Projekti politik i Rugovës ishte gjithëkombëtar
Artikujt tjerė
- Ilir Tafa sërish në një projekt të madh filmik
- Projekti politik i Rugovës ishte gjithëkombëtar
- Opera hapi sezonin e ri artistik për vitin 2013
- Përmbyllen aktivitetet e Flakës së janarit
- Artistet afgane kërkojnë shanse për të krijuar
- Transformimi i Parkut Arkeologjik merr buxhetin e turizmit kulturor
- Kalendari historik, 31 janar
- Kundër piraterisë, me Task Forcë
- Djaloshi nga Berati, piktori i ri më i mirë në botë
- Ndahet buxheti i shtetit për institucionet e kulturës
Vjenë, 31 janar - Në Vjenë, nën organizimin e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Austri, u mbajt një akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së presidentit të parë të Kosovës Ibrahim Rugova në shtatëvjetorin e ndarjes nga jeta. Në akademi morën pjesë shumë bashkatdhetarë, anëtarë dhe përkrahës të LDK-së dhe presidentit Rugova. Pjesëmarrësit nuk ishin të gjithë nga Vjena, por kishin ardhur edhe shumë bashkatdhetar nga qytetet e tjera të Austrisë, si nga Linz-i, Baden-i, Wiener Neustadt-i etj. Pjesëmarrja e shumë veprimtarëve të vjetër të LDK-së në Austri e nderoi këtë tubim përkujtimor. Por, nderimin më të madh ia bëri pjesëmarrja e një delegacioni të lartë të LDK-së nga Prishtina me në krye kryetarin. Isa Mustafa dhe nënkryetarin Haki Rugova.Në hapje të akademisë, sekretari i degës së LDK-së në Austri Salim Kryeziu tha se ishin mbledhur për ta përkujtuar me dhembje, por edhe me krenari, në shtatëvjetorin e ndarjes nga jeta personalitetin më të rëndësishëm të historisë së Kosovës; udhëheqësin e madh, i cili e drejtoi popullin e Kosovës kah perëndimi dhe e miqësoi Kosovën me shtetet më demokratike të botes; politikanin, i cili krijoi një lidhje speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; simbolin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës; njeriun e paqes dhe demokracisë; presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova.
Ndërkaq kryetari i degës së LDK-së në Austri Ibish Rugova, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti delegacionin e LDK-së nga Prishtina.
Ndërsa për jetën dhe veprën e presidentit Rugova foli Skënder Gashi. Ai tha se personaliteti i Ibrahim Rugovës duhet vështruar në dy dimensione. Në dimensionin e brendshëm Rugova është një kolos i mendimit të ri, i një filozofie të re, i një qasjeje të paparë të çështjes kombëtare shqiptare. Ndërsa në pikëshikimin e strategut të pavarësisë Rugovën duhet parë si liderin e parë shqiptar i cili e kishte kuptuar se kosovarët nuk e kishin forcën e armës, përkatësisht se me luftë të armatosur të nisur menjëherë nuk do të mund të çliroheshin nga Jugosllavia gjegjësisht Serbia. Duke e ditur këtë, moto e kërkesës së vazhdueshme e Tij ishte ndërhyrja ushtarake e bashkësisë ndërkombëtare dhe vënia e përkohshme e Kosovës nën një protektorat ndërkombëtar. Projekti politik i Rugovës ishte projekt gjithëkombëtar duke e pasur për prioritet së pari mëvetësimin e Kosovës. Dhe, këtë mëvetësim Rugova e pa duke i kthyer sytë e mendjen kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Perëndimit.
Më tej Gashi tha se politika paqësore e presidentit Rugova e shkeu velin e zi me të cilin propaganda serbe që më shumë se një shekull i kishte paraqitur shqiptarët për komb të paformuar, për popull të vonuar në historinë e civilizimit europian; një popull ngatërrestar karshi fqinjëve dhe të egjër e të vrazhdë në jetën e tyre të përditshme. Ishte pikërisht diskursi i Ibrahim Rugovës për një strategji paqësore e politike, përballë një dhune të ashpër e sistematike të regjimit serb, ai që shkaktoi habi dhe nxiti pyetje që synonin ti shpërbëjnë stereotipet e trashëguara për shqiptarët. Me këtë rast ai foli edhe për personalitetin e presidentit Rugova, për të cilin tha se ishte njeri i durimit, njeri i paqes, njeri i qëndresës, i trimërisë, i tolerancës, i guximit, i urtisë, i butësisë, i mençurisë, i maturisë dhe i konstruktivitetit njerëzor, kulturor, letrar e politik. Ai ishte një njeri universal për të gjithë, me të gjithë dhe i të gjithëve. Miku më i madh i miqësisë dhe i dashurisë gjithënjerëzore.
Në vazhdim Skender Gashi tha se koncepti i politikës për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia nuk ishte as utopi e as ndonjë filozofi naive pacifiste, siç u tentua të ngjyrosej kjo nga individë, porse ky pacifizëm përcillej me kërkesën këmbëngulëse e të përsëdytur pa rreshtje për ndërhyrjen ushtarake të fuqive të mëdha për t'i dhënë fund terrorit serb mbi shqiptarët e pambrojtur të Kosovës. Kjo filozofi politike i krijoi Kosovës shumë miq në botë, të cilët, në momentin vendimtar, e kuptuan dhe e mbështetën kauzën së lirisë së Kosovës. Miqtë me të cilët na afroi kaq shumë Presidenti Rugova janë edhe sot këtu me ne. Kjo besëlidhje me ta është jetike për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, ashtu siç ishte më 1999, kur Kosovës iu zgjat dora e shpëtimit në orën më të muzgët të historisë sonë, kur popullit të Kosovës po i kanosej zhbërja.
Kosova e humbi para shtatë vitesh presidentin Rugova, theksoi Gashi, por ky i la Kosovës shumë miq.
Ai ishte edhe shumë kritikë me çasjen e qeverisë së Kosovës dhe të një pjese edhe asaj të Shqipërisë me rastin e festimeve zyrtare në Kosovë e në Shqipëri të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Krejt ndryshe nga çe vlerësoi bota dhe e vlerëson populli shqiptar i Kosovës e më gjerë pati qeveria aktuale e Kosovës. Establishmenti aktual politik i Kosovës e anashkaloi me program Ibrahim Rugovën, themeltarin e shtetit të Kosovës, burrështetasin tonë të parë, atin themeltar të kombit, siç i referohen me të drejtë studiuesit ndërkombëtarë të historisë së re të vendit.
Gashi përmbylli fjalimin për presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova me konstatimin se elita politike e Kosovës duhet ti rrijë besnike idealit të presidentit Rugova dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta ruajë unitetin dhe vijën e trasuar nga themeluesi i saj Ibrahim Rugova.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa që në fillim të fjalimit, foli për presidentin ndjerë Rugova, si dhe për proceset politike në Kosovë. Më pas foli edhe nënkryetari Haki Rugova.
Me këtë rast të gjithë të pranishmit në akademi patën mundësin që ti bëjnë pyetje kryetarit Mustafa, interesimi i të cilëve ishte jashtëzakonisht i madh. Pjesa më e madhe e pyetjeve kishin të bënin me shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në Kosovë. Veçanërisht interesimi i tyre në këtë pikë ishte se si LDK do ta luftonte këtë dukuri. Temat tjera me shumë interes ishin edhe bisedimet me Serbinë dhe problemi i pazgjidhur i Mitrovicës.








