• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Zbulohet xhirimi tetëminutash i zbarkimit të anglezëve në Sarandë

Publikuar: 02.03.2013 - 10:03

Një xhirim i rrallë nga koha e Luftës së Dytë Botërore i është dorëzuar të premten Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga Muzeu Historik Kombëtar të Shqipërisë. Ai është një film prej 8 minutash, i cili i është dhuruar MHK-së nga Bejtullah Destani, kërkues dhe studiues i marrëdhënieve kulturore shqiptaro-britanike. Filmi i xhiruar nga Peter Hopkinson, operator i njohur britanik gjatë kohës së Luftës, shpërfaq zbarkimin e komandove angleze në Spilje të Sarandës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pikërisht më 29 korrik të vitit 1944. Është një filmim pa zë, bardhezi, që tregon ndihmën e aleatëve në Luftën Nacionalçlirimtare, raporton gazeta “Panorama”. Ashpërsia e luftës, zbarkimi i trupave ushtarake, ndërthuret me peizazhin shqiptar. Në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Muzeut Historik Kombëtar, ku thuhet se dy institucionet e mësipërme marrin përsipër të bashkëpunojnë në aktivitete të përbashkëta kulturore dhe në shkëmbimin e materialeve arkivale me vlerë historike, MHK ia ka dorëzuar AQSHF-së materialin filmik të dhuruar nga Bejtullah Destani, në formatin 35 mm. Nën titullin “Commando raid on Spilje”, tregohet se si në mëngjesin e 29 korrikut 1944, katër anije britanike i afrohen bregdetit të Spiljesë së Sarandës për të luftuar në operacionin e tyre të parë përgjatë Adriatikut. Qëllimi i këtij operacioni ishte përforcimi i luftës në Ballkan, përkrahja e rezistencës së partizanëve shqiptarë në këto zona.

Përpara se të rreshtohej në radhët e Ushtrisë, Peter Hopkinson shpresonte të bëhej një kineast i madh. Kishte bashkëpunuar në filmat “Citadela” dhe “Hajduti i Bagdadit”, deri sa në vitin 1939 i erdhi thirrja për të kryer shërbimin ushtarak. Por, fati i tij qe që edhe në Ushtri nuk do të ndahej nga profesioni i tij. Fillimisht do të dërgohej si kameraman e reporter në Lindjen e Mesme, pastaj në Rusi, e kështu me radhë, duke fiksuar momente të mëdha historike. Një ndër ta ishte edhe zbarkimi i komandove në gjirin e Sarandës, në verën e vitit 1944. Pas përfundimit të Luftës, u dërgua në Bjellorusi dhe Ukrainë për të filmuar gjendjen e fëmijëve jetimë. Edhe më tej ai u fokusua në tema të rëndësishme, ndaj edhe është nderuar edhe me çmime. Krijimtarinë e tij e vazhdoi deri në moshë të shtyrë. Dokumentari i fundit i përket vitit 2004. U nda nga jeta në vitin 2007, në moshën 87-vjeçare, shkruan sot Koha Ditore.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°CI kthjellėt
Tiranė 15°CI kthjellėt
Shkup 18°CI kthjellėt
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell