ka shpjeguar se kanë mbetur të plotësohen disa pyetësorë.

Derisa ka shprehur gatishmërinë për të shfrytëzuar kohën që ka mbetur për të zënë afatin, Neziri i është kthyer dokumentarit, që kishte qenë një nga segmentet që ka lënë në gjysmë finalizimin e dosjes së dytë të “Eposit të Kreshnikëve”.

“Koha duhet të shfrytëzohet. Nuk është mirë të paragjykojmë a do të arrijmë. Dokumentari që ka qenë pjesë e dosjes është përfunduar dhe do të promovohet javën tjetër”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës, e cila e ka financuar dokumentarin për lahutarët, ka thënë se është e interesuar ta çojë përpara projektin.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar këtë proces edhe në aspekte tjera. Por presim që këto ditë të kemi takime me iniciuesit e projektit dhe të shohim konkretisht se cilat janë nevojat dhe ku mund të ndihmojmë”, ka thënë Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të kulturës, Memli Krasniqi.

“Padyshim se jemi të interesuar ta arrijmë afatin”, ka shtuar ai.

Projekti për futjen e “Eposit të Kreshnikëve” nën mbrojtjen e UNESCO-s në vazhdimësi është përcjellë me probleme.

Në shkurt të vitit të kaluar, ende pa u finalizuar projekti i parë për futjen e Eposit nën mbrojtje të UNESCO-s - i iniciuar në vitin 2009 me të cilin kërkohej që këngët epike të njiheshin si trashëgimi botërore - Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore në Shqipëri kishte marrë një nisme të re. Ky komitet kishte ngritur grupin punues për futjen e “Eposit të Kreshnikëve” në listën e UNESCO-s si trashëgimi shpirtërore në rrezik. Vitin e kaluar, ishte raportuar se Neziri i ka kërkuar Tiranës të ndalojë projektin. Por, ky i fundit kishte sqaruar se projekti paralel i nisur në pranverë të vitit 2011, ishte mbyllur në vjeshtë të atij viti.

Projekti për futje të “Eposit të Kreshnikëve” nën mbrojtje të UNESCO-s, pati filluar në vitin 2009 kur iniciativa ishte propozuar nga Instituti Albanologjik dhe ishte miratuar nga Dega e folklorit dhe Këshilli Shkencor brenda këtij instituti. Projekti i cili nisi si adresim dhe prezantim i “Eposit të Kreshnikëve” në mbrojtje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë –UNESCO, prej atëherë është zvarritur në mungesë të mjeteve financiare.

Në janar të vitit 2010 me vendim të Qeverisë së Kosovës, ishte formuar Komisioni qeveritar i Republikës së Kosovës për kompletimin e dosjes për futjen e “Eposit të Kreshnikëve” nën “ombrellën” e UNESCO-s. Zymer Neziri, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ishte emëruar kryesues i Komisionit në përbërje të Shaban Sinanit nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe akademik Vasil Toles. Për projektin e paraqitur si të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri më tani është realizuar pjesa e parë e dosjes, përderisa e dyta duhet të plotësohet me një dokumentar dhe një monografi.

“Eposi i Kreshnikëve” (ose Cikli i kreshnikëve) përbëhet nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme dhe në Kosovë, si: Malësi e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera. Në qendër të këtij eposi janë Muja e Halili.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 11°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 11°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė16°C
Tiranė18°CRrebesh shiu
Shkup23°CRrebesh shiu