• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Shtëpia ku u rrit piktori Muslim Mulliqi nuk ka asnjë gjurmë

Publikuar: 27.02.2013 - 09:51

Prishtinë, 27 shkurt - Shtëpia në Gjakovë ku mjeshtri i pikturës Muslim Mulliqi ka kaluar vitet e fëmijërisë nuk ka asnjë shenjë. Tashmë ajo është rrafshuar. Në vend të saj dhe të Teqesë së familjes Mulliqi është bërë parking. Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve i Gjakovës tash një vit ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Kulturës që të mbështetet rindërtimi i shtëpisë së piktorit me nam bashkë me objektin e kultit, por nuk ka marrë përgjigje. E MKRS-ja pranon se e ka marrë kërkesën, por “po e shqyrton atë”.

Në shkurt të vitit të kaluar shtëpia bashkë me Teqenë e Sheh Ahmet Mulliqit, gjyshi i piktorit, ishin përfshirë nga flakët. Disa nga muret ende qëndronin të ngritura. Në shtëpinë ku kishte jetuar njëri nga piktorët më të njohur kosovarë të shekullit njëzet deri më 1950, kur u zhvendos në Pejë, për të nisur shkollën e mesme të artit, prej vitesh nuk jetonte askush. Familjarët, të cilët asokohe lajmin për djegien e shtëpisë gati 200-vjeçare e kishin marrë nga fqinjët, kishin thënë se në të ka pasur vepra a literaturë dhe gjëra të tjera me vlerë.

Një vit më vonë ata thonë se nuk kanë mjete për ta rikthyer shtëpinë dhe tyrben në rrugën “Selman Riza”, jo fort larg Komunës së Gjakovës.

“E dimë që është shndërruar në parking. Derisa të nisin ndërtimet le të rrinë ashtu. Për ne si familje, kryesore ka qenë Tyrbja, sepse ajo është shenjë e familjes. Në shtëpi s’ka pasur asgjë”, ka thënë Visar Mulliqi, djali i piktorit të ndjerë, teksa ka shtuar se më shumë për këtë çështje di djali i axhës së tij, Bujar Mulliqi. Ky i fundit ka thënë se objekti ka qenë në qerpiçë dhe për këtë shkak është dashur të bëhej rrafshimi pasi u dogj gati tërësisht.

“Ndërtimi ka qenë në qerpiç dhe për këtë arsye është bërë rrafsh sepse ka mundur ta zërë dikë. Unë jam në Prishtinë dhe nuk e di çka po bëhet, a është parking a jo. Ndoshta ndonjë fqinj e lë veturën aty, e njerëzit e interpretojnë si të duan”, ka thënë Bujar Mulliqi, babai i të cilit e trashëgoi shtëpinë.

Por ai ka këmbëngulur se familja Mulliqi është e bindur ta ruajë traditën e vet.

“Si familje kemi dhënë mjaft për Kosovën dhe nuk ka qenë keq që dikush të na ndihmojë sepse tash një vit nuk kemi mundur të sigurojmë mjete për ta rindërtuar shtëpinë”, ka thënë Mulliqi, derisa ka shpjeguar se në bazë të hetimeve që janë bërë pas djegies, ka dalë që shkak të ketë qenë instalimi i rrymës. Shtëpia ishte dykatëshe, e ndërtuar prej llaçit dhe e forcuar me trarë druri.

Osman Gojani, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Komunën e Gjakovës, ka thënë se institucioni që ai drejton ka një vit që ia ka dorëzuar Ministrisë së Kulturës kërkesën për të siguruar mjete për rindërtimin e shtëpisë dhe Teqesë së familjes Mulliqi. Derisa për parkingun, Gojani e heq përgjegjësinë nga institucioni.

“Parkingun e ka bërë familja, jo ne. Instituti ka marrë të gjitha hapat e duhur dhe kemi dërguar kërkesën për të financuar rindërtimin e shtëpisë dhe të Teqesë”, ka thënë Gojani. “Por deri më tani nuk kemi përgjigje”, ka shtuar ai. Gojani nuk ka qenë në gjendje të japë shifër të saktë se sa mjete do t’i kushtonte MKRS-së rindërtimi i dy objekteve të familjes Mulliqi.

“Sipas kërkesës që kemi bërë ne, përafërsisht, janë 80-90 mijë euro për njërën. Por shuma përcaktohet pasi bëhet projekti”, ka thënë ai.

Shkëlzen Dragaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, e ka pohuar se MKRS-ja ka marrë një kërkesë të tillë.

“Kërkesa ka ardhur dhe është dorëzuar te sekretari. Po shqyrtohet mundësia që të investohet në rindërtimin e shtëpisë dhe Teqesë”, ka thënë Dragaj.

Shtëpia në të cilën është rritur Muslim Mulliqi ishte përfshirë nga flaka mbrëmjen e së shtunës së 18 shkurtit të vitit të kaluar. Asokohe, zyrtarë të Brigadës së Zjarrfikësve ishin arsyetuar se nuk kanë mundur të bënin asgjë më shumë, pasi kishin arritur me vonesë. Ata ishin lajmëruar vetëm kur zjarri ishte vërejtur nga komshinjtë. Shtëpia, që ndodhet shumë afër Kuvendit të Komunës, gjatë kohës së okupimit, kishte shërbyer edhe si shkollë. Për këtë arsye, sipas familjarëve, ajo është e përfshirë në katalogun e Ministrisë së Arsimit, si objekt që ka shërbyer në atë kohë në të mirë të arsimit shqip. Sipas rrëfimit të Visar Mulliqit, piktori i ndjerë, kishte jetuar në atë shtëpi deri në vitin 1950, pra deri në moshën 14-vjeçare. Shtëpia e Mulliqëve ishte djegur edhe një herë në vitin 1938.

Shtëpia që është pjesë e kompleksit të lagjes që është ndërtuar në vitet 1820 nuk ka qenë nën mbrojte të shtetit. Por, sipas Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Komunës së Gjakovës, Teqeja kishte qenë e inventarizuar.

 

Komente (1)

Hasani28.02.2013/12:52

Ani cka?!!!!!!!!!!

1000  Karaktere
Prishtinė 18°CI kthjellėt
Tiranė 18°CI kthjellėt
Shkup 20°CI kthjellėt
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell